FATMIR GRAIҪEVCI: MBETJET MERCENARE TË UDB-së NË LYPJAN KUNDËR HERONJËVE TË NDSH-së

Lypjan, 18. 07. 2013 – (Në komunën e Lypjanit vazhdon përbuzja, poshtërimi dhe anashkalimi i luftëtarëve të shquar të NDSH-së) – Është për keqardhje dhe kombëtarisht i dënueshëm trajtimi që zyrtarët e komunës së Lypjanit po ju bëjnë disa personaliteteve me rendësi të përgjithsme kombëtare, që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në luftën kundër pushtimit të Kosovës nga Serbia dhe për krijimin e një Shqipërie, e cila do të shtrihej gjithandej territoreve ku jeton kombi shqiptar.
Përbuzja, përdhosja dhe keqtrajtimi i personaliteteve të tilla dhe familjeve të tyre gjatë kohës së pushtimit të Kosovës nga Serbia, mund të kuptohet sepse dihet se si të trajton armiku, por kur ky trajtim vazhdon edhe gjatë kohës kur Kosova është e lirë, kjo nuk mund të pranohet në asnjë mënyrë. Duket se në Kosovë e cila asnjëherë nuk ka qenë sovrane në kuptimin e fjalës, është krijuar një tip njeriu, i cili di t’iu përshtatet të gjitha regjimeve, një tip njeriu kameleon, kurdoherë I gatshëm për të përfituar gjithçka nga ambienti në të cilin jeton.
Njerëz të tillë ka gjithandej nëpër Kosovë, e sidomos në Lypjanit, ku fara titiste rankoviqiste është mbjellur në një terren të përshtatshëm dhe ka lëshuar rrënjë të thella. Edhe këtu ka kuadro që kanë studiuar me shumë zell dhe përkushtim marksizëm – leninizmin, kanë kryer studimet partiake në Shkollën e Titos në Kumrovc, kanë denoncuar dhe leçitur edhe familjarët e afërm në vitin 1981, kanë bashkëpunuar me strukturat kriminale serbe të kohës së Milosheviqit edhe gjatë kohës së luftës së UÇK-së dhe të tillët sot sot hiqen si democratë e shkuar demokratëve sikur ka të tillë që njëherë e një kohë mallkonin dhe shanin të gjithë ata që nuk iu ishin bashkangjitur aradhave partizane të udhëhequra nga Fadil Hoxha me shokët e tij, Ali Shukria, Xhavit Nimani, Josip Broz Tito, Aleksander Rankoviqi, që vrisnin, torturonin e bënin kërdi mbi shqiptarët liridashës por që ia kishin kthyer pushkën Serbisë e dëshironin të krijonin Shqipërinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Çdo komb mund të ketë robëridashës dhe mjeran të tillë që dita e tyre zgjatë aq sa zgjatë robëria por me ardhjen e lirisë të tillët dërgohen aty ku e kanë vendin fundërrinat por ka kohë që kjo nuk po ngjet në Kosovë ku bënë pjesë edhe komuna e Lypjanit.

Ka kohë që një komision i kësaj komune po bënë përpjekje për të emërtuar rrugët e qytetit dhe të fshatrave të kësaj komune. Është shpresë-dhënës se disa rrugë janë emërtuar me emra dëshmorësh apo të persekutuar shqiptarë. Por shpresa dhe gëzimi shuhen sakaq kur kupton se shumica e të emërtuarve kanë familjarë që punojnë nëpër pozita të ndryshme në komunën e Lypjanit apo Qeveri ndërsa për ata dëshmorë që nuk kanë të punësuar në komunë, qeveri apo dikund tjetër, nuk figuron askund emri i tyre!. Kjo bënëqë të parashtrosh pyetjen se athua emërtimi i rrugëve me emra dëshmorësh apo të burgosurish politik është vullnet i anëtarëve të komisionit apo tregon se ata jo që çmojnë dëshmorët por që nëpërmjet emërtimit të rrugëve me emrat e tyre mundohen të na tregojnë se ata e duan dhe e vlerësojnë luftën çlirimtare dhe dëshmorët e saj. Përveç kësaj nuk duhet përjashtuar edhe një fakt tjetër që ka të bëjë me zgjedhjet komunale dhe se të obsesionuarit pas pushtetit janë në gjendje të bëjnë gjithçka për të hyrë në lista zgjedhore dhe për të përfituar vota! Të pasionuarit pas pushtetit janë në gjendje të bëjnë gjithçka për pushtet dhe për përfitimet materiale që ofron pushteti. Të tillë janë edhe disa partiash të Lypjanit që janë zgjedhur nga partitë e tyre për të krijuar komisionin për emërtimin e rrugëve në qytetin dhe komunën e Lypjanit. Ata janë: Muhamet Shabani, nga Lidhja Demokratik e Kosovës, Mevlyde Shamolli, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, Idriz Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, Jalldyze Gashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Blerim Gashi, nga Aleanca Kosova e Re.
Janë të shumtë dëshmorët që kanë dhënë jetën dhe pasurinë për çlirimin e Kosovës, por meqë nuk kanë asnjë të punësuar në komunë apo qeveri, këta janë anashkaluar djallëzisht nga komisioni i lartëpërmendur i cili pretendon ta zhdukë veprimtarinë e tyre patriotike dhe nacionaliste edhe nga kujtesa popullore. Por kjo nuk është më e keqja. Një rrugë e Lypjanit pas përfundimit të luftës çlirimtare ka mbajtur për pak vite emrin “Kadri Beba” njëri nga krerët më të njohur të NDSH-së, por anëtarët komisioni të lartëpërmendur ia kanë hequr emrin e tij ani pse ai gjatë vitit 1913 ka luftuar kundër depërtimit të forcave serbe në Kosovë, ka qenë i përndjekur dhe i dënuar me burg gjatë mbretërisë Serbo – Kroato – Sllovene, ka bashkëpunuar me kryengritësin kundër kësaj mbretërie, Azem Bejtë Galica, ka marrë pjesë në Lidhjen e Dytë të Prizrenit, një ndër drejtuesit të Kongresit të Lypovicës, një ndër drejtuesit e Lëvizjes Nacional – Demokratike të Kosovës dhe që luftën e armatosur kundër ripushtimit të Kosovës nga Serbia nuk e ndali as në moshën 70 vjeçare derisa u dënua me vdekje dhe u pushkatua në vendin e quajtur Tauk Bahqe në Prishtinë, në mars të vitit 1948, pikërisht në vendin ku ishin pushkatuar edhe bashkëluftëtarët e tij, Gjon Serreqi, Ajet Gërguri e qindra liridashës të tjerë të dëshmuar të Kosovës dhe Shqipërisë. Ndonëse sipas mendësisë puthadore të këtij komisioni, në qytetin e Lypjanit ka rrugë dhe institucione me emrat e aktivistëve të fushës së sportit, ish të burgosurve politikë, gjë që është për t’u çmuar, ata në këtë qytet nuk i kanë lënë vend personaliteteve që për shkak të veprimtarisë së tyre kombëtare janë burgosur, torturuar e vrarë ndërsa pasuria e tyre është konfiskuar, shtëpive ju është dhënë zjarri, burrat e moshës madhore janë torturuar çnjerëzisht në prani të grave e fëmijëve sikur është torturuar Veli Halili (nipi i Kadri Bebës), trupi i të cilit shpohet me tyta armësh për shkak se kishte kundërshtuar ashpër hyrjen e forcave serbe në dhomën ku ishin izoluar gratë, fëmijët e vajzat. Gjatë zbrazjes së mllefit kundër liridashësve të Kosovës, forcat serbe që kishin vënë në shënjestër familjet Bebaj – Rexhaj të Ribarit të Madh, të gjithë meshkujt e moshës madhore i burgosin dhe torturojnë nëpër burgje dhe dënojnë me nga 6 muaj deri në 2 vite ndërsa lirimi i tyre është sinkronizuar me kërkesat për shërbim të detyrueshëm ushtarak! I torturuar mizorisht ka qenë edhe djali i Kadri Bebës, Mustafë Graiçevci, i cili disa here është arrestuar dhe është dënuar për veprimatri kundër pushtetit jugosllav. Kundër personaliteteve të tilla dje ishte regjimi i Jugosllavisë dhe Serbisë së bashku me puthadorët e tyre që iu shërbyen me besnikërinë e qenit ndërsa sot kundër tyre janë: Muhamet Shabani, Mevlyde Shamolli, Idriz Krasniqi, Jalldyze Gashi dhe Blerim Gashi.
Por kjo nuk është më e keqja. Është për keqardhje që në komunën e Lypjanit ka edhe racistë të padeklaruar dhe që arrijnë ta mbulojnë këtë damkë të turpshme të njeriut por që ata i tradhton pavetëdija e tyre. Në Amerikë është një thënie e famshme: Sëmundje e keqe është racizmi, godet të bardhët, mbytë të zinjtë ndërsa në komunën e Lypjanit racizmi i partiashëve provon të poshtërojë luftëtarët që luftuan me përkushtim kundër riokupimit të Kosovës nga Serbia deri në rënie e tyre në altarin e atdheut. Gjatë reagimit se si është e mundur që personalitete meritore që kanë dhënë një kontribut të pashembullt për mbrojtjen e Kosovës nga forcat vrastare serbe janë lënë në harresë dhe nuk është emërtuar asnjë rrugë me emrin e tyre, anëtar të këtij komisioni kërkojn sqarime se cilët janë këta dhe pasi ia përkujtoi, Sali Rexhën, Kadri Bebën, Rexhep Salihun, Rifat Rexhën, Hazir Hazirin, … nuk më lejojnë të vazhdoj më tutje por thonë se njërit prej tyre ia kanë vënë emrin e një rruge në qytetin e Lypjanit. Është e vërtetë se emrin ia kishin vënë (Sali Grajqefci !!!) por ia kishin vënë rrugës së një lagjeje e cila gjatë kohës së regjimit komunistë për shkak të racizmit, ka qenë lagjja më e keqtrajtuar, e përbuzur dhe lënë pas dore, pasi ajo banohej nga romët.
Komisioni i tillë urrejtjen dhe përbuzjen ndaj luftëtarëve me militantë dhe të paepshëm të lirisë e ka shprehur edhe nëpërmjet racizmit. Emri i luftëtarit të pashembullt të lirisë dhe nga më të sprovuarit nëpër betejat që e shoqëruan gjatë gjithë jetës sa që pushkën e kishte bërë pjesë të trupit që edhe në sofër e mbante pranë, dëshmorit, Sali Rexha, që u vra bashkë me djalin e pandashëm, Rexhep Salihu, varri i të cilëve nuk dihen as sot e kësaj dite, ia kishin vënë emrin në lagjen më të përbuzur për shkak të racizmit, lagje që banohet nga romët!!! Nuk kam asgjë kundër romëve, por athua përse nga dhjetëra rrugë sa ka qyteti Lypjanit, emri i tij i ishte lënë lagjes më të përbuzur dhe periferike!!! Ndonëse gjatë protestës sime kanë thënë se nuk ka asgjë me paramendim por se ka qenë vetëm një gabim dhe se nuk e kanë ditur se nga kush banohet ajo lagje (!)
Psikoanalsiti, Zigmund Frojdi thoshte se gabimi është i barabartë me pohim apo se ne mund të dimë saktësisht se çka realisht mendon dikush vetëm nëpërmjet gabimeve të tij. Pavarësisht ndërrimeve të emrave që mund të bëhen në të ardhmen, emërtimi i një rruge në lagjen më të përbuzur të Lypjanit me emrin e luftëtarit më të shquar të kësaj komune për lirinë e Kosovës, sikur ka qenë, Sali Rexha, dëshmonë më së miri se cila është fytyra e vërtetë e këtyre komisionarëve dhe se ku e kanë katandisur këta të mjerë komunën e Lypjanit në emërtimin e rrugëve. Por jo vetëm kaq. Sipas këtyre, në komunën e Lypjanit nuk duhet të ketë rrugë me emrin e vllaut të Sali Rexhës, Rifat Rexhës, i vrarë nga partizanët në Blinajë, e as rrugë me emrin e djalit të tij, Rexhep Salihu, që nuk iu nda për asnjë moment babait në luftën për mbrojtjen e Kosovës nga forcat pushtuese vrastare serbe, deri në vrasjen e tyre. Vlen për t’u përmendur se gjatë luftës së tyre, në popull ishin thurrur legjenda se çeta e Sali Rexhës është e pamposhtur dhe se partizanët e Titos nuk kanë guxim as për t’u përballur me atë. Pas vrasjes së tyre në rrethana misterioze në një odë në Petrovë ku ishin ftuar për strehim dhe ushqim në dimrin e ashpër të vitit 1949, trupat e pajetë të tyre ekspozohen në një rrugë të Lypjani pranë së cilës është ndërtesa e Komunës për të bindur masat se Sali Rexha dhe djali i tij, Rexhep Salihu janë vrarë dhe se askush nuk mund ta sfidoj pushtimin e Kosovës dhe regjimin e Titos. Disa shpirtshitur për të treguar urrejtjen e tyre ndaj Sali Rexhës dhe çetës së tij dhe dashurinë ndaj pushtetit jugosllav, ofrohen afër trupave të pajetë dhe shqelmojnë dhe dhunojnë kufomat e tyre afër të cilave duarlidhur torturohej biri i tij, Ahmet Salihu. Dihen motivet e dhunimit të kufomave të tyre sepse familjarët tregojnë se shqelmuesit e kufomave të Sali Rexhës dhe Rexhep Salihut janë graduar gjatë pushtetit të Jugosllavisë në Kosovë por athua nga kush presin gradim dhe shpërblimMuhamet Shabani, Mevlyde Shamolli, Idriz Krasniqi, Jalldyze Gashi dhe Blerim Gashi, që vazhdojnë të shfaqin përbuzje ndaj personaliteteve të tilla. Vlen të theksohet se Çetën e Sali Rexhes, që kishte në përbërje djalin e tij, Rexhep Salihun, Zekë Lumën dhe Nezir Bujën, nuk arritën ta ndajnë dhjetëra beteja ane kënd Kosovës, as partizanët, as UDB-ja, as dimrat me stuhi e acar në luftëra të pabarabarta por atë çetë e ndau komisioni i Lypjanit. Njërin duke e harruar tërësisht, njërin duke ia vënë emrin në një rrugë të lagjes së romëve ndërsa dy të tjerët flitet se do t’ua vënë emrat në rrugët që shpijnë në male, ara apo livadhe!!!
Mendësia e tillë e emërtimit të rrugëve duket se po shoqëron edhe fshatin Ribar i Madh. Nga ajo që kam mësuar, gjatë takimit të mbajtur për emërtimin e rrugëve, pjesëmarrësve në takim ju është thënë se komisioni nga Lypjani ka vendosur që emërtimi i rrugës kryesore që përshkon fshatin prej dy kilometrave ta mbaj emrin e një ish aktivisti të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ajet Kozhani, që gjatë luftës është vrarë nga forcat serbe së bashku me dy bashkëfshatarë pasi janë zënë duke ardhur në shtëpi për të marrë gjësende për nevojat e familjeve të tyre. Komisioni i fshatit ka thënë se rruga kryesore e fshatit do ta mbaj emrin e Ajet Kozhanit ndërsa propozimet tjera mund të bëhen për rrugët tjera të fshatit. Pra, rruga kryesore duhet të mbaj emrin e viktimës së luftës ndërsa rrugët që dërgojnë në male, ara e livadhe mund të kenë emra dëshmorësh!!! Në fshat ka edhe të tillë që kanë luftuar krahas çetës së Sali Rexhës dhe që shtëpive të tyre partizanët ia kanë vënë zjarrin, sikur ka qenë shtëpia e Metush Gogiqit – Hotit, (mik i Kadri Bebës), por ai nuk është propozuar për asnjë rrugë. Në Ribar të Madh ka edhe të të tillë (Mal Rrahimi – Hoti, Jakup Durmishi – Duriqi) që për shkak që kanë përkrahur veprimtarinë e Kadri Bebës e Sali Rexhës, regjimi i Jugosllavisë fillimisht i ka dënuar me vdekje por që këtë vendim e ka zëvendësuar me dënim të rëndë prej 20 viteve burg të rëndë, por emrat e tyre nuk janë propozuar për asnjë rrugë apo rrugicë të Ribarit të Madh!!
Dhe për fund duhet shtuar edhe diçka lidhur me komisionarët e Lypjanit respektivisht punën e tyre “kolosale”, mëditjen “simbolike” dhe qytetarët që po ia “kthejnë” shpinën Kosovës. Për punën “kolosale” që bëjnë gjatë një ore në ditë për emërtimin e rrugëve të qytetit dhe komunës së Lypjanit, Muhamet Shabani, nga Lidhja Demokratik e Kosovës, Mevlyde Shamolli, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, Idriz Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, Jalldyze Gashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Blerim Gashi, nga Aleanca Kosova e Re, që marrin paga në cilësinë e deputetit të komunës së Lypjanit, këta stërshfrytëzojnë këtë pozitë, duke qenë të deleguar të partisë në Komisionin për emërtimin e rrugëve dhe përveç pagës bazë, ata marrin edhe mëditje “simbolike” prej 25 euro për orë! Por jo vetëm kaq! Këta marrin edhe mëditje të tilla të tjera gjatë angazhimit nëpër komisione të tjera. Këta vlerësues të historisë dhe personaliteteve të sajë që disa javë janë duke vazhduar me këtë punë “kolosale” prej 1 ore e mëditje “simbolike” 25 euro sa që ju ka humbur motivi për të shkuar për pushime në deti. Duhet theksuar se këta po i rrezikojnë pushimet e detit vetëm e vetëm për rehabilitimin e dëshmorëve të kombit e jo për përfitime të majme materiale, mëditje apo larg qoftë, përfitimit të votave. Vërtet të tillët sikur këta komisionar në Lypjan dhe qeveritarët në Prishtinë kanë të drejtë kur qortojnë qytetarët që ikin nga Kosova. Dhe vërtetë është për t’u habitur pse ikin qytetarët nga Kosova, kur ora paguhet 25 euro!
Por motivet e emigrimit të qytetarëve drejt shteteve ekonomikisht të zhvilluar dhe me mundësi punësimi nuk mund t’i kuptojnë dot komisarët sikur janë këta të Lypjanit dhe qeveritarët në Prishtinë, të cilët nuk e dinë dhe nuk duan ta dinë se si jeton një pjesë e popullsisë meqë këta jetojnë në pallate të larta ku nuk arrin zëri i vegjëlisë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura