DR.MOIKOM ZEQO: NJË PROFECI ARKEOLOGJIKE E FAIK KONICËS

Tiranë, 28. 10. 2013 – Para disa ditësh mora një letër nga një qytetar i Tiranës i quajtur Nazif Dizdari. Ai më shkruante se kishte një numër të madh dokumentash dhe fotografish origjinale për jetën e një atdhetari të njohur të quajtur Nasuf Dizdari, i cili ka qenë edhe drejtor i parë i muzeut nacional të Shqipërisë në vitin 1921. Nasuf Dizdari është një figurë e njohur e Rilindjes Kombëtare, bashkëkohës dhe bashkëpunëtor i Faik Konicës. Ai ka qenë publicist, folklorist, si dhe historian. Në revistën “Albania” të Konicës të datës 15 mars 1898, Nasuf Dizdari ka botuar studimin “Jeta e Kara Mahmut Pashë Shkodranit”. Për figurën e Nasuf Dizdarit është shkruajtur pak dhe ai meriton që të shkruhet për të shumë. Nasuf Dizdari jetoi 82 vjet dhe mbylli sytë në 1940. Ai la si vazhdues të denjë në fushën e filologjisë birin e tij Tahir Nasuf Dizdari. Nasuf Dizdari ka arkivin e tij ku midis të tjerave përfshihen dhe letra me Nopçen dhe Teodor Ipenin si dhe shumë letra me Konicën. Ajo që është më interesante për jetën e tij është se kur ai u bë drejtor i muzeut nacional të Shqipërisë, Konica i dërgoi një letër.

– Faik Konica – 

Letra është si më poshtë:
Zotit Nasuh Dizdarit, Drejtorit të Muzeut Nacional të Shqipërisë,
I dashur Zot,
Edhe në kohë të Sulltan Hamitit, edhe më pastaj kur rrëmbyen fuqinë Xhon-Turqit, jeni sjellë si Shqiptar i mirë. Më keni ndjerë për të përhapur revistën ALBANIA në Shkodër, edhe nuk harroj shërbimin që i bëtë atëherë Shqipërisë. Sikur të kishit kërkuar një porosi kur kisha miq në Guvernë, do t’isha lutur të ju jepnin një punë në zyrë të prefekturës Shkodrës.
Po mësoj se guverna jonë, e ndezur me një zell të bukur për vjetërinë klasike, vendosi të themelojë një muze të kombit, edhe ju emëroj ju si drejtor.
Dhe Zotëria Juaj, pa një pa dy, e pranuat këtë emërim. S’dija që merreshit me arkeologjinë edhe me filologjinë klasike; ju lutem të më falni, edhe të pritnin urimet e mia.
Besoj që tani po merrni masat për të nisur punë, edhe që për s’afërmi do të filloni të çani dherat për të zbuluar gjëra të vjetëra. Është afër mendsh se keni studjuar librat që rrëfejnë si duhet rrëmuar dheu për antikat, e veçanti librin e Morgan-it,
—————-
1) Jacques de Morgan: ”Les recherches archeologiques, leur but et leurs procedes”. (Paris 1906)
– se nga padija e drejtorëve dhe nga moskujdesi i punëtorëve muzetë janë plot me perëndi pa këmbë, me perëndesha pa krahë, me filozofë pa kokë dhe me poetë të thyer.
S’kam dyshim që vendi i parë i zbulimeve t’uaja do të jetë Pojana, afër Vlorës. Si e dini më mirë nga mua, Pojana e sotme quhej Apollonia në kohë të Romanëve. Është e tepërt të ju kujtoj që ky qytet (se ahere ish ky qytet, dhe qytet me rëndësi të veçantë) kishte një famë të madhe si qendër kulture. A mbani mend se ç’thotë shkronjësi roman Suetonius Tranquillus në jetë të Augustit? – Caesare post rece as Hispanias expeditionen in Dacos et inde Parthos destinante praemissus Apolloniam studiis vacavit. – Ah (…) e diturisë! Jul Qesari zapton Espanjën, pa humbur kohë i kthehet Dacisë dhe Parthisë, edhe dërgon përpara të nipit të tij Oktavianin i cili, i mbuluar me hekur dhe me armë, qëndron me ushtrinë e tij në Pojanë që të dëgjojë ca mësime në shkollat e larta!…. Duket se Oktavianit Pojana i kishte lënë kujtime të thella, se ca vjet pastaj u kthye atje prapë, siç na thotë përsëri biografi i tij Suetonius Tranquillus: In secessu Apolloniae Theogenius mathematicus, siç e dini Zoti Drejtor i Muzeut, s’duhet kuptuar as pak si profesor i mathematikës, po si astrolog, si fallxhi. Ky Theogeni ishte në ato kohëra më i dëgjuari astrolog, edhe Oktaviani bashkë me Agrippën u – ngjitnë në kullë të tij që t’i luten të shikojë yjet edhe t’u kallzojë fatin e tyre. Suetoni thotë se Theogeni e siguroj Oktavianin që do të mbretërojë e do të bëhet i zoti i botës. Oktaviani ndodhej në Pojanë kur i ungji i tij Jul Qesari u -vra në Romë, – dhe në Pojanë dërgoi Mark Antoni njerëz të besuar që t’a lajmërojnë dhe t’a bien në Itali.
Më falni, Zoti arkeolog, që ju mërzit me gjëra që i dini më bukur se ç’do njeri tjetër. Po enthuziazma s’i vë dot fre pëndës. S’kam fare dyshim që në Pojanë do të zbulohen gjëra të cilat për pak kohë do të formojnë një tok antikash të çmuara. Se Pojana ka qenë jo vetëm një qendër kulture, po edhe një qytet elegant që kish marrëdhënie të rregullshme me Athinën dhe me Romën. Tempujt e perëndive, pallatet e të pasurve do të ishin plot me vepra artistësh të dëgjuar. Ç’gëzim pa masë sikur të dilte në shesh atje ndonjë vepër e kryemjeshtrit Fidias, më të madh shtat- bërës të gjithë kohërave! Mbase do të gjeni një kopje të mirë Athene Promachos, mbase do të kini fatbardhësinë të zbuloni një përsëritje besnike të Zeut, shtatit më të dëgjuar të Fidesë, që ndodhej në tempull të Olympisë, dhe për të cilin një shkronjës i vjetërisë klasike, Dion Chrysostomos, thotë:
Pantvnoda edtin epi ghz agalmata karllidton kai eufiledtaton.
Tani, Zoti Drejtor i Muzeut tonë, mjaft fjalë. Të fillojmë punën e shëntëruar.
Ave atque vale,

Faik Konitza
Boston, Mass., Saturday October 22, 1921
(A Q Sh)
* * *

Kjo letër e jashtëzakonshme tregon qartë kulturën e shumëfishtë të Konicës edhe në fushën e arkeologjisë. Konica është njohës i veçantë i autorëve antikë dhe di shumë mirë historinë e vjetër të Apolonisë së Ilirisë. Letra e tij është një leksion diturak, jo pa një ironi të lehtë dhe të dukshme për mikun e tij Dizdari i cili vërtet u emërua Drejtor i muzeut nacional, por nuk kishte kulturën e domosdoshme arkeologjike për këtë detyrë. Në letrën e tij Konica bën një profeci arkeologjike. Ai profetizon se në Pojan, në Apoloninë e vjetër mundet të gjendet nga arkeologët një kopje e skulpturës së Athinasë së Fidias, mbase dhe një përsëritje besnike e Zeusit po të Fidias.
Profecia e Konicës u vërtetua plotësisht. Pikërisht në Apoloni është gjetur një replikë e Athinasë së Fidias. Pikërisht ky subjekt përbën dhe argumentimin e mëposhtshëm të këtij shkrimi.
***
Koleksioni i mrekullueshëm skulpturor i MHK është cilësisht i nivelit botëror. Skulpturat vijnë që nga shekujt e epokës arkaike, nga epoka klasike, nga ashtuquajtura epokë sinkretike heleno-ilire, nga epoka e artit romak, republikan dhe perandorak, si dhe nga epoka e antikitetit te vonë. Disa kryevepra në skulpturë si e ashtuquajtura Kokë e Demostenit, apo e ashtuquajtura Dea e Butrintit janë replika të shkollës praksiteliane dhe të stilit neoatikas.

– Hyjnesha Athina – 

Skulptori më i madh i motshmërisë konsiderohet Fidia. Ai lindi më 490 dhe vdiq më 431 para Krishtit. Skulpturat e Fidias mishërojnë shkollën klasike të artit të apoteozës së bukurisë së njeriut, personalitetin e jashtëm fizik, por dhe kulturën e brendshme shpirtërore. Te arti i Fidias ndërthurret e madhërishmja me të përpiktën, butësia me forcën, feminiteti me burrërinë. Fytyrat e skulpturave kanë lartësi shpirtërore të lartësuar. Veprat më të shquara të Fidias janë skulpturat kompozicionale të Partenonit, tempullit kryesor të Akropolit të Athinës. E famshme është skena në relief, që tregon Poseidonin dhe Athinën, gjithashtu skena e lindjes së lindjes së Athinës nga koka e Zeusit. Kryevepra e kryeveprave të Fidias është Zeusi, që ka zotëruar tërë ikonografinë e këtij kryehyu. Fidia është mjeshtër i kompozimeve të ndërlikuara, bashkërenduar me figura nga pozicione nga më të ndryshmet. Fidia e përsos elegancën e trupit, që spikat edhe nëpërmjet veshjeve plot lëvizje dhe dekorativitet.
Është pak e çuditshme por e vërtetë, që në Muzeun Historik Kombëtar ndodhet replika e një skulpture të famshme të Fidias. Fjala është për një replikë me përmasa më të vogla të kryeveprës së Fidias kushtuar hyjneshës Athina. Origjinali i Fidias është bërë gjatë viteve 447-432 para Krishtit. Ajo ka qenë prej druri, ari fildishti dhe mermeri. Ne njohim këtë kryevepër nga një kopje mermeri me lartësi 104 cm, që ndodhjet në Muzeun Kombëtar Arkeologjik të Athinës. Për fat të mirë kjo kopje është e ruajtur mirë dhe i takon shekullit I të erës sonë. Kjo është shembylltura e Athinasë së Partenonit, e cila qëndron në këmbë me një pozë madhështore mban në kokë një helmetë me disa figura mitologjike, është e veshur me peplos, dorën e djathtë e ka të shtrirë përpara. Para kësaj dore është një shtyllë mbi të cilën kulmohet figura e një Vitoreje me krahë. Kurse dora e majtë është mbështetur në një mburojë luftarake ku duket edhe figura e gjarprit të Erekthit. Në gjoks Athinaja mban të ashtuquajturën Egidë prej lëkure luani, që ka në mes Kokën e Meduzës. Athinaja është një hyjneshë nga më të mëdhatë e antikitetit. Ajo u ngjiz në barkun e Metidas, gruaja e parë e Zeusit. Për Zeusi me zemërim e gëlltiti Metidën, por foshnja nisi të zhvillohej brenda kokës së tij. Mbas disa kohësh Zeusi ndjeu dhimbjet e shtatzanisë në kokë. Ai urdhëroi Efestin që t’ia çante kokën me sëpatë dhe kështu nga koka e Zeusit doli Athinaja. Ajo qe luftëtare dhe vrau gjigandin Palas dhe nga kjo fitore u quajt Athina Palada. Athina në një garë me Poseidonin e fitoi garën. Poseidoni goditi shkëmbin me cfurk dhe kështu nga shkëmbi doli një kalë. Athinaja goditi me shtizë tokën dhe nga toka lindi ulliri. Për nder të Athinasë vendi ku ndodhi ndeshje u kthye në qytet që mori emrin Athinë. Athinaja, qe hyjnesha që shpiku plugun, hyjnesha që siguronte drejtësinë e ligjeve, mbornte familjet, besnikërinë bashkëshortore dhe shëndetin. Kulti i Athinasë qe i përhapur në Greqi por edhe në Iliri. Në qytetet arkeologjikë të Shqipërisë janë gjetur disa shembëlltyra skulpturore të Athinasë.
* * *
Le të flasim konkretisht për replikën e Athinasë, që ndodhet në MHK. Kjo skulpturë e përmasave jo shumë të mëdha afërsisht 1 m ngrihet mbi një piedestal memeri ku është shkruar në greqisht “EUMEROS ATHINAIOS EPOEI”. Ky mbishkrim do të thotë në shqip “Eumerosi Athinanë e bëri”. Ky dokument epigrafik është i një rëndësie kolosale. Për herë të parë mësojmë se ka një artist, një skulptor me emrin Eumeros, që ka jetuar në qytetin e Apolonisë dhe i cili shekujt 1-2 të erës sonë realizon kopjen e kryeveprës së Fidias. Kopja i afrohet shumë origjinalit, sepse ka qenë imitim plot 7 shekuj mbas bërjes së skulpturës nga Fidia. Kjo është si një kujtesë e balsamosur e artit, një film prej guri, që zgjat 7 shekuj. Skulptura e Apollonisë është e dëmtuar, i mungon koka, dora e djathtë, kurse e majta është e copëtuar pse poshtë mbi piedestal duket një fragment i vogël i mburojës. Ne mund ta rikonstruktojmë skulpturën e Apollonisë sipas kopjes së saktë që sot ndodhet në Muzeun e Athinës. Imitimi dhe saktësia ikonografike është tepër e madhe. Ka mundësi që skulptura e Apollonisë të mos e ketë patur kollonën mbi të cilën rri figura e Vitorias. Kurse të tjerat të gjitha janë të sakta. Skulptura e Athinasë në Partenon ka qenë 13 m e lartë, gati sa një pemë e mbuluar me materal të çmuar. Parzmorja dhe rrobet qenë bërë prej floriri. Lëkura e hyjneshës prej fildishti. Mburoja dhe disa pjesë të parzmores shëndërisnin nga një ngjyrë e fortë, pa harruar sytë që ishin bërë nga gurë të ngjyrosur. Mbi kaskën e perëndeshës kishte grifonë si dhe një sfinks, që mbanin gjithashtu mbi koka helmeta. Sytë e gjarperit të mbledhur kutullaç brenda mburojës ishin me gurë të shëndritshëm. Duhet të ketë qenë një pamje misterioze, adhurimndjellëse, ajo që shihte njeriu kur hynë në Partemon dhe ndeshej ballë për ballë me këtë statujë gjigande. Në disa nga tiparet e saj kishte padyshim diçka thuajse primitive dhe të vrazhdë, diçka që e lidhte një idhull të këtij lloji me besytnitë e lashta, kundër të cilave e kish predikuar profeti Jeremia.

Skulptura e Apollonisë pa kokë në Muzeun Arkeologjik të Apollonisë!

Në Librin e Jeremias tek Bibla e Shenjtë ndeshet dhe ky fragment: “Sepse statujat e njerëzve janë të kota, sepse njeri pret një dru në pyll, punë e duarve të druvarit, me sëpatë. E stolisin pastaj atë dru me ar e argjend, e mbërthejnë me gozhdë e çekiç, që të mos luajë prej vendit. Bëjnë kështu statuja të drejta si druri i palmës, por gojë nuk kanë për të folur, duhet t’i mbash në krahë, sepse as për të ecur s’ecin dot. Mos kini frikë prej tyre se nuk mund t’i bëjnë keq njeriu, por as të mirë nuk bëjnë dot. Ky fragment i Jeremias citohet në “Historia e artit” e studjuesit të famshëm E. H. Gonbrich. Unë e recitova këtë fragment për të treguar ndyshimin mes artit pagan dhe ikonoplastisë së krishterë.
Skulptura që ndodhet në MHK, jo vetëm është kopje perfekte, por ajo tregon mbijetesën e artit të shkollës fidiane në Apoloninë e Ilirisë. Ajo na njeh me emrin e skulptorit Eumeros, Eumeri, i cili përveç kësaj kryevepre duhet të ketë bërë edhe shumë vepra të tjera të famshme.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura