Prizren, 18. 04. 2013 – Më 18. 04. 2013 u shënuar 14-të vjetori i rënies së dëshmorit të kombit, Ismajl Kryeziu. Homazhe u bënë në varrezat e dëshmorëve në Landovicë pranë varrit të tij si dhe në Lapidarin e lagjes ‘Arbana’. Në homazhe pos familjarëve, veteranëve, familjeve të dëshmorëve, përfaqësuesve të KMDLNJ-së dhe qytetarëve, morën pjesë edhe zyrtarë komunal të udhëhequr nga kryetari i komunës, z.Ramadan Muja. Vizita pati edhe në familjen e dëshmorit. Ismajl Kryeziu kishte një veprimtari shumëdimensionale. Para kyqjes në UÇK, ai ka qenë edhe anëtar i N/KMDLNJ-së në Prizren.
Veprimtaria e Ismail Kryeziut në KMDLNJ
Ҫështja e mbrojtjes së të drejtave dhe të lirive të njeriut në Kosovë nuk ishte çështje e një lëvizjeje doktrinore, por aspekti më tragjik i okupimit të Kosovës nga Serbia. Duke kuptuar kështu çështjen, Ismajl Kryeziu që në fillim të qershorit të vitit 1991 u inkuadrua si veprimtarë në radhët e Nënkëshilit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prizren, të formuar në atë kohë. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut është organizata e parë e këtij lloji (jo qeveritare) në Kosovë, që merrej me mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të njeriut në përputhje me standardet ndëkombëtare
Zgjedhja e Ismajlit anëtar i kryesisë së N’KMDLNJ-së
Në fillim të shtatorit 1996, pasoi riorganizimi i punës së N’KMDLNJ-së në Prizren, ku Ismajl Kryeziu u zgjodhë anëtar i kryesisë – shtatë anëtarëshe të N’KMDLNJ-së në Prizren. Për realizimin sa më të suksesëshëm të detyrave të N’KMDLNJ-së, kryesia formoi komisonet punuese, dhe Ismajli ishte kryetar i komisonit për ekonomi.
– Dëshmori i Kombit Ismail Kryeziu –
Kontributi i Ismajlit ishte i veçantë në hapjen e zyrës së NKMDLNJ-së më 1993, por pas presionit të policisë serbe ndaj drejtueve të N’KMDLNJ-së (zyra u bastis, pasoi ndërprerja e telefonit dhe u burgos kryetari e nënkryetari). Meqë ishte i pamundur aktiviteti në këtë zyrë, puna vazhdoi nëpër shtëpi, dhe shtëpia e Ismajl Kryeziut ishte njëra nga vendet e përhershme për veprimtarët e N’KMDLNJ-së.
Në shtator1996, pasoi rihapja e zyrës në kompleksin zejtar ‘shtrumfat’ afër stacionit të autobusëve (pas riorganizimit të NKMDLNJ-së), dhe kontributi i Ismajlit ishte i madhë në paisjen e zyrës dhe funksionimin e saj. Dhuna e aparatit shtetëror serb ndaj shumicës shqiptare sa vinte e shtohej, ndërsa kontributi i Ismajlit në mbledhjen dhe grumbullimin e të dhënave për këto shkelje sistematike ishte i madhë përfshirë këtu lëvizjet në teren, për këtë çështje.Gjatë hulumtimit të rasteve në teren, ai shpesh herë ishte i rrezikuar nga organet policore serbe, mirëpo nuk e ndali veprimtarinë e vetë, të cilën e shihte si veprimtari kombëtare dhe që e kishte synim të përhershëm.
Ai, poashtu ishte pjesëmarrës nga ana e KMDLNJ-së në kontakte me misionin e OSBE-së në Prizren, oraganizata qveritare e joqeveritare ndërkombëtare si dhe diplomat që vizitonin N’KMDLNJ-në.
Kalimi në ilegalitet
Më 28 shkurt 1998 policia serbe arrestoi: Xhevat Berishën (anëtar i N’KMDLNJ-së), Hajrim Qengajn dhe veprimtarë tjerë. Lidhur me këto arrestime policia serbe e kërkoi edhe Ismajl Kryeziun (ai u detyrua të kalonte në ilegalitet) ndërsa në vend të tij arrestoi të vëllan e tij Idrizin. Nga kjo kohë Ismajli veproi në ilegalitet pasiqë organet serbe të ndjekjes e kërkonin në vazhdimësi. Ai, e vazhdoi kontaktin me anëtarët e kryesisë së N’KMDLNJ-së.
Angazhimi në UÇK
Me daljen nga burgu, Xhevat Berisha me shokë (28 maj 1998) të cilëve iu bashkangjit edhe Ismajl Kryeziu, i cili vepronte në ilegalitet pasi vazhdimisht kërkohej nga policia, bashkë me Remzi Ademajn, poashtu anëtar i KMDLNJ-së (gjegjësisht kryetar i N’KMDLNJ në Zhur), formojnë në qershor Shtabin Lokal të UÇK-së të Prizrenit me bazë në fshatin Jeshkovë të Vërrinit.
Pas një kohe atyre iu bashkangjitet edhe kryetari i atëhershëm i N’KMDLNJ në Prizren, Azem Ramadani e Feti Hasani, anëtarë të kryesisë së N’KMDLNJ-së.
Remzi Ademaj, komandant i Shtabit Lokal (i njohur me emrin komandant Petrit Kodra) të Prizrenit, bie heroikisht me 15 gusht, ndërsa Xhevat Berisha, në luftimet e 1 shtatorit të vitit 1998, ra heroikisht në fshatin Lez, në vendlindjen e tij, kurse Ismajl Kryeziu, pas rirreshtimit të UÇK-së arriti në Reti bashkë me Brigadën 125 të ZOP-së.
Gjatë tërë kësaj kohe Ismajli ishte në kontakt me veprimtarët e KMDLNJ-së në Prizren ku shkëmbenin informacione lidhur me zhvillimet e asaj kohe.
Për herë të fundit veprimtarët e KMDLNJ-së (Bashkim Gashi dhe Bashkim Kajdomçaj) u takuan me Ismajlin në javën e parë të marsit 1999, në shtëpinë e tij i cili sapo ishte kthyer me ushtarë nga Shqipëria. Në këtë kohë ai ishte i angazhuar në Brigadën 125 të ZOP që kishte bazën në fshatin Reti-Rahovec.
Ismajl Kryeziu që nga 18 prilli i vitit 1999 konsiderohej i zhdukur, pasi që atëherë është arrestuar në Lagjen “Arbana”, nga forcat serbe, në kohën kur po i kryente detyrat e luftëtarit të Brigadës 125 të UÇK-së, ZOP. Për fatin e tij nuk dihej asgjë deri më 13.03.2009, kur u bë identifikimi i kufomës së dëshmorit, Ismajl Kryeziu.
Varrimi u bë me 18 mars 2009 në Varrezat e Dëshmorëve në Landovic
Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, e çmon lartë punën dhe angazhimin e Ismajl Kryeziut në lëminë e mbrojtjes së të drejtave e të lirive të njeriut, për çka me vite u angazhua duke mos kursyer as jetën. Veprimtaria e Ismajlit do të kujtohet me pietet nga KMDLNJ-ja dhe do të jetë udhërrëfyese për veprimtarët e KMDLNJ-së.
Prizren, më 18 prill 2013, QR KMDLNJ-Prizren
Koordinatori, Bashkim Kajdomçaj
………………………………………….
– ISMAIL KRYEZIU NË MESIN E BASHKËLUFTËTARËVE –
………………………………………………
(Nga arkivi i kryeredaktorit të pashtriku.org)