SABRI KIҪMARI: ETIKA E POLITIKËS NDËRKOMBËTARE

Pashtriku.org, 1 qershor 2017: (Bonn, më 23.03.2003) –
1. Marrja e përgjegjësisë
Në politikën ndërkombëtare janë të përcaktuara si qëllime të marrëdhënjeve në mes të aktorëve shtetëror tri vlera bazë: paqja, liria dhe drejtësia. Për të realizuar këto tri qëllime aktorët e politikës ndërkombëtare ndeshen me një varg dilemash etike: Kur duhet sulmuar një diktator, i cili paraqet rrezik për paqen në rajon ose në botë? A duhet zhvilluar marrëdhënje tregtie me një aktor shtetëror, i cili i shkel në mënyrë permanente të drejtat e njeriut? Kur duhet intervenuar në një shtet për të mënjanuar katastrofën humanitare dhe vrasjen në masë?
Veprimi kundër diktatorëve që rrezikojnë paqen në botë shpesh bie ndesh me principin e mosndërhyrjes në punë të brendshme të një shteti sovran. Ndërtimi i marrëdhënjeve normale me shtetet që i shkelin në mënyrë permanente të drejtat e njeriut bie ndesh me principin e respektimit të dinjitetit të njeriut. Mosveprimi kundër shteteve që bëjnë vrasje në masë dhe shkaktojnë katastrofë humanitare bie ndesh me principin e solidaritetit me njerëzit e rrezikuar për zhdukje.
Cila është zgjidhja? Filozofi amerikan Michael Walzer e sheh si „zgjidhje të drejtë…marrjen e përgjegjësisë reale jo vetëm nga SHBA, por edhe nga shtetet e tjera – dhe kjo do të thotë në rast të domosdoshëm edhe atë ushtarake – për vendosjen e drejtësisë ndërkombëtare.“1

 

Shtetet i ndërtojnë marrëdhënjet e tyre mbi bazën e interesave. Ndjekja e interesave të shtetit në raport me aktorët e tjerë shtetëror është sot një gjë krejtësisht normale dhe plotësisht legjitime. Por, përkundër ndjekjes së interesave shtetërore, në politikën ndërkombëtare nuk është hequr, dhe nuk duhet të hiqet dorë, nga respektimi i disa principeve etike. Heqja dorë nga respektimi i çdo rregulle etike në marrëdhnjet ndërkombëtare do të thoshte lejim i shtetit të bëjë çfarë, kur dhe si të dojë. Dhe për të analizuar etikën në marrëdhënjet ndërkombëtare duhet pasur parasysh dy dimensione themelore: interesat e shtetit dhe solidaritetin.
2. Interesat
Meqë interesat në mes shteteve shpeshëherë gërshetohen, aktorët duhet pasur parasysh gjithnjë edhe interesat e tjetrit. Ta zëmë në sulmin e ditëve të fundit të SHBA dhe aleatëve të saj u hetua një gërshetim interesash, i cili në vend të harmonizimit të qëndrimit solli deri te një lëmsh politiko-diplomatik. SHBA, Britania dhe Spanja precizuan si interes të tyre mënjanimin e një diktatori dhe vrasësi në masë (të kurdëve). Rusia, Kina, Franca dhe Gjermania preferuan respektimin e parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti sovran. Megjithë tentimet e shumta të diplomatëve nuk u arrit të vendosej një balancë e qëndrueshme në mes të rregullave të përcaktuara dhe interesave për paqen në botë.
Është e njohur se, edhe pse në të shumtën e rasteve tentohet të vendoset balanca gjatë veprimeve të tilla ndërkombëtare (si në rastin Kosovës dhe Afganistanit), fjala e shteteve të mëdha peshon shumë më shumë se sa e aktorëve të vegjël shtetëror. Megjithatë, sulmi terrorist i 11 shtatorit 2001 në New York dëshmon se edhe aktorët e vegjël (ose të dobët) shtetëror kanë mundësi t’ju shkaktojnë dëme të pallogaritshme atyre shumë më të fuqishëm.
Interesat e shteteve në rrethanat bashkëkohore përfshijnë fusha të shumta. Mosvënja nën kontroll e armëve bërthamore dhe atyre të shkatërrimit në masë mund të jenë rrezik jo vetëm për fqiun, por edhe për një regjion ose edhe për gjithë globin. Moskujdesi i një shteti gjatë procesit të industrializimit për mbrojtjen e ambientit, mund ta dëmtoj edhe fqiun e tij dhe nëse këtë gjë e bëjnë shumë shtete mund të vie deri te një katastrofë klimatike. Një pjesë e madhe e rreth dyqindë aktorëve shtetëror nuk e respektojnë fare parimin themelor njerëzor: mbrojtjen e dinjitetit (qenjes fizike, sociale dhe shpirtërore) të njeriut. Mosvënja nën kontroll dhe moszgjidhja e konflikteve ndëretnike, fetare, ndërqytetare si edhe mjerimi social në territore të caktuara të globit mund të sjell deri te lëvizje të shumta refugjatësh nga shteti në shtet dhe nga regjioni në regjion duke bartur me vete jo vetëm rrezikun e katastrofave humanitare, por edhe rrezikimin e standardeve sociale të arritura në vendet e zhvilluara.
Për të realizuar mirëqenien e qytetarëve aktorët politik të një shteti i mbrojnë interesat e tyre në raport me aktorët e tjerë shtetëror. Interesat e shteteve nuk kanë madhësi të kalkulueshme matematikore. Ato më shumë paraqesin preferenca, interpretime dhe rezultate, të cilat i nënshtrohen një procesi riprovimi dhe ndryshimi të vazhdueshëm nga qytetarët në shtet.
Ekzistojnë interesa afatgjata dhe afatshkurtëra. Vendosja e një baraspeshe dhe harmonie mes këtyre dy lloj interesash është një ndërmarrje e komplikuar. Ta zëmë është interes afatshkurtër i qytetarëve të Kosovës plotësimi i kuadrit të standardeve, si hap drejt zgjidhjes së çështjes së Kosovës, përkatësisht pavarësisë së saj. Për të evituar këtë gjë veprojnë pakica serbe në Kosovë dhe shteti i Serbisë, të cilët e shohin (gabimisht!) si interes afatshkurtër rikthimin e Kosovës nën Serbi dhe Mal te Zi. Pastaj është interes afatgjatë për Kosovën dhe qytetarët e saj integrimi në strukturat evro-atlantike. Ky interes afatgjatë, i evidentuar edhe nga aktorët politikë në Kosovë, është i lidhur ngushtë me një numër parakushtesh dhe obligimesh. Është poashtu interes i Serbisë integrimi në të njëjtat struktura. Rrjedhimisht do të duhej që të dy shoqëritë të ecin të pavarura drejt realizmit të këtij synimi. Duket se ishkryyeministri serb Gjingjiq e kishte evidentuar këtë interes dhe kishte filluar të punonte rreth tij. A do të ketë forcën, karizmën dhe vendosmërinë e tij kryeminsitri i ri për të bërë këtë gjë mbetet të shihet!
Politika që mbështetet vetëm në interesa afatshkurtëra është e rrezikshme. Ndërsa politika që ndjek vetëm interesa afatgjata mund të ketë pasoja, meqë zhvillimet politike dhe interesat afatgjata nuk mund të përllogariten matematikisht. Për këtë arsye aktorët politikë e kanë të vështirë të bindin qytetarët për veprime me interes afatgjatë.
3. Solidariteti
Ideja e interesit duhet kombinuar me idenë e vlefshme universale të etikës njerëzore dhe rrjedhimisht me idenë e solidaritetit. Solidariteti ka të bëjë me respektimin e interesit të përgjithshëm njerëzor. Në rrethanat e rritjes bashkëkohore të interdependencës në mes të shteteve dhe popujve, ideja e solidaritetit është bërë e domosdoshme. Rruzulli tokësor ju përket të gjithë njerëzve. Ata janë të detyruar të krijojnë mekanizma ndërvarësie mes vete dhe të kenë së paku një minimum të sjelljes solidare me njëri tjetrin.
Në lidhje me vlerat themelore njerëzore ishpresidenti i shtetit të Çekisë Vaclav Havel e njeh faktin se ekziston një vlerë e cila mund të qëndrojë më lartë se shteti: “Kjo vlerë quhet humaniteti.“2 Ai pledon në ndarjen e të drejtave të njeriut, në politikën e jashtme të shteteve të veqanta, nga kategoria e interesave. Për të pikëpamjet mbi vlerat posedojnë një vlerë më të madhe se sa interesat. Pikëpamjet mbi vlerat i bashkojnë njerëzit mes vete, kurse kategoria e interesit i ndan ata. Si një shembull pozitiv të një intervenimi të pa-interes Havel e quan luftën e NATO-s kundër regjimit popullvrasës të Sllobodan Millosheviqit: “Nuk është as një luftë e lehtë dhe as popullore dhe njeriu mund të ketë pikëpamje të ndryshme mbi stretegjinë luftarake dhe taktikën e saj. Por, askush, me aftësi të shëndoshë gjykimi, nuk mund të mohoj një gjë: kjo është, sipas gjasave, lufta e parë, e cila nuk zhvillohet në emër të interesave të caktuara, por në emër të ideve të caktuara drejtuese dhe vlerave themelore. Nëse mund të thuhet për një luftë se është e motivuar në aspektin etik ose zhvillohet nga arsye etike, atëherë një gjë e tillë mund të vlejë, pikërisht, për këtë luftë.“3
4. Rendi i ri botëror
Paqja, liria dhe drejtësia, si qëllime të politikës ndërkombëtare, janë linja udhëheqjeje në angazhimin për zgjidhjen e konflikteve dhe problemeve. Kjo gjë vlen edhe për rregullimin e marrëdhënjeve në mes të shteteve. Prandaj, duke marrë parasysh larminë dhe dallueshmërinë si në kulturat, ashtu edhe në interesat e shteteve, njohja e interesave dhe kulturave të tyre duhet bërë duke pretenduar gjetjen e sa më shumë elementeve të përbashëta, në mënyrë që të mënjanohet lufta, të bëhet zhvillimi ekonomik e social i popujve dhe të stimulohet rregullimi i lirë shtetëror. Për këtë gjë nevojitet një shkallë e lartë e mençurisë së aktorëve, zhvillim i lirë i rregullave dhe institucioneve.
Një politikë ndërkombëtare që pretendon qëllime të tilla si paqja, liria dhe drejtësia nuk mund të kufizohet vetëm në kufijtë e brendshëm të një shteti. Filozofi amerikan Amitai Etzioni e ka identifikuar si qëllim “krijimin e një bashkësie globale, e cila merret, me forca të bashkuara, me problemet e njerëzimit: luftëra, shkelje të të drejtave të njeriut, shkatërrimin e ambientit dhe varfërinë ekstreme, të cilat e shkatërrojnë trupin, frymën dhe shpirtin e fëmijëve tanë.“4 Teza e Etzioni është se njerëzit e kulturave të ndryshme mund t´ju nënshtrohen vlerave, të cilat janë të përbashkëta për të gjitha kulturat.
Pa përgjigjie mbetet ende sentenca nëse bota e shteteve duhet të shndrrohet në një shtet botëror. Procesi i globalizimit dhe tendenca e universalizimit të vlerave të caktuara politike (paqja, liria, drejtësia) janë shenja të rendit të ri botëror në ndërtim e sipër. Rrugët për ndërtimin e këtij rendi të ri botëror, duket se, dallojnë shumë në mes të aktorëve me peshë të politikës ndërkombëtare: në njërën anë ekziston rruga e burokratizimit dhe institucionalizimit të këtij procesi, që përkrahet nga Franca, RFGJ, Rusia dhe Kina; kurse në anën tjetër rruga e përshpejtimit të këtij procesi, duke marrë rolin drejtues nga SHBA dhe duke u përkrahur nga Britania e Madhe, Italia, Spanja. Duket se sulmi i fundit të SHBA dhe aleatëve të saj në Irak e ka krijuar përfundimisht hendekun në mes të këtyre dy tendencave në politikën ndërkombëtare.
(Bonn, më 23.03.2003)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura