Pashtriku.org, 11. 05. 2013 – Apologjia e Sokratit antik dhe Apologjia e Sokratit shqiptar të njohur me emrin Ukshin Hoti janë identike. Anitët, Meletët dhe Likonët pas 24 shekujsh nuk ishin vetëm serbë, por edhe shqipfolës dhe mjerë shqipja, që e flasin edhe njerëzit e tillë! Njëzet e katër shekuj më vonë, në Prishtinë u gjykua përsëri Sokrati!
Njëzet e katër shekuj apo 2393 vjet më vonë, në Prishtinë u gjykua përsëri Sokrati, kushedi për të satën herë. Këtë radhë Sokrati ishte shqiptarë nga Dardhari i Madh i Dukagjinit dhe quhej UKSHIN HOTI. Akuza banale, ngjashmëria e tërësishme, fund e krye. Ndryshimi edhe kur duket se është i madh, nuk është i tillë. Vërtet gjykatësit e Sokratit antik ishin të të njëjtit popull, pra ishin grekë, ndërsa në rastin e gjykimit të Sokratit shqiptar gjykatësit ishin serbë edhe akuzuesit formalë ishin serbë.
I vështruar nga ky aspekt gjykimi dhe dënimi na duket më tepër prometeik, por, kurrë nuk harrohet fakti se përpara akuzuesve formalë fshiheshin politikanë smirëzinjë e të zhveshur nga çdo lloj përgjegjësie dhe mediokritetesh kulturore e shkencore nga rradhët e shqipfolësve, të cilët nuk mund t’i durojnë njerëzit me potencë të madhe morale dhe intelektuale çfarë ishte Ukshin Hoti, problemi është më tepër Sokratik. Apologjia e Sokratit antik dhe Apologjia e Sokratit shqiptar të njohur me emrin Ukshin Hoti janë identike. Anitët, Meletët dhe Likonët pas 24 shekujsh nuk ishin vetëm serbë, por edhe shqipfolës dhe mjerë shqipja, që e flasin edhe njerëzit e tillë! Sokrati antik ua përkujton akuzuesve po edhe ndëshkuesve të tij turpin dhe dënimin që i pret në të ardhmen, të njëjtën gjë e bëri edhe Sokrati shqiptar në Apologjinë e tij. Si në Rastin e parë, ashtu edhe në të dytin, profecia doli shumë e saktë. Ngjashmëri tragjike me një bukuri të llahtarëshme brenda.
______________
– Mr.Kadrush Radogoshi është Shkrimtar dhe studiues i letërsisë. U lind në Gjakovë më 15.09.1948. Ka kryer studimet e gjuhës e letërsisë në Universitetin e Prishtinës dhe studimet pasuniversitare dhe ka magjistruar në letërsi. Prej vitit 1969 e deri në vitin 1981 punoi në arsim, kur e burgosën… Ishte në mesin e 237 intelektualëve të arrestuar më 28 Mars 1989 e të dërguar fillimisht në Burgun e Leskovcit e pastaj në Burgun e Prokuples. Vite të tëra ka qenë i papunë dhe i përsekutuar, herë-herë gjer në linç publik. Shkruan poezi, prozë (tregim e roman), dramë, ese, kritikë dhe artikuj studimorë për letërsinë. Është fitues i shumë çmimeve për poezi e tregim në konkurset letrare. Në mars të 2005 u zgjodh nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ndërsa në mars 2008 u zgjodh kryetar i saj. Është autor i 15 veprave të zhanreve të ndryshme dhe fitues i shumë çmimeve letrare. Ka botuar këta libra: “Në mes heshtjes dhe këngës”, “Në udhëkryq”, “Nekrologji për Sodomën”, “Jeta artistike e Ilir Shkretës”, “Interpretime”, “Heraldika e pikëllimit”, “Homo Dardanicus”, “Adem Jashari dhe Vdekja”, “Nëpër universin letrar”, “Pikon çati e shpirtit”, “Orfeu nga vendenisi”, “Nëpër rrathët e ferrit serb”, “Pikëllim i buzëqeshur”, “Semantika e bregut tjetër”, etj. Radogoshi, është ndër veprimtarët dhe shkrimtarët më aktiv të Kosovës.