Shkup, 13. 05. 2013 – Libri “Rrjedhat ekonomike në fshatin Llojan” të autorëve Iljasa Salihu, publicist i shkëlqyer, si dhe i bashkautorit Shqipdon Rexhepi, është një libër që besoj se duhet t’i kushtohet vëmendje. Libri është i shkruar në formë mjaft të mprehtë, ku analizohen përparësitë dhe thesaret e pazbuluara të një treve tonë, por që faktori njeri duke mos qenë i vetëdijshëm për këtë shpesh nga injoranca, mungesa e investimeve, mungesa e njohurive e një sërë mungesash tjera, neglizhon këto përparësi.
Fshati Llojan si një fshat strategjik, i pastër (puro) shqiptar, me një pozitë tejet të volitshme gjeografike, shtrihet në pjesën veriore të Kumanovës, në zonën kufitare me fshatin Miratoc të Preshevës. Duke u përballur me një sërë vështirësish historike dhe ekonomike, ky fshat arriti të bëhet piemont i shqiptarizmit në vitet e fundit të luftës së dytë botërore, duke luftuar dhe mbrojtur nderin kombëtar shqiptar, në luftë me forcat sllavokomuniste.
Por kjo në këtë libër nuk është me rëndësi. Ajo që është me rëndësi është që ky fshat ofron potenciale të mëdha dhe të pashtershme, por që thesaret pa mos u mihur nuk mund të gjinden. Kësisoj kjo zonë e cila edhe më tutje nuk po e heq epitetin “vatër e krizës” vuan nga mungesa e investimeve. Duke e marrë vetëm rastin e Minierës së Llojanit, në librin e lartëpërmendur, autorët pasqyrojnë dhe na japin një sërë argumentesh tejet të nevojshme, që duhet të kihen parasysh. Miniera e Llojanit, dikur shpresa dhe burimi për bukë dhe mirëmbajtje familjare, për shumë banorë dhe punëtorë, tani është lënë në harresë. Habitesh me faktin që sipas UNEP kjo minierë ka 8.093 mg/kg arsen që është 50 herë më shumë sasi në përbërje se sa në Gjermani. Kjo minierë që filloi me punë nga 1923 e gjer më 1979, 30 vitet e para kishte nxjerrur vetëm krom, nga 1959 edhe antimon, ndërsa nga 1956 arsen. E tërë kjo pasuri, që ishte burim shprese për shumë veta, saora u zhduk atëherë kur u mbyll kjo minierë, si dhe edhe sot e kësaj dite nuk po jep shenja jete. Është shndërruar në kufomë të gjallë, në thesar të varrosur nga pakujdesia e faktorit njeri si dhe nga mungesa e investimeve, që fatkeqësisht po na treten në vende krejtësisht të panevojshme. Kjo minierë me një sipërfaqe 10 km 2, e lënë në mëshirë të fatit është simboli i asaj që thuhet dhe shkruhet vazhdimisht, e ajo është se elementi shqiptar vazhdon të trajtohet edhe më tej si i paqenë në këtë shtet. Po të ishte kjo zonë në ndonjë pjesë maqedonase të supozojmë, me siguri që nuk do të gjendej në këtë situatë dhe gjendje. Por, ja që fati ka rastisur të jetë në zonë shqiptarë, plus edhe “të krizës”, e kjo e vështirëson edhe më tej revitalizimin e saj. Shqiptarët të cilët trajtohen të barabartë vetëm në detyrimet financiare juridike që kanë ndaj shtetit, e jo në kthimin e atyre mjeteve në cilësinë e investimit apo shpenzimit publik duke qenë në mëshirë të fatit, janë shndërruar edhe në moskërkues të fatit dhe të asaj që u takon.
Autorët meritojnë një vlerësim të duhur dhe të shkëlqyer për këtë guxim, që pa drojtur kanë nxjerrë në dritë një studim mbi një fshat, libër ky që meriton një trajtim dhe lexim të kujdesshëm. Lypset që çdo fshat të ketë kësi lloj autorësh, që do t’i përkushtohen nxjerrjes në dritë të të mirave të secilit fshat të tyre, që të nxjerrin libra të karakterit studiues, si dhe të karakterit ekonomik. Libri i cili përmendëm përpos fakteve të pamohueshme mbi minierën e Llojanit, e cila minierë jo vetëm për Llojanin, por edhe për tërë komunën mund të jetë burim shprese dhe mirëqenie ekonomike, trajton edhe një sërë veprimtarish të ndërmarra nga fshatarët e këtij fshati për rregullimin e infrastrukturës, kryesisht përmes angazhimit vetanak të atyre që janë në kurbet. Në libër trajtohet edhe mungesa e institucioneve të sigurisë për trajtimin e vërshimit të të huajve në këtë fshat që është shndërruar në makth, por edhe në mundësi të përfitimit ekonomik për disa kleptomanë (hajdutë). Libri trajton edhe fshatin në aspektin tregtar, për vetëfinancimet e projekteve elementare, por ajo që është me rëndësi trajton edhe potencialet që ofron toka e këtij fshati për prodhimin e prodhimeve bujqësore. Por mungesa e përkujdesjes institucionale përgjegjëse për plasim të prodhimeve ka shkaktuar zbehje dhe dëshpërim, si dhe ka sjellur deri te ajo që fshatarët t`i braktisin tokat dhe mos t`i punojnë, duke iu përkushtuar kafeneve, çajtoreve, bastoreve si dhe lojës së xhokerave. Përgjithësisht bisedat dhe brengat që ka sot secili banor, mbase jo vetëm i fshatit Llojan, autorët i kanë ndrydhur përmes metodologjisë shkencore në këtë libër, i cili të jep përshtypjen e një rrjedhe të lumit, ku përpos ujit, asgjë nuk mban në shtratin e tij.
Libri trajton edhe mundësinë e përgatitjes së një projekti, respektivisht ecurinë e themelimit të një ndërmarrjeje të djathit, projekt ky që mund të ringjallte shpresa të humbura, andaj ata që kanë frenat e duhura si dhe mekanizmat vendimarrëse duhet të marrin këtë projekt në këtë libër, ta shfletojnë dhe të analizojnë dhe besoj se kjo do t’i ndihmonte të këndëlleshin sado pak, nëse janë në nebulozë dhe nuk dinë nga t`ia fillojnë.
Libri “Rrjedhat ekonomike në fshatin Llojan” i autorëve Iljasa Salihu dhe Shqipdon Rexhepi, duhet të mos shërbejë si arsyetim i thënies së Franc FANONIT: “Je shqiptar ngase je i varfër, je i varfër ngase je shqiptarë”, por përkundrazi të tregojë se edhe ndër shqiptarët ka të pasur intelektualisht, moralisht por edhe financiarisht, porse duhet të ketë një shtysë nga ana e atyre që rastësisht apo jorastësisht janë në pozita që të vendosin. Krejt kjo ngase “The truth is bitter pill to swallow” (Aleanca me të vërtetën është shumë e vështirë por shpëtimtare).
Edhe ky libër i cili meriton thënien e urtë latine “Littera scripta manet” (Shkronjat e shkruara mbeten) dëshmon përkushtimin e autorëve dhe punën e shkëlqyer të tyre, duke mos harruar thënien e Xhon Kenedit se “Të gjitha problemet e njerëzve janë të shkaktuara nga njeriu dhe mund të zgjidhen nga vet njeriu”. Në mes tjerash porosia e të Dërguarit, Muhamedit alejhi selam është që dijen ta shënojmë me shkrim. E autorët e këtij libri, përmes këtij libri këtë porosi të çmuar, besoj se e kanë arritur që ta ndjekin.
(Autori është profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, si dhe opinionist dhe kolumnist i rregullt)