ALISA HASANI: UNIVERSITETI I PRISHTINËS – ATY KU NËNSHKRIMI I DEKANIT KUSHTON PESË EURO!

Prishtinë, 03. 05. 2013 – Universiteti – tempull i dijes? Jo, në Kosovë, Universiteti është gjithçka tjetër pos tempullit të dijes. Ky sistem ka prodhuar një Universitet që e degradon dijen dhe nuk e jep apo prodhon atë. Universitet partiak. Universitet ku çdo ditë prodhohen vende të reja pune ad hoc dhe natyrisht për anëtaret e partisë. Universitet ku nepotizmi është i legjitimuar. Universitet ku në emër të së mirës, aplikohet e keqja. Universitet ku personeli IT i fakultetit, e ka lirinë e manipulimit me notat online. Universitet, ku Këshilli Drejtues i dyfishon pagat e anëtarëve të saj, përderisa studentët janë të obliguar të paguajnë edhe për një çertifikatë të notave.
Për ta marrur një çertifikatë të notave, së pari të duhet të shkosh te referenti, i cili i kryen shërbimet për të cilën paguhet nga taksat tona, në shkëmbim të një buzëqeshjes apo diçka më shumë. Po nuk i buzëqeshe, atë ditë nuk ke kryer punë dhe ky akt reciprok është legjitimuar nga studentet, të cilat e pranojnë këtë shkëmbim të shërbimeve. Çështja fillon të komplikohet më tej. Në mënyrë që ta marrësh këtë çertifikatë ti duhet të paguash një shumë prej 5 eurove në bankë. Për çka? Pesë euro për një letër dhe ngjyrë apo për një nënshkrim të dekanit? Nënshkrimet këtu kushtokan shtrenjtë.

Duke mos harruar që ti shkollohesh në një universitet publik, ku prindërit e tu dhe ti paguan taksa, pos kësaj ti pa të drejtë paguan edhe semestër, u dashka të paguash edhe për çertifikatë të notave? Pagesa bëhet, ti kthehesh me fletëpagesë tek referenti, ai ta dorëzon çertifikatën dhe të thotë ta marrësh vulën e dekanit. Troket në zyre të dekanit, asistenti i tij thotë që dekani është duke u përgatitur për takimin e tij me Pandeli Majkon dhe se nuk ka kohë për të dhënë nënshkrime. Asistenti të sugjeron të shkosh te “SHEFI I STUDENTAVE”, i cili paskësh nisur punën sot. Duke mos e gjykuar fort të drejtën statutore të këtij pozicioni shkon tek shefi. Kërkon nënshkrimin e tij, i cili tërësisht i pakualifikuar për këtë detyrë ad hoc, të pyet ku duhet të nënshkruan dhe nëse duhet ta mbajë ndonjë prej kopjeve. Pasi ia sqaron punën për të cilën është paguar ta bëj, shkon të sekretaresha e fakultetit për t’i vulosur dokumentet. Troket, ajo duke të thënë që duhet të presësh, vazhdon kafen dhe muhabetin me një prej profesorëve. Pas insistimit që s’ke kohë ta presësh, ajo i vulos dokumentet dhe të tregon që ato duhet të protokollohen. Çdo të përfundon pasi kjo çertifikatë protokollohet. Mirëpo, marrë parasysh procesin e marrjes së një çertifikate, ti indinjohesh dhe fillon ta analizon burokracinë dhe funksionalitetin e “tempullit të dijes”, ku degradimi i tij është i legjitimuar me heshtjen e studentëve.
Universiteti, me këtë strukturë shkel pothuajse të gjitha nenet e statusit të Universitetit, duke filluar nga misioni, strukturat, barazia gjinore deri tek administrata dhe të dhënat. Unë jam një studente që refuzoj të jem pjesë e këtij sistemi të degraduar. Unë edhe nëse e vetme, dua ndryshim. Unë jam një studente që refuzoj të shtypem nga burokracia dhe të hesht para nepotizmit dhe partizimit të strukturave të fakultetit. Unë mund të mos kem thënë shumë dhe mund të mos kem dhënë ndonjë risi informacionesh sa i përket parregullsive dhe informalitetit, mirëpo pikërisht njohja e problemeve dhe heshtja para problemeve, mundëson regresin dhe jo avancimin e dijes, mision ky i universitetit. Andaj u bëj thirrje të gjithë studentëve, që e meritojnë këtë emër, të mos e heshtin krimin. Degradimi dhe dhunimi i institucioneve publike është krim. Heshtja e studentëve po e legjitimon krimin. Të bashkohemi kundër shtypjes! Studentë të shtypur, bashkohuni!
– Autorja është Studente e vitit të dytë, Fakulteti Filozofik.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

KRIMI ME VAKSINA!

KRIMI ME VAKSINA! Senatori australian, Malcolm Roberts bën thirrje për akuza kundër burokratëve shëndetësorë për krimet Covid Nga…