Durrës, 20. 11. 2013 – Po vjen sërish Festa e Flamurit. Në Shqipëri (dmth në Prizren, në Vlorë, në Manastir, në Tivar, në Peshter, në Medvegjë, në Kostur, në Prevezë) dhe jashtë Shqipërisë, që nga Izmiri deri në Oslo e deri në Santiago, do të përkujtohet Dita e Shpalljes së Shtetit Shqiptar më 28 Nëntor 1912. Shqiptarët, për të 101-tën herë po e festojnë atë Ditë të lumtur. Atë Ditë që u solli shqiptarëvet, më në fund, një shtet. Një shtet, pa të cilin, në kohët moderne, as që do të mund të përfytyrohej ekzistenca solide e një kombi. Shteti kombëtar është garancia e ekzistencës së një kombi. Gjuha e një kombi ruhet e sigurtë më së miri atëherë kur përdoruesit e asaj gjuhe kanë një shtet të vetin.
Traditat e një kombi, në thelb, traditat e çdo familjeje apo individi, janë të mbrojtura dhe kanë mbështetje pikërisht atëherë kur kombi, familja, individi, kanë një identitet të vetin, të mishëruar pikërisht te institucionet e një shteti.
Individët apo familjet mund ta bëjnë jetën e vet në cilëndo pikë të Globit, por kur ata i përkasin një atdheu dhe, kur ekziston diku një shtet i tyre, motivet për të jetuar e për të punuar janë shumë më të fuqishëm e më të plotë. Gjithkush, në ambientin ku kalon ditët e vitet, qoftë si qytetar fare i zakonshëm, qoftë si personalitet i njohur, ka nevojë të mbështetet në një prejardhje, në një origjinë.
Ne shqiptarët, fatmirësisht, i kemi motivet për t’u krenuar para kombevet të tjerë. Jo për t’u mburrur që s’ka si ne, por për t’u krenuar me një varg vlerash. Me një histori shumë të gjatë të ekzistencës, me një numër virtytesh të lartë njerëzorë, me një kulturë të dallushme dhe të lavdërueshme, me një gjuhë mjaft të veçantë e shumë të bukur, me folklor, me muzikën tonë mjaft origjinale, që në disa forma s’e ka askush tjetër, me këngët që s’i ka kush si ne, deri edhe me vetitë fizike, mendore apo shpirtërore, me të cilat dallohen shqiptarët, bëjnë shenjë, kudo që gjenden, kudo që jetojnë. Dallohen që janë shqiptarë nga pamja fizike, nga aftësitë mendore, nga zgjuarësia, nga talenti dhe nga parimet e moralit të tyre. (Po i lëmë tani mënjanë disa shfaqje tonat të këqia, sepse edhe në atë krah ne shqiptarët, për fat të keq, dallohemi që larg.)
Dita, e cila i simbolizon të gjitha cilësitë tona të mira, është, pa dyshim, Dita e Flamurit tonë. Flamuri ynë është një simbol nga më të bukurit, nga nga më të vjetrit dhe, për nga “jeta” që ai ka kaluar, nga më të rrallët në Botë. Nuk do ta tepronim, nëse do të thoshim që Flamuri Shqiptar përbën në vetëvete një vlerë gjithnjerëzore, ashtu siç përbëjnë vlera gjithnjerëzore shumë sende që i kanë edhe popujt e tjerë. Edhe Dita e Flamurit, 28 Nëntori, ka vlera të jashtzakonshme, jo vetëm për çdo shqiptar, por edhe për krejt rajonin ku u krijua më 1912-n shteti modern i shqiptarëvet. Nuk e dimë, nuk mund ta përfytyrojmë, se si do të dukej një Ballkan, një Mesdhe, apo një Evropë, nëse, më 1912-n nuk do të ish krijuar këtu një shtet i shqiptarëvet. Sado i vogël dhe sado i sakatuar, gjymtuar!
Himni i Flamurit tonë është përsëri një relike më vete. Mënyra e krijimit, teksti i tij (me atë tradhtar brenda), melodia shumë mbresëlënëse. Të gjitha përbëjnë arsye shumë të forta për të qenë njeiru i emocionuar, jo vetëm 1 herë në vit, por sa herë që e sheh flamurin, sa herë që e dëgjon himnin dhe sa herë që e kujton 28 Nëntorin.
Mirëpo, për çudi (sepse çuditë janë bashkudhëtare të përjetshme tonat), duket se pikërisht këto relike, të pazëvendësueshme dhe të pakundshoqe, ne shqiptarët nuk e kemi prirjen as për t’i përkujtuar dhe as për t’i eksponuar e për t’u krenuar me to. Nuk e festojmë Ditën e Flamurit, as familjarisht, as në grupe, as me ndonjë drake të dallueshme nga drekat e tjera, as me ndonjë shpenzim, as me ndonjë shkëmbim urimi ndër fqinjët apo në internet, siç bëjmë për shumë festa të tjera, të cilat, për nga rëndësia, as që mund të krahasohen me Ditën tonë të Flamurit .
Po sjell si shembull Ditën e Hallouinit. Na ra në sy që sivjet kjo Ditë u festua në Tiranë me një zell të veçantë. Se kush e bëri këtë punë, se kush e futi në “agjendën” e jetës sonë këtë lloj feste, se si ua mori mendjen qindra familjarëvet shqiptarë, të cilët dihet sa e kanë takatin e vet ekonomik, kjo festë, më shumë e marrë, e çmendur, se sa shpirtfisnikëruese, është shumë vështirë të thuhet. Por një gjë bie shumë lehtë në sy: Për një maskë me brirë, me dhëmbë përjashta dhe me sy të zgurdulluar, njerëzit paguan nga 150 mijë lekë të vjetër (l.v.). I përdorën ato maska për 2 orë nëpër ambiente të mbushur me një muzikë shurdhuese, ia hoqën ushqimit të vet ato 150 mijë l.v. dhe të nesërmen as që dihet se ku i futën ato maska e ata kostume.
Shpenzojnë shqiptarët në këtë mëyrë mijëra e miliona lek, në të quajturit evente, festa, dasma, pabe, bixhoze, ndërsa për Ditën e Flamurit nuk e japin një pare. A mos jemi, krahas virtytevet, që i ruajmë, me sa duket, në mënyrë të pavetëdijshme, një komb po kaq edhe tekahut?! Mos jemi një popull, të cilit virtytet i janë krijuar siç u krijohen drurëvet dhe bimëvet ngjyrat e lulevet dhe ngjyra jeshile e fletës?!
S’po di ç’të them. Nuk është se jemi vetëm ne një popull që i nënshtrohemi spontanitetit. Njeriu në përgjthësi rend pas berihavet, bën si bëjnë të tjerët, dhe i duket se diç po bën, i duket se jeton ashtu siç duhet jetuar. Por, sidoqoftë, pjesa e mençur e popujvet, në këtë rast, pjesa e mençur e Kombit Shqiptar, duhet të krijojë, të themi kështu, edhe evenimente të mençur. Të shfrytëzohet pikërisht prirja e shumicës së njerëzve për të shkuar pas berihajt dhe ta shndërrojë, edhe në rastin e Festës së Flamurit, në një traditë gjithpopullore, për të cilën Kombi ynë ka vërtet nevojë shumë të madhe. Kombi Shqiptar ka shumë nevojë për ta afirmuar identitetin e vet, midis tjerash dhe mbi të gjitha, edhe me festimin e Ditës së Flamurit.
Aq më tepër, në kohën kur, në shumë qytete të Shqipërisë, e midis tyre edhe në qytetin tim, atje ku unë i kam rrënjët, në Tivar, Dita e Flamurit Shqiptar as që guxon të përmendet, jo më të festohet. Të plotësohet ky boshllëk të paktën atje ku kjo Ditë nuk është e ndaluar!