MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (I)

Pashtriku, 12 shkurt 2021: Në janar 2019 Shtëpia Botuese „LIBRI SHKOLLOR” botoi librin e veprimtarit të Lëvizjes Kombëtare, Mehmet Hajrizi: „BIR I ATDHEUT (Dëshmor i Kombit, Naser Hajrizi)“- Librin e redaktoi Prof. dr. Emin Kabashi, ndërsa përgatitjen teknike e bëri, Bujar Hajrizi. Libri ka 326 faqe. Në 40 vjetorin e kryengritjes shqiptare të pranverës 1981 dhe rënies së Naser Hajrizit (më 2 prill 1981) bashkë me Asllan Pirevën në ballë të demonstratës, portali pashtriku.org boton si fejton këtë libër me vlera të mëdha historike e kombëtare.
E nisim me parathënien e librit:
PARATHËNIE
Ideali i luftës për liri dhe kujtesa jonë historike
Përkufizim

Gjatë leximit të dorëshkrimit të veprës publicistike të Mehmet Hajrizit, Bir i atdheut, kushtuar Dëshmorit të Kombit, Naser Hajrizi, rënë për liri në kryengritjen e madhe të popullit shqiptar të Kosovës, më 2 prill të vitit 1981, herë pas here dilnin dilema, sidomos lidhur me llojin e shkrimit, me metodën e ndërtimit të veprës.
Vepra e Mehmet Hajrizit, për nga lloji i studimit, është një monografi publicistike-historike, që i kushtohet një luftëtari të lirisë, kur lufta çlirimtare e organizuar ende nuk kishte filluar në Kosovë. Po ashtu, vepra e Mehmet Hajrizit është një krijim artistik, për faktin se përshkrimi i ngjarjeve, i personazheve, i dukurive, i situatave ka një ngarkesë të tillë emocionale, sa lexuesi e ka vështirë të përcaktohet për llojin e shkrimit.
Më tutje, bashkë me faktet e shumta, saktësinë e madhe për të dhënat që sjell lidhur me zhvillimin e ngjarjeve të vitit 1981 dhe ruajtjen e kronologjisë historike, autori nuk ka hezituar që ato t’i shtrojë edhe si përjetim të tij, e mbushullim emocional të rrëfimtarëve pjesëmarrës në këto ngjarje.

Hyrje
Ngjarjet e vitit 1981, të përkufizuara herë si demonstrata të rinisë studentore dhe të popullit, herë si kryengritje popullore, herë tjetër si ngjarje dramatike, që kishin lëkundur themelet e pushtetit okupues të ish-Jugosllavisë, në veprën e Mehmet Hajrizit vijnë nëpërmjet jetëshkrimit dhe veprimtarisë së Dëshmorit të Kombit, Naser Hajrizi dhe brezit të tij.
Vepra Bir i atdheut, kushtuar Dëshmorit të Kombit, Naser Hajrizi, ndahet në dy pjesë të mëdha, ose libra, siç i ka quajtur autori. Pjesa e parë ndërtohet nga tetë kapituj të prirë nga një prolog dhe të përmbyllur nga një epilog. Kurse pjesa e dytë e veprës shtrihet në gjashtë kapituj, ku përfshihen edhe kujtimet e të tjerëve, qofshin familjarë, bashkëmoshatarë, qofshin të tjerë që e kanë njohur dhe kanë vepruar bashkë me Dëshmorin e Kombit, Naser Hajrizin.
Kjo do të ishte ana e jashtme e strukturës së ndërtimit të veprës së Mehmet Hajrizit. Mirëpo, pasi autori ka ndjekur rrëfimin që nga lindja e Dëshmorit të ardhshëm, doemos aty janë përfshirë periudha të ndryshme kohore, për të cilat ai, jo vetëm ka njohuri, por në disa nga ato ka qenë edhe vetë pjesëmarrës.
Duke njohur mirë ecurinë e ngjarjeve, duke jetuar dhe bashkëvepruar me pjesëmarrës të tjerë në ato ngjarje, autori nuk është harruar pas faktorëve të jashtëm, që kanë ndikuar edhe në jetën e familjes, andaj ai gjen rast dhe mënyrë që të përshkruajë edhe gëzimin e familjes, kur lind Naser Hajrizi.
Një përshkrim i denjë për mënyrën e jetës së atyre viteve, kur përkundër peshës së rëndë të robërisë, përkundër varfërisë së skajshme jetësore, familjet tona, andaj edhe familja e Dëshmorit të ardhshëm, Naser Hajrizi, jeton dhe përjeton momente e çaste gëzimi, që ishte dukuri e rrallë në jetën e shqiptarëve të kësaj pjese të atdheut, të mbetur pa atdhe.
Në dallgët e jetës dhe të veprimtarisë ilegale
Në jetën e familjes së Naser Hajrizit, gëzimi për lindjen e djalit, kishte edhe një amanet, që një ditë duhej përmbushur; luftës për liri, po i shtohej edhe një pushkë.
Por, siç dihet, lufta edhe e vret njeriun. Mirëpo, familja e Naserit të sapolindur nuk kishte kohë të mendohej edhe për ardhjen e luftës, siç nuk i shkonte mendja se i biri do të ishte një ditë, ajo pushka e atdheut, e lënë amanet nga brezat, që t’ia dhuronte edhe jetën ardhjes së lirisë.
Nëse lexohen me kujdes të gjitha pjesët e veprës së Mehmet Hajrizit, Bir i atdheut, kushtuar Dëshmorit të Kombit, Naser Hajrizi, që në titujt e kapitujve, që në kushtimet e sjella me njohuri, në ballë të kapitujve, janë dhënë përkufizimet më të sakta për përshkrimin e rrjedhës së ngjarjeve, për gjendjen dhe peshën e robërisë, për rritjen dhe pjekurinë e parakohshme të të rinjve të atyre periudhave kohore.
Janë dhënë të plota tablo të jetës së Naserit dhe të familjes së tij, janë dhënë raporte e marrëdhënie mes familjarëve, por edhe të afërmeve, në mes shokëve të brezit, por edhe më të moshuarve, qoftë duke qëmtuar me kujdes atë pjesën e jetës që kishte përcaktuar mënyra e veprimit në ilegalitet, qoftë ndonjëherë duke dhënë ndonjë shembull, edhe përmes veprimtarive të tjera, siç ishin muzika apo piktura, qoftë duke veshur ndonjë rrobë me shenjë të qartë të përkatësisë kombëtare, që ishte pjesë e idealit atdhetar që po rritej te i riu, Naser Hajrizi.
Sikur edhe me vetëm këta përbërës të rrëfimit të autorit të monografisë, Bir i atdheut, kushtuar Dëshmorit të Kombit, Naser Hajrizi, shpërfaqet bindshëm, jo vetëm saktësia e njohurive për zhvillimin e ngjarjeve në ato periudha kohore, por edhe gjendja e ngritjes së vetëdijes kombëtare brenda atyre rretheve, duke filluar nga familja e deri te mjedisi i shkollës, nga shokët e gjeneratës e deri te më të moshuarit.
Duke e vënë në qendër të paraqitjes së ngjarjeve Naser Hajrizin, autori ka pasur mundësi të merret edhe me vogëlimat e jetës së dëshmorit të ardhshëm, ka pasur mundësi dhe njohuri për rrethin e shokëve dhe shoqeve ku sillej, ka pasur të dhëna se cilët nga personeli i shkollës ishin në mbështetje të kërkesave të të rinjve dhe cilët nga ta, ndikonin në vetëdijesimin e tyre, por edhe kush, në krahun tjetër, zbatonte rregullat dhe normat e moralit socialist, edhe më të përbetuar se sa vetë zbatuesit e atij sistemi robërues. Përveç heroit të librit, Naser Hajrizi, parakalojnë edhe një galeri e tërë portretesh të familjarëve, bashkëveprimtarëve të tij, kolegëve, mësimdhënësve, por edhe figurave të urryera në shërbim të pushtuesit. Duke qenë disa prej tyre diametralisht të kundërta në bindje dhe veprime, te lexuesi ngjallin ndjenja të ndryshme.
Naser Hajrizi po rritej dhe po vetëdijesohej për gjendjen e rëndë të kësaj pjese të atdheut. Po vetëdijesohej se kjo pjesë e atdheut ishte e pushtuar. Po mësonte edhe nga të tjerët, qofshin familjarë, qofshin bashkëveprimtarë të familjarëve të tij, se kjo pjesë e atdheut të tij po shfrytëzohej nga të tjerët, që ishin pushtuesit. Më në fund, po mësonte shkollën e madhe të jetës, se liria nuk vjen pa krismën e pushkës.
Këto anë të jetës dhe të veprimtarisë së Dëshmorit të Kombit, Naser Hajrizi, me përshkrimin, paraqitjen, zbërthimin dhe analizimin e zhvillimit të ngjarjeve që kulmin e arrijnë me kryengritjen e vitit 1981, pjesë e së cilës Naser Hajrizi bëhet me gjakun e tij dhe të shokëve të tij të idealit, janë dhënë në formë letrare në pjesën e parë të librit dhe nëpërmjet rrëfimeve, kujtimeve e shpjegimeve të të tjerëve, në pjesën e dytë të librit.
Naser Hajrizi ishte bërë pjesë e ngjarjeve të mëdha historike
Autori i monografisë Bir i atdheut, Mehmet Hajrizi, siç del edhe nga mënyra e konceptimit të veprës së tij, nuk ishte njohës vetëm së jashtmi i atyre ngjarjeve, qoftë edhe nga literatura e lexuar. Ai ishte njohës nga brenda i ngjarjeve që paraprinë dhe përgatitën kryengritjen e vitit 1981, sepse ishte pjesë e atyre organizimeve, herë krejtësisht ilegale, herë më pak të fshehura, varësisht nga rrethanat që krijoheshin në ato periudha kohore.
Duke qenë pjesë e atyre ngjarjeve, ai kishte pasur mundësi të përcillte nga afër, pra së brendshmi, edhe përfshirjen e të rinjve në ato ngjarje, të cilët, siç thotë në një rast, ishin të “infektuar” nga ‘‘epidemia e organizimit ilegal’’. Ata po shndërroheshin në bartësit e idealit të lirisë së atdheut, pa marrë parasysh pasojat, rreziqet dhe mundësinë e përballjes edhe me vdekjen.
Autori duke përcjellë rritjen dhe pjekurinë intelektuale, shoqërore dhe vetëdijesimin atdhetar të Naser Hajrizit, është bërë kronikë shkrues i atyre ngjarjeve që përgatitën dhe zhvilluan kryengritjen e vitit 1981 në Kosovë.
Pa marrë parasysh se rrëfimi i ngjarjeve, paraqitja e skenave, analizimi i situatave të caktuara të jetës dhe të veprimtarisë së Dëshmorit të Kombit, Naser Hajrizi, të shumtën e herëve është dhënë vetëm brenda mjediseve të caktuara të shoqërisë së kohës, siç ishin familjet e shokëve, si ajo e Dëshmorit të Kombit, Asllan Pireva, apo të një liste të tërë të inicialeve të shokëve dhe të shoqeve me të cilët dhe me të cilat bashkëpunonte Naser Hajrizi, atmosfera që është paraqitur në tërësinë e monografisë, Bir i atdheut, dëshmon për nivelin njohës të autorit, dëshmon për fuqinë shprehëse të gjuhës që ka përdorur, si dhe për njohuritë e mjaftueshme për të gjitha zhvillimet në jetën shoqërore e politike të shqiptarëve të këndej kufirit të Shqipërisë londineze.
Me veprimtarinë e tij, Dëshmori i Kombit, Naser Hajrizi, bashkë me të gjithë veprimtarët e tjerë të brezit të tij, bashkë me shokët e gjeneratës së tij, në shkollë e jashtë saj, bashkë me të gjithë njerëzit që e kuptonin përgatitjen e rrugës për ardhjen e lirisë, ishin bërë pjesë e ngjarjeve të mëdha historike të kryengritjes së vitit 1981.
Autori i monografisë Bir i atdheut, zhvillimin e atyre ngjarjeve e ka shqyrtuar, e ka paraqitur, e ka analizuar dhe e ka shpërfaqur duke dhënë tërësinë e jetës dhe të veprimtarisë së Naser Hajrizit, qoftë në planin atdhetar, qoftë në përgatitjen e tij intelektuale, qoftë për njohuritë e tij teorike, sidomos ato lidhur me sistemet pushtuese, qoftë edhe prirjet e tij artistike.
Rrëfimi i të gjitha këtyre momenteve jetësore të Dëshmorit të Kombit, Naser Hajrizit, në pjesën e parë të librit, si përplotësim është kompletuar nëpërmjet të kujtimeve të të tjerëve, në pjesën e dytë të tij.
Tregimet e episodeve që kishin mbajtur mend, kujtimet që ishin bërë pjesë e jetës së tyre, shënime dhe gjësende të ruajtura, që paraqesin të tjerët, familjarët dhe shokët e shoqet, të njohur e të panjohur, veprimtarë të çështjes kombëtare dhe qytetarë të zakonshëm, që kishin pasur rastin ta njihnin Naserin, që kishin qenë të organizuar bashkë, që rastësisht kishin qëlluar së bashku me të në rrëmujën e atyre ngjarjeve në kryengritjen e vitit 1981, që kishin qenë pranë tij kur e kishte marrë plumbi, që kishin bërë përpjekje t’i jepnin ndihmë mjekësore për t’ia shpëtuar jetën, siç dëshmojnë mjekët e atyre ngjarjeve, janë pjesë të tërësisë së monografisë së Mehmet Hajrizit, Bir i atdheut.
Por, episode që bëhen pjesë e tërësisë në mënyrë të natyrshme, thuajse nuk hetohet dora e autorit, edhe atëherë kur ai paraqet të dhëna konkrete, apo të nxjerra nga shënime arkivore, qoftë edhe nga ditarët e shkollës ku kishte mësuar Naser Hajrizi, apo edhe kur shqyrton dhe analizon pjesë të veprimtarisë ilegale brenda dhe jashtë Kosovës, për të cilat njohuritë e autorit janë bindëse dhe të dhëna me qartësi gjuhe e saktësi mendimi.
Përfundim
Vepra e autorit Mehmet Hajrizi Bir i atdheut, kushtuar Dëshmorit të Kombit, Naser Hajrizi, dëshmon për rëndësinë e madhe historike të ngjarjeve të kryengritjes së vitit 1981. Ndihmon për njohjen e tërësishme të atyre ngjarjeve, paraskenën, skenën dhe prapaskenën e zhvillimit të tyre. Po ashtu, dëshmon për njohuri të sakta të pasojave që ishin vënë në kurrizin e shqiptarëve pas ngjarjeve të kryengritjes së vitit 1981. Në libër janë bërë përshkrime të gjalla të ngjarjeve dramatike, të fateve dhe karaktereve.
Të gjitha këto të dhëna, si dhe të tjera, që nuk është e mundur të përfshihen në një fjalë hyrëse, monografinë Bir i atdheut, të autorit Mehmet Hajrizi e bëjnë një vepër të mirëfilltë të publicistikës historike, në njërën anë, por edhe një vepër artistike të mirëfilltë në anën tjetër.
Qoftë vetëm për këto karakteristika, vepra e tij, Bir i atdheut, kushtuar Dëshmorit të Kombit Naser Hajrizi, lexohet, siç thuhet, me një frymë, jo vetëm për shtjellimin dhe rrëfimin e ngjarjeve, me një gjuhë për lakmi të krijuesve të mirëfilltë, por edhe me paanësinë në trajtimin, shqyrtimin dhe analizimin e gjithë rrjedhës së jetës së re të Dëshmorit të Kombit, Naser Hajrizi.
Duke mos e shkoqur nga mjedisi familjar dhe shoqëror ku ishte rritur, ishte edukuar dhe kishte marrë ‘‘epideminë e organizimit ilegal’’, jeta dhe veprimtaria e Dëshmorit të Kombit, Naser Hajrizi, është dhënë si pjesë përbërëse e jetës së kësaj pjese të popullit shqiptar, është paraqitur si pjesë e jetës së popullit shqiptar që ishte i robëruar dhe i copëtuar, si dhe më në fund, është dhënë si pjesë e një tërësie që mund të përkufizohet si pjekuri e idealit atdhetar për të luftuar për çlirim kombëtar dhe për liri.
Andaj, rënia e tij në altarin e lirisë, në ngjarjet e kryengritjes së vitit 1981, kur qartazi jepej të kuptohej se ishte rrënuar “vëllazërimi dhe bashkimi”, se kishte vdekur socializmi vetëqeverisës, se ishte shpifje zgjidhja e çështjes kombëtare, sidomos të shqiptarëve, del si akt i natyrshëm i ndërtimit të strukturës së monografisë së Mehmet Hajrizit, Bir i atdheut, kushtuar Dëshmorit të Kombit Naser Hajrizi.
Jehona dhe porosia e veprimtarisë atdhetare të Dëshmorit dhe brezit të tij, bindshëm është dhënë në aktin e varrimit, si dhe te vargu pa mbarim i atyre që i shkonin për ngushëllime familjes, shumë kohë pas rënies së tij dhe shokëve të tij të idealit kombëtar.

© Pashtriku.org
– VIJON –

_______________

MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (II)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=10889

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura