PROF.DR.MUHAMET PIRRAKU: SI I ‘PAJTUAM’ PUBLIKISHT HYSEN TËRPEZËN E FADIL HOXHËN(I)

Pashtriku.org, 06. 05. 2013 – Prof.Dr.Muhamet Pirraku u lind në fshatin Flamuras të Drenicës, më 12 te¬tor 1944. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje dhe në Bushat, më 1957. Ndonëse ishte nxënës shembullor, nuk u pranua në Shkollën Normale të Prishtinës, për shkak se i ati i tij Mani, i përkiste Lëvizjes Kombëtare Kaçake të viteve të ’20-ta të shek. XX dhe Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës gjatë LDB-së, dhe ishte jatak i njësiteve të “NDSH”-es. Pasi punoi një vit në ndërmarrjen ndërtimore “Granit” të Shkupit, në vitet 1959-1963 e mbaroi Shkollën e Mesme Bujqësore në Prishtinë, dhe për disa muaj punoi ekspert i bujqësisë në Bushat. Në vitet 1964-1968 e kreu Fakultetin Filozofik – Dega e Historisë, në Prishtinë. Gjatë studimeve, nga fillimi i vitit shkollor 1965/66 punoi si arsimtar i historisë në Shkollën fillore “Emin Duraku” të Prishtinës, ndërsa në Medresenë “Alaudin”, si arsimtar jo i rregullt ka dhënë historinë dhe retorikën.
Nga tetori 1967 deri në tetor 1971 ishte arkivist për hulumtime e publikim të lëndës arkivore në Arkivin Shtetëror të Kosovës dhe njëkohësisht mbajti mësimin e historisë në Shkollën e Mesme Teknike dhe pak kohë në Shkollën Normale të Prishtinës. Shërbimin ushtarak e mbaroi nga gushti 1969 – gusht 1970. Një vit ka punuar si inspektor i arsimit në komunën e Drenasit, pastaj u zgjodh asistent i historisë në Entin e Historisë së Kosovës, prej nga pa shkëputje nga puna, i ndoqi studimet në shkallën e tretë të studimeve pasuniversitare në Universitetin e Zagrebit dhe në vitin 1976 e mbrojti Tezën e magjistraturës. Muhamet Pirraku, në fillim të viteve të ’60-ta të shek. XX, filloi aktivitetin politik Kombëtar. Më 10 shtator 1960 u betua para Flamurit Kombëtar dhe Fazli Greiçevcit. Teksti i Betimit ishte: “Betohem se prej sodit jetën do t’ia kushtojë lirisë së Kosovës dhe ribashkimit të Shqipërisë Etnike!”

Prishtinë, Janar 1981: Prof.Muhamet Pirraku, në Institutin Albanologjik.

Sipas udhëzimeve të Fazli Greiçevcit, Pirraku më 10 tetor 1960, e organizoi bojkotin e parë publik kundër mësimit në gjuhën serbokroate në Shkollën e Mesme Bujqësore të Prishtinës. Ai, tri paralele të klasës së dytë i solli në Këshillin Ekzekutiv të Krahinës së Kosovës me kërkesën këmbëngulëse: “Duam që mësimi të zhvillohet në gjuhën shqipe!” Bojkotuesit i priti Përgjegjësi për Arsim Kolë Shiroka dhe kjo protestë kurorëzohet me plotësimin e kërkesës në vijimësi, brenda viteve shkollore 1960/ 1962.
Nga nëntori i viti 1963, Muhamet Pirraku i takonte “Lëvizjes Revolucionare të Bashkimit të Shqiptarëve” në krye me prometeun Adem Demaçi. Ndërkaq në vitet e 70’ta i përkiste grupit të intelektualëve, i njohur si “Çeta e Bajo e Çerçiz Topullit”. Bajo ishte Murat Blaku, kurse Pirraku ishte Çerçizi. Ky grup nga viti 1968, kishte 12 bashkëveprimtarë në krye me korife Ismail Dumoshin. Pirraku ishte krahu i djathtë i Ismail Dumoshit në përgatitjet e Demonstratave studentore të Nëntorit 1968 në Prishtinë e rrethinë. Muhamet Pirraku, me punë shkencore kërkimore profesionale filloi të merret nga viti 1967, por shkrimin e parë nga historiografia e botoi në prill të vitit 1968, kurse persekutimin e parë politik e administrativ nga pushteti e përjetoi në fillim të viteve të ’70-ta, i goditur nga mesazhi politik i “Letrës së Titos”. Pirraku përkrah Halil Alidemës e Dem Fetës organizoi përpjekjen studentore kundër “Stafetës së Titos” më 26 mars 1981, që realisht ndikoi në masivizimin e Demonstratës së 1-2 prillit 1981. Më 4 gusht 1981, Sigurimi Shtetëror i Kosovës e arrestoi në bazë të Urdhërarrestimit të nënshkruar nga Fadil Hoxha, ku në Ekipin e Hetuesisë morën pjesë edhe Udbashë fedreativë. Pirraku arrestohet me motivin se ishte “Organizuesi kryesor i Demonstratave të prillit 1981”. Me rastin e arrestimit UDB-ashët, ia konfiskuan pa kthim rreth dhjetë mijë faqe dorëshkrime: shënime të kujtesës historike, punime shkencore, shumë ditarë dhe rreth tridhjetëmijë vargje poetike si edhe literaturë historiografike e politike me vlera të mëdha për kohën.
Më 19 gusht 1981 udbashi Lorenc Selmani në prani të Sabah Muhaxherit (shef i stafit të hetimeve ndaj Pirrakut), e të Lutfi Ajazit e torturoi mizorisht, dhe ia dëmtoi përjetë 100% nervin e dëgjimit të veshit të majtë, e rreth 30 % veshin e djathtë!
Më 12 Nëntor 1981, Gjyqi Komunal i Prishtinës, atë e dënoi me dy vjet burg, por shkalla e dytë (Gjyqi i Qarkut i Prishtinës), ia uli një vit dhe më 4 gusht 1982 ai lirohet nga burgu. Dënimin e mbajti në Burgun e Prishtinës, të Mitrovicës e të Sarajevës (këtu në vetmi).
Nga vjeshta e vitit 1982 deri në dimrin e vitit 1983 punoi mjeshtër, murator e projektues, në ndërtimtari të lartë. Nga kjo kohë deri në fillim të vitit 1990, për të ndikuar në rrjedhat politike e historiografike, në një anë, dhe për ta ushqyer shpirtin krijues, në anën tjetër, u detyrua t’i botojë, pa emrin e tij, disa trajtesa, studime dhe dy vepra, ndër më emblematiket për Isa Boletinin dhe për Hasan Prishtinën.
Në tetor 1988, Muhamet Pirraku mbrojti tezën e doktoratës (deri atëherë), i vetmi pa mentor në Universitetin e Prishtinës.
Nga fundi i vitit 1989 M.Pirraku tuboi disa të burgosur politikë, dhe e ngriti “Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës”, ndërkaq në fillim të “Aksionit Studentor Njëmujor për Faljen e Gjaqeve” (shkurtit 1990), ai e bashkoi “Kryesinë e Shoqatës së të Burgosurve Politik të Kosovës” me “Aksionin Studentor”, e në rolin e koordinatorit të “Kryesisë së Këshillit Qendror të Lëvizjes”, ndikoi që “Aksioni” të rritet në “Lëvizje për Pajtimin Kombëtar Shqiptar” që zgjati mbi dy vjet, me ndikim të madh në kthesën vendimtare shqiptare për çlirimin nga pushtuesi jugosllav.
