Prof. dr. Myrvete Begzad Baliu
DRAMA TRAGJIKE E TË ZHJDUKURVE NË DYERT E EUROPËS
(Përkujtim për viktimat njerëzore të humbura në Europë, 1993-2025)
Fjal (a e mbajtur më 11 maj 2025 në Bern të Zvicrës, organizuar nga Shoqata ndërkombëtare Kryetarja z.Behide Hasanaj Internacionale ”PËLLUMBI I PAQES” Schweiz, në ditën përkujtimore të zhdukurve në kufi) Organizon Humanistja Behide Hasanaj si gjidhmonë

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj!
Të nderuar familjarë, miq, kolegë të shumë viktimave të zhdukura në Europë nga Kosova dhe Shqipëria!
Të nderuar njerëz të paqes e humanizmit, të cilët në këtë ditë të shënuar keni ardhur të nderoni kujtimin për shumë bashkëkombës e të huaj të tjerë, që me një emër të përbashkët, pavarësisht kombit e etnisë, quhen „viktima të zhdukura“ nga Kosova e Shqipëria, ndonëse ata janë jo vetëm shqiptarë po edhe të tjerë që vinë nga Ballkani, Mesdheu e madje Azia e Largët.
Nuk është ky fati i parë i shqiptarëve të zhdukur në historinë e tyre dhe nuk është ky fati vetëm i shqiptarëve, po edhe i popujve të mëdhenj (mongolëve, indianëve, kinezëve, rusëve, gjermanëve) e popujve të vegjël (izraelitëve, irlandezëve, grekëve, palestinezëve etj.), në kohët më të largëta dhe në shekujt e fundit. Ky është fati i shqiptarëve! E kemi mësuar këtë histori të zhdukurish pas rënies së Shtetit të Skënderbeut, pas rënies së Perandorisë Osmane, gjatë periudhës së shpërnguljeve të mëdha në gjysmën e parë të shekullit XX, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore (nga Shqipëria dhe Kosova), pas rënies së komunizmit (ikja apokaliptike nga Shqipëria) dhe përndjekja ushtarake e policore serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kemi përpara një korpus emrash, disa prej të cilëve, sigurisht të përshkruar nga të huaj që nuk e njohin shqiptimin në gjuhën shqipe, janë shënuar me gabime: emra fëmijësh dhe madje foshnje pa emra, emra djemsh, vajzash, burrash, grash, gjyshërish, familjesh me biografi të ndryshme, me fate të ndryshme jetësore, por me fundin tragjik shumë herë të njëjtë. Numri i tyre që nisen drejt Europës është relativisht i madh dhe entuziast, ndërsa mënyra se si përfundojnë jetën e tyre është mjaft modeste dhe shpesh tragjike njëkohësisht.
Në të vërtetë, në këtë korpus personash të zhdukur, më shumë se emra, kemi emra të panjohur, të identifikuar kryesisht me simbolet NN, sado janë emra që vinë nga fshatra, qytete, zona, rajone dhe shtete të ndryshme, të cilët rrugën e fundit e kanë bërë nga Kosova apo Shqipëria në drejtim të shteteve të caktuara europiane.
Le të lexojmë këtu si në një pllakë përkujtimore shumë prej tyre veç e veç, të cilët përballë asaj humbjeje pa gjurmë përngjajnë jo thjesht në emra e mbiemra për edhe në pseudonime, simbole, dhe madje identitete planetare, pavarësisht nëse janë shënuar me emra e mbiemra të plotë, pseudonime, iniciale apo simbole, duke i saktësuar ata me shqiptime etnike: Afrim Magastena (Maqestena), Agron Mehmeti, A(h)med Agaj, Artan Dauti, Azmon (Osman) Qaka, Beqir Sejdiu, Bledar Qosku, Edmond Kapraku (Kopraku), Egzon Imeraj, Egzona Kastrati, Elvane Vuçiterna, Familia A., Fer(r)id Xhevdeti, Hajrie Imeraj, Hajzer Mehmeti, Hidajet Kastrati, Hytime (Fatime) Hadjari (Hajdari), Ibrahim Demiri, Iliriana Imeraj, Istref Bajrami, Isuf Ahmeti, Len(j)a Leci, Lumni Brahimi, Muhamet Islami, Naser Islami Gjeli, Na(v)gim Haliti, Negmiye (Nexhmije) Beraj, Rexhep Salijaj, Sali Emini, Samuel Bardhi, Tarik Vuçiterna, Valdet Rezita, Vllaznin Kastrati, Vullnet Bytyçi, Xhevdet Krasniqi, Zaim Dauti etj.
Të gjithë këta dhe të tjerë, bashkëkohës të tyre shqiptarë, romë, turq etj., jo me lindjen dhe me jetën, po me vdekjen, hyjnë në korpusin e shtetarëve shqiptarë të Shqipërisë dhe shtetarëve të shtetit më të ri, Kosovës. Ata janë qytetarë të një a më shumë popujve, por mënyra se si humbën jetën e tyre nuk dallon shumë. Vdekja e tyre identifikohet me detin, malin, kufirin, kampin, mungesën e mjekut, komunikacionin, pamundësinë për t’u përshtatur me atdheun e vjetër, dhe së fundi vetëvrasjen, të cilat megjithatë këtu po i sjellim të sistemuara sipas rastit.
Të zhdukur nga Kosova
Zhdukja e shqiptarëve të ikur nga Kosova fillon në kufirin me Çekosllovakinë, Hungarinë, Greqinë, Italinë, Britaninë e Madhe, Rumaninë etj., prandaj në korpusin e emrave dhe fateve të tyre gjejmë edhe shënime si këto: NN u zhduk „ndërsa përpiqej t’i shpëtonte kontrollit kufitar në kufirin gjermano-çek“, „se u mbyt pasi gomonia u përplas me një skaf pranë Brindisit (IT)“, „pasi varka e tij e vogël u përplas me një varkë tjetër më të madhe“ etj.
Janë shumë, tepër shumë besojmë ata të cilët janë zhdukur në kamionë transporti të kafshëve e lëndëve të tjera. Mbajmë mend ne, si bashkëkohës të tyre, lajmet gojë më gojë apo përmes ndonjë shënimi të shkurtër gazeta, se si individë të caktuar (shqiptarë nga Kosova), u zhdukën përgjithmonë pasi kishin hipur në një kamion shpezësh a shtazësh për të kaluar nëpër Rumani; apo të tjerë, të cilët u gjetën të vdekur në një kamion në Francë, dhe më tej se si një familje u gjet e ngrirë në një kamion shpezësh në Norvegji etj.
Ndryshe nga bashkëkohësit e tyre shqiptarë nga Shqipëria, të cilët janë zhdukur kryesisht në bregdetin shqiptar dhe italian, shqiptarët e Kosovës janë zhdukur edhe në lumenjtë e Europës Qendrore, prandaj të dhënat për ta kanë veçori të tjera, për të mos thënë mozaik më të pasur të akteve tragjike të tyre, si: „vdiq në spital në Maglie (IT) pasi u hodh në det nga trafikantët e qenieve njerëzore“, „u mbyt pasi varka ju përmbys tek po përpiqej të kalonte lumin Tisa (RS) për në Hungari“. Kush prej nesh që ka jetuar atë kohë nuk e kujton këtë tragjedi të madhe familjare, e cila pati marrë përmasa jo vetëm kombëtare po edhe ndërkombëtare. Po kaq tragjike duket fundi i njërit prej të zhdukurve nga Kosova, me shënimin „vdiq pasi u la vetëm në bregun italian nga trafikantët që iknin nga policia“, apo fati i një tjetri, „u mbyt në Detin Adriatik, ndërsa përpiqej të arrinte në Itali me një varkë të vogël dhe u përplas me një varkë tjetër“, „u mbyt pranë Brindisit (IT) pasi varka e tyre e vogël u përplas me një varkë tjetër“, „raportohet se u mbyt në Detin Adriatik pasi gomonia kishte një rrjedhje rrugës për në Itali“, „u gjet i vdekur në traget nga Ostendi (BE); apo shënimi për një ngjarje tragjike kolektive, si ky: „11 persona u mbytën, 5 të zhdukur, pasi varka u përmbys në lumin Tisa (RS) në drejtim të Hungarisë“; „raportohet se u hodh nga trageti pranë qytetit Harwich (MB) etj.
