ZHVILLIMI PERSONAL SIPAS FILOZOFISË STOIKE
Nga Sheradin Berisha – më 1 maj 2026
Të nderuar miq,
Sot dua të shkruaj për zhvillimin personal, por jo nga këndvështrimi i zakonshëm. Dua ta trajtoj përmes një filozofie të lashtë, e cila sot është çuditërisht shumë aktuale. Është fjala për filozofinë e stoicizmit.
Mark Aureli, Seneka dhe Epikteti janë tre shtyllat kryesore të stoicizmit romak, të cilët ofrojnë udhëzime praktike për përballimin e vështirësive, kontrollin e emocioneve dhe gjetjen e qetësisë së brendshme.
1. Mark Aureli (121 – 180 pas Krishtit): Perandor romak, shkroi “Meditime” – Meditations), një ditar personal që reflekton mbi disiplinën, detyrën dhe përkohshmërinë e jetës, duke theksuar ruajtjen e qetësisë nën presion.
2. Seneka (rreth vitit 4 para Krishtit – 65 pas Krishtit): Filozof, dramaturg dhe këshilltar i Neronit, i njohur për “Letrat e tij morale” (Letters from a Stoic), ku trajton miqësinë, vdekjen dhe menaxhimin e kohës.
3. Epikteti (rreth viteve 50 – 135 pas Krishtit): Një ish-skllav që u bë mësues i njohur filozofie, mësimet e të cilit (të shkruara nga nxënësi i tij Arriani në “Enchiridion”) fokusohen te dikotomia e kontrollit: dallimi mes asaj që mund të kontrollojmë (mendimet tona) dhe asaj që s’mundemi (ngjarjet e jashtme).
Pavarësisht dallimeve në statusin shoqëror që kishin: perandor, burrë shteti dhe ish-skllav, ata ndanin parime të përbashkëta mbi virtytin, logjikën dhe jetesën në përputhje me natyrën.
Rrjedhimisht parimet kryesore të tyre janë:
1. Fokusimi te e brendshmja: Lumturia vjen nga kontrolli i mendjes, jo nga rrethanat e jashtme.
2. Pranimi i fatit (Amor Fati): Të pranosh atë që nuk mund të ndryshosh dhe të veprosh me virtyt në atë që mundesh.
3. Jeta në përputhje me arsyen: Të jetosh në mënyrë racionale dhe pa emocione (pasione) shkatërruese.
Mësimet e tyre mbeten tejet aktuale për gjetjen e qetësisë në kohë trazirash dhe pasigurish.
Për t’i konkretizuar mësimet e tyre, po i shtrojmë dy pyetje të thjeshta:
1. Çfarë bëjmë kur gjërat nuk shkojnë siç duam ne? dhe
2. Kur përballemi me stres, dështim apo kritika?
Shumica prej nesh përpiqet të ndryshojë situatën ose shqetësohet për gjëra që nuk i kontrollon. Por filozofët stoikë: Seneka, Mark Aureli dhe Epikteti kishin një qasje tjetër. Ideja e tyre kryesore ishte shumë e thjeshtë, por shumë e fuqishme!
Në jetë, disa gjëra janë nën kontrollin tonë, dhe disa tjera jo. Nën kontrollin tonë janë:
1. mendimet tona,
2. reagimet tona dhe
3. veprimet tona.
Ndërkaq jashtë kontrollit tonë janë:
1. opinionet e të tjerëve,
2. e kaluara dhe
3. shumë ngjarje që na ndodhin nga ndërhyrja e të tjerëve.
Sipas stoikëve, problemi nuk është ajo që ndodh, por mënyra si ne reagojmë ndaj asaj që ndodh.
Seneka na kujton se koha është pasuria më e çmuar që kemi. Shpesh jetojmë sikur kemi pafund kohë, duke e shtyrë atë që është e rëndësishme. Jo! Prandaj koha duhet të përdoret me vetëdije, sepse ajo nuk kthehet më prapa.
Mark Aureli, i cili ishte edhe perandor, por edhe filozof, praktikonte reflektimin e përditshëm. Ai në ditarin e vet analizonte mendimet dhe veprimet e tij. Nga ditari i tij mësojmë rëndësinë e disiplinës mendore: të kontrollojmë mendjen tonë, jo botën përreth nesh.
Ndërsa Epikteti, i cili dikur ishte skllav, thoshte: “Nuk na shqetësojnë gjërat që ndodhin, por mendimet tona për to.” Ai na mëson, se liria e vërtetë vjen nga kontrolli i vetes, jo nga kontrolli i të tjerëve.
Si mund t’i zbatojmë këto ide të mrekullueshme?
Në jetën e përditshme, përballemi me stres në shkollë, në punë, në rrugë apo në marrëdhënie me njerëzit që na rrethojnë çdo ditë. Treshja e filozofëve Stoik na mësojnë të fokusohemi te përpjekja jonë, jo vetëm te rezultati që duhet të arrijmë.
Kur dikush na kritikon, ne nuk mund të kontrollojmë mendimin e tij, por mund të kontrollojmë reagimin tonë ndaj atij mendimi.
Kur dështojmë, mund ta shohim atë si fund, ose si një mundësi për të mësuar.
Disa praktika të thjeshta mund të na ndihmojnë në këtë drejtim!
Si:
– Të reflektojmë çdo ditë për veprimet tona.
– Të mbajmë një ditar, (ashtu siç ka mbajtur Mark Aureli).
– Dhe mbi të gjitha, të pyesim veten: “A është kjo nën kontrollin tim?”
Në fund, mesazhi i stoicizmit është i fuqishëm dhe i qartë: Nuk mund të kontrollojmë gjithçka që ndodh në jetën tonë, por mund të kontrollojmë gjithmonë mënyrën si reagojmë.
Dhe kjo ndoshta është forma më e vërtetë e zhvillimit tonë personal!
Shëndet e gëzime 🤝
……
Ilustrimi – Tre filozofët e stoicizmit: Mark Aureli, Seneka dhe Epikteti

——————————-
Si mund ta kontrollojmë jetën tonë?! Të vendosim qëllime të qarta, të ndërtojmë disiplinë të përditshme, të ndalemi së fajësuari të tjerët, të menaxhojmë kohën tonë, të mësojmë nga dështimi dhe të qëndrojmë të qëndrueshëm ndaj sfidave!
***
MËSO TË JETOSH!
Në Japoni nuk është qëllimi një jetë e gjatë, qëllimi është një jetë e jetuar. Pse? Sepse jetëgjatësia e tyre është një nënprodukt, jo qëllimi. Ata nuk zgjohen duke menduar “duhet të jetoj deri në 100 vjet”, sepse jetojnë më shumë se 100 vjet. Ata zgjohen duke menduar “duhet të kujdesem për kopshtin tim, të vizitoj mikun tim…”. Pastaj jeta e gjatë kujdeset vetë. Ndalo optimizimin për jetëgjatësinë. Fillo optimizimin për të jetuar sot.
***
Kush jemi Ne? Ne jemi mesatarja e pesë personave me të cilët kalojmë pjesën më të madhe të kohës sonë. Prandaj të rrethohemi me njerëz pozitivë dhe të motivuar për ndryshim në çdo drejtim!
***
Etika të Jetës! BESO Para se të lutesh. DËGJO Para se të flasësh. FITO Para se të shpenzosh. MENDO Para se të shkruash. PROVO Para se të heqësh dorë. JETO Para se të vdesësh!
***
“Është e bukur të jesh vetëm. Të jesh vetëm nuk do të thotë të jesh i vetmuar. Do të thotë që mendja nuk ndikohet dhe nuk ndotet nga shoqëria.” – Jiddu Krishnamurti
***
SI TË JESH MENDËRISHT I FORTË?
1. Ndalo së prituri nga të gjithë;
2. Prano që jeta është e padrejtë;
3. Mos u lut për vëmendje;
4. Mbaji emocionet nën kontroll;
5. Mëso të qëndrosh i qetë në kaos;
6. Ndalo së marri gjërat personalisht;
7. Largohu nga njerëzit toksikë;
8. Përqendrohu te zgjidhjet, jo te problemet;
9. Beso te vetja gjithmonë;
10. Fal, por mos harro mësimin negativ;
11. Mos ki frikë të jesh vetëm – përdore atë për t’u rritur;
12. Kontrollo reagimet e tua, jo veprimet e të tjerëve.
***
Nuk ka asnjë rregull që thotë –
duhet të jesh si të gjithë të tjerët. Individualiteti yt është pasuria jote më e madhe. Mos lejo që bota të diktojë se si duhet të jetosh, të mendosh ose të ndihesh. Festo atë që të dallon dhe zotëro individualitetin tënd. Ji i guximshëm, ji i patrembur dhe ji vetvetja pa u penduar.
***
Nuk mund të kërkoni respekt nëse nuk e respektoni veten. Mbani premtimet ndaj vetes. Silluni me dinjitet.
***
Respekto veten! Kur e respekton veten, bota nuk ka zgjidhje tjetër veçse të të ndjekë!
***
Veprimet që na bëjnë të fortë mendërisht: përballja me frikën tonë, kontrollimi i emocioneve, qëndrimi i qetë, pranimi i dështimit, mësimi i përditshëm, të qenit i duruar dhe mos të dorëzohemi kurrë.
***
Ne nuk e kontrollojmë gjithmonë atë që na ndodh. Por ne gjithmonë e kontrollojmë mënyrën se si e interpretojmë atë që na ndodh dhe si reagojmë!
***
Nëse doni ta rrisni performancën tuaj me 100 %, atëherë rrjedhimisht ndryshoni njëqind gjëra me 1%!
***
Ata që mund t’i shndërrojnë shpresat e tyre në fitore janë ata që e njohin veten mjaftueshëm mirë, sa të mos lejojnë që frika e tyre t’i çojë drejt dështimit.
***
Ajo në të cilën përqendrohesh rritet! Problemet rriten. Besimi rritet. Frika rritet. Paqja rritet. Prandaj zgjidh me kujdes ku përqendrohesh.
***
90% e mendimeve për të cilat shqetësohemi nuk ndodhin kurrë. Pse? Sepse ankthi ynë krijon iluzionet e veta.
***
Mënyra më efektive për të ndryshuar zakonet tuaja është të mos përqendroheni te ajo që doni të arrini, por te ajo që dëshironi të bëheni.
Nuk ka asnjë rregull që thotë – duhet të jesh si të gjithë të tjerët. Individualiteti yt është pasuria jote më e madhe. Mos lejo që bota të diktojë se si duhet të jetosh, të mendosh ose të ndihesh. Festo atë që të dallon dhe zotëro individualitetin tënd. Ji i guximshëm, ji i patrembur dhe ji vetvetja pa u penduar.
___________________
JINI MIRËNJOHËS PËR ATO QË KENI …
Nga Sheradin Berisha
Sheradin Berisha © Pashtriku.org