Prof.Dr.Muhamet Pirraku është ndër historianët tanë, i cili me kurajo e guxim të pashoq e mori në mbroje UÇK-në, qysh nga Aksionet e para deri në çlirimin e Kosovës. Pas çlirimit të Kosovës, Prof.Muhamet Pirraku u doli në mbrojtje UÇPMB-së në Kosovën Lindore dhe të UÇ -Kombëtare në Iliridë.
Me themelimin e PDK-së Muhamet Pirraku ishte njëri ndër aktivistët që kontribuoi për masivizimin e saj, ndaj u zgjodh antar i Këshillt Drejtues të PDK-së dhe deputet i saj në Kuvendin Komunal të Prishtinës, (në fund të vitit 2000).
Si gjatë Luftës Çlirimtare të UÇK-së, edhe pas çlirimit, Profesor Pirraku mbajti shumë referate në akademitë për Luftës Çlirimtare të UÇK-së dhe Dëshmorët e saj. Një pjesë të referateve i botoi në veprat: “Për Kauzën e UÇK-së” dhe “Për Kauzën e shtetësisë së Kosovës”.
Profesor Pirraku më 2001 i propozoi zërat e Luftës Çlirimtare të UÇK-së, dhe të Dëshmorëve të saj, për “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, dhe po në vitin 2001 e përgatiti një “Simpozium në nivel të kombit për UÇK-në”, por pa fajin e tij ky simpozium dështoi!
Prof. Dr. Muhamet Pirraku pati rol të rëndësishëm në Komisionin për “Ligjin për Dëshmorët e Martirët e UÇK-së” si edhe në Këshillin Komunal të Prishtinës për emërimin e rrugëve, lagjeve e të shesheve, 1999-2000, që shërbeu si bazë edhe për komunat e tjera.
Prof.Dr.Muhamet Pirraku e barti barrë profionale në Komisionin për Emërtimin e Rrugëve, Lagjëve e Shesheve të Prishtinës e pati rol të rëndësishëm edhe për ngritjen e Këshillit për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës 1999-2001.
Në fushë të dijes historiografike, Prof. Dr. Muhamet Pirraku, u bë emër i mirënjohur, me shkrime të guximshme të mbështetura në faktografi burimore. Me emër të tij, e me pseudonime deri tashti i publikoi mbi 6010 zëra bibliografikë – studime, artikuj, trajtesa, recensione, kritika, fejtone, historiografike, mbi 490 20 faqe A-4.
Përpos atyre, ai botoi dhe këto vepra:
1. Kultura Kombëtare Shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit, Prishtinë, 1989 (Doktorata); 2. Historia për klasën VII (bashkautor S. Rizaj), Prishtinë, 1975; 3. Salih Gjukë Dukagjini: Shkrolaria e shqypes (nga osmanishtja: dr. Feti Hehdiu, mr. Mehdi Polisi), Prish¬tinë, 1991; 4. Ripushtimi jugosllav i Kosovës 1945, Prishtinë, 1992; 5. Kalvari i shqiptarësisë së Kosovës, TIVARI 1945, Prishtinë, 1993; 6. Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1952, Prishtinë, 1995; 7. Albania e Konicës, Prishtinë, 1995; 8. Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët (bashk¬autor dhe kryeredaktor), Prishtinë, 1995; 9. Lidhja Shqiptare “Besa-Besën” në burimet serbe 1892-1902, Prishtinë, 1996; 10. Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve 1990-1992. Kronikë, Prishtinë, 998; 11. Për kauzën shqiptare 1997-1999, Prishtinë, 2000; 12. Dritë e re për kryetarin e parë të Shqipërisë Etnike (bashkautor dhe redaktor), Prishtinë, 2002; 13. Jo katedrale në emër të shqiptarisë së imagjinuar, Prishtinë, prill 2003 (Botim i Dytë, i zgjeruar, qershor 2003); 14. Myderriz Ymer Prizreni – Ora, Zemra dhe Shpirti i Lidhjes Shqiptare 1877-1887, Prishtinë, 2003; 15. Arrestimet e Pjesëtarëve të TMK’së – Ç’është kjo?! (bashkautor dhe redaktor), Prishtinë, 2004; 16. Tivari 1945 – Kalvari i Kosovës, Prishtinë, 2005; 17. Masakra në Burgun e Dubravës 19-24 maj 1999 (bashkautor dhe redaktor), Prishtinë 2005; 18. Për kauzën e UÇK-së, Prishtinë, 2006; 19. Për kauzën e shtetësisë së Kosovës, Prishtinë, 2008; 20. Adem Guta ekzemplari i patriotizmit të gjeneratës (1916-1945), Prishtinë, 2008, 21. Martirët e Shqipërisë Etnike nga Derë e Stak Mark Mirditës, 2011.
