Pashtriku.org, 13. 11. 2013 – (Vëllim poetik i Miradije Gashit “JAM GUR I VENDIT TIM”) Kur një grua shkruan dhe ndihet, “Gur i vendit tim”, natyrshëm të shtyn kureshtja e dëshira, që të lexosh se ç’fshihet pas këtij titulli dhe libri. E sigurisht, nuk ka si të mos bëhesh pjesë e gjendjes emocionale e poetike të autores, gjatë shfletimit dhe leximit të këtij vëllimi poetik. Nuk ka si të mos ndihesh dhe ti, si vetëtimë apo si rrufé, kur ajo shkrepëtin në këto vargje:
“Në vendim tim
jam gur e qëndresë
që thith nga qielli rrufé”
Poetja Miradije Gashi jeton larg vendit të saj – Kosovës, së cilës i dha nga ditët e veta e ajo e mëkoi me dashuri për trojet e tokën, e ndonëse larg, kokën dhe vështrimin e ka përsëri nga Atdheu i të parëve, i burrave e patriotëve të vërtetë, e nuk mund të rrijë pa shkruar:
“Eh, ç’burra që qenë
dy zemra në gjoks, thonë – i patën,
një, si diellin, për atdhenë
tjetrën si zjarr në vatër!”
– Kopertinat e librit – “Jam gur i vendit tim” –
* * *
Autorja i qëndron besnike temës së Atdheut, e cila zë pjesën më të madhe të vëllimit poetik të saj. Kjo është e justifikuar duke qenë se ajo jeton larg tij, por edhe duke kaluar një kalvar vuajtjesh e peripecish në kohën e pushtimit serb, të cilat e detyruan të emigronte.
E kështu natyrshëm, ajo derdh gjithë dashurinë e mirënjohjen për pishtarin e Flamurit shqiptar – Ismail Qemalin, kur thotë:
“Për Shqipëri, një jetë të tërë
që atdheu të frymojë i lirë,
ku nuk shkoi e ku s’u gjend
Plaku i Vlorës, zemërmirë!”
* * *
Shpesh poezitë e Miradijes, të bëjnë të udhëtosh në kohë pas, së bashku me të, sepse ajo di të depërtojë bukur me vargun në fantazinë tonë, e vesh me ngjyra e ngrohtësi sa ne nuk mund të mos ndihemi komodë gjatë leximit të tyre.
“- Eh, po të isha bareshë,
ç’grigjë luleborash
do të kullotja shpateve, bjeshkëve
në vend të metaforave!?”
* * *
Në udhëtimin imagjinar me poezitë e saj, sheh me sytë e mendjes e shpirtit, personazhet e saj poetike, që janë Atdheu, nëna, fëmija, heroi që jep jetën për liri e befas ndalesh nga një lot, kur lexon “Letër Nënës”. Më shumë se trill poetik, kjo poezi ështe lindje prej dejesh.
“Të dua nënë, të dua sa askënd tjetër
ndaj sonte dua të të shkruaj letër
e të të them
sa herë loti për ty rrugën ma preu”.
* * *
Autorja, anashkalon moralizimet, që e vrasin poezinë, sepse ajo e di se poezia ka nevojë për ajër e frymëmarrje ashtu si dhe njerëzit. Ajo qëndis mendimin metaforik, si ujë i rrjedhshëm dhe natyral, e kështu ajo depërton pastër në ndjenjat tona.
“Sonte, mund të vij,
Në krahët e një kënge apo vargu“,
-shkruan autorja duke bërë vargun e poezinë zog, që fluturon e që e lidhin me njeriun, sepse veç kështu shprehet e bukura dhe ajo që dëshiron.
Apo:
“qé ditë vjeshte,
dhe retë qanin në heshtje”
* * *
Poezia e saj, hap pas hapi, arrin të ngrejë një folezë brenda nesh.
Ato vërtet janë larg moralizimeve, por veç anës poetike janë përfundime e konkluzione të jetës e viteve të jetuara të autores, vite me punë, përpjekje e pse jo dhe të mundimëshme
Në to gjejmë ndjenjat e një gruaje me ndjeshmëri fine, që brishtësinë e ruajnë jo vetëm në fjalë por edhe në zemër.
“S’të them dot: më fal!
se edhe pa fjalë
flet zemra e zjarrtë”
ajo vazhdon:
“Si një frymë vjen
dhe jetës, jetës m’i sjell
si gjithherë”
Nga to ke ç‘mëson, e s’të mungojne çastet e meditimit dhe nxjerrja e mësimeve të vlefshme për jetën.
KA ÇASTE
Ka çaste kur të zezën e jetës
e bën të bukur
DASHURIA.
Ka çaste
kur zënkën djegëse
e përndrit
MIQËSIA.
Doemos që ka çaste
që firojnë si vesa,
kur jetën e bën të mrekullueshme
edhe HARRESA!
Ajo vërshon poetikisht si lumë, e derdhet në fjalë që peshojnë sa vetë Atdheu.
“Në jetën e atdheut
me ngjyra gjaku pikturuan lirinë”
* * *
Si grua dhe si poete, ajo është një siameze në poezinë e saj, sepse poetja dhe gruaja shkojnë ngjitur e binjakëzuar përmes vargut e ndjenjës.
“TI
Je uji,
jam etja.
Je drita,
jam syri.
Je rruga,
jam hapi.
Je shenjti im
Ti,
jam Unë, jotja,
më së paku”
* * *
Struktura e poezisë së Miradijes nuk komplikohet dhe rëndohet me fjalë të tepërta apo të kërkojë metafora e shprehje te lodhëshme. Ajo ka varg e poezi të shkurtër, por me peshë të madhe ndjesore. Ka poezi, ku një varg i vetëm, mund të mbajë gjithë peshën poetike.
Në poezitë e saj, zënë vend dhe njerëz e heronj të njohur, emra të përveçëm që i japin poezive të saj, një dimension të gjerë, të një njeriu që nuk sheh vetëm një drejtim, por të një gruaje të gjithanshme, me veprimtari të zgjeruar të interesave të saj jetësore dhe poetike.
Këtu do veçoja poezinë për Vëllezërit Gërvalla:
LOT, DHEMBJE, DRITË
(Vëllezërve Gërvalla)
1.
“Nëse për dhembjen
vetiu rrjedhin lotët
deti i lotëve
do t’i lagë brigjet e mendimit.
E në shirat e shpresës
bëhen ngjyrë pene
e shkrimi.
Për portretin tuaj
atdheu i gjithi atëherë
bëhet pëlhurë
ku derdheni ju
me pirgje drite”
* * *
Vitet e saj në emigrim, natyrisht që janë gjurmë mes grisë e diejve me ngjyra (fëmijëve e familjes), e kanë lënë “hapa“ origjinalë në poezinë e saj.
MËRGIMTARËT
“Vijnë me shpresë
kthehen
presin
durojnë
jetojnë
vdesin.
Shpresa
vdes e fundit – thonë
dhe mërgojnë nga jeta”
* * *
Ky ështëvellimi i parë poetik i Miradije Gashit.
Një sprovë e kaluar me sukses, në pritje të provave më të mëdha.