Një shkrimtar shqiptar në Kosovë kishte një poezi, të cilën e mësonim jo vetëm si tekst poetik po edhe si mesazh ideologjik, e kjo është poezia „Vdekja nuk është fjala ime e fundit“. Ky titull poezie sikur i përgjigjet më së mirë fatit të atyre shqiptarëve, të cilët pasi kaluan shumë lumenj, tallaze deti, rrëpira malesh e brigjesh të panjohura, u zhdukën, u vranë, u ngrinë dhe u dogjën në kampin ku ishin vendosur, të bindur se tashmë e kishin shpëtuar kokën e tyre, të fëmijëve dhe të familjeve të tyre. Lexojmë në këtë amzë të dhënash tragjike për atë që „u ngri për vdekje pranë një kampi refugjatësh suedezë, pasi policia refuzoi ta kërkonte në mënyrë efektive“; „u djeg në një sulm me zjarr në kampin e refugjatëve në Herford (DE)“; „vdiq nga pneumonia dhe neglizhenca mjekësore, ndërsa priste një vend në kampin e refugjatëve në Vjenë (A)“; „vdiq nga pneumonia në rrethana të dyshimta në Carinthia (G)“; „vdiq në spital në Maglie (IT)“; „vdiq në Monheim (DE) në një zjarr në kontejnerin e refugjatëve pa mbrojtje nga zjarri“; „vdiq në një zjarr të shkaktuar nga zjarrvënia në një strehim refugjatësh në Herford (DE) etj.
Disa nga të zhdukurit patën një fat tragjik krejt tjetër, të cilin e kishin edhe bashkëkohësit e tyre në atdhe apo në vendin ku jetonin. Fjala është për ata, të cilët pësuan në aksidente automobilistike. Njëri prej tyre „vdiq në një aksident automobilistik në Weisenborn (DE); tjetri „i qëlluar në kokë nga policia duke ndjekur makinën e tij pranë Bad Endorf (DE)“; si dhe një i tretë, që „u dogj për vdekje në një aksident automobilistik pranë Selanikut(GR)“.
Një nga aktet më tragjike të të zhdukurve në hapësirën e demokracisë dhe lirisë europiane është ai i të vetëvrarëve. Fjala është për disa nga të zhgënjyerit, të cilët u gjetën në situata të rënda psikike dhe duke mos qenë në gjendje të ballafaqoheshin me ato rrethana i dhanë fund jetës së tyre në mënyra nga më të papriturat.Në raportet mjekësore e policore për ta veç tjerash thuhet, se: „u vetëvra pasi i skadoi leja e qëndrimit në Belgjikë dhe do të depërtohej në Kosovë larg djalit dhe familjes“; „u mbyt pasi u hodh nga trageti, pranë Doverit (GB) tek po dëbohej në Kosovë“; „u var në hotelin e refugjatëve në Prenzlau (DE), nga frika e dëbimit”; „ndërsa po dëbohej nga Mbretëria e Bashkuar, afër Calais (FR) kreu vetëvrasje duke e goditur veten me thikë“; „u hodh nga një urë në Iserlohn (Gjermani), pak para se të merrte biletat e avionit për dëbimin e familjes së tij“; „nga frika e dëbimit, ai u përpoq të bënte vetëvrasje në kampin e dëbimit (Brook House) në Gatwick (MB) dhe vdiq në spital”.
Një nga aktet më tragjike të kësaj liste të shqiptarëve të Kosovës dhe të cilët nuk e patën bashkëkombësit e tyre në Shqipëri, e përbëjnë ata individë, ato familje dhe ato raste, të cilat pësuan nga policia apo ushtria serbe pas rikthimit në Kosovë. Të dhënat e këtij korpusi dëshmojnë për fatet e trishta e tragjike të të kthyerve nga shumë shtete të Europës në Kosovë, kryesisht para luftës së Kosovës: „vritet në Likoshan (KS) nga forcat serbe të sigurimit pas dëbimit nga Gjermania“, thuhet për një nga të dëbuarit, apo „vrarë në Çirez (KS) nga forcat serbe të sigurisë. Ishte azilkërkues i depërtuar nga Gjermania“; „vdiq nga një hemorragji cerebrale në Kosovë, pa qasje në kujdes mjekësor, pasi u dëbua nga Gjermania“; „vdiq nga hemorragjia e trurit në Kosovë, pasi nuk kishte qasje në trajtim pas dëbimit nga Gjermania“ etj.

Të zhdukurit nga Shqipëria
Pas rënies së komunizmit në Shqipëri (1990), deti u bë sinonim i ikjes, shpëtimit, zhdukjes dhe fundit të shumë individëve, familjeve, grupeve etj., prandaj jo rastësisht në këtë korpus emrash e simbolesh deti përfaqëson dramën e madhe të gjysmës së të zhdukurve. Në këtë dosje dhe në kronikat e kohës janë gjetur jo njëherë shembuj të tyre, qoftë me emra të saktë, qoftë me inicialet simbolike NN: „u mbyt pasi varka e tyre goditi shkëmbinjtë në Kanalin e Otrantos (Adriatiku jugor)“; „I zhdukur pas fundosjes së dy varkave në Kanalin e Otrantos (IT)“; „U mbyt, pasi një varkë u përmbys me 17 refugjatë të tjerë në Detin Adriatik“; „u qëlluan me zjarr nga një varkë e vogël në kufirin grek (GR)“; „U mbyt. Varka e saj e vogël mori flakë dhe u përmbys në ngushticën e Otrantos (IT)“; „U mbyt. Raportohet se anija u përmbys pranë Santa Cesarea Terme (IT)“; „u mbyt në det, për shkak të kushteve të këqija të motit“; „U mbyt, pasi gomonia me emigrantë u fundos pranë Tranit (IT)“; „U mbyt, pasi gomonia u përmbys pranë Pulias (IT)“; „U mbyt, pasi u hodh në det nga një traget pranë Doverit (MB)“; „u mbyt nga goditja me helikë“; „Raportohet se është mbytur teksa po përpiqej të arrinte në Otranto (IT) me një gomone të stërmbushur“; „U mbyt në afërsi të Vlorës (AL) pas një përplasjeje mes patrullës së doganës italiane dhe varkës së vogël“; „vdiq nga hipotermia në një varkë që udhëtonte nga Vlora (AL) për në Itali“; „Raportohet se u mbyt pasi anija e tyre u fundos gjatë rrugës nga Vlora (AL) për në Itali“; „ngrirë për vdekje në një varkë në rrugën nga Vlora (AL) për në Itali“; „U mbyt në afërsi të Durrësit (AL) pasi një varkë që transportonte emigrantë në Itali u fundos“; „U mbyt pasi një varkë e vogël u përplas me rojet bregdetare pranë Otrantos (IT)“; „U zhduk. Raportohet se është mbytur pasi një varkë e vogël u përplas me rojet bregdetare (IT)“; „zhdukur, kur anija me emigrantë nga Shqipëria mbërriti në Itali dhe trafikantët i shtynë në det“; „U mbytë në mesin e 55 të zhdukurve në Detin Adriatik kur anija nga Shqipëria përpiqej të arrinte në Itali“.
Të dhëna historike, informative e shtetërore në Tiranë, dëshmojnë se më parë se sa deti, viktimat e para, përkatësisht të zhdukurit e parë, pas rënies së sistemit komunist në Shqipëri (1990), janë shfaqur në kufirin me Greqinë, prandaj ata vërtet nuk mund të krahasohen me të zhdukurit në Detin Adriatik, por mund të themi se ata shfaqen në mënyrë shumë më tragjike, më dramatike dhe vetëm historia, përkatësisht kujtesa individuale, familjare e kolektive, do të dëshmojnë për mënyrën se si u zhduken ata (të vrarë pas shpine, në lumenj, gremina, shpella etj.,), se si u vranë ata nga ushtarë shqiptarë e grekë, policë të rastit nga radhët e shqiptarëve e grekëve, njerëz të sigurimit grekë, serbë, maqedonas etj. Le të sjellim vetëm disa shembuj për të përmbushur aktet e dramës së madhe e tragjike të tyre e të kohës së tyre. Për njërin prej tyre thuhet se ai „vdiq nga plagët e shkaktuara me armë nga rojet kufitare greke në Kastoria“; për tjetrin se „u mbyt në një lagunë në jug të Shqipërisë pasi gomonia e mbipopulluar u përmbyt“; për një tjetër, se „u qëllua nga roje kufitare, ndërsa po përpiqej të kalonte kufirin shqiptaro-grek“; se „u qëllua për vdekje nga kontrolli kufitar grek gjatë hyrjes nga Shqipëria në afërsi të Follorinës (GR)“; se „u qëllua nga rojet kufitare greke teksa vinte nga Shqipëria“; se „pas një tentative arratisje plagoset për vdekje nga rojet kufitare në Kastoria (kufiri GR-AL)“ e kështu me radhë e kështu pa radhë tragjedi!
Në Kosovë, në Shqipëri, në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës, si dhe në hapësirat e tjera shqiptare ku jetojnë shqiptarët, vdekja në komunikacion është një nga pësimet tragjike të qytetarëve tanë. Por, vdekja në një vend të huaj ka tjetër mesazh dhe tjetër simbolikë. Shembuj të tillë ka shumë në listën e të zhdukurve dhe ato janë të ndryshme, prandaj po i sjellim disa prej tyre: „goditet nga një tren në Coldrerio (Alpet zvicerane), ndërkohë që ai po vraponte në shinat hekurudhore“; „goditet nga një tren në Balerma (Alpet suedeze)“; „goditet fort deri sa ishte duke e ngarë motoçikletën“ etj.
Në fillim të viteve ‘90 mediat e shkruara dhe elektronike, intelektualët dhe politikanët e kishin gojën plotë me parullën „demokraci europiane“. Shumë të rinj e të reja që ia mësynin Europës as që mund ta merrnin me mend se një ditë me apo pa dashje do të ishin viktimë e plumbit të policisë. Shembuj të tillë janë të mjaftueshëm për të parë edhe atë njollë të Europës demokratike në sytë tanë të dekadave të fundit. Lista e këtyre të dhënave jep raste nga më tragjiket: „pranë qytetit Bad Endorf (DE), pasi ndjekjes me makinë për ta ndalur, një polic e qëlloi me plumb në kokë“; „u mbyt pranë Pulies (IT), pasi ra nga motobarka gjatë ndjekjes nga policia kufitare“; „vdiq në izolim në qendrën e paraburgimit në Steenokkerzeel (BE)“; „i vrarë nga policia greke në qytetin kufitar të Follorinës (GR), ishte drejtuesi i një grupi refugjatësh“; „vdiq pasi u braktis nga trafikantët e qenieve njerëzore teksa ikte nga policia në bregdetin italian“ etj.
Kampi i azilkërkuesve, në të cilin nuk kishte vetëm shqiptarë nga hapësira etnike, po edhe të tjerë (turq, libanezë, sirianë, kurdë, rumunë, bullgarë, filipinas, indianë, kinezë e të tjerë), ishte vendi ku kanë pësuar shumë shqiptarë dhe madje familjarë të tyre. Duke mos pasur njohje të mjaftueshme për përdorimin e kuzhinave, të ngrohjes me gaz, shqiptarët jo njëherë janë gjetur mes zjarrit, duke i rrezikuar shpesh gjithë familjen e tyre. Nuk kanë munguar madje as sulmet e grupeve me pikëpamje naciste e fashiste ndaj të huajve. Për shkak të shembujve tragjikë që vinin nga diaspora, shpesh lajme të tilla i kujtojmë edhe sot. Në korpusin e referimeve për të zhdukurit në këtë listë të dhënash shkruan: „vdiq nga një sulm me zjarrvënie në akomodimin e azilkërkuesve në Gieboldehausen (DE)“; „u dogj në një strehë refugjatësh në Zell im Wiesental (DE)“ etj.
Zhgënjimi, thyerja morale e psikike e shumë burrave e grave, sidomos e shumë kryefamiljarëve është një prej burimeve të vetëvrasjes së bashkatdhetarëve tanë në Europë. Shembujt janë të shumtë ndërsa format nga më tragjiket. Aty thuhet se pjesëtarët e komunitetit tonë kanë vdekur sepse njëri prej tyre „është shtrirë në shinat hekurudhore në Zvicër“; „ u vetëvra duke u varur në një burg në kufi me Maqedoninë e Veriut“; „u vetëvra duke u hedhur në një Grykë të thellë 300 metra, në përpjekje për t’u larguar nga policia kufitare në Greqi“; „vdiq nga një mbidozë në objektin e riatdhesimit të Gradisca d’Isonzo (IT); „bëri vetëvrasje dhe dëshmitarë janë bashkëkombësit e tij“; „kërceu nga ura në Iserlohn (DE), në vend se të shkonte që të merrte biletën e fluturimit, pasi kishte marrë një urdhër dëbimi me familje nga autoritetet“; bëri vetëvrasje duke i rënë vetes me thikë në autostradë jashtë Calais (FR)“; „u vra nga policia greke, ndërsa përpiqej të shmangte atë afër kufirit“; „vdiq, pasi qëlloi veten në Gelsenkirchen (DE)“ etj.
Në vend të përfundimit
Do të na duhej shumë kohë dhe hapësirë për të dhënë një pamje më të plotë të fundit tragjik të të gjithë njerëzve të kësaj Dosje të bërë me kujdes nga anëtarët, përkatësisht vullnetarët e Institutit të Paqes. Në parim, pasqyrat e të zhdukurve të sjella këtu edhe nuk japin shumë mundësi, sepse korpusi i të dhënave nuk synon të sjellë tërësinë dhe historinë e zhdukjeve të tyre, por vetëm referencat.
Sigurisht do të vijë një ditë dhe trashëgimtarët e tyre do t’i kujtojnë ata duke krijuar biografitë e tyre mbështetur në të dhëna më të plota. Të dhënat e para sigurisht do t’i kërkojnë në qendrat e policisë, në zyrat e ministrive të punëve të brendshme, ministrive të jashtme, ministrive të administratës publike e ministrive të drejtësisë, për të mos harruar institutet e obduksioneve mjekësore e ligjore. Do të gjejnë atje mostrat e gjakut, fijet e flokëve, gjatësinë e trupit dhe mbase të këpucëve, ngjyrën e rrobave etj.; por do të vazhdojnë ata të kërkojnë bashkëkohësit me fatet jetësore të tyre dhe do të dëgjojnë prej tyre për kujtimet e fundit për ta, për sjelljen e tyre, për fjalën e tyre të ngrohtë, për ngjyrën e syve, për stilin e veshjes e të mbajtjes së flokëve, për dhembjet dhe gëzimet e tyre etj.
Në këtë mënyrë, dosja e të zhdukurve në një qendër policore periferike a qendrore e përbërë shpesh vetëm prej një emri, numri, inicialet e emrit e mbiemrit, simboleve NN etj., do të përplotësohet hap pas hapi, do të bëhet e vëllimshme për një hulumtim të ri, për një film dokumentar, për një histori individuale apo familjare, kolektive apo kombëtare.
Për këtë arsye sot ne duke nderuar kujtimin për të zhdukurit, nderojmë të gjithë ata vullnetarë që kanë punuar për identifikimin e tyre, për Institutin e Paqes dhe sidomos për Zonjën Behide Hasanaj, e cila me misionin e saj, për të zhdukurit e popullit të saj dhe të zhdukurit nga e gjithë bota që kanë kaluar nëpër hapësirën shqiptare, i ka bërë të identifikueshëm prej vitesh e dekadash dhe po i bën të njohur më tej. Në këtë mënyrë, Zonja.Humanistja.Behide Hasanaj po e bën të lavdishme punën e saj e të institucionit të saj, jo vetëm në hapësirën nacionale e europiane, po edhe në hapësirën globale.
Ju lumtë për këtë angazhim, sa human e kombëtar aq edhe historik e universal!
Autorët: Begzad Mervete Baliu Prishtinë, 9 prill 2025
—————–
BEHIDE HASANAJ: ‘DËSHIROJ SHUMË QË, TË GJITHË, TA DUAM DHE TA RESPEKTOJMË NJËRI-TJETRIN’