KADRI REXHA: HABIA E NGRITUR NË MALLKIM

Zvicër, 02. 09. 2013 – Çast me poezinë “Habia” e poetit Isuf Sherifi, botuar në vëllimin poetik “Hije mbi tokë”, MKRSDÇJ, Prishtinë, 2004
Cila zemër shkërdhehet me terrin
Cila dorë ia lëshoi perden diellit
vrau pikturën e ëndërruar të shekullit
Kolltuku paska pushtet të madh!
Kolltuku qenka sapuni më i mirë për larjen e trurit!
Kolltuku qenka bari më i mirë për harresë!
Nëse paraja e kthen ujët përpjetë, kolltuku po përmbyska shekujt!

Historia, kjo mësuese e jetës, dëshmon se trevat e atdheut tonë u mbajtën të pushtuara jo aq nga forca e armës së pushtuesve sa nga kolltuku i njeriut tonë mercenarë, ambiciesëmurë dhe atdhemohues. Duke u shpërndarë grada e poste bejlerëve dhe pashallarëve shqiptar Turqia sundoi mbi trevat e atdheut tonë pesëqind vjet me radhë. Me grada, me tituj, me kolltuqe dhe me para të thata të njëjtën zezonë në trojet tona ushtroi edhe Serbia për njëqind vjet rresht. E njëjta metodë po vazhdon nën ombrellën e ndërkombëtarëve edhe pas Luftës së UÇK-së.
Tashti, kolltukofagët shqiptarë, vasalë të pështirë, sipas programit te të huajve, kanë marrë kazmat në dorë dhe nga kolltukët e shtetit, po godasin vetëdijshëm themelet e kombit. Atë, që Turqia dhe Serbia nuk arritën ta bëjnë me shekuj në këto troje, sot, me zell, po e çojnë përpara tregtarët e atdheut. Tokat shqiptare po kthehen në principata dhe çifligje shpirtshiturish, populli po pjesëtohet me kufij të rinj krahinorë, gjuhësorë dhe kulturorë.

– Isuf Sherifi – 

Për ta ndarë kombin shqiptar, historinë, ekonominë, kulturën, traditën dhe gjuhën e tij, të huajt trilluan kombin kosovar, flamurin, himnin dhe festat e reja kombëtare. Mendësia kolltukofagëve të neveritshëm, se më mirë është të jesh i pari në katund se i dyti në qytet, në trevat shqiptare krijoi klimën e përshtatshme për lulëzimin e korrupsionit, hajnisë, imoralitetit, akulturimit. Në kushte të reja të globalizmit ndërkombëtar, brenda hapësirës kombëtare shqiptare, ka marrë hov konvertimi identitetit kombëtar, kulturor dhe fetar. Sovrani popull, i cili, edhe në rrethanat më të rënda dhe më të errëta, ka ditur ta ruaj drejtpeshimin, shëndetin dhe kodin e qenies kombëtare, sot i zënë ngushtë para erozionit moral të bijve të vet plangprishës, brejtës e rrënues brenda llojit, i çuditur dhe i habitur tejmase, përsëri po i shtrëngon radhët. Romantikët realë, idealistët e pathyer dhe poetët e popullit, si gjithmonë, edhe sot po prijnë në ballë të qëndresës, në anën e progresit historik, në luftë kundër forcave të errëta, të cilat aq sa premtojnë jetë kënaqësish momentale, po aq predikojnë humbjen e identitetit, harresën, harresën dhe vetëm harresën:
U dashka që të vdes ditëve të rëndësishme
Që të mos vdes i harruar në harresën e harrestarëve
Me fjalime shterpe na ushtrojnë ta harrojmë të kaluarën, rrugën e ecjes sonë nëpër shekuj, flijimet e të parëve tanë për tokë, për gjuhë, për jetë të pavarur në liri. Na ushtrojnë të mos mendojmë për ardhmërinë dhe të pajtohemi me një grusht krunde dhe me jetë qensh endacakë:
Harroni të kaluarën!
E ardhmja nuk ekziston!
Jetoni të sotmen!
Buka e përditshme dhe kënaqësitë e çastit na qenkan çelësi i jetës së vërtetë. I jetës së lumtur dhe të pabrenga. I jetës shtazarake…
Refreni i klasës në pushtet: Unë..! Unë..! Unë…!
Rras përshesh se ka kush këqyrë Vatanin!
Premtojnë kështu ata që harresën e kanë art, ata që kujtesën e kanë mjet përfitimi.
Çifligarët e feudalizmit bashkëkohor.
Servilët hipokritë.
Përvetësuesit e lavdisë së dëshmorëve.
Shkelësit e betimit të Hasan Prishtinës: “Në vend të një kolltuku me turp, preferova kryengritjen me nder në malet e Kosovës”
Vërtetë është për çdo habi, por kolltukofagët “harrestarë” mund t’i kemi pasur miq, shokë të punës, bashkëmendimtarë të idealit, bashkëvuajtës në burgje, bashkëveprimtarë në organizim, bashkëluftëtarë në betejë…
Nëse ua kërkon interesi, ata ende të bartin hajmali.
Nëse ke nam, ata, pa u skuqur fare, të ngjiten si ushunjëz, janë me ty edhe kur nuk je me ta.
Nëse dje kanë pasur nevojë për ty, sot të llogarisin mur pengues në rrugën e tyre karrieriste.
Nëse u leverdis, tradhtarin e shpallur dje, sot e përqafojnë si hero, ndërsa heroin e të gjitha kohëve e shpallin tradhtar.
Përndryshe, pa fije mëshire, shkelin mbi njeriun si mbi borën e parvjetme.
Dhe ditët e rëndësishme të kolltukofagëve janë ditët e përfitimit të tyre, janë ditët e shumëzimit të tyre, janë ditët e mjerimit të popullit të shkretë.
Prandaj, “që të mos vdes i harruar në harresën e harrestarëve/ u dashka që të vdes ditëve të rëndësishme” të tyre. U dashka ta ndërrojmë idealin siç e ndërron gjarpri lëkurën në çdo pranverë. O tempora, o mores, ironizonin latinët. O kohëra, o zakone, rithërret Poeti. Revolucionari student i celulave të lëvizjes atdhetare. I burgosuri qelive të burgut në Dubravë. Veprimtari mërgimtar dhe demonstruesi kryeqyteteve të Evropës. Udhëheqësi i shoqatës kulturore dhe politike “Mëmëdheu” dhe ushtari vullnetar në pikat e logjistikës së luftës çlirimtare. Poeti i talentuar i frymëzimeve atdhetare dhe kronisti poetik i situatave të kohës. Poeti i qartësisë së vargut dhe i thellësisë së mendimit. Poeti që me titull libri botërisht dha betimin: “Ndarjen nuk e nënshkruaj”. Poeti që u vra në shpirt nga tradhtia që iu bë qëndresës dhe luftës sonë shekullore. Poeti që pa se si mohohet identiteti kombëtar dhe flamuri i shenjtë i luftërave të lirisë, se si vriten, burgosën dhe fyhen çlirimtarët, se si tjetërsohen vlerat tradicionale dhe si degjenerohet ndërgjegjshëm kultura e një kombi, se si shqiptarët urdhërohen ta harrojnë kolonializmin njëqind vjeçar serb, dhunën shekullore dhe gjakun e derdhur për liri, trojet e djegura me themel dhe luftën e shenjtë çlirimtare, betejat e lavdishme dhe dëshmorët e lirisë, shpërnguljet biblike dhe varrezat masive, dhunimin e grave dhe gjenocidin në masë… poeti që pa se si urdhërohen shqiptarët ta braktisin përgjithmonë ëndrrën e bashkimit të trojeve në një Shqipëri etnike… Poeti që, në kulmin e dhimbjes, me tërë qenien këlthet:
Cila zemër shkërdhehet me terrin
Cila dorë ia lëshoi perden diellit
vrau pikturën e ëndërruar të shekullit

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura