Prishtinë, 03. 12. 2013 – (Një dritë që prodhon terr) – Përfunduan zgjedhjet lokale dhe të gjithë tani jemi të mençur sepse…e kemi ditur çka do të ndodhë dhe kush do të fitojë! Pas luftës të gjithë injorantët bëhen gjeneralë! Ndërkaq gjeneralët mbesin pa zë! Vërtet pati rezultate të papritura dhe askush nuk mund të mburret me parashikim. Unë për veten time nuk kam dashur të merrem me rezultatet e balotazhit në ndërkohë që kam qenë bukur i saktë në parashikimin e rezultateve të 3 nëntorit edhe për ata që do të shkojnë në balotazh sikur edhe për ata që do të fitojnë pa balotazh. Kam pasur disa arsye pse nuk jam deklaruar për rezultatet e balotazhit përveç se kam menduar që Isa Mustafa do ta fitojë edhe një mandat për Prishtinën në ndërkohë që Shpend Ahmetin e kam vlerësuar si kandidat kompetent dhe të denjë për të qenë kryetar i Prishtinës! Po, kur edhe Nastradin Hoxhës nuk i kanë dalë parashikimet siç ka planifikuar, me gjithë atë reputacionin e dijetarit, pse mos të më ndodhë kjo edhe mua, njeri pa reputacion të certifikuar dhe me dije modeste! Pastaj, ka qenë jo e lehtë të parashikohen disa rezultate. Për këtë më vonë. Disa miqve të mirë që i kam u pata thënë që të mos dehen me dallime të votave përkatësisht me përparësinë e krijuar por të bëhen gati për balotazh sepse pozicioni startues për të gjithë është zero vota. Po ata ia futën gjumit të mbuluar me gjethe të dafinave dhe u zgjuan vetëm kur u doli gjumi në një shtrat të mbuluar me therra murrizi! Fushata si fushatë kaloi pa probleme të mëdha përjashtuar një fjalori akuzues i shoqëruar me goditje shumë të ulëta që në shoqëri normale nuk do të kalonin pa u ndëshkuar! Dhe i cili ishte përcaktues për rezultatin përfundimtar. Çuditërisht ata që e përfaqësojnë dhe mbrojnë ligjin nuk reaguan fare duke kontribuar edhe ata në këtë rezultat.
Të shkojmë me radhë:
1. PDK mbeti me më shumë komuna që udhëheq me to në aspektin e numrit por humbi komuna shumë të rëndësishme si Gjilanin, Ferizajn dhe Mitrovicën e Jugut, ndërkaq do ta humbaste edhe Prizrenin po të mos ishte kandidat i LDK, Eqrem Kryeziu. Çdo kandidat tjetër i LDK do ta fitonte edhe Prizrenin. PDK u soll e shkujdesur në këto zgjedhje duke mos u përcaktuar deri në çastet e fundit për kandidatët për kryetarë komunash. E sigurt se lehtësisht i fiton edhe këto zgjedhje. Si në kohën e Bajram Begut! Shumica e degëve ishin të përqara dhe ata që mbetën anash u rreshtuan kundër partisë duke përkrahur partinë kundërshtare. Shumë lehtë u hoq dorë nga vlerat e vërteta ndërkaq u ofrua azil politik dhe sidomos ekonomik për antivlera, horra dhe llumin i cili doli kundër partisë! Prokurori Salustro dhe shokët e tij ishin kundër PDK-së duke e dëmtuar këtë parti rëndë pikërisht para zgjedhjeve. Njëshi i PDK-së nuk u tregua i vendosur në caktimin e kandidatëve prandaj ata u caktuan në pako! Dhe kjo i kushtoi me humbjen e votave. Bisedimet në Bruksel patën pasoja tektonike për Thaçin dhe PDK-në. Kjo tregon qartazi se as zotat nuk janë të pavdekshëm. PDK e pësoi një rrëshqitje strategjike dhe nëse nuk e kupton se baza është në tokë e jo në qiell, kjo rrëshqitje do të shndërrohet në shembje të pariparueshme! Ka kohë ta marr veten me një reformë të thellë brendapartiake dhe duhet ta kuptojë se shtëpia nuk ndërtohet me dy ose tre shtylla! Përveç nëse nuk doni të eksperimentoni . PDK e ka provuar eksperimentin dhe është djegur bukur mirë. Për PDK-në është shumë e mirëseardhur humbja e Isa Mustafës në Prishtinë sepse ndryshe do të shndërrohej në parti fshati! Mirëpo , PDK ka kapacitet ta rimarr veten sepse alternativa tjetër është humbja e zgjedhjeve nacionale dhe margjinalizimi politik. Pokeri është lojë e rrezikshme për amatorët dhe ata që luajnë me dy palë letra! Gjithashtu edhe sjellja në Kuvend e ka dëmtuar rëndë këtë parti! Një mik imi brenda kësaj partie më tha se kemi vota si në zgjedhjet e fundit dhe udhëheqim 10-të komuna ndërsa unë u përgjigja se nuk mund të krahasohen 10-të Ferari me 10-të Wolksvagen. PDK , definitivisht ka pësuar një nokdaun por jo edhe nokaut!
2. LDK është partia që ka fituar më së shumti në këto zgjedhje. Jo se është shquar për një punë të hajrit apo për shkak të qëndrimit opozitar por për shkak të mospunës së PDK-së. Isa Mustafa e humbi Prishtinën për shkak të aferës së përgjimeve ku përfolej djali i tij për blerje të votave dhe për shkak të goditjeve shumë të ulta të shtypit që 2-3 ditë para votimit botuan artikullin “ministër i Millosheviqit“. Në fakt, rrethin e ka pasur të kalbur dhe me krimba prej dinosaurëve që me çdo kusht e dëshironin pushtetin madje edhe në dëm të partisë! Prishtinën e ka humbur shkaku i bashkpunëtorëve të afërt që kishin probleme me ligj si dhe shkaku i rrethrrotullimit të madh të cilin ia bllokuan me procesin e shpronësimit. Realisht, rreth Isës ka lule të korrupcionit dhe injorantë politik. Mirëpo, në anën tjetër askush nuk do të bënte diçka më tepër për Prishtinën se sa bëri Isa. Isa, një teknokrat tipik e riktheu Gjilanin, Pejën, Ferizajn, Therandën, Lypjanin dhe Vitinë. Dhe kjo llogaritet si fitore e madhe. Tash, nëse brenda LDK-së nuk shpërthen një kryengritje kundër Grupit të Gollakut, Isa Mustafa mund të bëhet kryeministër i Kosovës pas zgjedhjeve të ardhshme nacionale! Këtë nuk e shoh aspak të pamundur! Aq më parë që në disa komuna LDK siguroi fitore si psh. Mitrovica e Jugut dhe ku është përcaktues për formimin dhe qëndrueshmërinë e qeverive lokale. Edhe në Prishtinë, gjithashtu! Përfundimisht në këto zgjedhje LDK kaloi shumë më mirë se që është pritur!
3. Lëvizja VETËVENDOSJE! fillimisht llogaritej si humbës i madh. Edhe tash nuk shoh se ka fituar shumë. Ka fituar Shpend Ahmeti për të cilin votuan edhe fëmijët e mi. Sepse medojnë se do të ketë ndryshime. Shpendin e votuan kryesisht të rinjtë. Shpendi e ka shumë vështirë të vë rend në Prishtinë. Mos them se do ta ketë të pamundur. Do të ketë shumë problem me asambleistë. Me numra. Koalicioni me LDK-në i krijon stabilitet qeverisës por jo edhe sukses në qeverisje. Shumë të njohur që i kam e që janë në PDK kanë votuar për Shpend Ahmetin. Jo pse e duan ate por se nuk kanë dëshiruar të forcohet LDK-ë! Me VV Shpendi e ka vështirë ta qeveris Prishtinën. Me pjesën e FER-it në VV do ta ketë shumë më lehtë prandaj nuk do të habitem fare nëse Shpendi në të ardhmën distancohet leht nga VV. Aktualisht politikani i cili do të përballet me më së shumti vështirësi gjatë punës së tij në Kosovë do të jetë Shpend Ahmeti! Uroj që të jet i suksesshëm dhe të mos lejojë që elementi jo fort i ndershëm brenda VV të bëhet përcaktues për dinamikën dhe përmbajtjen e aktiviteteve, premtimeve si dhe synimeve të tij. Ndryshe, mund lehtë të ndodhë që mandati i tij të përfundojë para afatit. Sikur i kryebashkiakut të Beogradit Dragan Gjillas! Bashkësia ndërkombëtare do të jetë këmbëngulëse që VV të zbutet edhe më shumë në të ardhmën. Dhe kjo do të zbutet sepse ndryshe nuk mbijetohet! Përkohësisht VV u forcua me fitoren e Shpendit në Prishtinë. Po them vetëm përkohësisht sepse, nëse VV reformohet atëherë mund të bëhet varianti i Edi Ramës së Shqipërisë kurse, në të kundërtën do ta ketë fatin e Sali Berishës!
4. AAK është humbëse absolute në këto zgjedhje. E ruajti pushtetin vetëm në tri qyteza ndërsa humbi Gjakovën, Pejën, Therandën dhe Rahovecin. Përkrahja e opozitës , pa kushte si parti opozitare e ka dëmtuar shumë këtë subjekt politik. Pastaj akuzat se njerëzit e afërt me këtë parti kanë vrarë kundërshtarë politikë në Pejë dhe Dukagjin si dhe drejtimi i gishtit kah Ramush Haradinaj për këto vrasje dhe haraç ka qenë një goditje shumë e ulët ndaj Ramushit e që ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. Çuditërisht organet e hetuesisë dhe prokuroria nuk kanë reaguar fare, ose të marrin masa ndaj Ramushit, ose të marrin masa ndaj Gazmend Muhaxherit për ate që e ka deklaruar e nuk e ka mbështetur me fakte konkrete. Nga kjo definitivisht Ramushi ka humbur ndërsa Gazmendi ka fituar! Me këto humbje Ramushi e ka rrezikuar edhe vet ardhmërinë e AAK-së! E ka shumë vështirë ta rikthejë AAK-në në binarë ku ka qenë më parë! Kjo është kur krejt partia ndërtohet vetëm në një shtyllë dhe një kambalec. Në Ramush Haradinaj si shtyllë dhe Blerim Shala si kambalec! Tash AAK është si anija që fundoset dhe të gjithë nguten të ikin nga ajo anije. Jeta është e ëmbël! AAK ka bërë dy gabime kapitale për të cilat tash po paguan fatura. I pari, kur refuzoi të bëhet pjesë e koalicionit me PDK-së pas zgjedhjeve të përgjithshme kur Ramushi ishte në Burgun e Hagës dhe i dyti kur përsëri pas kthimit nga Haga Ramushi refuzoi të bëhet pjesë e koalicionit me PDK-në ndonëse përkrahu çdo propozimi të pozitës në pushtet. Edhe kur ato ishin të dëmshme për Kosovën. Ramushi është ujk dhe nuk i rri mirë roli i qengjit! Këto zgjedhje na bindin për këtë.
5. AKR vetëm me dy numra fitoi bingo! Me Gjakovën dhe Mitrovicën! Krejt të papritura. Sidomos në Mitrovicën e Jugut! Në Gjakovë dr. Pali humbi sepse në vend se të merrej me zgjedhje ai merrej me jetën private të Mimoza Kusarit. Në Libi dhe Maqedoni. Mimozën e përkrahu fort edhe imami i Xhamisë së Madhe, Shefqet Krasniqi. Dhe se duket se nuk ka pasur përkrahje nga partitë aleate. Kandidatin e AKR-së në Mitrovicën e Jugut nuk e ka marr seriozisht askush. Madje as ai veten e tij. Por kur të bëhen bashkë dy koka gjeniale si ajo e Nexhmedin Spahiut dhe Agim Bahtirit , fitorja është e garantuar. Tash jemi në pritje të ardhjes së makinerisë së Agim Bahtirit nga Singapori dhe menjëherë do të hapen 15000 vende të reja të punës. Oj Kosovë , e mjera Kosovë a është e mundur se kaq shumë je shpordhë , që të shilon dhe të kërcen, çdo mashtrues dhe çdo legen! Me këto dy fitore Behgjet Pacolli ka zgjatur jetëgjatësinë e AKR-së dhe ka siguruar dy zona atraktive për biznes dhe investime, Gjakovën dhe Mitrovicën! Ka gjasa që Pacolli të mbetet vetëm me një krah sepse Mimoza mund të fluturojë pas një kohe nga AKR. Nëse do të ketë kohë të forcohet në Gjakovë!
6. Lista Srpska – Ivica Daçiq është fituese absolute në këto zgjedhje. Nga 10 komuna serbe ajo doli fituese në 9-të kurse në Shtërpcë fitoi SLS që e mbështet këtë listë! Kjo listë do të jetë bartëse kryesore e formimit të Bashkësisë së komunave serbe e cila formalisht do të jetë brenda Kosovës ndërsa faktikisht i përgjigjet Serbisë! Kjo Bashkësi është dhe do të jetë bërthama e entitetit politik dhe etnik serb në Kosovë prandaj edhe është forcuar aq shpejt dhe ka aq përkrahje. Kjo është përligjje e ndarjes së brendshme të Kosovës.
Ju besoni në ndryshime, unë jo
Po flitet se me Shpendin dhe me Mimozën do të ketë ndryshime dhe se këto rezultate befasuese janë shenjat e para të ndryshimeve demokratike në Kosovë, reagim kundër arrogancës së pozitës dhe opozitës dhe zgjim i qytetarisë. Nuk besoj shumë në këto pohime sepse koalicionet para balotazhit kanë qenë të tmerrshme, jonormale dhe kundër intereseve të qytetarit. Kanë qenë koalicione ekskluzivisht për ta fituar pushtetin apo për ta ruajtur pushtetin. Me çdo kusht dhe me të gjitha mjetet e lejuara dhe të palejuara. Vetëm VV nuk bëri koalicion me askend në Prishtinë!
Xhejms Rubin përcaktues i rezultateve të balotazhit
Xhejms Rubin ka qenë përcaktues për rezultatin e balotazhit me thënien e tij të famshme se krahu i luftës e bëri luftën ndërsa tani është koha ta lërë pushtetin. Ky ishte sinjal i qart se kush duhet të votohet e kush nuk duhet të votohet! Ashtu e kam kuptuar unë e besoj se shumica e kanë kuptuar si unë! Ishte antologjik dhe historik titulli i legjendarit Lil Toshi: ”Thank’s Mr. Rubin“. Lil Toshi e do fort krahun e luftës prandaj e falenderon z. Rubin. Zoti Rubin e kishte dhe e (keq) përdori votën gjatë fushatës për balotazh të date 1 dhjetor 2013.