Në gusht 2013 pritet të botohet Vepra voluminoze: “Hasan Prishtina – Vlerë Sublime e Kombit.” Prof. Dr. Muhamet Pirraku ka edhe libra të tjerë në dorëshkrim. Ishte këshilltar shkencor në Degën e Historisë së Institutit Alba¬nologjik të Prishtinës, kurse nga prilli i vitit 2010 është në pension.

Prof.Dr.Muhamet Pirraku, me kryeredaktorin e pashtriku.org, Sh.Berisha.

Prof.Muhamet Pirraku, duke qenë njëri ndër aktivistët e PDK-së, anëtar i Këshillt Drejtues të Partisë dhe deputet i saj në Kuvendin Komunal të Prishtinës, në tetor 2000 – gjatë fushatës elektorale, ka inicuar idenë për takimin pajtues të katër figurave historike: Fadil Hoxhës, Hysen Tërpezës, Adem Demaçit dhe Azem Sylës. Për të mësuar detajet e kësaj nisme dhe argumentet historike,lidhur me dy figurat e Luftës së Dytë Botërore, Fadil Hoxha dhe Hysen Tërpeza, zhvilluam një bisedë me Prof.Dr.Muhamet Pirrakun.
* * *
SI LINDI IDEA PËR “PAJTIMIN” E KATËR PERSONALITETEVE HISTORIKE: FADIL HOXHA-HYSEN TËRPEZA-ADEM DEMAҪI-AZEM SYLA?!
PASHTRIKU: Profesor Pirraku, gjatë takimeve tona, shpeshherë kemi folur për përpjekjet dhe motivet tuaja për t’i “pajtuar” publikisht para kamerave televizive katër personalitete që kishin bërë emër në këthesat e mëdha politike e luftarake të popullit tonë: Hysen Tërpezën, Fadil Hoxhën, Adem Demaçin dhe Azem Sylën. Nëse e kam mbajtur mirë në mend, kjo iniciativë ju ka lindur pas takimit me atdhetarin Hysen Tërpeza, dhe këtë akt pajtimi e kishit planifikuar ta realizoni në një tubim elektoral të PDK-së në Prishtinë, në tetor 2000. Prej nga buronte gjithë ky besim se mund t’i bashkoni para kamerave: H.Tërpezën, F.Hoxhën, A.Demaçin e A.Sylën?
PIRRAKU:
Pyetje shumë e rëndësishme, që kërkon sqarim të duhur! Për këtë gjë kam dëshmi të botuara në gazetën Rilindja, Prishtinë, 9 dhjetor 2000, fq.5, dhe në librin tim “Për Kauzën e UÇK’së”, Prishtinë, 2006, fq.37-42, të cilat mund t’i shpalosni për lexuesit e portalit kombëtar pashtriku.org.
