Berlin, 04. 09. 2013 – (Një zhgënjim i parathënë?) – Rilindje? Ëndërr e bukur, gjithësesi. Por mondaniteti nuk përjashton patriotizmin -veç ky i fundmi refuzon ksenofilinë. Globalizmi s’është aspak justifikim për kosmopolitizëm rrënjëhumbur. Ndërkaq shtetet e kombet (edhe po besuam Leninin), ende nuk kanë pësuar vdekjen klinike dhe shoqëria civile (kantiane) e botës qëndron gjithnjë në larginë!
Pjestarët e fisit Ga, të vendit afrikan të Ganës, bëjnë arkmortët më të çuditshëm të rruzullimit. Mjeshtri Pa Xho kishte punuar një të tillë në formë pianoje, për qejfin e një admiruesi muzike. Një besimtar i devotë e kishte porositur atë në pamjen e Biblës. Me sa duket, do iknin andej ose me hare toksore ose me çlirim hyjnor. Ah, sikur shqiptarët të kishin pasur, së paku, arkmortër të gëzuar a paqëtues…Por, jo! Ata edhe mortin, si jetën vetë, e patën të zymtë. Për këtë nuk ngarkohen me faj vetëm okupatorë. Kjenë, poashtu, naciokracitë brutale e obskure, që, për afinitet ose mbijetesë kur forca e mashtrimi i tyre ishte në të sosur, hidhnin vështrimin përtej…
Një politikan e intelektual i spikatur tiranës, Spartak Ngjela (e kam cituar dhe herë të tjera) si për ti dhënë provë fatligës, do të pohonte aq trishtueshëm: të gjitha qeveritë shqiptare janë vendosur nga Beligradi. Natyrisht, dhe qeveria ku ai kishte ministruar një kohë. Ndaj, jo vetëm nga ky shkak, ato, si një rub i zi, i shenjëzonte kushtëzori „klikë ose regjim“, që përcaktonte, ashtu, tipin e tyre: të pandjeshëm, autokratë e tëhuajsues.
– Spartak Ngjela –
A do ta shplajë Edi Rama, kryqeveritari i posavluar i Shqipërisë, këtë dregëz apo do ta lëmojë atë mbi fytyrën e shqiptarëve?
Ndoshta mund të mos jetë krejt i saktë pretendimi i avokatit të nderuar, por kujtesa e zemrës (Kamy), më e sakta e të gjithave, ruan ende ethet e dergjës së tillë në rropamat e kohëve politike shqiptare.
1. Uvertyra e pamirë!
Megjithëse do të shpallej si një fiskulturë shpirtërore e kombit dhe një pikturë e re e imazhit të zhlyer, mëkëmbja e premtuar majtiste, s’do ta arkivojë assesi dilemën e mundimshme mbi pandehmën e dorës serbiane në konfigurimin e guvernave shqiptare.
Sidoqoftë, para ca ditësh pruni pak ngazëllim lajmi i beftë se Udhëheqësi i ri në Tiranë, si Panteon, do të mblidhte personel politik në të gjithë gjeografinë etnike. Por, sakaq, do të behte shpejt dhe dëshpërimisht i ftohtë, mohimi i entusiazmit fillestar. Tashmë në skrivaninë e tij gjendet emri i një, si do ta cilësonte vetë, “intelektuali të mirënjohur” kosovar, Sh.M. e shumë flamujve. Posti i tij: këshilltar për rajonin! Është përherë i mirëpritshëm përceptimi pozitiv i një epoke të re të mundshme gadishullore. Mirëpo, edhe po e morëm të mirëqenë principialitetin e Premierit, preferenca është e habitshme, ndërsa, siç dihet, çiltëria keqkuptohet dhe vetmia ndëshkohet përherë në Ballkan. A nuk e thonë këtë qindvjetët e pusive dhe rrethimeve, aleancave dhe zaptimeve? Na përvidhet, që këtej, mëdyshja se fillesë e kryeagjendës së tij të planimetruar si ndjenjë detyre deri në mision, nuk qenkëshin shqiptarët me dertet a ëndrrat e tyre – por konformimi me fqinjët e pakultivuar ballkanës.
Por, prapë: si do ta bëj këtë?
Me tërheqje përballë restaurimit agresiv të programeve të tyre të vjetra kundërshqiptare?
Me hilet e figurantit që do të jetë emanacion i kësaj flete të re, e pra, me riqarkullim epigonësh të kallur të jugosllavizmit?
Me një shkatrrinë përvojash të “patriotizmit socialist“ të popujve që, i rremë e cinik, u bë varr i tyre?
Ja, kjo ndjesi inkomocioni të beftë, m’vinte me të dëgjuar se këtë, nomenklaturësin e sprovuar të bashkëjetesës, do të konsultojë Rama për rikonceptimin e marrëdhënieve të Shqipërisë në rajon.
Ç’mund të mësojë, njëmend, prej tij? Ç’konzistencë politike a dëlirësi karakteriale do të provojnë alternativat që u ofronte ai shqiptarëve ndër mote?
Prej tij, pos tjerash, do të dëgjojë prediktin se Rugova ka qenë inert dhe, si rezultoi aherë, për të lëvizur gjërat e “zonës gri”, ky do të angazhohej përbetueshëm të ndryshojë srtau-quonë. Po në ç’kah? Me një proklamatë publike në shtyp (gazeta “Bujku”, viti 1992), përpiqej të joshte shqiptarët për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale serbiane, që në udhë politike e institucionale të gjenin veten e tyre në shtetin e përtrirë të Sërbisë.
Kush e kishte mandatuar që, disi në delir të shtirur madhështie, ti drejtonte popullit ftesën, gati përgjëruese, për të braktisur vullnetin e posashfaqur sovran për shkëputje (disa muaj më parë) dhe për tu rikëthyer në parzmin e Serbisë, si nënës kërcurë?
Ishte prijës i një Lëvizjeje kombëtare që sipërmerrte prerjën e pamundur? Jo!
Ishte ikonë qëndrestarie që ta gëzonte tagrin e një huqi të pamirë? Jo!
Ishte intelektual emblematik, që, anise gabim, kishte investimin e mjaftë moral qoftë dhe për marrëzinë e tillë? Jo dhe jo!
Kush a çka, pra, e ndërsente për të sprapsur, dekurajuar dhe çorientuar shqiptarët në shtegun e lirisë?
Shqiptarët jo, kurrsesi jo!
Pastaj, do të mësojë se UÇK-ja “nuk paskësh përfillur interesat reale të njërëzve” (të profiterëve, kolaboratorëve, reintegristëve apo të kujt?) si shfrynte asokohe mëllefshëm, dhe se ajo, nuk rrjedhonte tjetër veçse një fatkeqësi popullore. Do të mësojë, së fundmi, se si bashkëpunëtori i tij i afërt, një jugo – ëndërrimtar e, madje më shumë se kaq, një jugo – veprimtar i zjarrtë për rifunksionalizimin e kontratës politike nënshtruese me Serbinë, do të gërryente hapur e fshehur edhe negacionin paqësor të okupimit edhe kryengritjen e armatosur kundër tij!
2. Horizonti i klasave!
Ja, ky opinionist i rreshkur nën diellin e perënduar të përbashkësisë sllave, tashmë i graduar si koleg i Toni Blerit në këtë zejë, duhet të ideojë moderimin e raporteve idhnake në Ballkan. Po në fakt, ky s’është veçse emërtim i kovertuar. Ai s’do ketë punë me grekë, italjanë e turqë. I mbetet të ftillojë veç punët me Serbinë. Sepse aty është terreni i rrahur dhe vokacioni i tij i shijuar. E, do të derdhë në këtë impenjim gjithë eksperiencat e rryera dhe pasionet e, pse jo, synimet e përmallshme… Porse kjo nuk është ende prekja e fundit. E keqja do përhihej që larg sikur ai të gjente tek Premieri i Shqipërisë shpirtin komplementar politik. E ka gjetur vallë? Është, mbase, herët të kryqëzohet, po muratura nismëtare e Kryeparit të Tiranës së ardhme për Kosovën, mjerisht, thuase nuk jep shumë dritë për të besuar ndryshe: se mund të jenë shkitje sistemimi fillimor në konsolidimin e hullisë qeveritare!..
Ç’reflektim rilindësor do ta ketë inspiruar atë të bëj këtë emnesë negative? Ndoshta duket tepër dyshimtare, por, mos vallë shtysë e piketës është njëlloj nervi i njëjtësisë dhe solidarësia e pinjojëve të kastave të rrëzuara komuniste? I atyre që vuajnë apo ruajnë reminishencat trashëgimisë së „vëllazërim-bashkimit“ sllavojugor dhe, nyjëtuar me të, dhe të proletarizmit internacional?! Me këtë anëmarrje të errtë, garnitura e re tiranëse dërgon një mesazh të pashpresë: nuk do ia dalë (aspiron vallë?) të prejë, madje prijësi i saj vetë, ka nisë e duket shpejtësisht një eksponent i ri i luftës së vjetër të klasave në shtetin shqiptar. Njeriu i andejmë, me gjasë, nuk do të përjetojë, akoma Republikën e katërt (Zogu, Enveri, Berisha) të re, të lirë dhe europiane. Atje tranzicioni defekt, posi vdekja, nuk ngjan të jetë i diskutueshëm, askurrë. I perpetuuar në rreth të ngujuar, ai natyralizohet i pamposhtshëm dhe eternal.
Një përftesë zhgënjimi me koalicionistët e fronësuar, erdhi, prandaj, e thartë dhe pashmangshme, por pritmëritë, ndonëse jo të pakta (ishte votë kombëtare), nuk ishin të tilla, që ai të ishte i thellë e pikëllues. Prijësit e tij, fundja, nuk janë rishtarë në botën politike shqiptare. Njëri ishte mbi një dekadë Prefekt kryeqyteti dhe tjetri, shef i Këshillit të ministrave dhe anëtar i tij në disa legjislatura të ikura. Dhe, secili prej tyre kanë lënë damkat që legjitimojnë plotësisht ndjekjen e matur dhe qëndrimin e rezervuar ndanë pushtetimit të tyre. I pari, pos tjerash, nuk harrohet kurrë si mosthënës tragjik i dramës së përgjakur të Kosovës dhe i orës së Indipendencës së saj, akt të cilin – për çudi – e kishte pëlqyer shumë në rrafshin estetik! I dyti, ndërkaq, i njohur fijesh të nënujshme në Belgrad, për grykësinë pushtetare, prishte vendin e tij me gjithë botën. Do ta bënte këtë veçanërisht me miqët strategjikë amerikanë, të cilëve ua hodhi poshtë me përçmim ekpertizën e kërkuar, vetëm pse konfirmonte autenticitetin e „vidoes hajnore“. Por kulmi do të ndodhte më herët në stuhinë e betejave çlirimtare të Maqedonisë, kur ai do të lançonte fare lehtësisht term – akuzën përbindshore „luftë për Kosovën e madhe“, që i atribuonte për kompromitim Rezistencës së armatosur të shqiptarëve të Iliridës. Nuk ishte boll fantomi i shpifur i “Shqipërisë së madhe”, por duhej të fabrikohej miti i dytë për të zbehur a rrëzuar argumentin dhe të drejtën shqiptare të lirisë. As serbët dijekeqësa për bujshmëri fantazie, nuk ishin kujtuar asnjëherë për një gjetje të tillë monstruoze. Dhe tani pyesim: kujt i shërbente heshtja e ligë e të parit për Kosovën dhe hjekësia e pabesë e të dytit për Maqedoninë?
3. Brezi që s’vjen!
Kam shkruar shpesh kritikisht për vitet Nanos e të Berishës, që, së mbrami, nuk i deshi më as shpirti, e as pejsazhi shqiptar. Po tani, mund të vërejë dikush, përse marr menjëherë një pikë opozitare ndaj regjimtarëve të rinj? Nga ç’sipërthashë, janë një histori e parë mirë, kurse në anën tjetër, Shqipëria nëvojitë një klasë politike pa trashëgimi konfliktualiteti, pa kompleksin e klasave, pa ndikesën patogjenike të brezave dhe, thjeshtë, pa biografi rrëmujtare politike. Burra, që me përkushtim të kulturuar civil, nuk përfitojnë nga politika, por e ndërmjetësojnë atë për të mirën e njeriut të përulur! E për të mbërritur në këtë stacion të fundmë nga rrugëtimi i gjatë e i lodhshëm, janë të doemosshme cikle zgjedhore (sakohë kryen punë vota e bekuar) dhe alternanca të shpeshta të mujsharëve transitorë. Vetëm njëj itinerari të tillë ngutësor do të spastrohej më shpejt helmi i shekujve, ngjizur në trupin kombëtar.
Rilindje? Ëndërr e bukur, gjithësesi. Por mondaniteti nuk përjashton patriotizmin – veç ky i fundmi refuzon ksenofilinë. Globalizmi s’është aspak justifikim për kosmopolitizëm rrënjëhumbur. Ndërkaq shtetet e kombet, edhe po besuam Leninin, ende nuk kanë pësuar vdekjen klinike dhe shoqëria civile (kantiane) e botës qëndron gjithnjë në larginë!