RAMADAN AVDIU: RIPËRTYPËSIT

Prishtinë, 31. 08. 2013 – Duke i lexuar shkrimet e Lubonjës, Idrizit dhe të mbrojtura nga Matoshi e shpura e tyre, domosdo që më parafytyroheshin konfrontimet e shumta që kishim ne me vizionin serb të plasuar në fushën mediatike dhe diplomatike gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë. Madje, në këtë rast po e heq modestinë, ne e kemi çmontuar, komplet, e kemi dekonstruktuar dhe shpartalluar vizionin serb para qarqeve diplomatike dhe mediatike ndërkombëtare.

Mezi kam pritur të shkoj në pushim dhe të largohem pak nga rutina e përditshme prishtinase. Pas problemeve serioze që pata me shëndetin dhe punës së mundimshme këtë vit, pas këtij pushimi e ndjeja veten mirë dhe prisja t’u kthehem punëve të mia të përditshme. Kur u ktheva, disa miq sikur u habitën kur mësuan se unë nuk kisha qenë në korrent të shkrimeve të disa të vetdeklaruarve ‘shkrimtarë’, ‘analistë’ e ‘intelektualë’. I gjeta dhe i lexova nga e para. Nga ai i Fatos Lubonjës e pastaj ato të Arben Idrizit, Berat Buzhalës, Halil Matoshit e Imer Mushkolajt dhe menjëherë, do të pasojë tendosja e lodhja. I pashë edhe reagimet e Jakup Krasniqit, Ismail Kadaresë, Bardhyl Mahmutit, Rexhep Mejdanit, Behxhet Shalës etj. Pavarësisht faktit se këta të fundit, intelektualë të spikatur, të njohur edhe përtej hapësirave tona kombëtare, fare mirë e kishin argumentuar irracionalitetin e shkrimeve të atyre që rëndom kanë qejf ta quajnë veten me epitete si ‘opinionist’, ‘analist’, ‘shkrimtarë’ e ‘mendimtarë kompetentë’ të ‘gjithanshëm e të gjithëdijshëm’.
Vendi nuk më lë të qetë e të mos e them edhe unë fjalën time të lirë, nga prizmi i një aktori të ngjarjeve për të cilat shkruajnë këta farë analistë, që Kadare i trajton si horra, e të cilat ngjarje synojnë t’i plasojnë si dëshirojnë ata apo siç janë të porositur t’i plasojnë. Të gjithë ata që nuk i ka lënë kujtesa e dinë ‘vizonin serb’ për luftën në Kosovë. Pra, për historinë tonë më të re. Edhe gjatë luftës Fatos Lubonja kujdesshëm plasonte qëndrime pro ‘versionit serb’. Ne e konsideronim si skizofren dhe nuk merreshim me të. Tani ai skizofren, i cili nuk vlerëson asgjë nga e kaluara jonë historike, kulturore e kombëtare, e që është normale për tipat skizofrenikë, arrin në atë shkallë sa ta cilësojë gjithë ‘popullin si skizofren’ e veten si ‘kozmopolit mendjendritur’.

Berat Buzhala, Fatos Lubonja, Arben Idrizi dhe Halil Matoshi.

Duke i lexuar shkrimet e Lubonjës, Idrizit dhe të mbrojtura nga Matoshi e shpura e tyre, domosdo që më parafytyroheshin konfrontimet e shumta që kishim ne me vizionin serb të plasuar në fushën mediatike dhe diplomatike gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë. Madje, në këtë rast po e heq modestinë, ne e kemi çmontuar, komplet, e kemi dekonstruktuar dhe shpartalluar vizionin serb para qarqeve diplomatike dhe mediatike ndërkombëtare. Serbët e patën futur bishtin nën shalë dhe nuk u pati mbetur derë ku të trokisnin përveç në mediet e tyre brenda Serbisë dhe në ato media që akoma i botonin në Kosovë sepse shkrimet dhe versioni i tyre për të vërtetën e luftës në Prekaz dhe në tërë Kosovën ishte amalgamë vetëm për ta. Por, duke i lexuar shkrimet e Lubonjës, e të atij farë Arben Idrizit, që më shumë ngjasojnë me personazhin e filmit ‘mbledhësi puplave’ sesa me shkrimtarë a intelektualë, njeriu e sheh se ai amalgamë është gëlltitur edhe nga kjo shpurë që na hiqen si mendimtarë e partizanë të mendimit të lirë, në emër të mendimit të lirë po e ripërtypin ‘vizionin serb për Kosovën’ dhe nëpërmes mediumeve në gjuhën shqipe synojnë ta riplasojnë në mediume ndërkombëtare, ‘punë e çirakëve vullnetarë’ në të mirë të vizionit serb për Kosovën, do të thoshte Kadareja. Se e bëjnë me zell e vullnet këtë ripërtypje do të thosha edhe unë. Por, intuita ma thotë se nuk janë vullnetarë. 
Unë lexoj libra e shkrime në katër gjuhë të ndryshme dhe mund të them se askund nuk kam mundur të lexoj diçka më perverse sesa shkrimet e Lubonjës e Arben Idrizit, të cilin e drejton ‘instinkti prej shkrimtari’ dhe ashtu instinktivisht’ i kualifikon protagonistë të rëndësishëm të historisë sonë ‘si vrasës’, kurse lemeritet pse në themelet e pavarësisë së shtetit tonë qëndron Adem Jashari dhe familja Jashari, pse në themelet e shtetit tonë qëndrojnë ata të cilët për lirinë edhe të këtyre kalemxhinjve batakçinj u bënë fli e këta i përdhosin duke i quajtur kriminelë, cuba, banditë, vrasës e … o tempura o mores … vrasës edhe të familjeve të tyre!!! Që nuk kanë lënë asnjë ide dhe as një histori dashurie pas … që kanë vetëm muskuj dhe armë … e gjepura të tjera.
Vallë, çka synojnë këta matrapazë të fjalës publike?!
Arben Idrizi thotë se nuk ka burime historike për ta vlerësuar Adem Jasharin. Ai shtron edhe dilemën se çka do të thuhet për të pas 50 a 100 vjetësh. Mbase ‘instinkti’ ja thotë se shkrimet e tij do të jenë referencë për shkruesit e historisë. Por, unë i them se Ademi dhe familja Jashari nuk do të përjetësohen vetëm me një këngë si Ahmet Delia, Demë Ahmeti apo Hoxhë Breznica. Lufta e Ademit, Hamzës dhe familjes Jashari mobilizoi gjithë popullin, përveç bashkëpunëtorëve të pushtuesve, por edhe gjithë diplomacisë ndërkombëtare ia ktheu vëmendjen në Kosovë. Ata do të mitizohen, kurse A. Idrizi dhe shpura e tij do të mbesin vula e turpit në ‘muzeun’ e kujtesës kombëtare shqiptare. Këtë e dinë ata që i kanë porositur të shkruajnë, prandaj synojnë t’i rikthejnë mitet e tyre duke i kontestuar Ademin e heronj të tjerë, madje duke e mohuar gjithë luftën e drejtë dhe të domosdoshme për t’u çliruar nga pushtuesit serbë.
Ndërkaq shumë protagonistë kryesorë të kësaj lufte që kanë mbijetuar me instinktin e tij Arbeni i kualifikon kriminelë e vrasës. Luftërat, heroizmat e sakrificat për të mirën dhe lirinë, gjithmonë u kanë shërbyer mendjeve të ndritura, shkrimtarëve, artistëve e krijuesve si burim frymëzimi. Te ne nuk ka qenë gjithmonë ashtu. Këta pseudointelektualë janë pinjoll të atyre që kanë thënë edhe për Azem Galicën se ‘ia pa sherrin krejt Drenica’. Për shkrimtarët e artistët e mirëfilltë, jeta, intelektualiteti, përkushtimi për të luftuar për liri, historia e dashurisë dhe rënia heroike e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit do të ishin burim i përhershëm frymëzimi për të krijuar, kurse ky Arben ‘shkrimtari’ nuk denjon të merret me këto personalitete polivalente, por e shpall kriminel të vëllanë e Fehmiut, Ramizin, si shumë bashkëluftëtarë të tij, sepse për këtë ka referencë materialet e UDB-së dhe propagandës serbe, të përmbledhura në të ashtuquajturin “Libri i bardhë” për Kosovën.
A është dashur të luftohet apo jo? Këtë dilemë e shtrojnë tash 14 vjet pas përfundimit të luftës, ata që po t’ua vështrosh mirë surratet, sheh se si ravijëzohet skizofrenia në rrudhat e tyre. Ata kanë krijuar mediume e portale si puqilla me ujë, ku shikohen çdo ditë. Aty vetë shkruajnë, vetë komentojnë, vetë gjykojnë, vetë kontrollojnë, vetë censurojnë, vetë plasojnë dhe shikohem orë e çast në ujë, besa Anton Pashku do të thoshte, e shohin veten në një materie tjetër të lëngët dhe u duket vetja se nuk ka si ata, u duket vetja se ata edhe zotin e kanë vdekur. Për ata si Fatos Lubonja, Arben Idrizi, Berat Buzhala, Halil Matoshi, Imer Mushkolaj dhe kompaninë mbështetëse të ‘vizionit serb’ për Kosovën që pretendojnë se e ‘kanë vdekur zotin’ vlen një shprehje tejet e përhapur në Kosovë. Këta tipa, me ja mësy e hanë edhe hekurin! Për të gjithë bëhet e qartë se këta tipa ‘intelektualësh me instinkt’ mund vetëm ta ripërtypin ‘vizionin serb’, i cili do t’ju mbetet në fyt.

– Kontakti me autorin: [email protected].

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura