HAZIR MEHMET: LIDHJA E KRIJUESVE SHQIPTARË NË MËRGATË, NJË SIHARIQ VITI

Vjenë, 05. 12. 2013 – Rrethanat e reja drejt progresit në vendlindje krijuan hapësirë tani për shqetësime tjera, mes tyre edhe forma e organizimit dhe veprimit të krijuesve në mërgatë. Fatbardhësisht krijuesit tanë në vendet jashtë atdheut janë të shumtë dhe paraqesin vlera prezantuese para të tjerëve, krahas kombeve tjera. Nuk është e sotme fuqia e fjalës artistike, dhe jo vetëm artistike, në shërbim të atdheut. U fillua shekuj më parë, kulmor ishin Rilindësit e mëdhenj të cilët e krijuan bërthamën kombëtare e shtetërore me pendën e tyre në zemër të shqiptarëve të etur për liri. Nga kjo lindi alfabeti si elementi themelor i kombit e shtetit.
Tani në rrethana të reja në mërgatë, ku teknologjia e bëri botën e vogël, mundësitë afirmative të vlerave janë shumë herë më të fuqishme. Kjo kërkon organizim përkatës si formë efikase në lidhjet dhe njohjet reciproke mes individëve, shoqatave e lidhje shoqatash të krijuesve anë e kënd globit. Njohja me njëri tjetrin, ndihma e ndërsjellë, informatat e mundësive të ofertave të përbashkëta, është hapi i parë drejtë lidhjeve me të tjerët. Ne si popull i lashtë, me një histori e kulturë shekullore kemi çka të ofrojmë me krenari krahas të tjerëve. Nga historia e kultura jonë, e njeriut tonë, u grabitën pa mëshirë nga popujt për rreth, të cilët e mohojnë kombin shqiptar. Këtu ne duhet të bashkojmë forcat në hulumtime shkencore në gjithë globin që ta shpalosim të vërtetën shekullore të historisë e kulturës kombëtare.

 Në këtë rrugë, si një yll shkëlqen Prof.Arif Mati (Aref Matheu), nga Parisi, i cili shkriu vetën në arkivat e bibliotekat botërore, dha çdo gjë në luftën për të vërtetën mbi shqiptarët, ilirët e pellazgët përballë vërsuljeve barbare agresive në Gadishullin Ilirik. Është ky një shembull i veprimit individual, të vetmuar dhe shumë të tjerë që presin hapjen e rrugëve për lehtësira në ofertat shkencore, të botimeve, promovimeve etj. Nisur nga kjo Koblenzi në Gjermaninë e begatë, do jetë një dritare e re në ndriçimin e hapave tanë në krijimtarinë artistike, hulumtuese shkencore, një trasim për gjeneratat e reja drejtë prosperitetit kombëtar.
Koblenzi ka edhe një simbolikë madhore, Simbolin e Rezistencës Kombëtare, me fjalë e porosi. Vlera e tyre do shtohet në çdo minutë, dhe nesër nuk do ketë kandar që t’i peshon. Dhe çuditërisht, Qëndresa Femërore e Kombit Shqiptar, po aty, me fjalë e porosi. Porosi e dyfishtë, kombi dhe emancipimi i tij. Dhe tani vetëtimë rrjedh kujtimi në malet shqiptare ku shkëlqeu plisi i Nusës së Maleve, krahas Kryetrimit me Shtatë Zemra, dhe sakrifica e tyre për liri, me mjetet e vetme të mundshme kur robëria mbyste.
Madhështitë nuk krijohen vetëm, por në grupe, ato përzgjedhin ngjashmëritë dhe nxisin energji kolektive e cila na duhet në shërbim të njerëzores e kombit. “Ne shqiptarët jemi popull i befasive të këndshme” – tha personazhi i befasive. Le të jetë kjo kështu edhe në Koblenz. Një ngrohje shprese mbi dhembjet e hidhura të kombit tonë të vogël në rrugën e mbijetesës. Sot do jemi të hapët dhe nuk do mbyllim derë. Mysafiri i heshtur, lugën e gjeti shtruar në sofrën mërgimtare. Gota cingëroi, tani me verën kosovare në zemër të Nemcit. Kush tha se ëndrrat nuk janë reale!
Secili krijues një copëz historie, një copëz dhembje. Atdheu ishte gjithkund i plagosur dhe rritja e fryteve ishte me plotë plagë e vrragë. Gurpragu i Kullës i plagosur nga lotët e pritjes së mërgimtarit, shpresës së ringjalljes, do shërohet. Një hap edhe Koblenzi drejt atdheut me shpirt e veprimtari.

Nga e majta: Sadie Kryeziu (GB), Flora Borovina (RKS), Shenida Bilalli (KRO), Baci – Adem Demaqi(RKS), Silva Tërnava (Zelande e Re), Sevëme Fetiqi (D), Besim Xhelili (A); ngritur: Imri Trena (N), Rita Saliu (SHBA), Selvete Tërstena – Halili (D), Gonxhe Letmi – Begisholli (D), Hazir Mehmeti (A), Dr. Zejnepe Alili – Rexhepi (Tetovë), Besnik Camaj (CH) dhe Drita Nikoliqi Binaj (Vojvodinë).

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura