Kumanovë, 31. 05. 2013 – Se religjioni(et) kanë një rëndësi të madhe në jetën e njeriut kjo nuk ka dyshim aspak. Lufta mes asaj që është profane dhe e shenjtë ka qenë në permanencë të vazhdueshme. Duke lexuar Enciklopedinë e Dejvid Llajonit njeriu pajiset me një sërë informatash që me të vërtetë janë tejet të nevojshme, po që njëkohësisht edhe tejet të panjohura për faktorin njeri. Habitesh dhe shashtrisesh kur e sheh se sa të pranishme janë religjionet në botë, si dhe sa luajnë rol të rëndësishëm në jetën e njeriut në çdo cep të botës.
Dilema kryesore ekziston mes asaj që quhet në njërën anë sakralizim (desekularizëm) si dhe në anën tjetër asaj që është shekullare apo profane. Të përkrahet njëra po tjetra. Duke dashur të futet në detaje të panevojshme, njeriu ende gëlon në kokën e tij me mendimet se vallë të bëhet distinksioni mes asaj që është profane dhe asaj që është e shenjtë, të fuzionohen të dyja apo të injorohet njëra e të trajtohet tjetra.
Kësisoj kemi mendime edhe nga mendje që pretendohet se janë të ngritura, sikurse ajo e Ludvig Foerbahut i cili thekson që nocioni Zot është projektuar nga mendja e njeriut. Marksi shprehet se Zoti është paramenduar që të ngushellohet populli gjatë ballafaqimit me vështirësitë sociale dhe ekonomike. Frojdi shprehet se religjioni është vetëm iluzion “plotësues dëshirash”.
Religjionin (et) duhet shikuar si lëvizje lokale, globale apo glolokale (edhe glokale edhe globale). Fjala religjion ka dy kuptime: religere që dmth të mbahet llogari për ndonjë veprim si dhe religare, diçka e fortë të ndërlidhet. Mesazhi i secilit religjion është që veprat e këqia mos të ndjeken. Kësisoj në enciklopedinë e religjioneve përpos feve monoteiste (këtu nuk duhet anashkaluar faktin se edhe pse njihen si fe monoteiste, në thelb kanë dallime të mëdha në besim, sidomos feja islame e cila ligjëron besimin dhe adhurimin e një Zoti të vetëm, pra pa kurrnjëfarë ndërmjetësimi): Krishterizmit, hebraizmit dhe Islamit dallojmë edhe lëvizje tjerë që mëtojnë të shfaqen si fetare.
Simbolet fetare në Botë
XHAINIZMI që rrjedh nga fjala jina, domethënë themelues në një kuptim, por edhe në kuptimin tjetër besim. Kjo lëvizje është besim i lashtë apo filozofi, mbase nuk ka hyjni të përcaktuar. Bazohet mbi mësimet e Mahavirës (559 527 para e.r), i cili predikonte përsosmërinë e njeriut, përmes mospranimit të dhunës. Sipas doktrinës së tij, filozofia xhainiste bëhet mënyrë e të jetuarit, mënyrë e të kuptuarit dhe e kodifikimit të të vërtetave të amshuara e universale, që rastësisht iu zbuluan njerëzimit e që më pas, u ridukën në mësimet e njerëzve, të cilët kishin arritur të ndriçohen ose të përvetësojnë të gjitha shkencat. Xhainistët besojnë se në pjesën e universit, ku jetojmë, e në ciklin e sotëm kohor, filozofia iu komunikua njerëzimit nga mësuesi mitik Rishabha. Provat, ardhur nga qytetërimi i luginës së Indit (3000-1500 para erës së re) vërtetojnë se ky mjeshtër jetoi me të vërtetë. E vërtetojnë këtë, kryesisht vulat me emrin e tij, gjetur gjatë gërmimeve arkeologjike të vitit 1921, që e zbuluan këtë qytetërim. Themeluesi i saj, Vardhamana Mahavira, mësonte se të gjitha qeniet e gjalla kanë shpirt të pavdekshëm (ata mbanin këpucë me zilka që të mos shkelnin as mizat), mësonte se shpëtimi i shpirtit nga robëria e Karmës arrihet vetëm me vetëmohim dhe vetëdisiplinim të skajshëm dhe sidomos, nga zbatimi i prerë i mospërdorimit të dhunës ndaj të gjitha krijesave.
M. Gandi ishte xhainist. Xhainistët, sidoqë disa janë ndër bankierët më të njohur indianë, u përmbahen edhe sot këtyre mësimeve.
HINDUIZMI, si besim nuk ka themelues, nuk ka sistem të bashkuar të besimit, as autoritet centralist. Shteti i parë budist në botë është Shri Lanka (Ceylon) i cili ishte njëkohësisht edhe shteti i parë budist i kolonizuar nga evropianët (Portugalia dhe Holanda), ndërsa shteti i dytë është Mjanmar (Burma). Është përfaqësuesi më shumëngjyrësh i besimeve politeiste (apo besimit në shumë zotra) në kohën e sotme. Tërheq vëmendje me idhujt, të cilët në disa raste janë me qindra, të vendosur në tempujt e fshatrave. Hindu është emër persisht me të cilin muslimanët i emërtojnë popujt që jetojnë rreth e përqark lumit Indus. Ky emërtim është një shprehje gjeografike. Termi “hinduizëm” përdoret për të shprehur sistemin e mendimit dhe besimin e këtij populli. Ndërsa termi brahmanizëm, nuk rrjedh nga zoti Brahman, por nga klasa brahmane e priftërinjve indianë. Kësisoj nga shprehjet hinduizëm dhe brahmanizëm kuptojmë mënyrën e përshtypjeve (ndijimit), mendimit, besimit dhe jetesës së indianëve, duke filluar nga periudha më e lashtë e Vedave e deri më sot. Ndërsa indianët për të shpjeguar fenë e tyre përdorin shprehjen “Sanatana Dharma” (rregull i përhershëm). Shkrime të shenjta për këtë lëvizje religjioze janë Vedat të shkruara në sanskritisht. Veda si fjalë ka kuptimin “dituri, urtësi e përhershme”. Është një përmbledhje e madhe e teksteve fetare e shfaqur në vitet 1250 dhe 800 para erës sonë.
SIKIZMI, u themelua në Penxhab, ndërsa themelues është Guru Nanak. Siki do të thotë nxënës në gjuhën penxhabi. India është dhe vendlindja e sikizmit, një fe që sot praktikohet nga 19 milionë njerëz. Guruja Nanak, në shekullin e 16-të, vendosi për të se çfarë ishte e mirë nga hinduizmi ta ndërthurë me myslimanizmin dhe kështu themeloi një fe të re. Sikizmi përshtati në islamizëm bindjet hinduiste të pavdekësisë së shpirtit, të rimishërimit dhe solidarizimit.
ZARATUSTRIZMI, rrjedh nga emir grek ZOROASTER, që llogaritej si profet i indoiranianëve. Zaratustra (630-553 para e.s.) është rritur në pellgun e lumit Amuderja, dhe se ai ka pranuar shpalljen e parë të tij. Edhe pse më vonë ai është shpërngulur në rajonin persian, vdekja e tij ka ndodhur në dorën e perandorit të shtetit Turan Arcataspa, i cili ka qenë i brengosur për përhapjen e zaratustrizmit në shtetin e tij. Para islamit tempuj të zaratustrizmit ka patur në Buhara, në Samarkant, kurse në Transoksani, zaratustrizmi ka dominuar tepër. Prej burimeve kuptohet se ka patur ndikim edhe në Azi të Mesme dhe ka rivalizuar edhe budizmin.
HASIDIZMI, i themeluar në Poloni në shek 18 nga Izrel ben Elizer, do të thotë gëzim apo lumturi. Hasidizmi/Judaizmi Hasidik – Hasidizmi asidut ) është një degë e judaizimit ortodoks që nxit spirtualizmin nëpërmjet popullarizimit dhe ndërkombëtarizimit të misticizmit hebraik si aspekte fondamentale të besimit hebraik. Hasidizmi u themelua në shekullin e XVIII në Evropën Lindore nga Rabini Izrael Baal Shem Tov si një reagim ndaj judaizmit legalistik. Haredi/Haredimet aredi është forma më konservatore e judaizmit ortodoks dhe shpesh u referohen si ultra-ortodoksët e besimit hebraik. Hebrenjtë haredi e konsiderojnë besimin e tyre dhe praktikat fetare si një zinxhir të pakthyeshëm që shtrihet nga Moisiu dhe dhënia e Torahut hebrejve në Malin Sinai. Ata i shikojnë hebrenjtë jo-ortodoksë dhe ortodoksët e moderuar si rryma të Judaizmit që janë shmangur nga ai autentik. Kundërshtimi historik i tij ndaj vlerave iluministe e dallon atë nga judaizmi ortodoks i moderuar që e ka prejardhjen nga Evropa Perëndimore. Judaizmi haredik nuk është një grup homogjen dhe i institucionalizuar, por përfshin një larmi orientimesh spirituale dhe kulturore që ndahen në sektet hasidike, rrymat yeshivish-lituaneze nga Evropa Lindore dhe haredimët sefardikë të Orientit . Haredimët janë kryesisht të vendosur në Izrael, Amerikën e Veriut dhe Evropën Perëndimore. Ky komunitet ka tërhequr vëmendjen e medias veçanërisht ndaj çështjeve të ndarjeve gjinore në ambientet publike ( p.sh. trena, autobus) në shtete si Izraeli dhe New Yorku. Haredimët sefardikë janë hebrenj pasardhës të komuniteteve sefardikë dhe mizrah, të cilët nga ana e tyre janë pararendësit e judaizmit haredik. Haredimët sefardik sot përbëjnë një drejtim të rëndësishëm të judaizmit haredik së bashku me hasidizmin dhe litaim-in . Një pjesë e madhe e haredimëve sefardikë jetojnë në Izrael ku lindi dhe u zhvillua judaizmi haredik sefardik. Megjithëse nuk ka statistika të qëndrueshme rreth haredimëve në Izrael, mendohet se 20 % e popullsisë haredi të Izraelit janë haredimë sefardikë.
KONFUÇIANIZMI DHE TAOIZMI, që në fakt llogariten si filozofi mendimi, por që shpesh paramendohen edhe si besime. Përderisa e para mëton përsosje të burrave dhe grave në shoqëri përmes shenjëtorëve, taoizmi kërkon kthim në natyrë, respektivisht plotësm të spontanes dhe transcendales. Ithtarë të konfuçianizmit janë: Konfuçie (Kung Fu Ce 551-749 p.e.r ) si themelues, Meng Ce, Sjun Cu etj, ndërsa të taoizmit: Lao Ce, Çuang Ce, etj.
JUDAIZMI, i cili bazohet në 3 tradita tekstuale kryesore: TANAK (shkrime hebreje), MISHNA (traktate, rregulla për logjin e Mojseut) dhe TALMUD (komentim i MISHNËS dhe i TORËS). Fjala TALMUD do të thotë mësim. Judaizmi është religjioni i popullit hebre. Në botë sot jetojnë 12 milion njerëz të kësaj përkatësie religjioze: 6 milionë në SHBA, 2 milion në shtetin e tanishëm të Izraelit, ndërsa, 4 milionë të tjerë, janë të shpërndarë kudo në botë. Më së shumti në Rusi dhe në Evropën Perëndimore.
Historiku i shkurtë i judaizmit si religjion. Patrisiejët, Abrahami, Isaku dhe Jakovi, konsiderohen dhe çmohen si themeluesit e popullit hebrenj. Kah vitet 1800 p.e.s Abrahami (h.z.Ibrahimi) kalon nga shteti i atëhershëm i Mesopotamisë, në KANNAN- tokë e premtuar, që më vonë, do të njihet si PALESTINA. Gjatë urisë së madhe, fëmijët e Jakobit, shpërngulen në Egjipt, ku më vonë, pasardhësit e tyre shndërrohen në robër të faraonit-sundimtarit të gjithëfuqishëm të shtetit të atëhershëm të fortë të Egjiptit. Ashtu sikurse është treguar edhe në Bibël, tek diku rreth viteve 1250 p.e.s. Mojsiu e nxjerr dhe e shpëton popullin e vetë nga robëria egjiptiane. Kjo ngjarje biblike është e njohur si “eksod”- apo “DALJE NGA ROBËRIA” dhe marshimi në drejtim të “TOKËS SË PREMTUAR”. Gjatë rrugës së eksodit të madh, të paraprirë nga Mojsiu, Zoti, në malin SINAJ, lidh Besëlidhjen e Madhe me popullin e izraelit. Kjo besëlidhje mbështetet në 10 pika themelore të njohura edhe sot si “10 urdhëresa të Mojsiut”
Ndarja e judaizmit, Judaizmi si religjion, që nga themelimi i saj e gjer më ditët e sodit, ka pësuar shumë ndryshime evolutive të përshtatjes së saj kohërave dhe realiteteve të caktuara shoqërore nëpër të cilat ka shtegtuar populli hebre. Kështu, gjatë historisë mijëvjeçare të ekzistimit të këtij religjioni, edhe pse ajo në esencë e ka ruajtur tërësinë e vetë strukturale, me kohë janë zhvilluar këto rryma: JUDAIZMI ORTODOKSAL, JUDAIZMIN PROGRESIV, JUDAIZMIN KONZERVATIV dhe në CIONIZMIN.
1. JUDAIZMI ORTODOKSAL paraqet judaizmin tradicional i cili njeh dhe rreptësishtë i kultivon dhe respekton ligjet dhe rregullat e vjetra duke pranuar autoritetin e pacenueshëm të rabinit si udhëheqës shpirtëror i popullit hebre;
2. JUDAIZMI PROGRESIV, në praktikë prezantohet nga dy lëvizjet: LIBERALE dhe të
REFORMUAR.
Judaizmi Liberal është themeluar gjatë shekullit 18 në Evropë. Kjo lëvizje mbështet një qëndrim kritik ndaj Biblës dhe rregullave përgjithësisht të pranuara etike, kundrejt judaizmit ritual dhe atij të kufizuar. Judaizmi i Reformuar vazhdon me traditën e njëjtë, por pranon edhe një qasje më hulumtuese dhe më kritike ndaj judaizmit historik – tradicional. Zvogëlon potencimin e shprehur, sikur të riteve të tepruara, ashtu edhe “partikularizmin”, gjegjësisht, nacionalizmin religjioz të bazuar në drejtën historike të kthimit të popullit hebrenj në SION, pastaj besimin e pritjes së ardhjes së një profeti hebre që do ta shpie popullin drejtë Mbretërisë hyjnore etj.
3. JUDAIZMI KONZERVATIV është një degë apo rrymë e religjionit çifut e cila u themelua në shekullin 19. Nisma dhe prezenca e e saj më e madhe është në SHBA. Kjo rrymë qëndron diku në mes të judaizmit ortodoksal dhe progresiv. E pranon autoritetin e pacenueshëm të Rabinit dhe është e orientuar kah parimet e lashta të misticizmit burimor.
4. SIONIZMI është një lëvizje jo vetëm e pastër religjioze por ka edhe karakter politik Është tejet nacionaliste dhe mbështet në të gjitha rrymat tjera ekzistuese. Kultivon të drejtën historike të kthimit të popullit hebrenj në “tokën e premtuar” biblike.
Për herë të parë është shfaqur në shekullin 19 në Evropë dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë krijimit të shtetit të sotëm të Izraelit.
Parimet e besimit çifut
Si parim themelor ku mbështetet judaizmi si religjion është besimi në një ZOT . Sipas religjionit hebrenj, as Bibla dhe as shkrimet tjera të shenjta, nuk e konstatojnë ekzistimin e Zotit, por vetëm e vërtetojnë atë si gjithëpërfshirës, pa veti dhe formë, i vërtetë dhe absolut. Andaj, përgjithësisht mund të klasifikojmë se besimi hebre mbështetet në këto13 parime thelbësore:
1. Ekzistimi i Krijuesit madhor dhe absolut;
2. Krijuesi madhor është i tërësishëm;
3. Krijuesi është frymë e shenjtë (qenie jo fizike);
4. Ai është i përhershëm;
5. Obligimi i shërbimit dhe nënshtrimit vetëm ndaj TIJ;
6. Pranimi i ekzistimit të profetëve;
7. Profeti Mojsiu është profet mbi të gjithë profetët tjerë;
8. Besimi në shpallja e Ligjit të Mojsiut në malin e Sinait;
9. Pacenueshmëria e aplikimit dhe respektimit të Ligjit të përcaktuar hyjnorë nga ana e besimtarëve;
10. Zoti është i gjithëdijshëm;
11. Dënimi dhe shpërblimi arrihet në këtë botë;
12. Pritja e ardhjes edhe të një profeti nga rendi i gjakut mbretëror hebre;
13. Ringjallja pas vdekjes.
Librat e shenjta në judaizëm janë:
1. BIBLA , apo ndryshe “shkrimi”, paraqet një cikël shkrimesh të shenjta të shkruara gjatë periodës 1000 vjeçare;
2. TORA, apo ndryshe “Ligji”, përbëhet nga pesë librat të prura nga Mojsiu;
3. MISHNA, apo ndryshe “përsëritja”, përbëhet nga rregullat e rrepta etike të sjelljes religjioze për besimtarët;
4. TALMUD, apo ndryshe “predikimi”, është po ashtu shkrimi i shenjtë ku bazohet besimi çifut. Ndërtohet nga dy librat: “Talmudi Palestinez” dhe “Talmudi Babilonase”. Mbështetet në MISHNA dhe shkrimet tjera të shenjta plotësuese.
Sinagoga, Fjala “Sinagoga” në gjuhën e hebrenjve do të thotë “Kuvend”. Hebrenjtë shpesh e përmendin sinagogën edhe si SHUL apo shkollë. Ky tempull i shenjt për hebrenjtë nuk është vetëm një kult religjioz, por edhe vatër e edukimit dhe kultivimit të jetës shoqërore dhe politik të këtij populli në përgjithësi. Në Sinagogë, besimtarët zakonisht takohen në mbrëmjen e së premtes për ta shënuar fillimin e Shabatit dhe në mëngjesin e së shtunës.
Sinagoga si një kult fetar, ka formën e katërkëndëshit. Në pjesën e përballmë nga hyrja është oltari në të cilin gjendet ARKA me shkrimet e shenjta, e cila është e kthyer kah Jerusalemi. Në tri pjesët tjera përreth oltarit ku është vendos Arka e shenjt, janë karriget dhe bankat për besimtarët, të cilët sa qëndrojnë në brendi të Sinagogës dhe i kryejnë ritet tradicionale fetare, patjetër në kokë mbajnë kapela karakteristike ovale si dhe shallin e bardhë të hedhur rreth krahëve. Kështu veprojnë besimtarët meshkuj, ndërsa besimtaret femra i mbulojnë vetëm kokën dhe nuk kanë shall rreth krahëve. Në judaizmin ortodoksal, femrat në Sinagogë janë të ndara nga meshkujt. Ritet fetare në Sinagoga udhëhiqen nga Rabini, prijësi apo mësuesi shpirtëror fetar.
Rregullat e besimit, Si karakteristikë e besimit çifut është lutja që aplikohet patjetër 3 herë në ditë. Më pas, vjen respektimi i rregullave të rrepta gjatë përzgjedhjes së ushqimit dhe parimet e sjelljes morale në shoqëri. Si shenjë e besëlidhjes së parë të Zotit të bërë me Abrahamin në malin e Sinait, çifutët aplikojnë rrethprerjen e mishit të prepucit , apo ndryshe synetin. Fëmija menjëherë posa të lind, dhe më së largu 8 ditë, duhet të rrethpret mishin e prepucit, gjegjësisht të bëhet synet. Ky ritual tradicionalisht bëhet në shtëpi apo Sinagogë, ndërsa kohën e fundit, gjithnjë e më tepër aplikohet të kryhet nëpër spitale, por patjetër në prezencë të Rabinit i cili aplikimin e ritualit të caktuar fetar.
KRISHTERIMI është fe e ngritur sipas mësimeve dhe të dhënave nga Jezus Krishti i cili predikonte se Perëndia është një, krijuese dhe shpëtimtare e botës dhe Jezusi, biri i tij. Fjala “Krisht” rrjedh nga greqishtja që do të thotë “i mirosuri, i vajisuri” dhe barasvlerësi i saj në hebraisht është titulli «mesia», që shpreh veprimin nëpërmes të cilit Perëndia është shndërruar në shpëtimtare e njerëzimit mbi tokë nga e keqja dhe vdekja. Sipas të krishterëve, Jezu Krishti, ishte mesia i paralajmëruar apo i pritur mbi tokë që bëri një “Kurorëzim të Ri” (Besëlidhje të Re) në mes njerizimit dhe Perëndisë. Krishterimi është fe e ngritur në bazat e judaizmit duke shpallur se Krishti do t`i përmbushë veprat e Abrahamit, Moisiut e të profetëve, duke fuqizuar vazhdimin e Besëlidhjes së Vjetër dhe Besëlidhjes së Re. Numri i të krishterëve vlerësohet të arrijë në 2,1 miliardë njerëz, apo 33 % të popullsisë botërore në vitin 2007. Krishterimi është feja më e madhe në botë me mbizotërim në Evropë, Amerikën e Jugut dhe të Veriut, Afrikën e Jugut, Filipinet dhe Oqeani. Ai po rritet shpejt gjithashtu në Azi, veçanërisht në Kinë dhe Korenë e Jugut, Afrikë dhe në Lindjen e Mesme. Krishterimi lindi rreth 2000 vjet më parë në Jude (Izraeli i sotshëm) me Jezus Krishtin dhe grupin e dishepujve të Tij besnikë. Gjatë kësaj periudhe, Judea ishte një udhëkryq kulturor qytetesh dhe fermash plot me lëvizje. Perandori i Romës ishte sunduesi i saj. Judenjtë në atë kohë e urrenin sundimin romak, për arsye se për ta ai sillte në mendje shtypjen njerëzore që ata kishin duruar historikisht. Besimet kulturorepoliteiste të Romës, ishin pagane dhe imponuese mbi jetën e tyre Judaike. Disa judenj vendosën që shpresa e tyre e vetme ishte konformimi ndaj kësaj sfide (grishje). Të tjerë u bënë fetarë të zellshëm të formojnë grupe luftarake qëndrese kundër Romës, kurse të tjerë u tërhoqën në shkretëtirën e Judesë për të studiuar ligjin e hebrenjve dhe për të pritur ardhjen përfundimtare të Mesias (shpëtimtarit) të tyre të premtuar.
Pas skizmës së parë 1054 dhe ndarjes së kësaj feje në Katolicizëm dhe Ortodoksizëm, më vonë do të hasim edhe ndarjen tjetër, ku ky religjion do të ndahet në protestantizëm, luterianizëm, baptizëm e kështu me radhë. Martin Luter dhe Ulruh CVINGLI janë reformatëorët më të spikatur. Ashtu si ndahet krishterimi në shumë degë, poashtu edhe më thellë ndahen edhe kishat në: lindore, katolike, reformiste, anglikane, luteriane, protestante, kalviniste. Kishat e lira ndahen në: baptiste (ku nuk kryzëzohen fëmijët), metodiste (themelues Xhon Vestlli, këndohet himna këtu), kuekeriste (ndriçim i brendshëm,), pentekontaliste dhe ekumenike.
ISLAMI, Feja islame ose edhe islami (arabisht: إسلام islām = përulje, nënshtrim (para Zotit) / vetëmohim, përshpirtni, devotshmëri e plotë (ndaj zotit) (arabisht: الإسلام = al-islām = „islami“) është me rreth 1,2 miliard deri 1,57 miliard ndjekës, duke ardhur pas kristianizmit (me rreth 2,2 miliard ndjekës), feja e dytë për nga përhapja në botë. Ndjekësit e saj quhen myslimanë. Feja islame është një fe monoteiste, e cila kufizohet nga politeizmi si edhe nga përfytyrimet kristiane si p.sh, inkarnacioni (të bërit e Zotit njeri) dhe trinía (ose triniteti). Element përcaktues i saj është idea e tauhīd-it, e unitetit, e të qënit një të Zotit, respektivisht njëshmëria e Zotit në krijim, në adhurim dhe në emrat e cilësitë e Tij. Feja islame e ka bazën në Kuranin famëlart, i cili, si fjalë autentike (origjinale) e Zotit, paraqet për besimtarët burimin e rangut më të lartë të besimit. Burimi i dytë i njohurive përveç Kuranit janë fjalët dhe veprimet (sunna ose sunneti) e Muhametit alejhi selam, e „të dërguarit të Zotit dhe e vulës së të dërguarve“ (Sure 33:40).
Enciklopedia e Llajonit e sheh Islamin përveçse si fe edhe si një hapësirë kulturore.
Pesë shtyllat
Pesë shtyllat e fesë islame janë detyra themelore që ka për detyrë t’i përmbushë çdo mysliman:
1. Shehadeti (shpallja e besimit islam)
2. Salat-i (ose namazi, të falurit pesë herë në ditë)
3. Zakat-i (dhënia një pjesë të pasurisë nga pasuria e tërësishme)
4. Agjërimi gjatë ramazanit
5. Haxh-i (pelegrinazhi për në Mekë)
Parimet e besimit
Feja islame ka gjashtë parime. Besimi tek:
1. Zoti i vetëm (Allahu)
2. Besimi në engjujt e Zotitj
3. Besimi në Librat e shenjtë: Tevrati, Zeburi, Inxhili dhe Kurani
4. Besimi në profetët e Zotit, i fundit Muhammedi alejhi selam
5. besimi se në ditën e gjykimit njeriu do të japë llogari një ditë për veprat e tij dhe ose do të dënohet me ferrin, ose do të shpërblehet me parajsën.
6. Besimi në Caktimin e Zotit (predestinimi, paracaktimi) hyjnor.
NDARJA NË RRYMA: Sunnitët
Feja islame është e ndarë në disa rryma. Sunnitët përbëjnë me rreth 85 përqind grupimin më të madh në numër. Këta ndahen gjithashtu në drejtimet juridiko-fetare sunnite të hanafitëve, malikitëve, hanbalitëve dhe shafiitëve. Rryma e quajtur e vahhabitëve nuk është drejtim juridiko-fetar, por ajo përdor atë të hanbalitëve. Këto drejtime janë shpesh të shtrira gjeografikisht; kështu jetojnë psh. hanafitët në Turqi, malikitët në Afrikën veriore.
Dallimet mes tyre dhe rrymës së dytë për nga madhësia, ndjekësit e të cilës quhen shiitë, qëndrojnë në bindjen, në bazën e të cilës mbështetet pushteti i krerëve më të lartë (i kalifit tek sunnitët, i imamit tek shiitët). Për sunnitët kalifi është kreu që zgjidhet nga ndjekësit e tij për aftësitë e tij laike, administrative. Kurse për shiitët imami mund të jetë vetëm një trashëgimtar legjitim i Muhamedit a.s dhe njëkohësisht edhe trashëgimtar i Aliut (i dhëndrit të Muhamedit a.s). Ndërsa kalifi pra është vetëm një mbrojtës laik i komunitetit fetar, imami për shiitët është një prijës i pagabueshëm, i përkryer fetar, i pajisur me pushtet hyjnor. Atij i atribuohet (i njihet) edhe pamëkatësia. Nga këto fakte del se brenda grupimeve shiite kreu fetar i komunitetit ka një autoritet shumëfish më të lartë.
Shiitët
Shiitët janë rryma e dytë e madhe. Rryma kryesore e tyre janë imamitët ose shia dymbëdhjetëshe, të cilët janë të përhapur shumë sidomos
në Iran, Irak, Azerbaixhan, Bahrain dhe në Liban.
Harixhitët
Harixhitët, të ashtuquajturit „të shpërngulurit“, të cilët kanë braktisur partinë e kalifit të katërt Ali ibn Abi Talib, qenë ndjekësit e sektit më të vjetër fetar në islamin e shekullit të 7-të. Ata hidhnin poshtë si legjitimacionin e Aliut si kalif ashtu edhe të Uthman ibn Affan-it. Levizja e tyre është shuar që nën kalifët e parë abbasidë. Dega e tyre kryesore është rryma më e vogël e islamit, ibaditët. Ata jetojnë sidomos në Oman, në Saharanë algjeriane (Mzab) dhe në ishullin tunizian Xherba.
Sufizmi
Ashtu si gati të gjithë fetë ose rrymat fetare edhe feja islame ka një aspekt të brendshëm (ezoterik) dhe një të jashtëm (ekzoterik). Dimensioni mistik i brendshëm i fesë islame është sufizmi. Aspekti i brendshëm quhet edhe tarika, i jashtmi shari’a. Sipas kuptimit të sufive, këto dy aspekte janë të lidhur në mënyrë të pandashme me njëri-tjetrin. Si shembull përdoret simboli i një llampe vajguri: flaka e llampës simbolizon tarikën, pra esencën e fesë, e cila pa mbrojtjen e qelqit do të shuhej që me flladin e parë. Qelqi, dmth. mbështjellja, simbolizon shari’an, por që e cila pa flakë, (vetëm llampa), nuk do të kishte kuptim.
Grupime të tjera
Nga islami sunnit kanë dalë: ahmadiyya-t, ndërsa nga islami shiit: alevitët, druzët, babistët dhe prej vitit 1863 bahaitët
BAHAIZMI, religjion i themeluar nga Baha Ul Llah dhe Adul Baha (abaz efendi) Ka lindur ka fillimi i shek. XIX. Fazës së parë i thuhet “babizëm”. Sipas babizmit realiteti pejgamberik, sikur që ka qenë te pejgamberët e mëparshëm, ashtu është paraqitur edhe te Muhamedi (a.s.), në fisin e të cilit edhe ka vazhduar. Me fshehjen e imamit 12 pejgamberia 1000 vjet me radhë është fshehur dhe me ardhjen e kohës është paraqitur Ahmed el-Ahsai (v. 1826), pas tij Kazim Reshti (v. 1843) dhe pastaj e ka vazhduar Bab Mirza Ali Muhamedi. Mirza Aliu ka pretenduar se libri i tij me titullin “el-Bejan” bazohet në shpallje dhe gjithashtu ka pretenduar se ligjet në lidhje me ibadetet dhe drejtësinë (muamelat) islame në këtë libër janë anuluar sipas nevojës së kohës.
VENDET E SHENJTA ISLAME: Në fenë islame vlejnë vende të shumta si të shenjta por treve prej tyre u jepet rëndësi e veçantë: qyteti Meka vlen si vendi më i shenjtë për myslimanët. Ai është vendi i lindjes së Muhametit, me kaaba-n (qaben) si shenjtëroren (faltoren) qendrore të fesë islame, e cila jep drejtimin gjatë të falurit (kibla). Pas saj vjen Medina, në veri të Mekkës, vendi ku feja islame shpalosi së pari ndikimin e saj politik. Vendi i tretë i shenjtë për myslimanët është Jerusalemi që sipas traditës myslimane ka dhënë drejtimin e parë të kibla-s dhe është vendi të cilin myslimanët e kanë caktuar si pozicionin gjeografik të xhamisë al-Aksa që përmendet në kuran (sure 17: „i ngjitjes në qiell të profetit Muhamedit alejhi selam“).
Mandej ekzistojnë një numër i madh vendesh pelegrinazhi me rëndësi të ndryshme. Këto janë kryesisht varre, p.sh, të shoqëruesve të Muhamedit alejhi selam, të imamëve shiitë ose të shenjtorëve sufi. Kryesues në numrin e vendeve të shenjta janë sufizmi pakistanez dhe islami popullor afrikanoverior me vende adhurimi varresh. Me përjashtim të tre vendeve të para të shenjta, statusi i vendeve „të shenjta“ (si edhe adhurimi i shenjtorëve vet) në fenë islame është një temë tejet kontraverse. Për shiitët dhe alevitët gjithashtu edhe qytetet Qerbela dhe Kufa paraqiten si vende të shenjta, ku çdo vit bëhen pelegrinazhe.
Përpos këtyre besimeve Llajon në enciklopedinë e tij dallon edhe postmodernizmin, si një ndërlidhje filozofike dhe intelektuale të racionalizmit dhe këndvështrimit shkencor të botës që i takon bashkëkohores si dhe postmodernen, që thekson fenomenin e përgjithësimit shoqëror, ku e vërteta në nivel të lartë absorbohet në një sërë botrash të realitetit virtual, që japin profile harxhuese, teknologjike dhe informative. Kjo njihet ndryshe edhe si konstruktivizëm shoqëror. Si themelues të postmodernizmit ai dallon: Roland Bartl dhe Zhak Derridën. Në mesin e ithtarëve dhe mbështetësve të kësaj rryme përmendet edhe Zhan Fransoa Leotard, i cili definon postmodernen si “dyshim në rrëfimet e mëdha”, si dyshime në rrëfimet holistike ose univerzale të jetës njerëzore dhe historisë.
Në enciklopedi përpos këtyre gjërave që janë tejet të domosdoshme për tu njohur nga secili dashamirë i librit dhe i këtyre temave, qartësohen edhe një sërë termash, që janë të një rëndësie të theksuar. Dallojmë këtu shumë fjalë që mund t`i hasim në përditshmëri apo në libra të ndryshëm, por që mund të mos i njohim. Këto terma apo fjalë që mund të hasen dhe që besoj se do të shërbejnë dhe do të jenë funksionale janë:
Epikurizmi, lëvizje filozofike e cil thekson që Zoti është i panevojshëm, duke synuar arritjen e lumturisë në këtë botë, përmes mosnjohjes së Zotit.
Eskatologjia, që do të thotë apokalipsa apo fundi i botës, ardhja e dytë.
Sinkretizëm, zhvillim i njëkohshëm i dy apo më shumë religjioneve ku krijohet një religjion i ri.
Stoicizmi, shkollë filozofike e themeluar nga Zenon Kitiski, që parasheh përballimin dhe rezistencën ndaj ndodhive të ndryshme.
Logos, intelegjenca e Zotit.
Teodiceja, arsyetim i Zotit, si më i mirë dhe i gjithëfuqishëm, që arsyeton ekzistencën e vuajtjes dhe të keqes. Term i përdorur së pari nga Gotfrid Lajbnic më 1710.
Teozofija, mençuri e Zotit, term i përdorur së pari nga Helena Blavacki më 1875.
Hamartiologjia, mësim për mëkatin.
Harakiri, shprehje japoneze, prerje e barkut, vetëvrasje.
Asketizëm, heqje dorë nga kënaqësitë e kësaj bote.
Okultizëm, dukuri që kundërshtn pohimet shkencore dhe fetare.
Kuietizëm, heshtje apo largim.
Prozelitizëm, bindje e jobesmtarëve për tu bërë besmtarë.
Convenanter, lëvizje skoceze, besëlidhje biblike, e themeluar më 1638, si pakt apo kontratë.
Kuakerizmi, denominacion apo sekt i krishterë që është i themeluar nga George Fox, që bazohet në dritën e brendshme.
Baptizëm, rrymë fetare krishtere, ku nuk pranohet pagëzimi i fëmijëve, si dhe nuk ka një hierarki nga lartë poshtë.
Panteizëm, shfrytëzimi i lules për meditim, duke e njësuar lulen me pjesë të tjera të mjedisit natyral.
Ata që pretendojnë të njohin fenomenin e religjionit dhe besimit duhet patjetër të lexojnë këtë enciklopedi e cila mendoj që pajis dhe informon auditorin me njohuri tejet praktike dhe të domosdoshme.
(Autori është profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, si dhe opinionist dhe kolumnist i rregullt)