Për ta shpërfaqur këtë ide, po nisem nga Hysen Tërpeza, i cili u këthye nga mërgimi më 1999, ku ishte që nga viti i përgjakshëm 1945. Shkuam për t’ia uruar këthimin në Kosovën e çliruar me Luftën Çlirimtare të UÇK-së, unë, Dr.Iljaz Metaj, Dr.Mujë Rugova e Mr.Adem Murati. Hysen Tërpeza na priti me bujarin që e stoliste qenien e Tij. Në bisedën prindërore për habinë tonë, mu drejtua: “Profesor Pirraku me librin tuaj: ‘Mulla Idriz Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore’, e ke nderuar gjakun e Dëshmorëve të Kombit, na ke nderuar neve që mbetëm gjallë të shpërndarë nëpër Botë, si votë e qyqesë..!! Dhe e kam një porosi për Ty, në librat e tjerë edhe më shumë ruaje Fadil Hoxhën!! Ju që më nderuat sot, për mua as “polakë”, (roje të fushës) nuk do të ishim..!!! Ju, si edhe të tjerët si ju faktikisht jeni Fryte të Fadil Hoxhës me shokë…!!” Këtë amanet të Hysen Tërpezës e komentuam gjatë tërë rrugës dhe e vlerësuam si një porosi të një Urtaku që sakrifikoi familjen, jetën e pasjen për Bashkimin e Kombit! Këtu e gjeta guximin e mësimin për iniciativën time për t’i nxjerrë para kamerave televizive katër Personalitetet në fjalë, në interes të Paqes së brëndshme të Kombit Shqiptar! Për një Pajtim të tillë, më erdhi në ndihmë edhe burrëria e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve 1990-1992.
SI U REALIZUA TAKIMI I AZEM SYLËS ME FADIL HOXHËN, MË 12 TETOR 2000?!
PASHTRIKU: Dhe, a mund ta shpalosni këtë ide, si ka përfunduar?!
PIRRAKU:
Po, pa asnjë prites! Dega e Katërt e PDK-së e pati caktuar mbledhjen elektorale për 16 tetor 2000, unë e kisha Fjalën kryesore në këtë manifestim, ndaj mendova se këtu mund ta realizoi projektin për të cilin kisha punuar kohë më parë. Realisht, kisha biseduar me të gjitha personalitetet e PDK-së dhe të gjithë më përgëzuan për qëllimin! Këtu e kam për nderë të veçoi vetëm mendimin e një Burri, të Abullah Prapashticës – për të cilin më kishte lidhur burrëria e Tij në Pranverën Shqiptare ’81. Abullahu më përqafoi si vëllau duke më thënë: “Nëse ia arrin këtij qëllimi, ti i ke bashkuar Majet e Katër Bjeshkëve….!” Ndërkaq këtu e kam për nderë ta konstatoj faktin se në këtë projekt krah të djathtë i kisha: Dr.Iljaz Metajn e Balin (Ibrahim Gashin), antarë të Kryesisë së Degës së Katërt të PDK-së në Prishtinë.
Së bashku me Iljazin, më 10 tetor 2000, u takuam me Azem Sylën në hotelin “Viktoria”. Azemi e pëlqeu iniciativën, si një hap që do ta forconte fitorën e UÇK-së, duke i mbyllur shtigjet për mynxyrat e Vitit 1997, që ndodhën në Shqipëri me rastin “fajdeve piramidale”!
Azem Syla e dinte se Fadil Hoxha gjatë Luftës Çlirimtare të UÇK-së, kishte kërkuar t’i bashkohej UÇK-së në Shtabin e saj, me të cilin komandonte Azemi…!! Syla e dinte se ne mbanim kontakt me Fadilin, për interes të fitores së UÇK-së, ndaj shprehu dëshirën që t’ia bënim një Takim me Fadil Hoxhën!!
Më 11 tetor 2000, së bashku me Iljazin shkuam në shtëpinë e Fadil Hoxhës. Na priti së bashku me gruan, Zonjën Vahide Kabashi- Hoxha, me të cilën disa vite kisha punuar në “Entin e Historisë së Kosovës”, dhe kishim respekt të ndërsjellë. Na pritën me bujari si bashkëmendimtarë. Fadil Hoxhës ia shpalosëm Projektin tonë dhe dëshirën e Azem Sylës për tu takuar! Hoxha, pa asnjë hezitim e pranoi ftesën tonë për të marrë pjesë në Tubimin Elektoral të PDK-së, kurse për dëshirën e Azem Sylës tha: “Azemit i uroj shëndet, me dëshirë që ta realizon Pavarësin e Kosovës, si hap për realizimin e Vetëvendosjes, që e Projektuam në BUJAN (Janar 1944)!! Që nesër ju presë në këtë Tavolinë” – na tha Fadili!
Këtu ia vlen të shtoj: Fadil Hoxha me një mllef të pa përshkruar na foli për një tentim të Tij për ta takuar Ibrahim Rugovën!! dhe këtë bisedë e kam zbardhur në një pasqyrim tjetër!
Sapo dolëm nga shtëpia e Fadil Hoxhës, e thirrëm Azem Sylën me telefon! “Nesër në orën 12 na pret Fadil Hoxha!!” Më 12 tetor 2000, shkuam në shtëpinë e Fadil Hoxhës. Ishte një takim shumë i njerëzishëm midis dy komandantëve të dy ushtrive fitimtare me pranim ndërkombëtar. Të pranishëm në këtë takim ishin: Vahide Hoxha, Dr. Iljaz Metaj dhe unë.
Fadil Hoxha ia uroi Azem Sylës fitoren e Luftës Çlirimtare të UÇK-së, dhe e admiroi projektin tonë për të nxjerrë në Tubimin Elektoral të PDK-së Hysen Tërpezën, atë, Adem Demaçin dhe Azem Sylën! Me këtë rast Fadil Hoxha, Projektin tonë e quajti: Pajtim të Historisë dhe të Kombit.
PIRRAKU: “TARAVOLҪAT POLITIKË TË PDK-së, E MINUAN ‘PAJTIMIN’ E KATËRSHES HOXHA-TËRPEZA-DEMAҪI-SYLA!”
PASHTRIKU: Profesor, mua më kujtohet se në atë kuvend nuk erdhën Adem Demaçi e Azem Syla. Prandaj, si rrodhi projekti i “Pajtimit…” pa pjesëmarrjen e tyre?!
PIRRAKU:
Ndodhi ajo që ka ndodhur në këthesat historike shqiptare përgjatë historisë!! Në fakt në Kryesin e Degës së Dytë të PDK-së kishim edhe Tarvolça politikë, si edhe në Kryesinë e PDK-së! Këtë fakt e dinim, ndaj unë, Iljazi dhe Bali Brah (Ibrahim Gashi – një Burrë Urtak që ishte i dëshmuar nga Rinia në përpjekjet tona për Liri) vendosëm që Projektin e bashkimi të katër Personaliteteve të mos e bënim publik deri në Kuvend! Mirëpo tavolçatë, sapo e mësuan planin vepruan makijavelisht në emër të “patriotizmit” antikomunist, për ftesën që i ishte bërë Fadil Hoxhës, duke kërkuar që atij t’i tërhiqet ftesa…!! Ftesat i kishte firmosur Bali Brah, kurse shtypin, TV-të e Radiot i kisha informuar unë! Meqë ne të tre nuk u tërhoqëm, Kryesia e PDK-së i dërgoi në Degën tonë: Ramadan Avdiun e Pleurat Sejdiun!

Hysen Tërpeza, Fadil Hoxha dhe Azem Syla.

Pleurat Sejdiu, në emër të “patriotizmit primitiv” tha: “aty ku hynë këmba e Fadil Hoxhës, nuk shelë këmba ime…!!” Ramadani u befasua shumë nga qëndrimi i Pleuratit, kurse Bali Brah, Iljazi e unë e fituam përshtypjen se ai i kishte nxitur taravolçatë në Degën tonë ndaj, nuk e kurseva, dhe i thash: “O djali i Mikut tim shko në shtëpi se, nuk qënke për Politikë…!” Fundi rezultoi me një vendim soloman: Hysen Tërpeza, Adem Demaçi e Azem Syla të ulën në Rreshtin e Parë, kurse Fadil Hoxha në Rreshtin e Tetë!!! Adem Demaçi e Azem Syla ndërkohë kur kishin mësuar për këtë marri, nuk erdhën fare në Kuvend! Kurse Hysen Tërpeza e Fadil Hoxha erdhën në Kuvend, sepse nuk dinin për marifetet e taravolçave të PDK-së! Ardhja e Fadilit dhe Hysenit ma mundësuan ta realizoj pjesërisht Projektin tim të “Pajtimit…!”
PIRRAKU: SI I “PAJTOVA” HYSEN TËRPEZËN DHE FADIL HOXHËN NË KUVENDIN E PDK-së?!
PASHTRIKU: Po, si u realizua ky “pajtim…” i pjesërishëm?
PIRRAKU:
Në referatin tim, (me pak sqarime të pas Kuvendit, që do ta zbardhni edhe ju për lexuesit e portalit kombëtar pashtriku.org), janë të ndriquara me kohë shumë gjëra. Mirëpo në këtë moment vlenë të qartësoj veprimin tim për Pajtimin e Hysen Tërpezës me Fadil Hoxhën!! Në Sallën e Kinemasë ABC, shkova 5 minuta pa filluar Kuvendi, me qëllim që të mos isha i pranishëm në poshtërsinë e projektuar nga Keqbërësit e patriotizmit vulgar!! Shkova në Rendin e Parë, dhe Hysen Tërpezës i dëshirova mirëseardhje, por nuk u ula në vendin tim të rezervuar pranë Tij. Ndërkohë shkova edhe në Rendin e Tetë, ku ishte i ulur Fadil Hoxha e Zonja Vahide, dhe iu dëshirova mirëseardhje! Ishin bërë vrerë…!! Ulja ime pranë Tyre, më duket se ju dha zemër dhe posaçërisht pasi e lexova Referatin në të cilin fitej për Projektin e Pajtimit Historik…!!  Kur e përfundova fjalimin tim dhe shkova në vend, Fadil Hoxha u ngrit dhe duke ma shtrënguar dorën më zë të plotë tha: “Të Lumtë Mendja e Pena!” Realisht, sa isha duke zënë vend e kisha menduar fazën finale të Bashkimit të Dy Personaliteteve: Tërpeza – Hoxha! Me të përfunduar Kuvendi, Fadil Hoxhës i thash: “Ejani pas meje..!!” Nxitova dhe shkova edhe te HysenTërpeza, ndërkohë që e kisha ndalur Ekipin e Televizionit të Kosovës (RTK) për ta publikuar këtë ngjarje. Me këtë rast u bëra thërrje kuvendarëve t’i dëgjojnë amanetet e të Dy Komandantëve që u prinë Dy Ushtrive Shqiptare Kundërshtare…!!! Ishte krenari t’i dëgjosh, tamam mësim kombëtar, veçanërisht për ata që e donin Pavarësinë e Kosovës me Dialog Paqësor (!!!) dhe për Ata që kapën hutat për Pavarësinë e Kosovës!!! Në këtë takim ballë për ballë (mjaft mbreslënës), këta dy burra ia lavdëruan Luftën njëri tjetrit, dhe njëkohësisht njëri-tjetrin e quajtën Burrë!!
PASHTRIKU: I nderuar Profesor, kam një pyetje “intime”, që ka të bëjë me Fadil Hoxhën. Gjatë bisedave tona të karakterit historik, më keni thënë se, më 4 gusht 1981 UDB-a ju ka hyrë në shtëpi, ju ka bastisur dhe në fund ju ka arrestuar me një “busullë”, të firmosur prej Fadil Hoxhës! Më lartë ju folët me respekt të veçantë për Fadilin, që rrall kush do ta bënte këtë gjë. Kush ka ndikur që ju të jeni kaq zemërgjerë?!
PIRRAKU:
Sheradin i nderuar, qartë ndikoi e Vërteta dhe vetëm e Vërteta Shkencore! Ju dini shumë për rolin tim në Lëvizjen e Pajtimit Kombëtar 1990 -1992, ku u falën Gjaqet, për ta bashkuar Kombin, për ta fituar luftën për Liri! Ndaj pse unë në “liri” të mos veproja për Paqen ndërshqiptare, në një kohë kur Partitë Politike duke luftuar për pushtet, po punonin për të shkatërruar atë që ishte arritur me shumë mund, gjakë e Sakrifica!
PIRRAKU: SI U BETOVA NË KUVENDIN E PRISHTINËS! 

PASHTRIKU: Profesor Pirraku, këtë projekt siç e cilësoni “për Paqën Ndërshqiptare” e ndërmorët pikërisht në vigjilje të Zgjedhjeve të Para që po mbaheshin në Kosovë. Në këto zgjedhje ju u zgjodhët këshilltar komunal i Prishtinës?
PIRRAKU:
Jo edhe Po…!! Realisht në teren e në TV e barta një barrë të madhe të Propagandës, por fundi rezultoi me 54 kokrra, kurse Dr. Ilaz Metaj, një militant i PDK-së rezultoi me 53 kokrra!! Pse thash: Jo edhe Po…? Në Zgjedhjet për Pushtetin Qendror nuk isha kandidat. Pasi këshilltari komunal Fatmir Limaj, u bë deputet i Kuvendit të Kosovës, Nëna Parti (PDK) më çoi këshilltar komunal në vend të tij…!! Me këtë rast ndoshta është për t’u veçuar Betimi im suigeneris, që bëra në seancën e parë të kuvendit të Prishtinës. Kur më thirri Kryetari i Kuvendit (ishte i LDK-së) të dilja në foltore për ta dhënë Betimin, në Kryesi ishte edhe përfaqësuesi i UNMIK’ut Ivo Shans. Kryetari mu drejtua me fjalët: “Unë do ta lexoj tekstin e Betimit, e ti do ta përserisësh atë pas meje”! Meqë nuk doja të Betohesha sipas tekstit zyrtar i thash: “unë jam aq pismen sa ta mbaj mend atë që do ta lexoni”. Kryetari e lexoi tekstin e betimit, e unë vazhdova tekstualisht kështu: “Nëse qytetarët e Prishtinës mi kanë dhënë 54 vota nuk e meritojnë të punoj për Ta, e nëse Partia mi ka dhënë 54 vota nuk meriton të punoj për këtë Parti!” Ivo Shans e kishte përkëthyesin te “Veshi!” Pa u larguar nga foltorja një shakaxhi, i vëllai i Shemsi Veselit (të cilin e gjeta shef të demokratëve), kurse i vëllai i tij ishte këshilltar i LDK’së, tha: “përze hallashtisu me këtë Sallë më nuk ke për ta parë!!” Unë, ia ktheva shakën dhëmbë për dhëmbi: “jam i vetëdijshëm për këtë, e me Vetëdije nuk e ndoqa Kryetarin!!” Ivo Shans, pas Seancës më priste te dera e Sallës, dhe mi tha këto fjalë: “Zotri Profesor! Kam një përvoj të gjatë në këso misionesh, por, kurrë nuk më ka ndodhur të dëgjoj një betim të këtillë, ju faleminderit!!”

( VIJON… )

=============================

– PJESA E DYTË E INTERVISTËS –
PROF.DR.MUHAMET PIRRAKU:

SI I ‘PAJTUAM’ PUBLIKISHT HYSEN TËRPEZËN E FADIL HOXHËN(II)
KLIKONI KËTU: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=1552

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura