PROF. AGIM ZOGAJ: KRIMINELËT SERBË TË LUFTËS, NË GARË PËR PARLAMENTIN E SERBISË!

Prishtinë, 9 qershor 2020: Vetëvrasja morale e Serbisë!
Sa herë, jo vetëm mendimi politik shqiptar, por edhe ai evro-perëndimor ka konstatuar, se, nuk mund të ketë fillim të kapitullit të ri në politikën e Serbisë, pa u distancuar, politika zyrtare shtetërore, intelegjenca dhe akademia serbe e shkencave, mediet serbe, nga e kaluara e ideologjisë dhe politikave serbomëdha. Ndonjë herë, në ndonjë rast, opinioni publik, ka mundur ta krijojë iluzionin se, Serbia, do të reflektojë dhe, në një të ardhme do të ballafaqohet guximshëm me historinë e saj të djeshme dhe të sotme, hegjemoniste, jo vetëm ndaj popullit shqiptar, ndaj Kosovës. Ka pasur raste, kur, zëra të vetmuar, të ndonjë intelektuali serb, siç ishte rasti me ish arkitektin, Bogdan Bogdanoviç, të cilët, guximshëm e kanë anatemuar ideologjinë serbomadhe, sikur në rastin kur kishte deklaruar se, “Masakra serbe në Reçak, ndaj banorëve civil shqiptarë, është vetëvrasje morale e Serbisë”, por, vërtetë, ata, kishin, ngelur zëra të vetmuar dhe të anatemuar! Madje, Bogdanoviç, për t’i shpëtuar regjimit të Millosheviçit ishte detyruar të ikte në Vjenë, ku edhe kishte ndërru jetë!
Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare, 21 vjet pas luftës së Kosovës, dhe luftërave tjera në hapësirën e ish Jugosllavisë, ka vazhduar me oportunizmin e skajshëm politik, ndaj politikave të sotme të Serbisë! Serbia, para syve të Brukselit zyrtar dhe të Washingtonit, po e forcon aleancën, jo vetëm ekonomike dhe ushtarake me Rusinë, po e fuqizon miqësinë dhe bashkëpunimin me Kinën, po e kërcënon hapur pavarësinë e Malit të Zi, duke i dërguar të “fala”, përmes shovinistit Daçiç, që “Gjukanoviçi le ta thërret në ndihmë edhe UÇK-në”, dhe, heshtje, asnjë reagim!?

Kriminelët: Vojisllav Shesheli dhe Kapetan Dragani!

Se, vërtet Serbia, është shumë e trimëruar, ose nga aleancat e fuqishme me Rusinë dhe Kinën, ose nga oportunizmi i diplomacisë evro-perëndimore, sepse, po e ndjen veten si shtet që nga ajo varet paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor, dëshmojnë edhe paralajmërimet, përgatitjet, fushata për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, më 21 qershor 2020. Tani më, është bërë publike se, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi, në listat për kandidate për përbërjen e re të Parlamentit serb, do të jenë edhe disa personalitete, të cilët ishin gjykuar dhe dënuar për krime lufte. Që në fillim, ta themi se, sikur të mos kishte heshtje dhe oportunitet të pashembullt të diplomacisë evro-perëndimore ndaj këtij fakti të turpshëm, të pa presedan, Serbia, me në krye Vuçiçin nuk do të merrte guximin që, në listat zgjedhore për Parlamentin e Serbisë të gjendeshin edhe kriminelë lufte! Tani për tani, duke mos e përfshirë edhe, ideologun e çetnizmit bashkëkohor serb, Vojisllav Sheshelin, në listat e kandidatëve për zgjedhjen e përbërjes së re për Parlamentin serb, janë edhe tre, ish të dënuar për krime lufte. Pra, a po përpiqet, presidenti serb, Vuçiç, me këtë politikë shtetërore, nacionale, ta rehabilitojë, ta mbrojë, historinë e politikës dhe ideologjisë së luftërave dhe masakrave të shtetit serb? Apo, po i jep porosi edhe diplomacisë evro-perëndomore, dhe jo vetëm shqiptarëve se, pa turpësisht, politika e re “demokratike“ e Serbisë, është vazhdimësi e historisë së deritashme politike serbe, dhe se, në ambientin e mjegulluar të diplomacisë rajonale, ndërkombëtare, këtë çështje, këtë epizod, Serbia as që e shtron për analizë?! Pra, sipas logjikës së politikës shtetërore serbe, i bie se, për Serbinë, vlejnë standardet krejtësisht të tjera, se, Serbia nuk mbanë përgjegjësi për luftërat dhe masakrat mbi shqiptarët, myslimanët e kroatët…? Prandaj, në fushatën zgjedhore, për përbërjen e Parlamentit të ri serb, po garojnë, edhe ish të dënuarit serbë për krime lufte.
Si u shndërruan, kriminelët serbë në heronj!
I pari, kanditat, në listat zgjedhore për gjedhjet parlamentare të Serbisë, më 21 qershor 2020, është ish i burgosuri, i dënuari për krime lufte, terroristi, Dragan Vasiljeviç, mercenar ushtarak, instruktor i kryengritësve serbë të viteve të 90-ta në Kroaci. Dragan Vasiljeviçi, ishte dënuar nga drejtësia kroate me 15 vjet burg, i njohur gjatë luftës, me emrin Kapetan Dragani! Në paraqitjet e tij publike, pasi kohë më parë doli nga burgu, Kroacia ua dorëzoi autoriteteve të Serbisë, Kapetani çetnik Dragan, u zotua se, po garon për përbërjen e Parlamentit të ardhshëm serb me qëllim që, t’i mbrojë të drejtat e serbëve në Kosovë, Kroaci, Bosnjë dhe në Mal të Zi!? Gjithashtu, krimineli, Vasiljeviç, ka apeluar që, të lirohen nga burgu, vrasësit e ish kryeministrit serb, Zoran Gjinxhiq, kriminelët e njohur, Milorad Ulemek-Legija dhe Zvezdan Jobvanoviç. Është për tu theksuar se, ditë më parë, menjëherë pasi, Kroacia ua dorëzoi autoriteteve serbe, Dragan Vasiljeviç-Kapiteni Dragan, ky, u prit me entuziazëm në lokalet e stadiumit të klubit “Crvena Zvezda” me ç’rast, kryetari i klubit, serbomadhi, Dragan Xhajiç, solemnisht ia dhuroi fanellën e klubit me numrin 1!
Komentatori sportive, Milojko Pantiç duke reaguar në lidhje me këtë veprim, kriminal të drejtuesve të klubit, “Crvena Zvezda “ ka shkruar se: ”Dragan Xhajiçi dhe Zvezdan Terziç, ju qoftë turp! …Me dorëzimin e fanellës, kriminelit të luftës, e keni shkruar faqën më të zezë të klubiut të famshëm… Jeni bërë, oficerë të njësiteve kriminale para ushtarake të Arkanit…”!
Natyrisht, në garën për ta fituar ulësen në përbërjen e re të Parlamentit të Serbisë, si zakonisht është edhe, një ndër kryeideologët e çetnizmit dhe fashizmit modern serb, antishqiptari i përbetuar, Vojisllav Shesheli. Shesheli, të cilit, gjatë qëndrimit në burgun e Hagës nuk iu hoq mandati i deputetit të Parlamentit serb, po angazhohet, po prapagandon, fuqizimin e aleancës vëllazërisë me Rusinë, pastaj miqësinë dhe, madje edhe bashkimin, unionin me Kinën, reformimin e ushtrisë etj. Nuk habit, çetniku Sheshel me deklaratat e tij parazgjedhore, sepse, sikur dje, kur ishte koleg me Vuçiçin në Partinë Radikale Serbe, edhe sot, e zbatojnë të njëjtën politikë nacionale serbe!
Këtyre ditëve, përgatitjen e shpalljës së kandidatures, për ta fituar vendin në Parlamentin e ardhshëm serb, e ka të gatshme edhe, bashkëpunëtori dhe miku i tij partiak, Bozhidar Deliç, general në pension dhe kriminel lufte, i cili ka udhëhequr ekspeditat terroriste serbe në luftën e Kosovës. Krimineli i luftës Deliç, për të cilin, Fondi për të Drejtat Humanitare në Serbi ka konstatuar se, në luftën e Kosovës, njësistet terroriste serbe, në tetë fshatra kanë vrarë së paku 885 civil shqiptarë, edhe deri më tani ishte deputet në Parlamentin e Serbisë. Është për tu theksuar se, ndonëse ka fakte të tëra, se është vrasës, se, me njësitet e veta ka bërë krime lufte dhe gjenocid mbi civilë shqiptarë, drejtësia serbe, ende, kriminelin, Bozhidar Deliç nuk e ka përfshirë në ndonjë nga aktakuzat për krime lufte! Ndërkohë që, media ndërkombëtare shkruan se, përveç këtyre, tre kriminelëve serbë të luftës, janë edhe dy kandidate, të cilët do të garojnë për përbërjen e ardhshme të Parlamenit serb.
Kjo është Serbia e Vuçiçit, Serbia, e cila, falë edhe heshtjes së BE-së, po trajtohet e privilegjuar, madje, mjerisht, jo vetëm nga Rusia dhe aleatët sllav, po shihet si “faktor paqeje” në rajon!? Prandaj, me aq guxim, nacionalisti Vuçiç, po deklarohet, në emër të “Serbisë demokratike”! Dhe, Serbia e tij, qeveria e tij, shteti i tij, pra, Vuçiçi, gjeneralin Vladimir Lazareviç, të dënuar me 15 vjet burg për krimet serbe në Kosovë, pa fije turpi e ka quajtur shembull për kadetët e ardhshëm dhe, me tu liruar nga burgu, Lazareviçin e kishte angazhuar si ligjërues në Akademinë ushtarake!
Ndërsa, Sonja Biserko, Kryetare e Fondit humanitare të Helsinkut për të drejtat e njeriut në Serbi, pasi ka rikujtuar se, edhe Veselin Shlivançanin, ish i dënuar për krime lufte, zhvillon aktivitet politik, ka thënë se: ”…kemi të bëjmë me një lloj rehabilitimi të krimeve serbe të luftës… Gjithsesi, Vuçiçi ka lidhje me këtë, ndonëse, vazhdimisht po e përsërit se, Serbia nuk ka përse të turpërohet”? Pra, Vuçiçi, dikur ministër për informata në qeverinë vrastare serbe të luftës, kuadër drejtues i Partisë çetnike, Radikale Serbe, po pajtohet që, kriminelët serbë të luftës të trajtohen si hero në Serbi!
Çfarë ishte dashur, pra, të ndodhte, sipas kryetarit serb, Vuçiç, që, Serbia të turpërohet? A, i shfaqën, Vuçiçit, ndonjëherë në ëndërr, krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, vrasja, e 1000 fëmijëve, në mesin e mbi 13.000 civilëve shqiptarë të vrarë e të masakruar, mbi 1600 mbetje mortore të shqiptarëve të Kosovës të fshehur nëpër malet fushat, lumenjtë e Serbisë ?
Shteti serb, nuk duhet t’i fshehë kujtimet e Dimitrije Tucoviçit, por, ato duhet t’i bëjë pjesë e plan programeve shkollore, për ta ndërgjegjësuar, qytetarin dhe veçmas rininë e vetë: ”Ne po i tubojmë meshkujt në grupe nga rreth 50 veta, po i therrim me bajoneta deri në personin e fundit… Hija e vdekjes, ditë e natë, po qëndron mbi kokat e njerëzve në Pejë, Gjakovë e Prizren… Ne kemi zbatuar një vrasje të paramenduar të tërë një kombi”!
Me këtë logjikë serbomadhe, larg është paqja me Serbinë, atë, vështirë se mund ta garantojë cilado Marrëveshje…!?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura