Pashtriku.org, 05. 07. 2013 – (Fjala e Glauk Konjufcës në seancën parlamentare të datës 04. 06. 2013) – Më 27 qershor Qeveria e Kryeministrit Thaçi e ka vendosur Kosovën në një drejtim të qartë. Kjo është rruga e mohimit të vetëdijshëm dhe të qëllimshëm të të gjitha vlerave, sakrificave, mundit, vuajtjeve dhe përpjekjes së parreshtur kombëtare për liri nga Serbia dhe barazi mes kombëve.
Më 27 qershor këtu në Kuvendin e Republikës së Kosovës u vendos padrejtësisht që Kosova karshi Serbisë të përcaktohet si shtet vasal. Ju keni vendosur për vasalitet. Mjafton t’i përmendim 4 elemente për ta argumentuar këtë marrëdhënie nënshtruese e cila u institucionalizua me ratifikimin e marrëveshjes mes Thaçit e Daçiqit.
Elementi i parë është emërimi në krye të policisë së Kosovës i njeriut që urdhërat i merr në Beograd. Gjuriqi trupin e ka në Kosovë, por kokën e ka në Beograd.
Elementi i dytë është karakteri serb i institucioneve të veriut të Kosovës që u sanksionua me marrëveshje. Përderisa në Prishtinë nëse je serb mund ta dorëzosh kandidaturën edhe për President, në veri të Kosovës, nuk ke të drejtë as të kandidosh për komandant të policisë nëse je shqiptar. Kjo ia jep marrëveshjes një përmbajtje thellësisht antidemokratike dhe antievropiane, sepse e kodifikon ligjërisht diskriminimin etnik. Dërgojeni këtë marrëveshje në çfarëdo gjykate evropiane të të drejtave të njeriut: me garanci të plotë them që ajo do të rrëzohej si diskriminuese nga aspekti i të drejtave të njeriut. Njëjtë mund të thuhet edhe për ndarjen e Gjykatës së Apelit.
Elementi i tretë është amnistia që po iu jepet kriminelëve të cilët e kanë spastruar veriun e Kosovës nga shqiptarët. Kanë ngritur barrikada dhe me forcën e dhunës e krijuan autonominë e veriut e cila u bekua nga Qeveria e Hashim Thaçit. Me këtë ligj po shpëtohen edhe Veslinoviqi edhe miqtë e tij milionërë të politikës në Prishtinë.
Kurse elementi i katërt i vasalitetit është caktimi i datës së zgjedhjeve tona nga Serbia. Daçiqi është ai, e jo ne, që ka vendosur për datën e zgjedhjeve të Republikës së Kosovës. Kur një Qeveri apo Presidencë pajtohet që një shtet tjetër të ta caktojë datën e zgjedhjeve, e në këtë rast Serbia e cila është përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë, plagët e të cilës janë ende të hapura – zonja dhe zotërinj ky është dorëzim i sovranitetit. Në marrëdhëniet ndërkombëtare ky është pranim i vasalitetit. Këtu dinjiteti shtetëror është tretur. Por kjo zaten, nuk mund të jetë ndryshe për sa kohë që vetë ata të cilët personalisht nuk kanë dinjitet politik e publik, nuk mund t’ia japin shtetit një gjë që s’e kanë vetë.
Kosovës po ia kërkojnë ndryshimin e kushtetutës dhe ligjeve. Serbisë po ia kursejnë kushtetutën dhe ligjet e saj. Kosovës po i preket territori dhe po i krijohet brenda një autonomi serbe me buxhet të ndarë si dhe kompetenca duke filluar prej zhvillimit ekonomik e deri të drejtësia e policia. Kurse shqiptarët e Luginës po i lëshojnë territoret e tyre të shtyrë dhunshëm nga trajtimi çnjerëzor i Serbisë. Serbisë po ia garatojnë fillimin e bisedave për anëtarësim në BE. Neve as liberalizimin e vizave dhe qarkullimin e lirë. E si mund të thuhet pra, pas të gjitha këtyre gjërave se kjo marrëveshje është evropiane dhe se i kontribuon stabilitetit rajonal?
Jo vetëm që më 27 qershor u vendos vasaliteti i Qeverisë sona ndaj Serbisë, por dëmet shkojnë më larg se kaq. Më 27 qershor u vendos edhe vasaliteti i opozitës ndaj pozitës. U bë fare e qartë se të ashtuquajturit deputetë opozitarë, kur e kritikojnë Qeverinë aktuale, e kanë fallsitet.
Sepse interesat e tyre në prapavijë lidhen më fort sesa ndarjet e tyre teatrale në Kuvend dhe televizor. Por shyqyr që më në fund u bë e qartë se për një pjesë të madhe të opozitës, qëllimi politik reduktohet në zëvendësimin e Thaçit përbrenda projektit të njëjtë politik. Kur dëshiron ta zëvendësosh dikë, jo për ta ndryshuar drejtimin e tij të gabueshëm, por vetëm për t’ia zënë vendin, zonja dhe zotërinj, ky nuk është ndryshim: ky është imitim. Të gjitha ata që hiqen si kundërshtarë mediatikë të kësaj Qeverie, por kur është puna e servilitetit para ndërkombëtarëve, Hashim Thaçit i bëhen rresht për një, janë do Hashim Thaça të vocërr, apo fotokopje e tij. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse sa kohë që ai do të jetë në pushtet, ata nuk do të jenë veçse nën sqetullën e tij. E kur ai të mos jetë më, dhe në Kosovë të lind një epokë e re, të gjithë do t’i merr me vete.
Prishtinë, 4 korrik 2013 – Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!