Pashtriku.org, 17. 06. 2013 – Shkrimi i mëposhtëm është nxjerrë nga libri i shkruar nga Profesor Luigji Luka Kavalli-Sforca, i titulluar: Luigi Luca Cavalli-Sforza, Genes, Peoples and Languages, North Point Press, New York, 2000. Profesor Luigji është i lindur në Gjenovë më 1922 dhe ka qenë profesor në Kembrixh, Parma, Pavia dhe tani është Profesor i Merituar i Gjenetikës në Universitetin famëmadh të Stanfordit, Kaliforni. Profesor Luigji ishte ndër të parët që shtroi pyetjen nëse gjenet e popujve bashkëkohorë përmbajnë regjistrin historik të qenjes njerëzore. Ai dhe të tjerët iu janë përgjigjur kësaj pyetjeje, të parashikuar nga Darvini, me një Po të fortë. Libri i tij është përfundim i një pune shkencore dhjetravjeçare të tij dhe shumë shkenctarëve të tjerë me famë botërore që kanë patur si qëllim të gjurmojë historinë 100’000 vjeçare të zhvillimit njerzor. Ai ngre pyetje të rëndësishme shkencore, shoqërore dhe politike, të tilla si: Kur dhe ku u zhvilluan njerëzit? Si u perhapën shoqëritë njerëzore nëpër kontinente? Si kanë ndikuar shpikjet kulturore në rritjen dhe përhapjen e popullsive? Cila është lidhja midis gjeneve dhe gjuhës? Në libër ai gjithashtu spjegon pse nuk ka bazë gjenetike ndarja racore, etj.
– Luigi Luca Cavalli-Sforza –
Kopertina e librit të: Luigi Luca Cavalli-Sforza, Genes, Peoples and Languages
* * *
Trashëgimia njerëzore përbëhet nga dy pjesë:
– nga trashëgimia biologjike (gjenet) dhe
– trashëgimia kulturore (sjellja).
Shumë tipare si gjatësia, sytë, flokët e lëkura janë të përcaktuara gjenetikisht, por mënyra e trashëgimit është pak e kuptuar sepse këtu ndërthuren edhe faktorë të tjerë jo-gjenetikë si ushqimi, qëndrimi në diell, etj. Me përkufizim, një gjen ose njësia e trashëgimisë është një segment i ADN që ka një qëllim biologjik të posaçëm dhe të njohur (domethënë që prodhon një proteinë të veçantë). Po ashtu me përkufizim, një racë është një grup njerëzish që mund të njihen si të ndryshëm biologjikisht nga të tjerët. Studimet gjenetike janë shumë të gjëra dhe të ndërlikuara, por në mënyrë të veçantë ka tërhequr vëmëndjen grupi gjenetik mtDNA (mitochondrial DNA) ngaqë ai ndodhet në çdo qelizë biologjike. Është pikërisht ky gjen që duke harxhuar përbërsit ushqimore kimikë prodhon energjinë e nevojshme për rritjen dhe mbarëmbajtjen e qelizës. Ky fakt u përdor për të kqyrur skeletin e një burri të periudhës së Bronzit të zbuluar për shkak të shkrirejs së akujve në Alpet midis Italisë dhe Austrisë. Shkencëtarët e quajtën këtë njeri 5000 vjeçar Eci (Oetzi) dhe studimet treguan se gjeni mtADN i tij ishte në mënyrë të habitshme i njëjtë me atë të popullisë së tanishme të të njëjtit rajon. Kjo do të thotë se ajo popullatë ka qenë e qëndrueshme për të paktën 5000 vjetët e shkuar.
Po ashtu, llogaritet lehtë që tërësia e gjeneve të trashëguara (genome) e një popullate e cila pranon një thithje gjenetike të pandryshuar nga fqinjët prej 5% për brezni pas tre shekujsh do të ketë të ruajtur vetëm 70% të gjeneve origjinalë. Një shembull këtu janë Afrikano-Amerikanët që tani kanë mesatarisht 70% të gjeneve të tyre origjinale dhe 30% të gjeneve të të bardhëve. Me këtë ritëm, Afrikano-Amerikanët do të kenë rreth 10% të gjeneve të tyre origjinale pas 1000 vjetësh jetese në Amerikë. Në lidhje me këtë, numri më i vogël i njerëzve që mundëson shmangien e pasojave të dëmshme të kryqzimit nëpërmjet martesës është 500 veta. Në lidhje me kryqzimet, është zbuluar nga regjistrat e vjetër se largësia mesatare midis vendlindjes së burrit dhe gruas ishte 5-10 km për bujqit Europianë të shekullit XIX, por që filloi të rritet më vonë për shkak të ndërtimit të hekurudhave.
Natyra nëpërmjet përzgjedhjes së saj zakonisht ndikon mbi një gjen të veçantë duke përkrahur forma të caktuara të tij (alleles), të cilat andaj pëlqehen më shumë se të tjerat në ambjente të caktuara. Kështu bie fjala, njerëzit me gjak zero janë më të prirur të kenë ulçer gastrodeudonale, e cila siç është zbuluar së fundi shkaktohet nga bakteri Helicobacter pylori. Nga ana tjetër, rastësia gjenetike ndikon mbi gjithë gjenet me të njëjtët ligje të mundësisë së ndodhjes së ngjarjes. Midis gjeneve që shfaqin ndryshueshmërinë më të madhe gjeografike janë gjenet e vetmbrojtjes (immunoglobulin genes), të cilët prodhojnë kundratrupat e nevojshëm në trupin e njeriut për të luftuar sëmundjet ngjitëse.
Njerëzit e sotëm (Homo sapiens) mendohet të jenë shfaqur para 500’000 vjetësh. Kafka të ngjashme me atë të njeriut sot dhe me vjetërsi rreth 100’000 ose më shumë vjet janë gjetur ne Afrikën Jugore dhe Lindore. Ndërsa gjuhët e njeriut të sotëm mendohet të jenë zhvilluar para 50’000-150’000 vjetësh.
Çeshtja e përcaktimit të datave të hershme të zhvillimit njerëzor vështirësohet prej faktit se metoda e karbonit rrezatimlëshues 14C përcakton deri në 40’000 vjet. Kjo metodë llogarit sa thellë ka shkuar zbërthimi i karbonit 14C, por duke parashikuar që përqëndrimi i 14C në atmosferë të ketë ngelur i pandryshuar me kohën. Me rëndësi të veçantë në zhvillimin njerëzor është periudha e quajtur Neolitike që nis 10’000 vjet më parë, sepse pranohet se që nga atëhere fillon të zhvillohet bujqësia dhe përhapja e saj, gjë që solli njëkohësisht edhe fillimin e shtimit të popullsisë. Përhapja e bujqësisë qe (dhe është – shënimi im) një ndërthurje e përhapjes nëpërmjet zhvendosjes së bujqëve dhe e përhapjes së njohurisë dhe mjeteve të bujqësisë.
Periudha e fundit akullnajore filloi në Europë 25000 vjet më parë dhe vazhdoi deri 13000 vjet më parë. Nga gjetjet arkeologjike njehsohet se ringulmimi njerëzor në Europë filloi pikërisht 13000 vjet më parë dhe u përhap me një shpejtësi prej 0.5-2 km/vit, gjë që në fakt ishte sa shpejtësia e tërheqjes së akujve. Populli që i ngjason më shumë Europianëve të periudhës Paleolotike dhe Mesolitike (më të hershëm se ajo Neolitike) është populli Bask. Studimet gjenetike e pohojnë origjinën e tyre të stërlashtë. Baskët flasin një gjuhë që është tërësisht ndryshe nga gjuhët e Europianëve të tjerë (ngjashmëria me Shqipen e vërejtur 200 vjet më parë – shënimi im). Studimet gjenetike treguan se popullsia Baske ngjason me Hunzakët që banojnë në luginën e Hundëzës (ku takohen Afganistani, Pakistani dhe Kina – shënimi im) dhe flasin gjuhën Burrushaski. Paralel me këtë fakt janë edhe gjetjet e mumjeve 3800 vjeçare në pjesën më të largët perendimore të Kinës përgjatë Rrugës së Mëndafshit dhe që gjenetikisht dhe sipas veshjeve është provuar të jenë me origjinë Europiane. Mendohet se mumjet iu përkasin popullit Tokarjan (Tokë-are-janë – shënimi im), gjuha Euro-Indiane e të cilit mendohet e zhdukur tashmë por me disa shkrime të ruajtura në një shkrim të lashtë Indian.
…………………………………………….
LUIGI LUCA CAVALLI SFORZA: ALBANIANS LIVE IN BALKAN SINCE 7000 BC
Disa gjuhëtarë mendojnë se gjuha prindërore nga e cila ka lindur një familje gjuhësh duhet të rindërtohet me synimin që të shprehë një lidhje gjenetike midis familjeve. Megjithatë, metodat e deritanishme gjuhësore nuk kanë arritur të japin një pemë të vetme për të gjitha gjuhët e botës. Gjuha është një krijim njerëzor që mbështetet edhe në kulturë edhe në biologji, sepse ajo është përfundim i përzgjedhjes natyrore që ndikoi mbi ndërtimin (anatominë) dhe punën e sistemeve të brendshme (fiziologjinë) të trupit të njeriut. Pra, ndërsa vetë gjuha është një krijim kulturor, ajo në të njëjtën kohë kërkon themele të sakta trupndërtuese dhe nervore. Prandaj edhe njerëzit ndryshojnë prej kafshëve pikërisht prej kulturës së tyre të pasur dhe të regjistruar. Kultura, ose e thënë ndryshe aftësia për të mësuar nga përvoja e të tjerëve, është një ndodhi e veçantë e natyrës njerëzore që përcaktohet nga shkalla e njohurisë. Prandaj tejçimi i kulturës kalon nëpër dy hapa të nevojshëm: së pari ajo duhet të bëhet e njohur që mëpastaj të pranohet. Në këtë mënyrë Romakët ndërtuan të parën kulturë politikisht të bashkuar, ndonëse ajo më vonë ajo u shkel nga pushtuesit barbarë që vinin nga Lindja.
Krahasimi i familjeve gjuhësore në botë me pemën gjenetike botërore tregoi se ato përputhen shumë mirë. Madje familjet gjuhësore të ndërlidhura shpesh drejtohen tek një bazë e përbashkët gjenetike dhe popullore. Kjo shihet në Figurën 1 (e ruajtur si në origjinalin Anglisht), e cila përmban 38 popullata dhe 16 familje të mëdha gjuhësore. Menjëherë vërehet se popullatat fqinje në pemën gjenetike zakonisht flasin gjuhë të së njëjtës familje. Ky fakt ndihmon që të nxirret nëpëmjet pemës gjenetike data e përafërt e origjinës së një familje gjuhësore. Kështu, shumica e familjeve gjuhësore duken se janë zhvilluar 6000-25000 vjet më parë. Popullatat e përzjera gjenetikisht priren të ruajnë vetëm një nga dy gjuhët origjinale dhe, ndonëse ka huazime fjalësh nga gjuha tjetër, ato që ruhen janë format, qëllimet dhe renditjet e fjalëve tek shprehjet dhe fjalitë (gramatika).
Ngjashmëria ndërmjet zhvillimit biologjik dhe atij gjuhësor qëndron në faktin se ato pasqyrojnë të njëjtën histori të popullatave që ndahen apo zhvillohen në mënyrë të pavarur. Gjenet ndikojnë në njëfarë mënyre tek aftësa për të folur një gjuhë tjetër, por nga ana tjetër largësia gjuhësore e zvogëlon mundësinë e shkëmbimeve gjenetike ndërmjet popullatave të tilla. Zhvillimi gjuhësor është një lloj i veçantë i zhvillimit kulturor, ku shpejtësia e mundshme për një gjuhë të ndryshojë është shumë herë më e madhe se ajo për një gjen. Shembull për këtë është ndikimi që sjellin dyndjet dhe përzjerjet e mëdha të popujve. Bie fjala, gjuha Hungareze është e rrethuar nga gjuhë Euro-Indiane, ndërkohë që ajo është gjuhe Uralike. Arësyeja për këtë është dyndja në fund të shekullit IX e Magjarëve Uralikë dhe mbretërimi i mëpastajshëm i tyre në Hungarinë e sotme. Por meqenëse ato përbënin atëhere 30% të popullatës, tani rreth 10% e gjeneve në Hungari ngjason me gjenet Uralikë.
Shembujt e zëvëndësimit të gjuhës nuk janë të kufizuara vetëm në Europë, historia e shkruar e së cilës është mjaft e hershme. Kështu bie fjala, pushtimet Arjane (Arë-janë – shënimi im) 4000 vjet më parë të Persisë, Pakistanit dhe Indisë përcollën gjuhët Euro-Indiane në hapësirat ku fliteshin gjuhët e familjes Dravidian. Suksesi dhe mizoria e luftës së Arjanëve ndaj vendasve në Indi është treguar e gjallë në epikën e madhe historike të Indisë të quajtur Mahabharata, origjinali i së cilës qe shkruajtur në Sanskrit. Zëvëndësimi tërësor i një gjuhe me një tjetër ndodh më me lehtësi në prani të shtypjes poltike të organizatave të forta të të sapoardhurve, siç është rasti me Amerikat. Megjithatë, ka raste që gjuhë të veçanta të folura në vendë fqinje mund të mbesin pothuaj të pandikuara për mijra vjet edhe sikur gjenet e fqinjëve të tyre pësojnë ndryshime të pjesëshme ose madhore.
Familja Euro-Indiane e gjuhës është më e studiuara, ndonëse përpjekjet për të caktuar vendodhjen fillestare të saj kanë çuar në përfundime mjaft të ndryshme. Shkencëtarët arrijnë në përfundimin se përhapja e gjuhëve Euro-Indiane përputhet me fillimin e përhapjes së bujqësisë 9’500-10’000 vjet më parë. Duke u nisur nga metoda dhe në kohë të ndryshme, shkencëtarët arritën në të njëjtën pemë të të 63 gjuhëve Euro-Indiane, e cila paraqitet në Figurën 2 ku boshti i poshtëm tregon vitet. Në mënyrë të qartë shihet se gjuha Shqipe është më e vjetra dhe i përket kohës së fillimit të përhapjes së bujqësisë. (Sqarohet lexuesi se ar-bërës = ar-banas = arbëresh është emri i vërtetë i bujqëve që diskutohen nga shkencëtarët joshqiptarë. Rrjedhimisht dhe lehtësisht kuptohet se çfar gjuhe kanë folur ato bujq të stërlashtë dhe ato para e pas tyre. – shënimi im).
Figura 2 edhe një herë ripohon lidhjen që egziston ndërmjet biologjisë dhe gjuhësisë. Biles Çarls Darvini në librin e tij Origjina e Llojeve pat shprehur në mënyrë të kthjellët se në qoftë se dihej pema biologjike e prejardhjes së grupeve njerëzore, atëhere mund të nxirrej pema përkatëse gjuhësore. Një përpjekje e tillë nuk u bë deri në vitin 1988, kur Prof. Luigji dhe shkencëtarë të tjerë vërtetuan lidhjen që egziston ndërmjet gjeneve, popujve dhe gjuhëve vetëm pasi ato ndërlidhën të dhënat botërore të grumbulluara në gjenetikë, arkeologji dhe gjuhësi. Pikërisht mozaiku gjenetiko-gjuhësor i zbuluar shpreh qartë shkëmbimet dhe pasojat e zgjerimeve të shumta që kanë ndodhur në historinë njerëzore.
Edhe pse huazimi i fjalëve të huaja egziston, sidomos nga fqinjët, studimet dhe pemët gjuhësore tregojnë se një gjuhë ndryshon në një mënyrë të pavarur nga ndryshimet që ndodhin në gjuhët e tjera. Ndryshueshmëria në një gjuhë vërehet së pari në ndryshueshmërinë tingëllore dhe pohimi më i mirë për këtë është fakti që në çdo vend Europian, por edhe në SHBA, egzistojnë dallime në mënyrat e shqiptimit dhe theksimit të fjalëve (dialektet) midis Veriu dhe Jugut, Perëndimit dhe Lindjes. Ndryshueshmëria vërehet gjithashtu edhe në pasurinë apo mungesën e tingujve si dhe në egzistencën e fjalëve të njëjta po me kuptime të ndryshme. Studimet shkencore në lidhje me dialektet treguan se nuk ka dy fjalë dialektore që t’i kenë kufinjtë e shtrirjes të njëjtë. Shkencëtarët e shohin zhvillimin gjuhësor si një shembull të zhvillimit kulturor, prandaj ndonëse studimi i zhvillimit gjuhësor filloi në gjysmën e dytë të shekullit XIX, për to ka akoma shumë punë studimore për t’u bërë në këtë drejtim. (Shpirti i Arbërit rron! – shënimi im).