Pashtriku.org, 15. 06. 2013 – Lidhur me librin “Kraja me disa veçori shetanase”, që sot, fatmirësisht, po e promovojmë, e shoh të nevojshme të bëj disa sqarime nga pikëpamja historiko-filologjike dhe fetare, jo në këndvështrimin teologjik, por në këndvështrimin institucional. Në të kaluarën e hershme, në procesin e konsolidimevet etnokulturorë të iliro-arbërvet në gadishullin e vet, me sa mund të konkludohet sot, në shekujt IV dhe V, përkundër invazionevet të fisevet barbarë, ILIRIA, nën perandorët Diokleciani dhe Konstantini i Madh, pastaj, në shekullin VI, edhe nën perandorët Anastasi IV dhe Justiniani i Madh, ka njohur një zhvillim të dukshëm.
Në këtë periudhë, pra, edhe kjo hapësirë bregliqenore shkëmbore, krahu veriperendimor i Liqenit të Shkodrës, qysh prej Shiroket e deri në Ceklinë, ka njohur një konsolidim të vetin të veçantë dhe, pas mendimit tim, është quajtur *KRAHËNI,-A, emër, i cili më vonë ka marrë formën KRANJ/Ë-A .
Trevat përballë *KRAHËNISË, për të bërë dallimin midis 2 brigjevet të Liqenit, në bazë të një krahasimi që mund ta bëjmë edhe në kohën tonë, e marrim me mend se mund të jenë quajtur *MATANA, toponim ky, i cili është ruajtur në emrin e qytetit të atëhershëm METEON dhe që më vonë ka marrë formën MEDUN.
*KRAHËNIA e Antikitetit të Vonë dhe e Mesjetës së Hershme, nuk ka përfshirë vetëm Kranjën e sotme dhe Shestanin, por ka përfshirë edhe Cërrnicën, bashkë me Ceklinën e mëtutjeshme. Kjo gjendje ka zgjatur deri në gjysmën e parë të shekullit XIV. Banorët e krejt kësaj treve ishin ARBËR, me ndonjë përjashtim të rrallë të ndonjë familjeje sllave, e cila mund të jetë vendosur këtu, qoftë para dhe gjatë sundimit të Vojisllavleviqëvet, qoftë në kohën e Nemanjiqëvet.
Në vitin 1333, apo rreth atij viti, “Car” Urosh Nemanjiqi ia ka dhuruar trevën e Cërrnicës së sotme, përfshirë aty edhe fshatin Godenjë, Manastirit të Shën Nikollës të Vraninës. Kjo është bërë me qëllim që bujkrobërit arbër, por edhe fshatarët e lirë, të cilët në gjuhën sllave quheshin ARBANASI, të mund t’i nënshtroheshin tjetërsimit, nën presionin e administratës priftërore pravosllave.
Prej asaj kohe, kjo pjesë e *KRAHËNISË, e dhuruar Manastirit të Vraninës, ka filluar të quhet *CARMËNA e më vonë *CARMËNZA, dmth tokë e CARIT, emërtim, i cili, me kohë ka evoluar më *CËRMNICA. Ndërkaq, për toponimin CEKLINË, është e qartë që vjen prej ndajemrit arbërisht I CEKËT, dmth pjesa e cekët e Liqenit të Shkodrës.
Nga shekulli XIV e këndej, pjesa tjetër e *KRAHËNISË ka vazhduar ta ruajë identitenin e vet deri në ditët tona. Ajo është quajtur KRANJË dhe, brenda këtij emërtimi, ka pasur 2 nënndarje: KRANJA E POSHTME ose KRANJA E MADHE, e cila fillonte në Shirokë dhe mbaronte në Matgush, dhe KRANJA E EPËRME, e cila përfshinte Shestanin dhe fshatrat midis Shestanit e Kranjës së Poshtme, nga Pinçi e Muriqi deri në Thtjan. Në kohë të ndryshme, e gjithë Kranja e Epërme, E Sipërme apo E Sirme, ka qenë përfshirë edhe nën emërtimin SHESTANI, me kuptim të zgjëruar.
