DR.JAKUP KRASNIQI / ҪKA DUHET TË MËSOJMË NGA VOTIMI I SOTËM NË UNESKO?

Prishtinë, 10. 11. 2015 / Votimin e sotëm në Paris për Kosovën e pritëm të bindur se vendi ynë, Republika e Kosovës do të bëhej anëtare e UNESKO-s, por u zhgënjyem goxha shumë, por edhe më tej na mban shpresa se anëtarësimi do të ndodhë në vitet e ardhshme. Por këtu duhet ta shtrojmë një pyetje: çka duhet të mësojmë nga votimi i sotëm ose çka na tregoi votimi i sotëm në Paris?
Në rend të parë tregoi se edhe përkundër bisedimeve të Brukselit me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, nuk ka ndodhë asnjë normalizim. Pasi Serbia vazhdon të jetë shumë e angazhuar armiqësisht ndaj çdo përpjekje të Kosovës për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtar. Ani pse qe katër e më shumë vite, Kryeministra e Ministra të Kosovës e kishin plotë gojën, për “njohjen de facto të Kosovës nga Serbia”, thënie kjo e përsëritur shumë herë nga foltorja e Kuvendit të Kosovës. Se “marrëveshjet e arritura në Bruksel po çonin drejt normalizimit të marrëdhënieve më Serbinë” dhe se “Serbia do të obligohej që mos ta pengonte anëtarësimin e Kosovës në Organizata ndërkombëtare”. Por, asnjërën nga këto që u thanë e u stërthanë nuk i pamë! Në emër të këtyre që u thanë, Qeveria e Kosovës i bëri të gjitha marrëveshjet komprometuese me Serbinë, kulmi është bërë me Zajednicën e Komunave Serbe në Kosovë. Votimi i sotëm tregoj se Serbia jo vetëm që nuk po na njohka, por as është e gatshme t’i normalizoj marrëdhëniet me Kosovën. Politika që Serbia tregoj në ketë rast, është momenti më i duhur që Qeveria e Kosovës me heq dorë nga marrëveshjet e Brukselit e sidomos nga marrëveshja e 25 gushtit 2015. Madje kjo është me të drejtë edhe kërkesë e opozitës së bashkuar. Nuk mjafton fakti se Kryeministri i Kosovës sot e quajti Serbinë “raciste” e ditë më parë edhe vartësi i tij e quante politikën serbe, politikë të “gjenocidit”. Nëse është kështu si po thonë ata (gjë që nuk dyshoj): pse biseduan në Bruksel me qeveritarë të tillë, kriminelë e racistë?

Votimi i sotëm tregoi edhe një anë tjetër të politikës e të diplomacisë sonë, pasi edhe shumë vende që e kanë njohur Kosovën, votën e tyre e hodhën kundër anëtarësimit në UNESKO. Kjo është edhe një dëshmi tjetër se kjo Qeveri, jo vetëm që e ka humbur kredibilitetin te qytetarët e vendit me mbi 80% (hulumtimi i fundit i bërë nga dy trupa ndërkombëtar në Kosovë e tregoi ketë), por e ka humbur kredibilitetitin edhe të miqtë e saj, të cilët jo vetëm që nuk abstenuan, por votuan edhe kundër.
Te përfundojmë,
qeverisja e keqe, humbja e besimit qytetar, mos normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, marrëveshjet e dëmshme e komprometuese me Serbinë në Bruksel, demarkacioni tepër i dëmshme në kufirin me Malin e Zi, mos anëtarësimi në UNESKO, humbja e kredibilitetit te njohësit e Kosovës si shtet të pavarur e sovran dhe mos komunikimi me opozitën e bashkuar dhe jo komunikimi me edukatë me opinionin publik i Kryeministrit dhe i Kabinetit te tij, janë arsye të forta që ky koalicion qeverisës duhet të jep dorëheqje. Por, para se të tërhiqej, kjo Qeveri duhet të shpallë jo validitetin e marrëveshjeve të Brukselit të arritura me Serbinë e disponuar më shumë se armiqësisht me Kosovën dhe qytetarët e saj. E gjithë fushata e saj për të penguar anëtarësimin e Kosovës në UNESKO e konfirmon ketë.
Përgjegjësia për të gjitha këto sa u thanë bie mbi këtë koalicion qeverisës, dhe shpëtimi i këtij koalicioni qeverisës është vetëm dorëheqja e tij. Dorëheqja e kësaj qeverie e sjell normalitetin në Republikën e Kosovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura