Berlin, 14. 06. 2013 2013 – (Meditim me shpresë)
1.
Menjëherë pas përfundimit të Luftës në Kosovë, kisha shkruar (në revistën “Eurozëri”) artikullin me titull kërkues: “Një ide që lyp trollëzim”. I jepja, ashtu, frymë idesë së pajtimit kombëtar. Përse?, do të pyeste shumëkush, aherë e sot. Tashmë dhe zogjtë në degë e dijnë se ka pasur një ndarje konfliktuale në udhët, strategjitë dhe taktikat e çlirimit të Kosovës. Përgjithësisht ato janë identifikuar bllokisht si pacifiste dhe beliciste. Eksponentët e të parës akuzohen nga kjo e të dytës për nënshtrimtari e sehirpritje, ndërkohë që ata pohojnë mbrojtshëm ende sot, se pa rezistencën paqësoriste kryengritja e armatosur nuk do të mbijetonte asnjë të vetme ditë. Madje, se dhe ata kishin repartet e tyre që i kthyen pushkën Sërbisë. Por një gjë është aksiomatikisht e qartë: pa dëshminë e vdekjes e, njëkohësisht, pa mbështetjen politike dhe ndërhyrjen e mëpasme ushtarake të botës së lirë, prirë nga Amerika, shteti serb, ndoshta do t’ishte akoma Kosovë. Si pushtues, natyrisht!
Dhe artikulli i sipërcekur pledonte pikërisht këtë: arkivimin e ndasisë! Kishte ardhë kohë tjetër. Sfidat e saj kërkonin sakrifica e privacione të reja. Pra, përkushtim për të fituar paqen (si do të thoshte B.Klinton). E, ajo nuk fitohej dot me përplasjet për primat në rezervimin e vendrolit të parë në historinë e lirisë. Përpjekjet çlirimtare me penë e qëndresë intelektuale dhe me lëvizje politike, burgje e gjak janë gjithsesi më të vjetra se Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
2.
Do të kalonin vite dhe xyfja, shpesh ekstreme, rreth kombëtarizmës së palëve apo flijimtarinë atdhetare, vijonte ashpërsisht. Ishte e rëndë dhe sfilitëse. Kompromitonte keq të drejtën e vetëjetesës dhe merrte ujem prej ustallarësh të robnisë. Në një anë ishte njeriu shqiptar që kërkonte provën e lirisë (me njerëz të vrarë e të humbur dhe pa punë, bukë e votë të lirë) kurse dhe në anën tjetër do t’ankorohej një administratë e huaj difuze që kishte radhësh të saj edhe aziatë indiferentë edhe sllavë të dyshimtë!
Kjo ishte arsyeja që do t’më nxiste për të bërë një shkrim të ri, me temë të vjetër: “Libri që nuk shkruhet”! Isha frymëzuar nga autorët Friedrich März i Demokristianëve dhe Wolfang Clement i Socialdemokratëve gjermanë (si përfaqësues të kryeakseve elektorale), që kishin lënë menjanë mëritë dhe kauzat pushtetare dhe, të shqetësuar për vrajat e vendit të tyre në krizën globale, ishin ulur për të shestuar në një libër me autorësi të përbashkët, shtigjet e këndelljes nga goditja e saj. Ishte braktisur ai gjiriz vesesh nguctare tek i ndrynte në ledhet e llogoreve ideologjike dhe kjo bënte veçanësinë e impenjimit të tyre që më magjepste. Rastësore? Aspak. Luciditeti tejpamës është pjesë e jetës politike në Europën e shkumëzuar të traditës e kujtesës konsolide shtetërore.
3.
Më vriste mëdyshja se një libër i tillë nuk mund të shkruhej në Kosovë. Mendoja dëshpërueshëm se resursi kulturor dhe higjiena nacionale s’do ta jepnin një të tillë. Mirëpo, për fatin e mirë, kumti i vonuar do të vinte. Nëse jo libër, së paku, një shkrim që përvijonte vizion identik do të shihte dritën. B.Buzhala (i Pdk-së) dhe L.Haziri (i Ldk-së) u përzgjodhën nga qielli apo intuita popullore, për të bërë aktin e madh. Po t’ketë qenë e paracaktuar të ndodhte, aherë ishte, mbase, e pritshme pikërisht prej tyre. Të dy, sidomos, B.B., ndonëse të rrjeshtuar në “atdhe politikë” të ndryshëm, morën distancë nga politikat e këqija. Ishte atdheu tjetër etnik që i thërriste për reflektim. Dhe ata iu përgjigjen atij. Në promemorjen e tyre publikuar “Cili është misioni i misionit tuaj” drejtuar drejtësiprerësve europianë të organizuar në të quajturin “Eulex”, ata njësuan qasjen e srukturën argumentuese, pasionin a përceptimin e natyrës së luftës dhe tragjikes largvajtëse të saj. Mesazhi ishte i prerë: kjo drejtësi nuk është e drejtë!
Marr kurajon të them, pa entusiazëm fluturak, se kjo paraqitje e mbiditshme është fillimi i pluralitetit të njëmendtë politik dhe i patriotizmit kushtetues (si e cilësonte R.Dahrendorf) në Kosovën republikane. Është shkrimi që prenë kohën!
==============
BERAT BUZHALA&LUTFI HAZIRI: CILI ËSHTË MISIONI I MISIONIT TUAJ?
http://www.gazetaexpress.com/?cid=1,90,114157