ILIRJAN GJIKA: APOLONIA, TROJA E ARDHSHME E ARKEOLOGUT FRANCEZ LEON REIT

Pashtriku.org, 17. 04. 2013 – Leon Rei, Francezi me zemër shqiptare; një kujtesë për arkeologun që nxori në dritë Apoloninë. Të nxitur nga zbulimet e suksesshme të austriakëve gjatë Luftës së Parë Botërore, do të ishin francezët që morën në dorë gërmimet arkeologjike në Apoloni. Për 14 vjet me radhë, Misioni Arkeologjik Francez do të drejtohej nga Leon Rei, njeriu për të cilin ky qytet do të bëhej “Troja e ardhshme”, “Dashuria e ndërprerë” si dhe pengu i jetës së tij.
1
Ashtu e braktisur dhe në gjendjen e një qendre manastiriale, dikur qyteti antik i Apolonisë ngacmonte vetëm vëmendjen e njerëzve të apasionuar pas gjetjes së thesareve, arkeologjisë dhe të banorëve vendas që u interesonin gurët e rrënojave si material ndërtimi. Vizitorët e parë më shumë u kujdesën për përshkrime sipërfaqësore dhe mbledhje vlerash arkeologjike, sesa për të kryer studime të mirëfillta. Ndërkohë që kazmat e para prej arkeologëve profesionistë u ngulën vetëm në vitin 1916 nga austriakët Prashniker dhe Shober (Hasan Ceka. B U Sh T. IV. Tiranë 1958. Fq 214). Të nxitur nga zbulimet e suksesshme të austriakëve gjatë Luftës së Parë-të Botërore, do të ishin francezët që morën në dorë gërmimet arkeologjike në Apoloni. Për 14 vjet me radhë, Misioni Arkeologjik Francez do të drejtohej nga Leon Rei, njeriu për të cilin ky qytet do të bëhej “Troja e ardhshme”, “Dashuria e ndërprerë” si dhe pengu i jetës së tij.

Arkeologu francez Léon Rey (1887 – 1954)

2
Leon Rei lindi në 27 gusht të vitit 1877 në Formantier pranë Parisit. Ai rridhte nga familja De Longeil, një familje fisnike me origjinë nga Franca veriore, cila përmendet në analet historike qysh nga shekulli i XI-të (Leon Rei. Hyjnitë kishin të drejtë. Shtëpia Botuese Dituria. Tiranë 2012. Fq 126). Gjatë fëmijërisë dhe rinisë, Leon Rei, pati fatin të studjonte në shkollat më të mira, ku së fundmi u diplomua për arkeologji në Universitetin Chartre, i njohur si një nga institucionet më të famshme franceze, të historisë, qytetërimeve dhe arkeologjisë. Në vitin 1914, me fillimin e Luftës së Parë Botërore ai u thirr nën armë, ku fillimisht angazhohet në frontin e Verdunit kundër ushtrive gjermane, ndërsa më vonë, në fund të vitit 1915, Leon Rei, bëhet pjesë e Seksionit të Kërkimeve Arkeologjike, pranë Ushtrisë së Lindjes. Me këtë emër të fundit njiheshin trupat franceze që u vendosën për luftime kundër Bllokut Qëndror dhe aleatëve të tij në Maqedoninë greke, pasi fuqitë e Antantës zbarkuan në Selanik (Luan Rama. “Leon Rei…Gurët filluantë flasin”. Globus R. Tiranë 2010. Fq 241).
Këtu spikati talenti i tij, kur për herë të parë në arkeologji përdori metodën e fotografimit nga lart të rrënojave antike, duke shfrytëzuar avionët luftarakë francezë. Gjurmimet e bëra në vitet 1916-1919, Rei i botoi në Paris në vitin 1921 nën titullin, “L’observation sur l’abitant de la Macedoine, Selanique”, në të cilat përfshiheshin gërmimet e shumë rrënojave arkeologjike (Luan Rama. Krushq të Largët. Argeta LMG. Tiranë 2002 Fq 191-193).
Disa vjet më vonë, pikërisht në vitin 1923 së bashku me: “mikun e Shqipërisë”, senatorin francez Justin Gotard, Leon Rei vizitoi dy herë vendin tone, ku qëndroi në Durrës, Tiranë dhe Apoloni. Gjatë vizitës së dytë ata nënshkruan me qeverinë shqiptare edhe “Konventën Arkeologjike Franko-Shqiptare”, e cila i hapi rrugën misionit të tij të ardhshëm në Shqipëri.
I nxitur nga të dhënat e burimeve të autorëve të vjetër e të rinj, ai nisi punën fillimisht si arkeolog në Durrës në vitin 1924. Pas një viti pune, Rei, e “braktisi” këtë qytet, duke u zhvendosur 80 km më në jug, pikërisht në Apoloni. Këtu erdhën edhe sukseset e Leon Reit, ku Apolonia do të bëhej “shtëpia e dytë” e tij. Nga ajo ai do të ndahej vetëm i detyruar me forcë sepse në vitin 1939 autoritetet italiane të pushtimit ja ndaluan hyrjen në Shqipëri. Gjatë periudhës së viteve të luftës, të cilën e kaloi në Francë, ai shpresonte që një ditë të rikthehej në Apoloni. Gjatë kësaj kohe në respekt të Shqipërisë, vajzës që i lindi, i vendosi emrin Geraldinë, nga simpatia që kishte për “Mbretëreshën e Shqiptarëve”
Po kështu edhe përpjekjet e tij në vitin 1945 për tu rikthyer në Shqipëri dështuan. Në Tiranë atë nuk e lejuan që të zbriste nga avioni.
Qeveria komuniste e ndërpreu në mënyrë të njëanshme marrëveshjen e mëparshme për vijimin e punës së Misionit Arkeologjik Francez. Me një punë të lënë përgjysëm, Rei, vdiq në Francë në vitin 1954. Tetë vjet më vonë autoritetet komuniste shqiptare i vendosën një rruge në Fier emrin e Leon Reit, një veprim ky që, dukej sikur arkeologut te ndjerë i kërkohej falje publike (Luan Rama. Leon Rei…Fq 242-243). Ndërkohë në vitet 90-të, Bashkia e Fierit për kontributin e tij në fushën e zbulimeve arkeologjike e shpalli atë “Qytetar Nderi”.
3
Misioni arkeologjik francez u themelua në vitin 1924 me iniciativën e senatorit francez Justin Gotard. Politikani i njohur ndërhyri pranë qeverisë së atëhershme shqiptare duke inicuar këtë veprimtari, ku francezët merrnin midis të tjerave në koncesion për kërkime arkeologjike edhe qytetin antik të Apolonisë. Misioni kishte si president, senatorin Justin Gotard, ndërsa anëtarë të tij ishin: Leon Rey, drejtues i ekspeditave arkeologjike dhe drejtor i gazetës Albania, si dhe Jacques Boucart, Paul Bayer, Rene Cagnat, Charles Diehl dhe Edmond Pottier (Luan Rama. Leon Rei…Gurët…fq 86). Ekspeditat kërkimore që drejtoheshin nga Rei zhvilloheshin çdo fund pranvere-fillim vjeshte. Gjatë viteve 1925-1939 u bënë gjithsej 14 fushata të tilla, duke zbuluar nga pluhuri i harresës së shekujve Apoloninë, “Qytetin e madh dhe të rëndësishmin” e dikurshëm. Rezultatet e punës ishin të suksesshme. Ndërkohë që gjatë vitit 1925, vitit të parë të punës, u zbuluan dy banesa romake si dhe portiku së bashku me 17 nishet e tij. Më 1930 u përcaktua vendndodhja e nekropolit të vjetër në Kryegjatë dhe u zbulua Buleterioni. Po këtë vit u zbulua edhe odeoni e biblioteka, të cilat së bashku me portikun përbënin qendrën romake të qytetit. Më pas u zbuluan një pjesë të mureve rrethuese dhe objekte shumë të rëndësishme, si statuja, buste, relieve, mbishkrime, qeramik etj, të cilat Rei, ja dorëzoi Ministrisë Shqiptare të Arsimit.
Me objektet e zbuluara në Apoloni u hap më 8 Tetor 1936 në Vlorë, Muzeu Arkeologjik, i cili mbante emrin e Mbretit të Shqipërisë; “Zogu I”. Në këtë muze u ekspozuan njëmijë objektet e zbuluara deri në atë kohë nga Misioni Arkeologjik Francez (L. Rama. Leon Rei…Gurët…fq 201). Si ndërtesë e tij shërbeu shtëpia ku u vendos selia e dikurshme e qeverisë së parë shqiptare të Ismail Qemalit. Këtu, në katin e parë u vendosën të gjitha statujat dhe kolonat e gjetura në Apoloni. Ndërsa në katin e dytë qëndronin në stenda prej xhami enët e qeramikës, monedhat, terakotat dhe figurinat e ndryshme.
Historia e tij është vërtet interesante. Në ditarin e tij lidhur me këtë gjë, Leon Rei tregon për bisedën midis tij dhe mbretit Zog.
“-Ndoshta do të ishte më mirë në Tiranë!-më tha ai, (mbreti) sepse Vlora është shumë larg dhe një vend jo plotësisht i sigurt, por nga ana tjetër, për turistët do të ishte më mirë, sepse mund të shohin njëherësh koleksionet e muzeut, pasi mund të kenë vizituar rrënojat e vjetra të qytetit… -Bëni sit a mendoni, -shtoi ai me një zë të rëndë,-por shpresoj të mos ju vijë keq më pas që nuk dëgjuat këshillën time” Leon Rei. Hyjnitë…Fq 98).
Dhe Mbreti Zog, si ushtarak që ishte kishte të drejtë. Ky muze pati fatin e keq, sepse ditën e parë të pushtimit të Shqipërisë në 7 prill 1939, pasi u bombardua nga më parë nga flota ushtarake, u grabit nga ushtarët italianë. Për këtë veprim, Rei, u ndje shumë keq dhe nuk pushoi së protestuari, gjë të cilën e shprehu në numrin e gjashtë të revistës arkeologjike që ai botonte: “Albania”.
4
Leon Rei mbërriti në Apoloni në mesin e vitit 1925. I bazuar në shënimet e autorëve antikë, botimet e arkeologëve francezë Henri Dome dhe Leon Hezej, si dhe shënimet e pararendësit të tij arkeologut austriak Prashniker, ai nisi vëzhgimet përgjatë kurrizit të kodrave, kundruall manastirit të Shën Marisë rrethuar nga ullinjtë.
Duke vërejtur terrenin ai kishte vetëm një merak. A do të kishte sukses në Apoloni? Kudo kishte shenja gurësh dhe qeramikash por gjithçka ndodhej nën tokë. Dhe shenja e parë erdhi si me magji. Gjatë një mëngjesi, Petro, djali i priftit të manastirit, pasi kishte dalë për gjah, vure re një dhelpër e cila zhduk në një të çarë. Gjithë vrull ai shkoi tek Rei dhe e ngriti nga shtrati. Të dy së bashku ata shkuan të hetonin vrimën, e cila i përkiste sistemit të kanaleve të ujërave mbledhëse të Apolonisë. Pikërisht këtu u ngulën edhe kazmat e para që çuan në zbulimit e Stoas (Leon Rei. Hyjnitë…Fq 36-37). Ky episod nuk i shpëtoi shtypit francez. Vite më vonë dhe pikërisht në 2 Nëntor 1932, gazeta parisiane “Comedie”, shkruante enkas për gërmimet arkeologjike të Reit, artikullin me titullin: “Një dhelpër shqiptare bëhet shkak i zbulimeve arkeologjike” (Luan Rama. Krushq të Largët… Fq 191-193).
Çdo verë Leon Rei mbërrinte në Apoloni për të organizuar “fushatat” e tij gërmuese. Udhëtimi i tij niste nga Parisi, me veturën e tij jashtë serie “Panhard”, e prodhuar enkas për misionet në Shqipëri, e cila mbante mbishkrimin “Albania”. Itinerari niste nga Parisi dhe përfshinte Francën, Italinë e veriut dhe nëpërmjet Kroacisë bregdetare dhe Malit të Zi, Rei, mbërrinte në Shqipëri, ku rruga plot pluhur e çonte drejt e në Apoloni. Këtu ai ngrinte çadrat e misionit arkeologjik, të cilat deri në vitin 1933 do të ishin “ngrehinat verore të tij”. Ndërtesa ku do të vendosej misioni arkeologjik francez u ndërtua mbi kodrën jugore të Apolonisë, atje ku dikur ngrihej tempulli i Artemisës. Qysh kur u ngrit, në vitin 1934 ajo u quajt nga vendasit: “shtëpia e frëngut” dhe këtë emër e mbajti edhe kur, fillimi i Luftës së Dytë Botërore e shndërroi në gjysmë rrënojë. E përdorur edhe nga ekspeditat e mëvonshme arkeologjike shqiptare, kjo shtëpi u restaurua në vitin 2001, kur mësuesi i bio-kimisë Petrit Morina, një banor vendas e shdërroi në një minimuze etnografik, duke e kombinuar me kuzhinën tradicionale të zonës. E quajtur sot Bar Restorant “REI”, ajo ka mirëpritur diplomatë, studiues, arkeologë dhe turistë nga të gjashtë kontinentet. Një prej tyre ka qenë edhe i biri i Reit, Zhan Gabrieli, i cili së bashku me arkeologun shqiptar Neritan Ceka, “zbuluan” në 15 Maj të vitit 2004, bustin dhe pllakën përkujtimore kushtuar Leon Reit, “Shlimanit” të Apolonisë.
Interesant është përshkrimi që një gazetë shqiptare e kohës i bën ndërtimit të këtij objekti, ku midis të tjerave thuhet se: në “17 Maj të vitit 1933 ditën e mërkurë u vu guri themelit të shtëpisë së misionit frëng për gërmimet e vjetërsirave në katundin Pojan të nën Prefekturës së Fierit. At Anastasi Prifti ortodoks i kishës së Shën Mërisë, bëri lutjen sipas zakonit kur u vendos guri i parë i themelit” (Luan Rama. Leon Rei…Gurët…Fq 114).
Apolonia nisi të zinte një vend të rëndësishëm në jetën e Reit. Këtu ai u krijoi edhe lidhjet e tij me Arlette-n, bashkëshorten e ardhshme të tij, nga martesa me të cilën do të kishte dy fëmijë: Geraldinën dhe Jean Gabrielin. “-Pikërisht atje zuri rrënjë dashuria e tyre…,shkruan në faqen 193, të librit Leon Rei…Gurët filluan të flasin, “biografi” i tij tashmë, Luan Rama.
Ndërkohë që në vitin e gjashtë të aktivitetit të tij në Apoloni, Leon Reit dhe ekipit të tij, ju bashkua edhe arkeologu Hasan Ceka, i sapo diplomuar në Austri (L. Rama. Leon Rei…Gurët…fq 163). Në vitin 1931 ai u caktua si vëzhgues i Ministrisë së Arsimit, pranë misionit francez, me qëllim që të merrte në dorëzim të gjitha objektet, që do të zbuloheshin nga rrënojat antike. Hasan Ceka (1900-1999) njihet si “Babai” i Arkeologjisë Shqiptare, në të cilën dha një kontribut të jashtëzakonshëm gjatë gjithë jetës së tij. Ne Apoloni ai punoi për rreth 40 vjet duke përfunduar gërmimet e ndërmara nga Leon Rei, si dhe punime e botime të tjera.

Gërmimet arkeologjike në Apoloni – nga arkeologu Leon Rey.

Një tjetër bashkëpunëtor i Leon Reit ishte edhe Perikli Ikonomi, drejtor i shkollës femërore të Fierit. I diplomuar në “Zosimean” e famshme të Janinës ai ishte një njohës i mirë i disa gjuhëve, veçanërisht i Greqishtes se vjetër. Pikërisht si zotërues i saj ai u angazhua në misionin arkeologjik, për të zbërthyer mbishkrimet antike, ku dha edhe ai kontributin e tij. Kjo pjesëmarrje i dha shkas Perikli Ikonomit, që të botonte më vonë disa vepra si: Historia e Tomorit dhe Dodonës Pellazgjike dhe Historikun e rrethit të Fierit, ku vend të veçantë zinte edhe Apolonia antike. Si kryepunëtor i misionit francez shërbeu një banor i Pojanit, Pilo Samarxhiu, një ish emigrant i kthyer nga SHBA-ja. Ai ju bashkua misionit në vitin 1929. Eksperienca e fituar pranë Leon Reit dhe vite më vonë Hasan Cekës e ndihmoni Xha Pilon (kështu quhej për shkak të moshës), që të shërbente pas vitit 1960 si ciceroni i parë i muzeut arkeologjik të Apolonisë. Këtu ai pati fatin të priste edhe të shoqen e Leon Reit, Arlette-n dhe të birin e tyre Jean Gabriel, gjatë vizitës që bënë në Apoloni, në vitin 1965 (L. Rama. Leon Rei…Gurët… Fq 227).
– Ju jeni miku i burrit tim Pilo Samarxhiu, ju drejtua Arlette xha Pilos, tashmë burrë i moshuar.
– Po zonjë unë jam, ju përgjigj plaku i përlotur.
Ndërkohë që gjatë kohës së qëndrimit në Apoloni, Leon Rei, krijoi edhe një lidhje të veçantë me qytetin e Fierit. Për të shkuar atje ai përdorte biçikletën e tij, të cilës shpeshherë i shpoheshin edhe gomat rrugës. Në Fier ai krijoi një sërë lidhjesh shoqërore. Mund të përmendim ato me Jani Viton, tregtarin tek i cili pinte edhe një “gotë” konjak apo raki, Kristo Kallogjerin dhe Perikli Ikonomin. Midis të tjerave ai përshkruan edhe vizitën që bëri në sarajet e Vrionasve, ku takoi “pashai plak (Omer Pash Vrionin-shënimi im I. Gj), apo konferencën për Apoloninë, organizuar së bashku me shoqërinë e naftës “ Anglo-Persian Company”, që kryente shpime nafte aty (Leon Rei. Hyjnitë…Fq 46-53).
Gjenerali ishte rrugës për në Apoloni, ku e prisja për drekë dhe unë u habita kur mora vesh lajmin e vrasjes të nesërmen në mëngjes. Kështu shkruan Rei në ditarin e tij për vrasjen e gjeneral Gilardit atë ditë të 14 gushtit 1935, kur kryengritësit do ta vrisnin rastësisht në Fier (Leon Rei. Hyjnitë…Fq 98).
5
Rezultatet e punës së tij voluminoze Rei i botoi në revistën “Albania”, e cila doli në 6 numra në vitet 1927-1939. Me një pjesë të këtyre studimeve arkeologjike dhe historike, ai formuloi cikle leksionesh, të cilat i referoi në, në Liceun Francez në Korçë, si dhe në Tiranë dhe Shkodër. Gjithashtu Rei u paraqit me studimet shqiptare në konferenca shkencore të organizuara nga shoqëri të ndryshme arkeologjike jashtë vendit tonë si në, Berlin dhe Drezden të Gjermanisë apo Luven të Belgjikës, etj (Hasan Ulqini. Grabitës të monumenteve. Shtëpia Botuese 8 Nëntori. Tiranë 1980. Fq 87). Pjesën tjetër të kohës Leon Rei e kaloi duke vizituar objektet me interes arkeologjik dhe historik në Shqipëri, ku me materialet e grumbulluara botoi “Guidën e Shqipërisë” në vitin 1930. Në projektet e tij ishte edhe ngritja e një institut studimesh për Skënderbeun, gjë të cilën nuk e realizoi dot.
Së bashku me mikun dhe bashkëpunëtorin e tij shqiptar, arkeologun Hasan Ceka ai përgatiti edhe një studim për Xhaminë e famshme të Ethem Beut në Tiranë.
Gjithashtu në vitin 1934, së bashku me personalitete të tjerë ai bëhet inisiator i krijimit të Shoqatës Francë-Shqipëri, e cila kishte si mision të saj organizimin e veprimtarive të ndyshme kulturore, që do të kishin në fokus Shqipërinë. Në këtë shoqatë me kryetar senatorin Justin Gotard, Leon Rei do të zgjidhej si Sekretar i Përgjithshëm (Luan Rama. Leon Rei…Gurët…fq 242).
Ndërkohë që merita e veçantë e Reit ishte se, me kontributin e tij intelektual dhe shkencor, ai u bë një nga pararendësit e Arkeologjisë Shqiptare. Me botimet e studimeve të tij, Leon Rei, e bëri të njohur Apoloninë në fushën e Arkeologjisë dhe historisë antike, duke “na dhuruar” atë “minierë arkeologjike” që do të bëhej “shkolla” e gjithë arkeologëve të mëvonshëm shqiptarë.
6
Megjithëse në qarqet shkencore emri i tij ishte i njohur dhe citohej vazhdimisht, duhet të kalonte një kohë e gjatë që Leon Rei, të njihej edhe nga publiku i gjerë shqiptar. Fillimisht do të ishte studiuesi i njohur Hasan Ulqini, i cili do të shkruante me konsideratë për Leon Rein në librin e tij “Grabitës të Monumenteve, botuar në Titanë në vitin 1980. Vitet do të kalonin dhe një meritë të veçantë në këtë drejtim do të kishte ish ambasadori shqiptar në Paris Luan Rama. Në vitet 1990, kur shërbente si diplomat në ambasadën shqiptare në Paris, ai pati fatin të njihej me fëmijët e Leon Reit, Geraldinën dhe Jean Gabrielin. Fillimisht së bashku me të bijën, në vitin 1998 ata sollën në Apoloni bustin e Leon Reit, për të vijuar më pas në vitin 2004, kur i dorëzuan Arkivit Shtetëror, fotografitë dhe dorëshkrimet e të Reit për Apoloninë. Po këtë vit për Leon Rein u zhvilluan një sërë veprimtarish përkujtimore siç ishin simpoziumi me rastin e 80 vjetorit të Misionit Arkeologjik Francez në Shqipëri, çelja e ekspozitës fotografike mbi veprimtarinë e Leon Reit, si dhe hapja e bar-restorant “Rei”, në Apoloni. Këto aktivitete mbi jetën dhe veprimtarinë e arkeologut të shquar u pasqyruan edhe në faqet e shtypit të specializuar shkencor, siç ishte revista Iliria, si dhe nga shtypi i përditshëm.

Tenda e Arkeologut Léon Rey në Apoloni.

Ndërkohë që do të ishte pikërisht Luan Rama, njeriu që do të luante edhe rolin kryesor në botimet rreth kësaj figure emblematike. Kështu, në vitin 2002, ai botoi jetëshkrimin e parë të Leon Reit, në librin e tij “Krushq të Largët, botim i Shtëpisë Botuese Argeta LTG. Më pas përveç artikujve të ndryshëm në shtypin e shkruar, Luan Rama, boton në vitin 2010 librin biografik mbi jetën e Reit, “Leon Rei…Gurët filluan të flasin”, publikim i shtëpisë botuese Globus R. Dy vjet më vonë, Rama, na sjell një tjetër botim tejet interesant përsëri mbi këtë temë. Kësaj radhë ai përkthen ditarin e Reit “Hyjnitë kishin të drejtë”, botim i Shtëpisë Botuese Dituria, ai na vendos përpara tryezës së leximit ditarët origjinalë të Leon Reit, duke plotësuar kështu të gjitha “borxhet” që Shqipëria i kishte arkeologut të shquar.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura