BARDHYL MAHMUTI: IDEJA E ‘SHQIPËRISË NATYRALE’ – KONSTRUKSION ‘ARTIFICIAL’ NË FUNKSION TË MANIPULIMIT POLITIK

Pashtriku.org, 25. 06. 2013 – (Reagim ndaj shkrimit të Koço Danajt “Nuk do të ketë «Shqipëri të Madhe» por do të ketë «Shqipërisë Natyrale »”) – Z. Danaj! Në raportin e forcave aktuale të shteteve me peshë në institucionet ndërkombëtare nuk mjafton “të kesh të drejtë” apo të argumentosh kërkesat “për riparimin e padrejtësive koloniale”. Kërkohet, para se gjithash, të kesh miq që të mbështesin! Miqësia nuk krijohet me nocione “artificiale” të tipit “Shqipëri natyrale”. Kjo qasje antishkencore mund të manipulojë ndonjë patriot që në shpirt ka realizimin e aspiratave tona shekullore por nuk mund të krijojë miq as në qarqet politike e as në qarqet shkencore….

– LEXONI –
DR.KOҪO DANAJ: NUK DO TË KETË ‘SHQIPËRI TË MADHE’
POR DO TË KETË SHQIPËRI NATYRALE
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=1733

*   *   *

Sa herë bëhej fjalë për krizat e njëpasnjëshme që karakterizuan Ballkanin Perëndimor në diskurset politike, diplomatike, mediatike dhe analitike një vend të rëndësishëm zënë idetë që lidhen me kufijtë e hapësirës kombëtare.
Sa i përket Çështjes shqiptare, ideja e “Shqipërisë së Madhe” u “rishfaq” në diskurset e komunistëve jugosllav (pa marrë parasysh të cilës përkatësi etnike ishin) pas shpërthimit të protestave të vitit 1981. Edhe pse një kërkesë e tillë nuk figuronte në asnjërin program të asnjërës nga organizatat klandestine shqiptare që vepronin në atë kohë ideja e “Shqipërisë së Madhe” u shndërrua në gogol! Propaganda rreth kësaj ideje do të intensifikohet gjatë tri dekadave të fundit, e sidomos në periudhën e luftërave çlirimtare.
Është interesant të theksohet se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës diskurse analogjike dëgjohen gjithnjë e më shpesh edhe nga ana e disa politikanëve apo analistëve me influencë në krijimin e opinionit publik. Për dallim nga qarqet antishqiptare të cilët “gravitojnë” rreth nocionit “Shqipëri e Madhe”, në mesin e politikanëve, analistëve dhe gazetarëve shqiptar nocionet “Shqipëri Etnike” dhe “Shqipëri Natyrale” zënë një vend që nuk mund të neglizhohet.

– Koço Danaj dhe Bardhyl Mahmuti –

Shqipëria e copëzuar nga baballarët e “miqëve” tanë të sotëm!

Sikur të ishte thjeshtë një debat idesh në mes profesionistëve të lëmive të ndryshme do të kishte qenë me interes për të gjithë të interesuarit rreth këtyre temave. Mirëpo, në kontekstin aktual ku një pjesë e territorit të shtetit të Kosovës është nën kontrollin e strukturave ilegale të regjimit të kaluar serb hapja e këtyre debateve “intelektuale” nuk mund të jetë e zhveshur nga qëllimet dhe strategjitë e caktuara politike. 
Të gjithë ata që kanë përcjellë me vëmendje zhvillimet politike lidhur me shpërbërjen e Federatës jugosllave janë plotësisht të vetëdijshëm se populli shqiptar i Kosovës u ballafaqua me një politikë të gjenocidit të ngjashme me atë që kishin përjetuar gjysmë shekulli më parë shqiptarët e Çamërisë: mbi dhjetëra mijë të vrarë dhe rreth një milion të shpërngulur….
Të gjithë njohësit e kësaj periudhe janë të vetëdijshëm se mbështetja politike dhe ushtarake që iu dha Kosovës nga demokracitë perëndimore, në krye me SHBA-të, përkundër dëmeve të konsiderueshme, reduktuan në masë të madhe pasojat e politikës shfarosëse të regjimit të Beogradit dhe pamundësuan realizimin e planit serb për Kosovën.
Gjithashtu, të gjithë janë të vetëdijshëm se falë kësaj mbështetje politike dhe diplomatike u mundësua shpallja e pavarësisë së shtetit të Kosovës dhe njohja ndërkombëtare e këtij vendimi historik.
Përkundër këtyre fakteve të pakontestueshme shpesh na ndodh që të lexojmë shkrime fyese ndaj flamurit shtetëror të Kosovës; kritika të “analistëve” pse “Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh bashkimin me Shqipërinë” e kështu me radhë. Më intereson të di se a do të pranonin këta kritikues ekzistencën e shtetit të pavarur të Çamërisë nëse flamuri i këtij shteti nuk do të ishte me simbolet e identitetit kombëtar shqiptar dhe nëse në Kushtetutën e këtij shteti nuk do të theksohej e drejta për bashkim me Shqipërinë? Apo do të qesin shkokla, siç thotë një shprehje popullore. Nëse mendojnë se kontekstet historike janë të ndryshme po u sugjeroj të lexojnë për gjenocidin në Ruanda dhe heshtjen ndërkombëtare. Vetëm nga data 6 prill deri më 4 korrik 1994 u vranë rreth 800.000 pjesëtarë të etnisë Tuci! Heshtje e plotë apo ndonjë komunikatë për shtyp!
A do të pranonin këta kritikues ekzistencën e shtetit të pavarur të Iliridës nëse flamuri i këtij shteti do të përmbante hartën e territoreve shqiptare që aktualisht janë nën Maqedoni dhe të supozojmë nja 13 yje më të mëdhenj se të flamurit të Kosovës? Apo do ta refuzonin me pretekst se numri 13 është numër “baksuz” dhe pse në Kushtetutën e këtij shteti nuk do të theksohej e drejta për bashkim me Shqipërinë?
Mund të vazhdohet me pyetje të ngjashme edhe për territoret me shumicë shqiptare në Mal të Zi dhe në Kosovën Lindore. Thelbi nuk ndryshon.
Sado ironike që t’u duken pyetjet paraprake është një fakt i pakontestueshëm se kritikat më të ashpra janë drejtuar ndaj udhëheqësve politik të Kosovës. Pra, aty ku më së shumti janë arritur rezultate!
Flamuri i shtetit të Kosovës nuk e cenon aspak identitetin tim kombëtarë dhe të drejtën time të identifikohem me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrenore! Përkundrazi! Ata që e mbajnë mend të kaluarën jo të largët dhe mungesën e shtetësisë së Kosovës u kujtohen shtypjet dhe poshtërimet që na janë bërë në të gjitha fushat dhe simbolet që karakterizonin identitetin tonë kombëtar! Në të njëjtën mënyrë si sot nën Serbi, Mal të Zi e nën Maqedoni!
Aktualisht është duke u zhvilluar një luftë e vështirë politiko-diplomatike rreth sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe në këtë proces të vështirë harmonizimi i qëndrimeve, sidomos me aktorët vendimtarë në marrëdhëniet ndërkombëtare, është jetik për ardhmërinë vendit.
Qëndrimi i SHBA-ve dhe i BE-së për mos ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe mos bashkimin e Kosovës me ndonjë shtet tjetër aktualisht është qëndrim që shkon në interes të ruajtjes së tërësisë territoriale të vendit tonë. Aq më tepër kur kemi një situatë të tillë ku pjesë të tëra të territorit tonë funksionojnë jashtë kontrollit të institucioneve shtetërore të Kosovës. Në këtë kontekst politik dhe diplomatik të aktualizosh “riparimin tërësor dhe jo pjesor të padrejtësive koloniale që janë bërë ndaj shqiptarëve përmes krijimit të Shqipërisë Natyrale, domethënë, Shqipëria në kufijtë e saj natyrale” siç bën Koço Danaj, është qasje antishkencore dhe mund të jetë me efekte negative.
Kur them qasje antishkencore kam për bazë tipologjinë (Shqipëri artificiale/Shqipëri natyrale) që bën z. Danaj. Në shkencat shoqërore marrëdhëniet shoqërore trajtohen në tërë kompleksitetin që i karakterizon dhe sidomos një trajtim të veçantë u kushtohen raporteve të forcave si në rrafshin lokal ashtu edhe në atë rajonal e ndërkombëtar. Në këto marrëdhënie nuk ka asgjë artificiale apo natyrale. Ka raporte forcash!
Të marrim krijimin e shteteve kombëtar. Ky proces është një proces historik që ndodh në një kontekst shoqëror dhe rezultat i një raporti forcash. Aktualisht në botë ekzistojnë rreth 6000 etni të veçanta dhe numri i tyre vjen vazhdimisht duke u zvogëluar si pasojë e asimilimit. Ndërsa kemi rreth 200 shtete (193 shtete anëtare të OKB-së)!
Sikur të ishte e vërtetë ajo që pretendon z. Danaj se gjoja “marrëdhëniet e reja ndërkombëtare mbështeten në forcën e së drejtës e jo në të drejtën e forcës” mozaiku i shteteve do të ishte ndryshe. Do të kishim, së paku shtetin e popullit të Kurdistanit me rreth 40 milion kurdë dhe me 503 000 km². Realiteti është ndryshe! Sot kemi shtete të pavarura me sipërfaqe 44 hektarë (Vatikani), Monakon me rreth 2 km² dhe me dhjetëra shtete të pavarura që kanë nga dhjetëra km² e me dhjetëra mijë banorë! Mund ta quajmë si të duam: padrejtësi historike, padrejtësi politike apo çfarëdo lloj padrejtësie. Kjo nuk e ndryshon faktin se marrëdhëniet ndërkombëtare funksionojnë mbi raporte forcash!
Z. Danaj!
Në raportin e forcave aktuale të shteteve me peshë në institucionet ndërkombëtare nuk mjafton “të kesh të drejtë” apo të argumentosh kërkesat “për riparimin e padrejtësive koloniale”. Kërkohet, para se gjithash, të kesh miq që të mbështesin! Miqësia nuk krijohet me nocione “artificiale” të tipit “Shqipëri natyrale”. Kjo qasje antishkencore mund të manipulojë ndonjë patriot që në shpirt ka realizimin e aspiratave tona shekullore por nuk mund të krijojë miq as në qarqet politike e as në qarqet shkencore.
Hapësirat shtetërore z. Danaj ngërthejnë në vete sipërfaqen tokësore, nëntokësore, ujore dhe ajrore. Përcaktimi i këtyre hapësirave është rezultat historike i luftës në mes forcave lokale, rajonale dhe ndërkombëtare. Le të mblidhen hidrologët e cilit do vend të botës dhe le të na tregojnë me “argumente shkencore” se me çfarë kriteresh “natyrale” u përcaktuan kufiri detar me Graqinë, Italinë, Malin e Zi? Çka ka karakteristikë kombëtare uji i detit në këtë anë të kufirit të Shqipërisë që dallon nga uji i detit në anën tjetër të kufirit? Apo mos peshqit dhe karkalecat i kemi “kuq e zi”? Çka ka karakteristikë kombëtare hapësira ajrore shqiptare nga hapësira ajrore e kombeve fqinje? “Oksigjenin shqiptar”?! Apo cilat janë karakteristikat të shpezëve që jetojnë në hapësirat tona kombëtare? “Apo shqiponja shqiptare”?!
Zoti Danaj!
Nuk ka asgjë natyrale e as artificiale në marrëdhëniet shoqërore! Në kontekstin aktual, po e ripërsëris, është duke u zhvilluar një luftë politike dhe diplomatike për të shtrirë sovranitetin e Kosovës në tërë territorin e saj! Rezultat i kësaj lufte nuk do të varet nga “idetë e mëdha” që do të shtrohen por nga përkushtimi serioz për të instaluar vlerat dhe parimet demokratike në tërë territorin e Kosovës. Harmonizimi i pikëpamjeve të aktorëve të Kosovës lidhur me strategjinë që institucionet e vendit duhet të aplikojnë në raport me strategjitë e fuqive demokratike është kusht i domosdoshëm për të pritur rezultate të favorshme për shqiptarët.
Vetëm duke harmonizuar qëndrimet me shtetet e demokracive perëndimore mund të krijohen raporte të reja në të cilat edhe shqiptarët e Iliridës dhe të Luginës së Preshevës (të cilët nuk kanë statusin shtetformues siç jeni të informuar gabimisht z. Danaj) si dhe shqiptarët në Mal të Zi dhe ata të Çamërisë t’i realizojnë të drejtat dhe aspiratat kombëtare.
Në këtë dinamikë zhvillimesh politike dhe diplomatike idetë e “mëdha” si “Shqipëri e Madhe”, “Shqipëri Etnike” dhe “Shqipëri Natyrale” nuk i shërbejnë krijimit të aleancave të qëndrueshme me fuqitë demokratike në botë! Përkundrazi!
Në këtë kontekst shoqëror e historik të mbushur me padrejtësi të mëdha të trashëguara nga e kaluara vetëm ata politikanë që nuk bien në grackë të konstruksioneve propagandistike “artificiale” mund të krijojnë raporte miqësore “të natyrshme” për të realizuar pjesërisht apo tërësisht aspiratat tona kombëtare. Sot më shumë se kurrë më parë shqiptarëve, kudo qofshin ata, u duhet t’i artikulojnë veprimtaritë politike, ekonomike, arsimore, kulturore dhe të gjithanshme që në këtë trend të globalizmit të dalin fitimtarë. Vetëm duke mbështetur personalitetet e dëshmuara si në rrafshin politik ashtu edhe në atë atdhetar mund të rrisim gjasat se aspirata politike e elaboruar në kohën e krijimit të shteteve në Ballkanin Perëndimor dhe e shtruar në Programin Politik të Lidhjes së Prizrenit do të avancohet në përputhje me rrethanat e krijuara.
Bardhyl Mahmuti, 23 qershor 2013

=======================

FLET BARDHYL MAHMUTI…

FLET KOҪO DANAJ…

……………………………………….

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura