GJOKË DABAJ: KUR PARLAMENTI I MBRETËRISË SË BASHKUAR GABON

Durrës, 30. 08. 2013: Nuk thashë: Kur EDHE, por thashë: Kur Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar gabon. Pa EDHE, dhe kjo do të thotë që unë, si qytetar i botës i një cilësie më të re, i kushtoj rëndësi të madhe atij Parlamenti. S’është hera e parë që Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar ka gabuar. Parlamenti Anglez, Parlamenti i Britanisë së Madhe, thuaj si të duash, ka gabuar shumë herë dhe gabimet e tij i kanë paguar popujt shumë shtrenjtë.
Nuk më intereson se si arsyetohet për Toni Blerin lidhur me vendimin e tij, të nxituar apo të panxituar, për të ndërhyrë në Irak. Si qytetar i botës i një cilësie më të re, nuk më intereson, në këtë çast, t’u hyj analizavet dhe hollësiravet:
– Si u organizua, nga kush u organizua dhe si ndodhi revolta kundër qeverisjes së Bashar al Asadit?
Mua, në këtë çast, më intereson vetëm kjo: Në Siri u vranë mbi 110 mijë njerëz. Nuk janë miza! Janë njerëz! U vranë mbi 110 mijë njerëz dhe Bashar al Asadi nuk dha dorëheqjen. Një kryetar shteti, në kohë demokracish, duhet të ikë nga skena politike edhe me 1000 viktima, jo më me qindra mijë. Ta zëmë se Bashar al Asadi u DETYRUA të vrasë 1000 shtetas të vet. U DETYRUA nga dikush tjetër, u DETYRUA, sepse spiunazhi kish bërë punën e vet etj. Por 110 mijë, jo 1000, shtetas të vet nuk mund t’i vrasë një kryetar shteti për inat të askujt! 110 mijë viktimat janë akuzë ndaj vetë pushtetmbajtësit dhe ndaj askujt tjetër! Në këtë rast, 110 mijë viktimat e Sirisë janë akuzë ndaj Bashar al Asadit dhe ndaj askujt tjetër! Prandaj ai duhet hequr andej dhe Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar duhej të kish mbajtur parasysh vetëm këtë arsye e asnjë tjetër.

Mundet që Rusia të ketë vendosur për të ndërhyrë nga ana e saj, dhe kështu të krijojë një konflikt me përmasa më të gjëra. Por Rusia, në i pastë hyrë rrugës së dreqit, në të ardhshmen do të bëhet edhe më e rrëzikshme. A duhet pritur që të ndodhin prapë mynxyra si në 2 luftërat botërore?! Për të zgjidhur problemet me Rusinë e me Kinën, ka rrugë të tjera, jo rruga për të lënë Basher al Asadin të vrasë shtetasit e vet sikur të ishin tufa bagëtish.
Bashar al Asadi ka hedhur rrugëvet mbi 1 milion fëmijë të popullit të vet. Bashar al Asadi u bë shkak që të lënë vatrat e veta disa milionë shtetas të tij. Prandaj dhe duhet hequr!
Mua, si qytetar i botës i një cilësie të re, do të më vinte mirë që në këtë pikë të ishin pajtuar edhe Rusia e Kina. Mua, si një i këtillë qytetar i botës, pasi t’i kem parë 1 milion fëmijë të atij vendi të enden rrugëvet, e fushavet, e kampevet, dhe mijëra nënat e atyre fëmijëve të detyrohen për t’u bërë prostituta, do të më vinte mirë që presidenti kriminel i atij vendi të hiqej me çfarëdo mënyre, qoftë edhe me një GJYKIM NË MUNGESË dhe pastaj, thjeshtë, me një shiringë ilegale.
Por, kur Kina, për arsyet e saja, nuk bezdiset që në Siri po bëhet hataja, kur Rusia i jep armë atij popullvrasësi, Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar NUK KA ÇFARË PRET MË. Ai, o duhet të gjejë mënyrën për t’u marrë vesh me Rusinë dhe me Kinën, o duhet t’u dalë zot atyre fëmijëve, duke ua hequr qafet Bashar al Asadin.
Kështu i shikoj unë gjërat, natyrisht, në qoftë se Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar nuk është po aq dritëshkurtër sa ç’ka qenë edhe shumë herë të tjera dhe në qoftë se nuk dëshiron të bëhet, EDHE ai, shkaktar, jo i 100 mijë viktimave, por i 3 miliardëvet, përfshirë atye edhe vetë anglezët dhe skocezët.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura