Durrës, 25. 11. 2013 – Havani, siç e dinë të gjithë ata që e përdorin, është një enë e thellë prej druri, prej guri a prej metali, në të cilin shtypen e përpunohen lëndë të ngurta: grurë (për ta bërë bollgur), kripë, arra, hudhra, po edhe joorganike, psh gur kali. Është fjalë me prejardhje nga persishtja. Por kjo, në këtë rast, s’ka rëndësi. E rëndësishme është që, kur shohim një njeri, i cili, në vend të sendevet që thashë, shtje ujë në havan, ne atë njeri e quajmë të marrë. E quajmë budalla, dikush madje mund edhe ta diagnostikojë si të sëmurë psiqik. Merr ujë me kovë apo me gotë, e qet në havan apo dybek, siç i thonë ndryshe, e rreh me atë rrahësin që është prej druri ose, edhe më keq, prej metali, shikon herëpas’here a është “shtypur”, a është copëtuar, a është tjetërsuar uji. E rreh përsëri dhe e shikon përsëri, por rezultati është gjithmonë po ai: Uji mbetet i pandryshuar. Uji mbetet ujë, sado ta kesh rrahur me çfarë të duash.
Shqiptarët kanë krijuar, për këtë lloj “pune”, edhe thënien përkatëse: Me rrahë ujë në havan. Që do të thotë: Me punue kot, me u lodhë kot, me derdhë djersën kot, dhe kjo, jo se je shumë i zgjuar, por, sepse nuk je i zgjuar sa duhet.
Për dreq, sa herë kam dëgjuar të bisedohet ndër ne për reforma të rëndësishme të arsimit, mendja më ka shkuar pikërisht te kjo thënie e urtë (E urtë, por e rëndë.): Po rrahim ujë në havan.
“Reforma në arsimin tonë!”
Vite kanë rrjedhur. Dekada të tëra. Të njëjtët probleme pafundësisht të pazgjidhur. Tani, Ministria e Arsimit dhe e Sportevet, del me vendimet drastikë: Do të pushohet nga puna drejtori i drejtorisë! Do të pushohet drejtori i shkollë! Do të pushohet edhe mësuesi!
Kur do të ndodhin këto hatara?! Si do të veprojnë këta njerëz të shkretë para se të jenë pushuar?! Intelektualë gjithë jetën! Janë marrë gjithë jetën me arsimin! Nuk janë kënaqur kurrë! S’ia kanë dalë dot të nxjerrin nxënës shumë të mirë, përveç nja 5% dhe nja 30% nxënës mesatarë. Tani, ja edhe Shpata e Damokleut mbi krye: Po të zura me rezultate të dobët, të pushoj nga puna! (Veç t’i heqësh të gjithë! T’i pushosh që të gjithë!)
Mirëpo, çfarë ndodh në këtë havanin tonë të përditshëm? Ndodh që shumica e këtyre të kërcënuarve ia kanë pirë ujin një të këtillë kërcënimi. Ata kanë përpunuar qindra mënyra për t’u ikur ndëshkimevet. Njëra prej tyre është, se, edhe inspektorët, a kontrollorët, janë njerëz.
Nxënësit kanë përpunuar mënyrat e tyre për të marrë notat kaluese, pa ditur, ose duke i ditur gjërat copa-copa. Duke mësuar “me opcione”. Kërmilli: A) shpend, B) ripërtypës, C) molusk?
Mësuesit kanë përpunuar mënyrat e veta për t’i paraqitur rezultatet sa më të mire, ose, të paktën të pranueshëm.
Bëhet luftë, jo për të marrë dije e edukatë, por për t’u shpëtuar ndëshkimevet të çastit. Nxënësi shpik marifete për t’i shpëtuar notës së keqe, mësuesi shpik marifete për të reklamuar punën e vet dhe, kur bie ngushtë, i pari “konkluzion” që ta vë përpara, është ky: Unë po mundohem, po më del shpirti, por fëmijët nuk po mësojnë.
Përfundimisht, mund të pushohen nga puna vetëm 2 kategori mësuesish dhe drejtuesish të arsimit. Vetëm 2: Ata që nuk dinë ose që nuk pranojnë të bëjnë marifete dhe ata, të cilët eprorët i kanë marrë inat për çfarëdo arsyeje.
Nxënësit mbeten përherë, ose në të njëjtin nivel, ose me fare pak ndryshime: 5 më lart a 5 më poshtë. Ç’u muar vesh, nëse numrin e të quajturvet analfabetë aktivë, e ulim nga 55% në 50%?! Ose edhe në 40% ta ulim, ç’u muar vesh?!
Në këtë mënyrë, zotërinj, nxënësit torturohen, prindët torturohen, mësuesit torturohen, ndërsa filozofët skolastikë rrahin ujë në havan.
Vendosni, zitërinj, metodën e MARRJES NË DORËZIM në sistemin e arsimit, të paktën deri në klasën e pestë, dhe do të shihni si do të rregullohen që të gjitha këto punë!
Kush vendos për të blerë një këmishë, të këtillë apo të atillë? Shitësi apo blerësi? Kush vendos për të marrë për tregti një numër lavatriçesh apo frigoriferësh? Prodhuesi apo tregtari? Kush vendos, kush e ka në dorë për të blerë ose për të mos blerë: sallatë marule, domate, speca, tranguj? Prodhuesi apo tregrari, i cili merret me shitjen e mëtejshme të këtyre prodhimeve? Po kur tregtari kërkon t’i shesë mallrat që ka blerë, kush vendos për t’i blerë ose për të mos i blerë, tregtari apo blerësi, ai që do t’i konsumojë ata prodhime?
Prodhuesi s’ka tjetër në dorë, veçse të punojë ditë e natë për të prodhuar mallra të mirë. Tregtari s’ka tjetër në dorë, veçse të zgjedhë mallra të mirë, që i shiten. Për mallrat e dobët s’ka rrugë tjetër, veçse të mbeten pa u shitur ose t’i nënshtrohen një ripunimi, pra, një trajtimi më të specializuar.
Kjo është në parim metoda që propozoj unë në sistemin arsimor. Gjithë jetën kritizerët e mi më kanë thënë: Nxënësi nuk është mall. Por unë u jam përgjigjur: Nxënësi nuk është mall, por dituria ËSHTË mall.
Të kemi mësues të specializuar për secilën klasë: Sa klasa të para kemi, aq mësues të specializuar për klasën e parë. Ose më shumë, në mënyrë që të ketë konkurencë. (Në konkurencë dihet që s’ka pushim nga puna. Ka thjeshtë vetëpushim.) Të kemi aq mësues të klasës së dytë, e kështu me radhë.
Mësuesi i klasës së parë ka për detyrë t’i mësojë nxënësit, të kërkojë e të përdorë mjete e metoda për t’i mësuar ata sa më mirë dhe për t’i edukuar sa më mirë, të bashkëpunojë intensivisht me prindët, t’u bëjë nxënësvet vlerësime stimulues, por të drejtën për t’I kaluar ata nxënës në klasën e dytë e ka vetëm mësuesi i klasës së dytë. Dmth të drejtën dhe detyrën për t’i marrë në dorëzim nxënësit e klasës së parë e për t’i kaluar ata në klasë të dytë e ka ai që do t’u japë mësim atyre nxënësve në klasë të dytë. Mësuesi i klasës së parë e merr pagën mbi bazën e numrit të nxënësvet që i janë marrë në dorëzim.
Mësuesi i klasës së parë nuk ka të drejtë t’i thotë kolegut të vet: Këta janë fëmijët që unë i kam përgatitur për ty. Ti je i detyruar të m’i pranosh dhe pastaj, ndaç mësoji, ndaç mos i mëso, ndaç vra veten me gjithë ta. Aq më keq, kur i njëjti mësues i çon nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën dhe pastaj i dorëzon rifugjo në klasë të gjashtë.
Ç’të bësh në klasë të gjashtë me nxënësin që për 6 vjet nuk ka mësuar ende të shkruajë?!
Fundja, ç’të bësh me “filozofët” tanë (dhe jo vetëm tanët) të arsimit, me pedagogët “e mëdhenj”, të cilët u kanë zënë dyert institutevet, fakultetevet, akademivet e ministrivet, e s’i lëshojnë ato për kiamet!? Uji le të mbetet përjetësisht ujë! Ata le t’i marrin rrogat, duke mos pushuar kurrë së rrahuri atë ujë në havanët e tyre komodë – të burokracisë! Natyrisht dhe vetëkuptohet: NË MËNYRË PËRHERË E MË “KRIJUESE”!