Kjo trevë, pra treva e Shestanit me kuptimin e saj të zgjëruar, që fillonte nga Selca, kufi me Godenjën, deri në Thtjan, gjatë gjithë shekujvet ka qenë e lidhur me Arqipeshkvinë e Tivarit dhe, më tutje, me Kishën Katolike të Romës.
Janë të panumërta sakrificat që ka bërë kjo trevë për katolicizmin e vet, të trashëguar qysh nga shekulli i parë, kur Shën Pali, siç e thotë edhe Bibla, e predikonte Fenë e Krishtit edhe në Iliri. Këtë trevë, në njërin krah e godiste pravosllavizmi, në krahun tjetër e godiste rrënueshëm edhe islamizmi, deri sa, më në fund, shqiptarët e kohës së Rilindjes e gjetën formulën fatlume dhe shpëtimtare: Besimin le ta ketë secili si të dojë, por gjuhën dhe kombin të mos i braktisë e të mos i harrojë!
Kisha Pravosllave, derivat sllav i Kishës Ortodokse Greke, ndërkaq, nuk ka hequr dorë asnjëherë nga tjetërsimi fetar dhe etnokulturor i këtyre trevave. Ajo, pasi ka uzurpuar ishujt e Shestanit ( Pecanjvet, Muriqit e Besit) dhe ata të Kranjës së Poshtme, ka arritur t’i kthejë, nga ortodoksë arbër në ortodoksë pravosllavë, katundet Selcë, Krricë, Uzhdabiq dhe Pecanj. Ka mundur herë-herë të depërtojë edhe në Pinç e Ljare, por, deri në shekullin XX, nuk ia ka dalë ta ndryshojë këtë popullatë.
Edhe në Kranjën e Poshtme Kisha Pravosllave Sërbe, në të gjithë shekujt, ka tentuar të depërtojë. Në shekullin XV madje ka prurë këtu edhe selinë e Mitropolisë Pravosllave, duke e hequr atë nga Prevllaka, ku e kish çuar Shën Sava Nemanjiqi më 1219-n, por, falë kthjelltësisë së kranjanëvet dhe guximit të arqipeshkvit uniat, Imzot Gjergj Dushmanit, ajo Mitropoli Pravosllave qe detyruar të largohet prej këndej dhe të shkojë në Kom, përtej Liqenit, në afërsi të Zhablakut.
Kjo ka qenë qëndresa e kësaj popullate të Kranjës, *KRAHËNISË së dikurshme apo AGRAVONISË, siç e quante autori romak Tit Livi, qëndresë që zgjatur deri në fund të shekullit XIX dhe në gjysmën e parë të shekullit XX.
Në vazhdim të kohëvet, kësaj treve, e cila s’është tjetër, veçse një shteg i hapur për në Shkodër, iu dha goditja e rëndë me pushtimin ushtarak nga ana e principatës së sapokrijuar proruse të Malit të Zi.
Në lidhje me Shestanin, goditje edhe më e rëndë se pushtimi ushtarak malazez, iu dha kësaj popullate me KONKORDATIN FAMËKEQ, të nënshkruar midis Malit të Zi edhe Vatikanit në vitin 1896. Shestani, i cili qysh prej Shën Palit e këndej, për 19 shekuj, i kish qëndruar besnik krishtërimit dhe katolicizmit perendimor, me Konkordatin në fjalë, një dokument tejet poshtërues edhe për vetë Vatikanin, U GODIT PAS SHPINE dhe prandaj, sot, e kemi gjendjen që shikojmë, qysh prej Shushanit e deri në Salç.
E kemi gjendjen që shikojmë, por kemi edhe formulën shpëtimtare të Rilindësvet tanë të mëdhenj: Pashko Vasës, Dom Ndre Mjedës, Atë Gjergj Fishtës, Sami Frashërit, Naim Frashërit, Papa Kristo Negovanit dhe Andon Zako Çajupit, deri edhe të Cafobeg Ulqinit, i cili mbledhjet e popullit i bënte te kisha katolike në Bisht të Malit: Besimin le ta ketë secili si të dojë, por gjuhën dhe kombin të mos i braktisë e të mos i harrojë!
Ju falemndeit!
Gjokë Dabaj, Ulqin, 11 qershor 2013
………………………………………