REXHEP KASUMAJ: PLUHNAJA E KALOSHINËS TURKE (FETISHIZIM I ROBNISË)

Berlin, 08. 07. 2013 – Hyrja zelltare e me korrespondencë nga larg, e shqiptarëve në oborrin politik turk, vete përtej donkishotizmit. Është më tepër se kaq. Godet drejt e në themelet e kombit. Dëshmon paaftësinë e tyre për jetë të lirë e të mëvetësishme.
1.

Në kuvendimin e vajzës, Katërinës, me rastin e botimit të “Njeriut të parë” të Kamysë (dorëshkrim që pati me vete në çastin e aksidentimit tragjik), do të gjeja portretimin e mahnitshëm për babanë e madh: “Ishte vetmitar dhe i qëndrueshëm”. Pas kënaqësisë së leximit, do t’më vinte vetishëm ideja e një analogjie të dhimbshme. I vështruar në rrafsh kolektiv, ky vlerësim kaq i saktë e sintetik më bëhej se i shkonte krejt përshtatshëm dhe kombit shqiptar. Së paku, kështu mësonin lektyrat e historisë. Ishim të paktë, nuk i përkisnim asnjë trungu familjar popujsh dhe, me vullnetin e Hyut, kishim zënë hapsirën jetike që gëzonte epitetin fatkeq të fatalizmit gjeopolitik.
Mirëpo në “vetminë qendrestare”, kishte mëkatin e vet dhe përçarja tipike dhe njëlloj akomodimi shfytyrues me okupatorë aq shumtë e barbarë. Pikërisht kjo rrëzomë rreket të rikthehet, si dorasi në vendin e krimit: mallëngjimi për të qenë i sunduar!

Zbarkimi i trupave intervencioniste veriatllantike do të dëbonte forcërisht shtetin serbian nga Kosova dhe shqiptarët, pas qindra vitesh, do të preknin lirinë. Magjepsjen e saj. Ndjesia e mirënjohjes ishte e çiltër dhe e thellë. Por, ashtu si dijnë, turras e snobisht, ata adoptuan shpejt kalendar festash, orare pune, manire të keqkuptuara perëndimore e, për një çast, vunë Kosovën imagjinarisht në qendrën e botës. Mandej, me pezm idhnak, do të shihnin se perceptimi i huaj nuk e përligjte krenarinë. Dhe në vëmendësoheshin për ta qeveri e organizma ndërkombëtarë, aherë e bënin këtë kujdestarisht: si për krijesën e parritur ose të retarduar!
Më pas, poashtu shpejt, do t’vinte tërheqja, dyshimi dhe ftohja e papritur. Përgjithësisht kjo është e spjegueshme me zhgënjimin real që, rëndom, pason pritjet e mëdha.
Por a ishte kjo arsyeja e vetme e sprapsjes?
Përse shpifen e justifikohen sërish udhëkryqe çorientuese, fokusuar terrshëm e turbull?
Ndërdyshjet në shenjimin e prirjes strategjike i dëshmon dhe përpjekja për të mësuar shtet e demokraci dhe për rigjetjen historike të gjurmës së humbur. Ditë më parë (fillimi i qershorit), në Shkup do të demonstronin një tubë shqiptarësh në favor të pozicionimit ashpërsor të premierit turk Erdogan në përplasjet e tij me Lëvizjen e Taksimit. Përflitet që ai tu ketë shprehur atyre miradijen e thellë. Vetëm pak më vonë, pa u shpërndarë tymi i solidarësisë shkupjane, në Tiranë ( mesi i qershorit) do të ndodhte një angazhim tjetër qytetar, tashmë në kahun diametral: një masë shqiptarësh do ti bëheshin krah revoltës antiqeveritare turke!
Shkaqet e një ndërmjetëse të tillë folklorike dhe, poaq, të pamirë, gravitonin nga sentimentet fetare në Shkup dhe deri tek pretendimet e paraleles politike në Tiranë. Votra cytëse e tyre s’është pa implikime në vrujimet nacionale – por për vështrimin tonë e parëndësishme. I rezervojmë ato për një temë tjetër. Çështje fundore, ndërkaq, do t’ishte: ç’xanxë kanë shqiptarët që, përgjithësisht, me kritikë ose apologji të murmurimës stambollite, duan, e, sikur ingranohen aktivisht në proceset dhe jetën politike turke?
2.
Kur para shumë vitesh, Jörg Heider (tashmë i vdekur), që u pat latuar si neonacist i pandreqshëm, do ti fitonte zgjedhjet në Austrinë dalëzotëse të indipendencës, e pastaj gjithnjë, të interesit kombëtar shqiptar, Europa vuri nën bllokadë sanksionesh guvernën e tij ksenofobike. Madje, më zëforta e të gjithëve ishte Gjermania e fortë vllezërore. Ajo desh të provonte se fantazma e messhekullit të ikur nuk do të gjente më strehë në shpirtin e saj. Por Jörgu vetë ishte një burrë i zoti. Kishte dije dhe njihte e çmonte miqësitë. Më kujtohet, si sot, fjala e tij mbresëlënëse në hapjen e një ekspozite të trashëgimisë etnografike shqiptare nga patriotë të devotë (në Vjenë, me sa di unë). Kish vizituar atë dhe, në dalje, do të pohonte pietetshëm: Po, po, e kam të njohur e të dashur këtë kulturë të lashtë ilirike!
Shqiptarët atëbotë nga asnjë feudë e tyre nuk dolën shesheve as për të mbrojtur vlerat e qytetnisë së Europës, të mohuara nga djathtizmi ekstrem, e as në mbështetje të Heiderit dhe Austrisë së tij të vetmuar. Zgjedhja ishte tepër e lehtë. Nuk pati kurrëfarë dileme të rëndë morale a politike: Europa kishte të drejtë. Por fillesë e diskursit të shtruar nuk është qortimi: pse pati heshtje? Sepse dhe shfajsimi kje i thjeshtë: sepse duhej të heshtej! Kështu kishte ndodhur anëpërtej kontinentit. Fijet politike i artikulonin qeveritë, pra (nëse e kanë bërë) dhe qeveritë tona të shumta shqiptare. Abstenimi ose shkujdesja për leçitjen e Heider-it, nuk ishte kumt i harresës, bukëpërmbysjes apo i pandjeshmërisë së tyre. Aq më pak i ndarjes së rrugëve mes shqiptarëve dhe Europës. Zallahia publike ishte e panëvojshme, madje infantile. Po dhe sikur të rrjeshtoheshin me bujë, drejtësisht apo gabimisht, ata, disi, sërish do t’mbeteshin brënda shtegtimit natyral për të kaluar pragun amtar të saj.
3.
Përse, prandaj, manifestantët a, më saktë, mentorët e tyre frymësorë, nuk ndoqën aherë itinerarin e xhixhshëm politik të Republikës alpine (e tani ecejaket, shpesh konfliktore, të Europës rreth etablimit identitar të saj), ndërsa rendin kësokohe të ndërkryer pas kaloshinës turke në rrugëtimin e pluhurosur prapa diellit? “Spiegel”-i konstatonte ekzistimin e dy Turkive: asaj të zezës, me banorësi të ngjyrosur që kërkon islamizimin e ngulitjen aziatike dhe Turkisë së bardhë që anon nga Europa e civilizimi oksidental. Asgjë e re. Këto korrente i gjejmë si rivalizime që do ti merrnin jetën edhe sulltan Murat Hanit në betejën e Kosovës. Po, pavarsisht prirjeve politike, ç’punë do t’kenë shqiptarët me fitimtarët apo humbësit e saj?
Ç’të jetë, pra, kjo ligësi fantasmagorike?
Vepër rrethesh të shpirtshitjes fitimprurëse?
Komplot i armiqëve sllavë?
Syndrom i Stokholmit, kur viktimat përjetojnë një afrimitet të ngrohtë e nyjëtim emocional me dhuntarët?
Apo, ngjashëm me stokholmianen, revansh i kujtesës perandorake që nuk arkivohet dot?!
Krejt ndryshe, imanentisht ndryshe janë trazirat tejbosforike dhe rrjedhojat e impenjimit të marrëzishëm shqiptar. Është antihistori klasike ky lloj identifikimi negativ dhe ndjesie familjariteti të pasoj me punët e pasrendësve otomanë. Kam parë me herët, në motet e diktaturave që patëm jetuar, shumë përshfaqje të tilla groteske. Përkraheshin lëvizje proletarësh e të painkuadruarish tek, si thoshin aherë të ngazëllyer e me trishtim shtihan, vuanin nga shtypja e shfrytëzimi i tiranisë brutale të kapitalit. Natyrisht, për dramat që spërkateshin me gjak, gjenin rastin të prononcoheshin legjitimisht dhe organizma civilë të të drejtave e njeriut, fragmentë opozitarë, intelektualë të përndjekur apo sovranë të rrëzuar.
Por e ngjashme me grotesken, simbolika e rrëmujës shqiptare është vetore në veçanësinë e saj: ajo thërret e rekomandon përngjitjen fizike me korpusin turk. Përmallimin, shkruan John Pilger në librin e tij “Qëllimet e fshehura”, kishte marrë obligim ta shpërndante edhe Radioja britanike e BBC-së, si opium në opinionet politike foshnjarake të ish-kolonive të mëvetësuara! Por, për dallim prej britëve, protagonistët tanë bëjnë pokështu një ftesë, por mjerisht për të kundërten: për vajtje nën këmbët e invadorëve të tyre!
Asnjë religjion nuk është më i rëndësishëm se e vërteta (pohonte Gandi), po, sidomeqenë, do ta mirëkuptonim ngushëllueshëm atë mbetje fisnikësh imperialë (të yshtur a jo, nga politika dorëfshehtë) që sikur ende bashkëjetojnë me dertet e tij. Mirëpo, këtu nuk mbaron lumnisht e gjitha. Zgjimet nostalgjike ose, sidomos interesat meskinë, janë zindjellës dhe ekspansivë. Që këtej, për shkak të pushtimit të vjetër dhe trysnisë së re të turqëve për të rishikuar historinë dhe, si pasojë, për të ngjizur një status marrëdhëniesh speciale me Kosovën e Shqipërinë, hyrja zelltare e me korrespondencë nga larg, e shqiptarëve në oborrin turk, vete përtej donkishotizmit. Është më tepër se kaq. Godet drejt e në themelet e kombit. Dëshmon paaftësinë e tyre për jetë të lirë e të mëvetësishme. Dhe ç’është më keq, tani vasalitetin që merr formën e përmasës fenomenale, e kërkojnë përmallshëm e kundërnatyrshëm në ish-metropolin sulltanor: prehjen e sërishme në parzmin e madh të Azisë së vogël!
Ngasja e binjakërisë vetmohuese të shqiptarëve, konvergjon plotësisht (ndoshta si pjellë e tyre?) me politikat paternaliste të Ankarasë. Po ky s’është veçse një mashtrim. Tokat e arbërit nuk janë caku i projektuar i dashamirësisë. Janë vetëm një stacion në transversalen e piketuar islamike, që do tu bënte atyre një shërbesë në aventurën e ringjalljes së trokut të moçëm imperial dhe të sipërisë së gjakuar kompetitive në Ballkan. A nuk e paralajmëronte këtë doktrinë vetë ministri i jashtëm turk në Ligjëratën ne Sarajevës, Davutogllu, kur theksonte se Gadishulli kurrë s’ka qenë më i paqtë e i lumtur se në kohët e dikurshme të osmanëve?
Ç’hipokrizi!
4.
Një qëndrim i hershëm i Sartërit, do t’më nxiste një meditim frymëshuar. Anipse admironte sovjetët bolshevikë, i pyetur se e shihte ai vetë të mundshme jetesën nën sistemin e tillë, kishte thënë:” Jo, është i mirë për të tjerët, po jo për mua”! A mos, ndoshta, shqiptarët mesazhojnë po këtë dyzim moral – veç me logjikë e drejtim tjetër, më pellgor, thirravajës e çekulibrues, që vijëzon trojet e tyre si hinterland turkie? Që domethënë se liria, barazia dhe egalitarizmi europian, janë të mira – po nuk janë për ta? Sartëri e pëlqente komunizmin larg tokës franceze. Ishte i mirë vetëm për të tjerët që “janë ferr”. Ndaj, megjithë flatrimet teorike, ai, hedonist e atdhedashës, refuzonte të keqen. Ndryshe prej tij, shqiptarët, një eshalon i eksponuar i përbetimit të errtë, grishin të keqen duke dërguar, ashtu, verdiktin për nënqiellin e rihapur anadollak: nuk është i mirë, por është për mua! Dhe ngjan fundbotshëm më pikëlluese, të mendosh se vendi i Sartërit nuk jetoi kurrë komunën e stepave, kurse trualli i vjetër shqiptar, mezi ishte këputur e, për ironinë therëse, përlotet mallit për vargojt robnorë pesëqindvjeçarë të gjakësit obskur.
Është, gati, e pamundur të mos beh ora e dëshpërimit, që, pasi ka akumuluar gjithë psherëtimën e botës, shpërthen në pyetjen ekzistenciale: athua, paskësh qenë e thënë që liria e shqiptarëve të mos jetë veçse një moment, një intermezo e alternimit të sundtarëve të huaj? E, gjithnjë me ideologji, kredo e trajtë tjetër që diktojnë konjukturat e kohës? Në nisje të qindvjetit të kaluar iku turku e mbërrini serbi, kurse tash, një shekull më pas dhe në simbolikën e tij, si në makth të pambarim, iku serbi e turku jepet sërish në horizont. Kulmi i tragjikes nuk janë ata. Janë shqiptarët, ajo galeri rimohuesish të pakokë, që shkojnë vetë drejt tyre. Një fatkeqësi që fqinjëron me vdekjen. Gjeopolitike sigurisht, po, si thamë, dhe fetish i përsosur i vetëprishjes vullnetare.
5.
Porse, që nopraniteti të mos bëj ligjin përherë, në gjithë katrahurën kishte dhe një shenjëz të vogël të mbarë. E çuditshme? Gjithsesi! Nëse plasjet e përjetshme ishin një brejcë që bjerrte lirinë e rrudhte trojet shqiptare, ajo kësaj radhe do të trathtonte fillin e permanencës: nuk njësoheshin dot në këtë nismë greminore. Një palë i përfaleshin parisë së Ankarasë, ndërkohë që tjetra e shpallte të ligjshme kauzën rebeltare.
Ah, sikur të bashkoheshin njëherë, jo për të uruar a mallkuar xyfjet turke, serbe a greke – por për një ideal tjetër: për të mbushur udhët e sheshet e kryekasabave të tyre (Tiranë,Tetovë e Prishtinë) me aspiratën supreme popullore (kur e lyp puna – e kjo ndodh, gati, përherë) për qeverisje të moralshme dhe efiçente. Që Europa të mos përceptohet si një kodeks normash të përdhunshme, po si çelës e kulturë i politikës dhe jetës. Dhe, tutje, konzistenca të ishte e tillë, pra unike dhe mondane, që ose ti shtrëngonte të jetësonin ëndrrën ose t’përtrollisnin pushtetet e degjeneruara të tyre. Vota e shkretë, deritash, nuk inauguronte dot shpresë. Në landet e shqiptarëve ajo ishte jetime në duar despotësh të përgjakur. Gjithë popujt e civilizuar që bëjnë referencën tonë përndritëse, kanë kaluar pengore e krusma monokracish tinzare. Dhe poashtu, pothuajse, të gjithë kanë dhënë tagrin e kryengritjes e mortit për shfronsimin e tyre. “Atje ku përjashtohet forca, nuk ka asnjë të vërtetë”, thotë sërish Kamy, njeriu i vend-djepit të lirisë. Është ngrohtësisht e çmueshme Prania e huaj, mbrojtëse dhe edukative, në Kosovë. Është e papërftyrueshme mosqenia e saj. Por ajo, megjithëse përparëson qëndrueshmërinë me çdo kusht, do ti vlerësojë “indigjenët” vendorë për aq sa ata vlerësojnë vetëjetesën e tyre. Fundja as aleanca nuk ka kuptim nëse liria e shqiptarëve keqkuptohet si flijesë apo ndeshvlerë e principeve dhe filozofisë së saj!
Përmbyllshëm konkludojmë se, përgjigja e mundshme nëse një dorë shqiptarësh urrejnë qenien e vet, mbase, do të kishte dhe peshën e ftomës pasndjekëse: është i vështirë alfabeti i lirisë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura