DR.LUFTULLA PEZA: SI ERDHËN DHE U ZHDUKËN DINOSAURËT

Golem – Durrës, 9. 9. 2016: Dinozaurët përbëjnë një rend të klasës së zvarranikëve (rrëshqanorëve, reptilëve). Ato përfaqësojnë grupin më të njohur dhe më madh të kërbishtorëve fosil. Dinozaurët u shfaqën për herë të parë në tokë gjatë periudhës gjeologjike triasike të mesme dhe gjatë më tepër se 165 milionë vjetëve kanë qenë grupi më i fuqishëm i kafshëve në tokë. Dinozaurët e parë kanë qenë me trup mesatarë, dykëmborë (kanë pas lëvizur me anë të dy këmbëve të pasme) dhe kanë qenë mishngrënës. Nga fundi i periudhës triasike (rreth 200 milion vjetë me parë) në tokë janë shfaqur edhe dinozaurët barngrënës, që kanë qenë katërkëmbësh. Dinozaurët kanë qenë të mëdhenj sa një pulë dhe më të mëdhenjtë e tyre kanë pas peshuar deri në 100 ton.
Bazuar në ndërtimin e legenit Dinozaurët ndahen në dy grupe të mëdhenj: Saurischia-zvarrolegenorët, me legen të tipit si zvarranikët dhe shpendolegenorët, me legen të tipit si shpendët. Në grupin e fundit hyn p.sh. edhe lloj Iguanodon, për të cilin do të flitet më poshtë.
***
Një ditë marsi të vitit 1822 mjeku anglez Xhideon Mantell po shkonte nga qyteti Leves për në kantonin anglez Suzeks, për të vizituar një të sëmurë. Mantelli nuk ishte vetëm një mjek i thjeshtë, por në bashkëpunim me gruan e tij, ai ishte një mbledhësh e ruajtës mjaft i zellshëm i ngurtësimeve (-fosileve), mbetje nga kafshët dhe bimët parahistorike, që kanë pas jetuar në tokë dhe që ruhen në shtresat e tokës. Ndërkohë që doktori po bënte vizitën e të sëmurit dhe po shkruante recetën me ilaçet që do të merrte ai, e shoqja e tij, që po vështronte peisaxhin e fshatit, vuri re mbi rrugë që nga shkëmbi dilte një diçka e çuditshme.
Menjëherë të dy u ngjitën këmba-doras nëpër shpatin e thepisur mbi rrugë dhe nga shkëmbi nxorën një dhëmb të madh, që duhet ti përkiste një kafshe të çuditshme, të pa përshkruar ndonjë herë gjer në atë kohë. Zbuluesit, menjëherë pas kësaj, duke kërkuar rreth e përqark vendit ku gjetën dhëmbin, gjetën edhe disa dhëmbë të tjerë bile edhe kocka të plota, të kësaj kafshe të çuditshme.
Dhëmbët dhe kockat e mbledhura mjeku i dërgoi në Paris, tek njohësi më i mirë i kërbishtorëve parahistorikë në atë kohë dhe njëkohësisht që ishte edhe themeluesi i paleontologjisë Xhorxh Kuvier. Kuvieri mendoi se dhëmbi dhe kockat e sjella nga mjeku anglez, i përkisnin rendeve fosil të lëkurëtrashëve dhe më konkretisht dhëmbin e renditi tek hundakët, ndërsa kockat tek rendi i hipopotamëve.
Mantelli, nuk ishte ndonjë specialist në fushën e njohjes së kërbishtorëve të ngurtësuar, por megjithatë mendonte se fosilet që kishte gjetur rridhnin nga shkëmbej shumë më të vjetër dhe në to nuk mund të gjinden mbetje të sisorëve kaq të zhvilluar dhe nga ana gjeologjike relativisht të rinj. Për dyshimet e krijuara ai ju drejtua mikut të tij të vjetër, dekanit të universitetit të Oksfordit, Vilian Buklandit. Ky jovetëm që qe i një mendje me Kuvierin, por e këshilloi Mantellin, që fosilet e zbuluara më mirë të mos merrte mundimin ti botonte në shtypin e kohës, sepse sipas tij nuk paraqisnin ndonjë vlerë shkencore. Edhe me këto mendime doktori nuk ngeli fare i kënaqur, por dhe disi i zhgënjyer.
Atëherë Mantelit nuk i mbeti gjë tjetër veç se me studimin e fosileve të gjetura të merrej vetë. Megjithëse doktori filloi në mënyrë të rregullt të bënte vrojtime mbi fosilet e gjetura, duke lexuar mjaft libra e literaturë tjetër shkencore, për një farë kohe për to nuk ishte në gjendje të thonte se kujt i ngjajnë. Në vitin 1825 Mantelli shkoi në muzeun e Historisë së Natyrës në Londër dhe dhëmbin dhe kockat e tjera që kishte gjetur filloi ti krahasonte me eksponatet e muzeun. Në muze rastësisht takoi natyralistin e njohur Samuel Staçburi (Sëtutchbury). Ky studiues pikërisht në këtë kohë ishte duke studiuar zhapinjtë nga Meksika dhe Amerika Qendrore. Staçburi vuri re në koleksionin e Mantellit, që dhëmbi që kishte ai, i ngjante shumë dhëmbëve të xhapinjëve të tij, përveç që ishte më i madh.
Manteli në vitet e mëvonshme materialin e tij fosil e studioi me përpikëri dhe e përshkroi nën emërtimin Iguanodon, që në përkthim në shqip do të thotë dhëmb i Iguanës. Ky është fosili i parë i studiuar nga rendi i Dinosuarve. Më pas, në vitin 1841, kur në botë u bënë disa gjetje fosilesh të ngjashëm me atë që kishte gjetur Mantelli, anatomisti i njohur anglez Riçard Oven i përmblodhi të gjithë këto fosile në grupin me emrin e përbashkët Dinosaurë, që do të thotë rrëshqanorët ose zvarranikët e vjetër. Megjithëkëtë i pari fosil i studiuar i rendit mbeti Iguanodonti, i gjetur nga mjeku anglez Mantell.

Në botën e sotme njihen me dhjetëra lloje dinozaurësh fosil, të cilët për nga madhësia e trupit kanë qenë sa një këpucë, po dhe që kanë arritur madhësinë maksimale sa një pallat.
Mbetje të rruazave kurrizore të dinozaurit më të madh, që ka jetuar në Tokë, u gjetën në
Oklahomë të ShBA në vitin 1999. Këto i përkasin llojit Sauroposeidon, që ka në jetuar

Dy nga dinozaurët më të mëdhenj: Diplodocus dhe Iguanodoni, të krahasuar me madhësinë e trupit të njeriut.
në Tokë para 110 milion vjetëve. Kjo kafshë gjigande kokën e ka mbajt mbi tokë plot 18 metra.
Dinozaurët kanë qenë mjaft të përhapur në tokë gjatë kohërave gjeologjike jurasike dhe sidomos kretake (180 deri në 65 milion vjetë më parë). Ato kanë qenë kryesisht barngrënës dhe jetonin në tokë ose liqene, dete dhe ajër. Prej tyre në ditët tona ruhen jovetëm skeletet dhe dhëmbët e fortë dhe të mëdhenj. Në shkretëtirën Gobi në Azi janë gjetur edhe vezë gjigande të dinozaurëve (fig.3).

Me mbarimin e erës gjeologjike të mesozoikut, 65 milion vjet më parë, dinozaurët u zhdukën nga faqja e dheut. Arsyet e vërteta shkencore të zhdukjes së tyre ende për shkencën e sotme janë habi. Sot ndërmjet shkencëtarëve ka dy mendime bazë për zhdukjen e dinozaurëve dhe të mjaft grupeve të tjera të organizmave, që kanë jetuar njëkohshëm me to.

Një pjesë e dijetarëve dukurinë e zhdukjes së dinozaurëve e lidhin me hipotezën se nga fundi i kretakut (65 milion vjet më parë) rënia e një meteori të madh në tokë solli përhapjen e shumë gazrave helmues. Pikërisht kjo, sipas këtyre, shkaktoi edhe zhdukjen e madhe të një numri të madh kafshës e bimësh, të cilat nuk ndeshen në kohërat më të reja gjeologjike. Grupi tjetër i dijetarëve mendojnë se zhdukja a madhe e shumë grupe të kafshëve parahistorike dhe bashkë me to edhe të dinozaurëve lidhet me ndryshimin e kushteve biologjike në mjediset e jetës së tyre. Dhe në bazë të kësaj teorie kanë ndodhur ndryshime të mëdha në tokë nga fundi i kretakut. Gjatë kretakut ka qenë temperatura e mjedisit mjaft e lartë në tokë. Në fillim të paleocenit ndodhi një rënie e shpejtë e temperaturës në tokë, që solli ndryshime të mëdha edhe në baskësinë e gjallesave. Në kushtet e reja jetësore, që erdhën në sipërfaqen e tokës gjatë kohërave më të reja gjeologjike mbijetuan vetëm ato kafshë dhe bimë që mundën tu përshtaten kushteve të reja, pra tu adaptohen këtyre kushteve. Duke u përshtatur ato vazhduan të jetojnë edhe më tej në rruzullin tokësor. Mjaft kafshë e bimë që qen shumë të përshtatura dhe të specializuara në kushtet e vjetra nuk mundën të gjejnë aftësi për tu përshtatur në kushtet e reja të jetës. Nga ky shkak, duke mos i duruar kushtet e reja, ato filluan të vdesin dhe të zhduken komplet si rend, gjini e lloj. Kështu shpjegohet zhdukja e madhe në fund të kretakut e fillim të paleogjenit, para 65 milion vjetëve. Në këtë kohë u zhdukën jo vetëm dinozaurët po edhe mjaft grupe të tjera organizmash bimor e shtazor si amonitët, rudistët (grupe butakësh) etj.
Dr.Luftulla Peza, Golem 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura