Pashtriku.org, 26. 05. 2013 – Vitin e kaluar, nga 15-17 maj, organizuar nga Universiteti Amerikan në Kosovë, Prishtinë, është mbajtur Konferenca Shkencore me karakter ndërkombëtar me titull: “Besimet në Kosovë: e kaluara, e tashmja, e ardhmja”, në shënim të përvjetorit 1.700 të Betejës së Urës Milvio dhe Konvertimit të Perandorit Konstantin në krishterim. Në këtë konferencë Prof. Dr. Albert Doja, Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Profesor i sociologjisë në Universitetin e Lilës në Francë, ka mbajtur ligjëratën “Politika mbi fetë dhe ndërtimi instrumental i realiteteve dhe identiteteve kundrejt një të ardhmeje të imagjinuar të Ballkanit”. Një vit më pas, këto ditë nga 24 në 26 maj 2013, në Pejë po mbahet Konferenca e dytë shkencore me karakter ndërkombëtar mbi “Besimet dhe Pajtimin: cila është e ardhmja e dialogut ndërfetar”, në të cilën përsëri është i ftuar Akademik Albert Doja. Për lexuesit e portalit pashtriku.org, po sjellim fillimisht ligjëratën e konferencës së vitit të kaluar, të përkthyer prej transliterimit të fjalës në anglisht, marrë nga Video në YouTube (http://youtu.be/APpTBffsjfc dhe http://youtu.be/m9pQB827A5o), meqë konsiderojmë se është relativisht e ndërlidhur me Konferencën e sivjetshme.
* * *
Se pari falënderoj organizatorët qe më kanë ftuar te marr pjesë në këtë konferencë. Kur jam ftuar në këtë konferencë e para gjë që më ka ardhur në mendje është se përse kjo konferencë këtu? Çka është arsyeja e kësaj konference këtu në Kosovë dhe cila është arsyeja që unë jam këtu për të folur. E para gjë që me erdhi në mendje është se Konstantini ishte prej këtij rajoni. Kjo mund të jetë edhe një arsye e mirë për të organizuar këtë Konferencë këtu në Kosove. Në fakt kjo është deklaruar shumë qartë në këtë konferencë dhe njëra nga arsyet mund të ketë qenë pikërisht kjo mënyrë e të parit të gjërave, si dhe të pjesëmarrjes sime këtu në këtë konferencë. Personalisht e kam parë pak si naive për të bazuar arsyen e kësaj konference vetëm në këtë çështje. Thjesht sepse mendoj se kjo është jo vetëm tërësisht naive por edhe politikisht e rrezikshme. Çka kam parasysh me këtë, është se njerëzit e kohës se Konstantinit nga pikëpamja e identitetit të tyre nuk janë më aspak njerëzit e sotëm dhe është historikisht naive të mendosh të kundërtën. Por të mendosh kështu është e rrezikshme edhe për shumë arsye të tjera.
Gjatë kohës së drekës isha ulur pranë me operatorin e zërit dhe përkthyes i sërbishtes gjatë Konferencës, i cili vinte nga Nishi, vendlindja e Konstantinit të Madh, që sot ndodhet në Serbi. Ai më tregoi se në Nish disa qarqe të caktuara duan të ndërtojnë një monument për të kujtuar Konstantinin, por nuk kanë gjetur financime të mjaftueshme dhe qeveria serbe nuk ka mundur t’u ofrojë paratë e nevojshme. Ai gjithashtu më tha se dihet mirë ku gjendet Pallati i Konstantinit, por duhen shumë para për të bërë gërmime e për ta nxjerrë në dritë. Dikush mund të thotë se serbët e Nishit të sotëm nuk kanë të bëjnë aspak me Konstantinin që ishte Ilir. Sigurisht, këtu nuk do te merrem me “të drejtën” e Shqiptarëve për ta konsideruar veten pasardhës të bashkatdhetarëve Ilirë të Konstantinit, por këtë “të drejtë” nuk mund ta kenë kurrsesi serbët. Sidoqoftë, këta mund të përpiqen të rikuperojnë këtë të kaluar të lavdishme për një arsye apo një tjetër. Dhe për çfarëdo arsye që ta bëjnë këtë, grekët do të nevrikosen! Natyrisht që arsyet e nevrikosjes së supozuar të grekëve i kemi të qarta, madje do të isha i habitur nëse cilido grek do të thoshte se nuk paska afinitet elektiv me Konstantinin. Ambasadori i Greqisë e vuri në dukje shumë mirë këtë lidhje “te padiskutueshme” për të. Kjo mund të duket me të vërtetë si një “marri” tjetër e radhës. Megjithatë, në e dimë shumë mirë që kjo mund të ndodhë pikërisht kështu. Ky rajon ka pasur edhe dikë tjetër ndoshta edhe më “të Madh” para Konstantinit, ky ishte Aleksandri i Madh, dhe e dimë mirë se çfarë po ndodh për të aktualisht në mes të Greqisë dhe Maqedonisë. Maqedonia dhe Greqia duket se kanë arsye të forta për të “luftuar” me njëra tjetrën për Aleksandrin “e tyre” të Madh, pse jo edhe për Konstantinin e Madh. Kushtet nuk janë, por mund të jenë dhe kjo mund të ndodhë. Ajo çka dua të them me këtë është të potencoj se duke e parë Konstantinin si person nga rajoni, lufta për përvetësimin e tij nuk është vetëm naive, por edhe e rrezikshme. Me vjen keq të them, por nuk pajtohem me pikëpamjen që të organizohet kjo konferencë si dhe që marr pjesë në këtë konferencë vetëm për faktin se Konstantin ka qenë me origjinë nga ky rajon. Prandaj po e përsëris se duhet të ketë arsye tjetër për të organizuar një ngjarje shkencore, siç është kjo konferencë.
Ndërkohë, gjëja tjetër që më vjen në mendje është edhe fakti se dy ose tre muaj me parë një konferencë e ngjashme është organizuar në Vatikan nga Kisha Katolike për të përkujtuar këtë figurë historike, pikërisht ashtu si jemi duke bërë edhe në sot këtu. Këtu mësova gjithashtu se pas një viti, diku nga tetori 2013, edhe Kisha Ortodokse serbe ka planifikuar, edhe ajo, të organizojë në Nish një Konferencë të përbotshme, edhe më të madhe, për të njëjtin qëllim. E kam të qartë se cilat janë arsyet reale ku bazohet organizmi i një konference të ngjashme nga Kisha Katolike apo nga Kisha Ortodokse. E dimë mitin e betejës së famshme të urës Milvio që i hapi Konstaninit rrugën e Romës dhe të fronit të Perandorit, një beteje të cilën Konstantini e ka fituar nën shenjën Chi-Rho, që është shenja e Krishtit. Kjo është e rëndësishme për Kishën, sepse e dimë që për Krishterimin e hershëm ka qenë e rëndësishme të kapte pushtetin në rritje të Konstantinit dhe ta kthente ndikimin e tij në mbrojtje të rritjes së pushtetit të vet kishtar. Ç’është e vërteta, pikërisht një proces i tillë ka çuar tek Dekreti i Milanos me të cilin Perandori i Romës Konstantin i njohu të drejta lëvizjes së Krishterimit të njihej si gjithë fetë e tjera zyrtare të Perandorisë. Nuk mund ta dimë asnjëherë se deri çfarë ka ndodhur, nëse është e vërtetë ose jo se Konstantini pa një ëndërr dhe e fitoi betejën e Urës Milvio nën shenjën e Krishtit.
Konstandini i Madh në Kalanë e Beratit: Ka lindur rreth 280 në Naissus të Dardanisë Iliri, (sot Nishi), dhe vdiq më 22 maj 337. Ishte perandor romak me origjine Ilire prej 306 deri 337, dhe është i njohur si Konstantini, Konstantini i Madh apo Konstantini I.
* * *
Çka është domethënëse është se kjo ishte e rëndësishme për krishterimin në rritje të kapej pas këtij miti. Prandaj është e rëndësishme për Kishën Katolike dhe për Kishën Ortodokse të përkujtojnë këtë lloj ngjarjeje, pavarësisht nëse kjo është thjesht një mit, një legjendë apo histori e vërtetë. Në fakt, është e qartë se Konstantin ishte para se gjithash një ushtar i mirë dhe për një gjë mund të jemi plotësisht të sigurtë që ai e ka fituar betejën e tij duke përdorur armët më të mira të kohës. Por në të njëjtën kohë ne mund të imagjinojmë gjithashtu që ai ka qenë edhe një politikan i shkathët. Ai duhet të ketë shfrytëzuar patjetër, për të rritur pushtetin e tij, edhe nga opinionet e kohës sipas të cilave krishterimi në rritje e sipër nuk ishte më i persekutuar por i toleruar. Pra po të flasim me gjuhën politike, mund të thuhet se Konstantini duhet ta ketë shfrytëzuar lëvizjen e Krishterimit sikurse lëvizja e Krishterimit ka shfrytëzuar pushtetin politik në rritje të Konstantinit, duke gjetur kështu mbështetje tek njeri-tjetri. Me fjalë të tjera duhet të ketë pasur një aleancë të pashenjtë midis Konstantinit dhe krishterimit të hershëm. Në këtë kuptim, një mit i ngjashëm dhe ekuivalent me këtë histori por qe për fat të keq nuk është përmendur asnjëherë këtu, është edhe miti i Kosovës për të cilin disa nga kolegët e mi këtu mund të flasin më hollësisht e më mirë se unë. Miti i Kosovës është përdorur saktësisht në të njëjtën mënyrë nga nacionalistët serbë, sidomos nëpërmjet tubimesh komemorative që kanë përkujtuar për shembull përvjetorin e gjashtëqind të Betejës së Kosovës, ku Milosheviqi përforcoi pushtetin e tij, duke shfrytëzuar mitin e kësaj beteje ndoshta njëlloj sikurse edhe Konstantini bëri dikur me mitin e ëndrrës së tij. Ne këtë kuptim, tani e kuptojmë më mirë arsyen që qëndron prapa organizimit të konferencave të tilla nga Kisha Katolike në Vatikan apo nga Kisha Ortodokse në Serbi. Por ende nuk mund të pajtohem se ku është arsyeja e organizimit të kësaj konference me këtë teme këtu në Kosove.
Me siguri duhet të ketë një arsye të tretë. Mendoj se një arsye mund të ishte për ta dëshmuar Kosovën si një tokë ku kultivohet multikultura, toleranca fetare, e gjëra të tilla. Këto argumente edhe mund të jenë fare mirë arsyeja për të justifikuar dhe organizuar një konferencë të tillë përkujtimorë. Por para se të shkoj në konkluzionin tim lidhur me këtë arsye, do doja paraprakisht t’ju rrëfej këtu dy ose tri histori të shkurtra nga përvoja ime personale.
Kur kam shkuar për herë të parë në Francë, takova një nga fqinjët e mi që ishte nga Algjeria apo nga Maroku, nuk me kujtohet mirë. Ai me pyeti se nga jam. Kur i thashë se jam nga Shqipëria, ai ma tha:
– “Ju duhet te jeni vëllai im sepse jemi myslimanë”.
– Unë jam mysliman? ia ktheva i habitur, nuk e paskam ditur që jam mysliman.
Ishte hera e parë që jam përceptuar nga të tjerët si të isha mysliman. Dhe kurrë nuk më ka shkuar ndërmend se dikush si unë që vjen nga Shqipëria të mund të përceptohej si mysliman.
Tregimi i dytë është për një “konfrontim flagrant” në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve të raportuar nga mediat këto kohët e fundit. Të konfrontuarit ishin zënë nga policia dhe duket se shqiptarët ishin ata që ishin keqtrajtuar nga policia. Shumë media në perëndim, sidomos ato angleze, kanë kërkuar që të mos keqtrajtohen myslimanët në Maqedoni! Nuk mund ta kuptoj këtë trajtë a klishe reagimi! Nëse do të thuhej të mos keqtrajtoheshin “terroristët shqiptarë” edhe mund ta kuptoja, por pse domosdoshmërisht shqiptarët duhej të perceptohen si myslimanë?!
Tregimi i tretë që mu kujtua është ai kur Hillari Klinton, Sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “vlerësoi” Presidenten e Kosovës si presidenten e parë myslimane të një vendi mysliman që është në rrugën e drejtë të ndërtimit të demokracisë në Kosovë. Për të qenë i sinqertë, unë dhe miqtë e mi në Shqipëri kemi qenë pak të shokuar se përse Hillari Klinton ka konsideruar dhe trajtuar Presidenten Atifete Jahjaga si presidente myslimane. A është ajo Presidente e Kosovës apo jo? Me sa di unë shteti i ri i Kosovës është një shtet laik apo sekular që respekton të drejtat e çdo komuniteti fetar, si myslimane edhe të krishtere.
Por në të gjitha këto tregime, gjithsecili ka arsyet e veta për të shtyrë përpara agjendat e tyre. Fqinjit tim mund t’i duket për një arsye a një tjetër se është i diskriminuar në Francë. Por ai padyshim mendon se gjendja e tij mund të jetë më e pranueshme nëse e ndan me një “vëlla” tjetër. Ndërsa pala tjetër, britanikët apo amerikanët, mund të kenë ndonjë arsye apo agjendë tjetër ta konsiderojnë Kosovën si vend mysliman apo Presidenten e Kosovës si presidente myslimane. Por kjo nuk është domosdoshmërisht e njëjtë me qëllimin tim apo me qëllimin e Kosovës për të ndërtuar shtetin e vet me të drejta të plota për të gjithë qytetarët e Kosovës. Edhe pse britanikët dhe amerikanët mund të jenë mbështetësit më të mirë të Kosovës, ata kanë interesa dhe agjenda të ndryshme nga Kosova, të cilat duhet të thuhen ashtu si janë sepse nuk është e thënë që çdo gjë që thonë ata duhet pranuar.
* * *
Tani për arritur në një përfundim, lidhur me problemin e tolerancës apo jo tolerancës, apo problemin e shumicës apo pakicës, kur mendojmë për të drejtat e pakicave kjo sigurisht mund të jetë e rëndësishme për disa sipërmarrës minoritetesh apo komunitetesh, ashtu sikurse dhe feja mund të jetë e rëndësishme për institucionet fetare apo për udhëheqësit fetarë. Por kur mendojmë e flasim për tolerancën duhet së pari të mendojmë për trajtimin e individëve sipas të drejtave të tyre në vetvete si të tillë. Sipas së drejtës së tyre, në vetvete, individët janë thjesht individë dhe duhen trajtuar si të tillë, janë apo nuk janë të lidhur me njërën fe apo një tjetër. Pa dyshim që gjatë historisë vihet re shumë qartë dhe në shumë raste ajo aleancë e pashenjtë midis fesë dhe politikës. Kjo për arsye se lëvizjet fetare dhe lëvizjet politike kanë diçka të përbashkët. Politikani për të fituar pushtetin që i jep politika ka nevojë për votues, udhëheqësit fetarë kanë nevojë për besimtarë. Dhe të dy palët përdorin të njëjtat mjete për të arritur qëllimet e tyre. Por kur flasim për njerëz të zakonshëm, jo për politikanë, jo për pozicione pushteti dhe autoriteti, jo për udhëheqës fetarë, duhet të bëjmë dallim se për çfarë flasim kur flasim për fenë. Për mua, kur flasim për fenë duhet ta kemi të qartë se flasim për disa gjëra krejt të ndryshme.
Së pari, kemi të bëjmë me udhëheqësit fetarë dhe me institucionet fetare, që janë krejt e njëjta gjë me politikanët, udhëheqësit e politikës apo institucionet politike, të cilët nuk kërkojnë veçse autoritet, pushtet, politikë. Pastaj ka një kategori të dytë që përbëhet nga besimtarë fanatikë, të cilët nuk janë domosdoshmërisht të gjithë fundamentalistë, por mund edhe të jenë të tillë. Dhe së treti, kemi të bëjmë me masën e madhe, shumicën e njerëzve normalë e të zakonshëm. Këta njerëz, nganjëherë nëse jo gjithmonë, ndjehen shumë ngushtë dhe e kanë shumë të vështirë të përgjigjen kur i pyesin se cilës feje i përkasin. Në fund të fundit pse dikush duhet t’i përkasë patjetër një feje të caktuar. Dhe kjo është shumica e njerëzve të zakonshëm. Prandaj kur flasim për shumicën e njerëzve të zakonshëm dua të them se do bënim mirë ta linim fenë jashtë diskutimit. Sepse lidhja me një fe apo një tjetër është më shumë një çështje politike e sipërmarrësve të grupeve dhe komuniteteve, sesa një çështje e individëve në të drejtën e tyre si të tillë.
=======================
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
KUSH ËSHTË ALBERT DOJA
Albert Doja ka mbrojtur në vitin 1993 gradën e doktorit në “École des Hautes Études en Sciences Sociales” në Paris (Francë) në fushën e antropologjisë sociale. Në vitin 2004, fiton gradën e doktorit të habilituar në Universitetin Paris Descartes në fushën e sociologjisë dhe antropologjisë. Në vitin 2008 ai fiton titullin “Profesor” dhënë nga Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë pranë Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe po atë vit zgjidhet Anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në fushën e antropologjisë. Në vitin 2009 Albert Doja fiton kualifikimin “Profesor i universiteteve”, dhënë nga Këshilli Kombëtar i Universiteteve në Francë.(1) Pasi fiton konkursin kombëtar, me Dekret të Presidentit të Francës, në shtator 2011 emërohet Profesor titullar i Universiteteve në Université de Lille.(2)
Fushat e kërkimeve shkencore
Interesat e tij kërkimore përfshijnë problematika të ndryshme teorike dhe praktike që lidhen me historinë e mendimit dhe teoritë socio’antropologjike, epistemologjinë e shkencave sociale, post-strukturalizmin dhe neo’strukturalizmin, antropologjinë e kulturës dhe të politikës së identitetit kulturor, fetar, gjinor, social dhe politik, manipulimet politike të kulturës, gjuhës, fesë dhe gjinisë, pushtetin e ideologjive, fesë dhe miteve në shoqëri dhe politikë, përkatësinë etnike dhe nacionalizmin, marrëdhëniet ndër’etnike, migrimet ndërkombëtare dhe komunikimet ndër’kulturore, antropologjinë e simbolizmit dhe të komunikimit, marrëdhëniet e shkëmbimit dhe sistemet e komunikimit në shoqëri dhe politikë, trashëgiminë kulturore, tranzicionin demokratik dhe transformimet shoqërore, çështje të modernitetit dhe post’modernizmit, prejardhjen e dijes dhe transmetimit të njohurive, teknikat e trupit, konceptin e personit, ndërtimin e gjinisë, farefisninë dhe rolin e teknologjive riprodhuese, shëndetit reproduktiv dhe planifikimit familjar.
Botimet:
Veç disa librave, Albert Doja ka botuar një numër të madh artikujsh shkencorë origjinalë, kryesisht në anglisht dhe frengjisht, në revista ndërkombëtare peer reviewed me bord redaktorial dhe me faktor impakti, si Journal of the History of Ideas; Social Science Information; Theory Culture & Society, Anthropology Today; Critique of Anthropology; Social Anthropology; History and Anthropology; Reviews in Anthropology; Anthropological Quarterly; Anthropos; European Legacy; Rural History Economy Society & Culture; Religion State & Society, Journal of Church & State, Numen, Journal of Family History, Onoma, etj.(3)
Një pjesë e vogël e botimeve të tij janë përkthyer edhe në shqip, si dhe në gjuhë të tjera europiane (italisht, estonisht) apo aziatike (vietnamisht, turqisht)…
Kariera akademike
Para emërimit të tij si Profesor i Sociologjisë dhe Antropologjisë në Université de Lille në Francë, Albert Doja ka punuar rregullisht në një numër universitetesh dhe institucionesh kërkimore ndërkombëtare dhe kombëtare, si Université de Provence Aix-marseille, Université de Paris-8, si dhe në Qendrën Kombëtare të Kerkimit Shkencor (CNRS) të Francës, apo University of Hull në Angli dhe University of Limerick në Irlandë. Në Shqipëri, ai ka punuar në Institutin e Kulturës Popullore, Universitetin e Durrësit, University of New York Tirana, Universitetin Europian të Tiranës dhe Universitetin e Korçës.
Që prej vitit 2004, Albert Doja është edhe Honorary Research Fellow në departamentin e antropologjisë në University College London në Angli. Prej vitit 2010, ai është gjithashtu Anëtar i Bordit të ekspertëve të Fondit flamand për Kërkimet Shkencore në Belgjikë në fushat e shkencave sociale dhe politike.[4]
Midis vlerësimeve të tjera në fushën e antropologjisë, Claude Lévi-Strauss i ka shkruar më 1 korrik 2006 një letër personale ku ka vlerësuar “shkallën e njohurive të thella”, si dhe “rigorozitetin dhe rëndësinë dialektike të analizave” të tij, apo edhe “guximin dhe largpamësinë” e tij në trajtimin e problematikave antropologjike.[5] (Wikipedia)
_______________________________
Burimet:
1. Liste de qualification aux fonctions de professeur des universités arrêtée en 2009 par le Conseil national des universités, JOURNAL OFFICIEL DE LA RÉPUBLIQUE FRANÇAISE n°0008 du 10 janvier 2010, texte n° 34^
2.Décret du 29 septembre 2011 portant nomination, titularisation et affectation (enseignements supérieurs), JOURNAL OFFICIEL DE LA RÉPUBLIQUE FRANÇAISE n°0228 du 1 octobre 2011, texte n° 97.
3. Lista e plotë e botimeve me lidhje përkatëse për shkarkime http://www.researcherid.com/rid/C-1637-2008
4. Fonds Wetenschappelijk Onderzoek – Expertpanel Members
5. Letra me dorëshkrim të Claude Lévi-Strauss është botuar si ilustrim i një shkrimi përkujtimor mbi veprën dhe ndikimin e tij në mendimin shkencor dhe intelektual të shekullit njëzetë: Albert Doja, “Claude Lévi-Strauss (1908-2009): The apotheosis of heroic anthropology”, Anthropology Today, vol. 26 (5), f. 20 doi:10.1111/j.1467-8322.2010.00758.x (http://hal.ccsd.cnrs.fr/halshs-00523837).