FATMIR TERZIU: SHQIPTARI MEHMET RAGIJF ERSOJ (AKIF ERSOY) KRIJUES I HIMNIT KOMBËTAR TË TURQISË MODERNE

Pashtriku.org, 08. 05. 2013 – (Poeti shqiptar që bëri epokë me pathosin patriotik në historinë e Turqisë. Poeti shqiptar që ngriti në piedestal thelbin e kombit Turk) – Historia e shtetit Osman në vetvete paraqet historinë e vendeve dhe popujve Evropës, Azisë dhe Afrikës që ishin pjesë përbërëse e strukturës administrative të tij. Në proçesin e evolucionit dialektik ai kaloi momente pozitive dhe negative përsa i përket zhvillimeve sociale, ekonomike dhe politike.
Periudha e fundit të shek. XIX- fillim i shek. XX u karakterizua nga zhvillime intensive në arenën politike dhe sektorin ekonomik, që u pasqyruan qartë në shoqërinë Osmane. Struktura sociale e shtetit u cënua në bazën e saj. Raportet sociale deri atëherë të konsoliduara u tronditën dhe shteti ndjeu se po prishej ekuilibri social-politik i tij. Lëvizjet demografike të popullsisë u bënë një nga faktorët kryesorë të këtij transformimi. Viktimë e tyre ishte dhe familja Ersoj.

Mehmet Ragif Ersoj (1873 – 1936)

Të parët e familjes së Mehmet Ragifit banonin në Vilajetin e Kosovës, fshati Shusise i kasabasë së Pejës (İpek). Gjyshi Nuredin Aga kishte shtatë djem midis të cilëve dhe Mehmet Tahir Efendiun (babai i Mehmet Ragifit ). Ai vendosi që djalin ta dërgonte me studime në Stamboll, në kryeqendrën e shtetit.[1] Mehmet Tahiri u vendos në një nga prefekturat e Stambollit, të quajtur Fatih në rajonin e Sarëgyzelit (Sarıgüzel). Nëna e Mehmet Ragifit quhej Emine Sherife Hanëmi (Şerife) dhe vinte nga një familje Uzbeke (Özbeke) turke.[2] 
Familja e Mehmet Ragifit ishte një familje intelektuale. Mehmet Tahiri studioi në Medresenë (Universitetin) e Fatihut dhe fitoi gradën myderris (profesor).
Personaliteti i Mehmet Ragifit u formua gradualisht gjatë proçesit të edukimit arsimor dhe praktikës së jetës që kaloi në disa faza. shkollimi i tij filloi që në moshën 4 vjeçare dhe vazhdoi deri në moshën 20 vjeç. Ai ndoqi programin e shkollës përgatitore (idâdî)-2 vjet;
– shkollën fillore (iptidâî)- 3 vjet;
– shkollën e mesme (ruşdiye)- 3 vjet;
– shkollën e lartë përgatitore (lice) mülkiye idâdîsi[3]- 3 vjet
– shkollën Ahërkapë (Ahırkapı) ditën- 2vjet
– shkollën popullore në konvikt kolegj- 2vjet
– fakultetin e Veterinarisë- 4 vjet
Në vitin 1893 mbaroi studimet me rezultate të shkëlqyera dhe zuri vendin e parë midis studentëve. I etur për të fituar sa më shumë dije dhe për të plotësuar formimin e tij intelektual Mehmet Ragifi iu kushtua gjuhësisë.
Ai ishte i bindur për vlerën dhe rëndësinë e gjuhës si mjeti kryesor shprehës dhe komunikues për njohjen e kulturës dhe karakterin e një populli. Në këtë kuadër mësoi dhe përvetësoi në mënyrë të shkëlqyer tre gjuhët kryesore të kohës; frengjishten si gjuhë të kulturës perëndimore, arabishten si gjuhë të besimit Islam dhe persishten si gjuhë të kulturës lindore. Persishtja si dhe frengjishtja në perëndim, përdorej nga elita e vendit dhe njerës të mësuar të shoqërisë dhe gjuhë zyrtare e kohës.[4] Në të njëjtën kohë Mehmet Ragifi mësoi dhe zotëroi në mënyrë perfekte axhemxhen (gjuhën e axhemëve)[5], turqishten dhe gjuhën amtare shqipen, megjithëse lidhjet me vendin e të parëve dhe njerëzit e një gjaku i kishte shkëputur prej kohësh. Ky është një tregues i karakterit të shqiptarit, i cili kudo që të ndodhej ishte besnik i atdheut dhe i vlerave të pastra të popullit të tij.
Edukimin laik ai e plotësoi me atë të fetar. Mehmet Ragifi dijet e tij në këtë fushë i përmirësoi më tej nëpërmjet kualifikimit të tij në nivelin e hafizit në moshën 20 vjeç.[6] Këto elementë kryesorë të formimit intelektual nuk e penguan atë të t’i kushtonte vëmendje edukimit fizik.[7] Njohuritë e fituara ai i vuri në zbatim duke ushtruar profesionin e tij të veterinerit dhe klerikut. Karierën e tij e filloi duke punuar si nëpunës në sektorin e Veterinarisë të Ministrisë së Bujqësisë. Pas një periudhe 20 vjeçare ai kaloi në pozicionin e zv. drejtorit të atij sektori. Profesionin e veterinerit ai e praktikoi në vitet e para të punës në provinca të ndryshme të shtetit si në Rumeli, Anadoll dhe në Arabi.[8]
Në vitin 1906 Mehmet Ragifi filloi punën si mësues në Shkollën e Veterinarisë të Hallkallësë (Halkalı). Aty ai dha lëndën “Shkrimi zyrtar dhe mënyra e të shkruarit”.[9] Prej vitit 1908 dhe më pas ushtroi profesionin e mësuesisë me gradën e profesorit në Universitetin e Stambollit në fakultetin e Letërsisë dhe në atë të Medresesë Daru’l-Hilafe si profesor i lëndës letërsia Osmane.[10] Karierën e tij arsimore e vazhdoi dhe pas vitit 1929 në Universitetin e Kajros në cilësinë e profesorit në lëndën e turqishtes.
Ai është vlerësuar nga populli e shteti Turk si poet i kombit, mendimtar dhe filozof.[11] Në fushën e fesë Mehmet Ragifi vlerësohet si hero i madh[12] në radhë me shenjtët e tjerë si Hz. Mevlana udhëtar i rrugës së Kuranit dhe një myslyman i përkryer dhe civil i kulturuar.[13] Vepra e tij është krahasuar me atë të Hz. Omer.[14] Shkrimet e tij për artin, letërsinë (gjininë e poezisë) dhe filozofinë turke përmenden gjerësisht për vlerën e tyre. Punën në fushën e artit ai e filloi në shkollën e mesme. Frymëzim për të u bënë poemat e gjata të Zija Pashës dhe profesorëve Naxhi, Namik Kemalit dhe Abdylhak Hamitit.[15] Vjershat e tij fillimisht i shkroi duke marrë si shembull profesorët e tij; Enver Zija Pashën.[16] Më pas punoi dhe krijoi individualitetin e tij si poet. Mehmet Ragifi shkroi shumë artikuj dhe poezi në organet e shtypit si “Sebilürreşad”. Poezitë tij u bënë frymëzim për të rinjtë dhe popullin për të marrë pjesë në luftrat Ballkanike dhe atë Luftën e I Botërore. Nëpërmjet tyre ai u bëri thirrje të bëheshin pjesë aktive e këtyre ngjarjeve për të mbrojtur ekzistencën e identitetit kombëtar dhe të vetë shtetit duke zgjuar efekte pozitive në këto shtresa të shoqërisë.
Mehmet Ragifi u vlerësua si “Poet Islam” që duke shkuar në lagjet e Konjas, Kayserit dhe Kastamonusë ftoi popullin ta mbështeste luftën dhe të mos dilte kundër.[17] Në mënyrë të natyrshme ai filloi të përfshihej në jetën politike. Në bazë të pohimeve të tij mësojmë që temat e trajtuara në poezi evoluan në përputhje me kohën dhe kushtet e reja politike në të cilat u ndodh shoqëria Osmane në atë periudhë. Vjershat e para të Mehmet Ragifit trajtuan tema që kishin të bënin me moralin, besimin, filozofinë dhe didaktikën. Temat e dashurisë zinin një vend mjaft të vogël në krijimtarinë e tij.[18] Pikën kulmore të krijimtarisë së tij poetike dhe filozofike ai e arriti me poezinë: HIMNI I PAVARËSISË ose İSTİKLAL MARŞI. Në bazë të të dhënave të bashkëkohësve të tij dhe dokumenteve, poezia e Mehmet Ragifit për himnin ishte e fundit në radhë midis poezive të 724 poetëve të angazhuar për krijimin e hymnit të pavarësisë sh vendit.[19] Një prej bashkëkohësve të tij Eshref Edipi në kujtimet e tij shkroi se; “…thuhej se ai fillimisht nuk kishte marrë pjesë në konkurim për arsye se ishte shqetësuar pasi për mënyrën e vlerësimit të tij (për hartimin e himnit ishte vënë shpërblim në të holla). Pas kësaj deputeti i Ballikesirit Hasan Tanrëover bisedoi me të dhe i tha që komisioni mund ta hiqte shpërblimin në të holla. I qetësuar shpirtërisht Mehmet Ragifi përgatiti poezinë e himnit të pavarësisë dhe brenda 48 orëve i pa veshur pa pallto por me moralin lart në mes të dimrit ai shkoi në Ankara pa marrë shpërblimin prej 500 Lira (në atë kohë lira turke kishte vlerë shumë të madhe) dhe Marshi ynë shpëtoi nga përgatitja e tij me para”.[20] Modestia e poetit pas marrjes së vlerësimit unanim të poezisë së tij (12 Mars 1921) duket në fjalët e tij: “Atë unë ia dhurova kombit tim. Tashmë ai është i kombit, është malli i kombit.”[21] Më poshtë po japim Himnin e Kombit të shtetit Turk:

İSTİKLAL MARŞI

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura