HALIL KRASNIQI: FITUAM APO HUMBËM ME BISEDIMET E BRUKSELIT?

Prishtinë, 28. 04. 2013 – Është e natyrshme se populli i Kosovës kërkon të dijë bilancin e bisedimeve të fundit në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Që të jemi më konkret, flasim për bilancin e bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë si dy shtete, pa u shtyrë më tutje në histori në konfliktin shqiptaro-serb. Të gjithë ata që marrin përsipër ta bëjnë këtë, çofshin parti politike, OJQ, analistë, në analizat e tyre duhet të kenë për bazë dy momente kohore fillestare. Njëri është gjendja para krijimit të gjendjes së re në veri, apo kur s’kishte problem të veriut dhe tjetri pas krijimit. Edhe rezultatet do të dalin varësisht se cilat momente kohore do t’i kemi parasysh. Të përpiqemi t’i analizojmë secilin një nga një:
1. Nëse e rifreskojmë pak kujtesën do e shohim se, menjëherë pas luftës ne menduam se në raportet tona me Serbinë gjithçka përfundoi. Serbia, sigurisht me ndihmën e miqve të saj ndërkombëtar, duke e instrumentalizuar popullsinë serbe lokale u kujdes që në veri t’ia lë një “pykë” shtetit që ajo e dinte se sapo kishte lindur. Atëherë, ne ia besuam zgjidhjen e problemeve atje UNMIK-ut, sepse “me letra” ai ishte përgjegjës. Ne harruam se UNMIK-u një ditë do të largohet dhe ne vet do t’i bartim pasojat.

– Bruksel, 19. 04. 2013 – 

Për këto 14 vite Serbia u instalua gati plotësisht atje. Për këto 14 vite ne e shikuam si spektator gjendjen atje. Jo vetëm kaq. Ajo, Serbia në masë të madhe e bëri spastrimin etnik të asaj pjese nga shqiptarët. Dhe prapë ne drejtuam sytë nga UNMIKU. “Është e pa tolerueshme që një shtet ta lërë fatin e tij në dorën e mendimeve dhe veprimeve të ndonjë shteti tjetër, sado mik qofte ai”, pati thënë De Goli. Ne nuk e patëm këtë vizion, e ndoshta dikush do të thoshte edhe se, ne nuk e patëm këtë mundësi. Përkundrazi, besimi te miqtë për atë që kishin bërë për ne, na shpuri te besimi i tepruar edhe për UNMIK-un, duke harruar se në UNMIK nuk i kishim të gjithë miq.
Gjendja u përkeqësua edhe më tepër pas shpalljes së pavarësisë. Një përpjekje e qeverisë sonë për të improvizuar diçka atje përfundoi në dështim të plotë. Krejt çka fituam nga ai improvizim ishte të kuptuarit edhe më të thellë të situatës së rëndë që ishte atje.
Andaj, nëse nisemi nga ky këndvështrim, pra para krijimit të problemit të veriut, tani me këto bisedime ne s’po fitojmë gjë, përkundrazi po përpiqemi ta rikthejmë atë që e kemi humbur për këto 14 vite. Nëse nisemi nga kjo pikë, para krijimit të problemit të veriut, si mund të quhet fitore rikthimi nën kontroll i territorit tënd? Ose, si mund të quhet humbje e Serbisë largimi nga territori i huaj?
2. Tani, kur po zhvillohen këto bisedime, ne Serbinë e kemi brenda territorit tonë. Dëmet dhe çmimi si politik dhe ekonomik (Trepça, liqeni i Gazivodës, moskontrollimi i kufijve) i kësaj prezence është tepër i lartë për një vend në shtetndërtim, pasi, “një komb pa një qeveri funksionale në të gjithë vendin, është një spektakël i tmerrshëm (Alexander Hamilton në Federalist Papers).
E meqenëse Serbia është në territorin tonë, dhe të vetëm u provua se nuk mund ta largojmë, atëherë nëse me këto bisedime ne arrijmë ta largojmë, kjo mund të quhet fitore, edhepse e vonuar.
Kjo mund të duket si kontradiktore me përfundimet që nxorëm në pikën e parë, por meqenëse kushtet fillestare kohore i kemi të ndryshme (Serbia është në veri!) edhe kontradikta nuk ekziston. Nën kushte të tilla, largimi i Serbisë, vendosja e kontrollit në kufij, eksploatimi i pasurive, vendosja e ligjit të republikës sonë, me një fjalë shtrirja e sovranitetit, është fitore jona pas asaj humbje gati 14 vjeçare (thamë të mos shkojmë më tutje në histori, se humbja jonë na del shekullore).
Andaj, nisur nga këto dy këndvështrime, se nëse humbëm apo fituam, secili mund ta ndërtojë një përgjigje të veten.
– Kontakti me autorin: [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura