Durrës, 10. 01. 2014 – Unë nuk e kaloj mëngjesin pa e dëgjuar emisionin e Bashkim Hoxhës “Koha për t’u zgjuar”. Ndonjëherë më vijnë edhe vërejtje anash: “A prapë Bashkimin do të dëgjosh?” Por unë vazhdoj ta hap televizorin te Njuz 24-a dhe kjo ka një arsye. Emisioni “Koha për t’u zgjuar” ka 2 kuptime: Kuptimin konkret, ora 7 deri në 8 e 30. Njerëzit duhet të zgjohen nga gjumi dhe të fillojnë punët e ditës. Zgjohu! Çohu! Kryeji me gjallëri veprimet e mëngjesit dhe përvishju punëvet që ke në plan! Mos rri deri në drekë duke fjetur! Nëse nuk ke një orar gjumi të përcaktuar, nuk ke për ta pasur as kohën e të zgjuarit ashtu siç duhet ta kesh dhe kjo është shenja më konkrete e degradimit në jetën personale të çdo individi. Koha për t’u zgjuar është e shumta ora 7 e mëngjesit. Po e shkele këtë orar, nuk e ke mirë punën.
Bashkim Hoxha nuk bërtet për të këtilla gjëra, por ai ka vënë një titull kuptimplotë: “Koha për t’u zgjuar”. Jemi në vitet kur, me forma të ndryshme, propagandohet ose infiltrohet e quajtura “jetë nate” dhe kjo në shumë jetë të familjevet, që na rrethojnë, ka filluar të krijojë situata jonormale. Prindët bien të flenë, vajza s’ka ardhur ende. Gruaja i vë fëmijët në gjumë, burri s’është në shtëpi. Ai vjen në orën 4, ndonëse nuk punon në minierë. Prindët zgjohen dhe nisen për në punë, djali fle deri në orën 12. Kur prindët kthehen nga puna, e gjejnë shtëpinë rrëmujë.
Ky është kuptimi konkret, sipas meje. Natyrisht, sipas meje. Xhon Loku thotë dhe kjo thënie ka vlerë të përjetshme: “Fëmijët të bien heret dhe të zgjohen heret.” Njerëzit, pra, me edukatën të kultivuar që në fëmijëri, të bien heret dhe të çohen heret, se përndryshe e mori dreqi rregullsinë dhe, bashkë me të, krejt jetën personale, familjare dhe shoqërore!
– BASHKIM HOXHA, MODERATOR I EMISIONIT “KOHA PËR T’U ZGJUAR” –
Kuptimi i dytë është ai figurativ. Populli ynë, kjo pjesë e Kombit Shqiptar që jeton në Rep.e Shqipërisë dhe e cila e përjetoi dramatikisht restaurimin e kapitalizmit (pasi dështoi sistemi komunist), ka nevojë të ndërgjegjësohet, ka nevojë të kthjellohet, ka nevojë të zgjohet dhe ta kuptojë sa më qartë periudhën e vet historike, kohën në të cilën tashmë ka hyrë. Madje jo vetëm kjo pjesë, por edhe pjesët e tjera të Kombit tonë kanë nevojë t’i fërkojnë sytë e të shohin ku janë.
Janë të pakët ata njerëz që mundohen t’ua sqarojnë bashkëkombësvet tanë situatën e re në të cilën gjendemi tashmë më shumë se 20 vjet.
Problemi i parë është ai i demokracisë.
Ç’është demokracia?!
A është në gjendje ta kuptojë demokracinë një i përgjumur?!
Me mënyrën se si e kupton njëri apo tjetri demokracinë, lidhet një varg dukurish të tjera, të cilat doemos kërkojnë zgjidhje. Jo gjumë. Jo ëndrra. Jo gjendje kllapie.
Si duhet ta shohim pluralizmin?
Si duhet ta shohim jetën në familje? Fshatin. Lagjen. Rrugën. Grumbujt e plehëravet. Administratën. Korrupsionin. Policinë. Gjykatën. Dashurinë. Gruan. Prindin. Mësuesin. Që të gjitha këto, Bashkim Hoxha i ka përmbledhur te e vetmja shprehje e mundshme: “Koha për t’u zgjuar”. Zgjohu! Zgjohu, o shqiptar! A je në gjendje të zgjohesh, apo do të rrish tërë jetën i përgjumur, në fund të Botës?!
Vetë Bashkimi i lexon titujt e gazetavet në mënyrën më demokratike. Aty jepet shembulli i parë i të kuptuarit të demokracisë: “Të gjitha gazetat që më vijnë në studio, unë i lexoj ashtu siç janë, pa marrë parasysh se unë, për vete, mund të kem një bindje ndryshe.”
Gazetat kanë gjithfarë përmbajtjesh. Shqiptari ka nevojë të njihet me ato përmbajtje dhe, nëse është i zgjuar, nëse i ka dalë gjumi, ai duhet të jetë në gjendje të gjykojë vetë: Ku e ka mirë e ku ia ka futur kot njëra apo tjetra gazetë. Duhet të kuptojë vetë ç’është më e rëndësishme: Të shqetësohet për shëndetin e Shumakerit, apo për shëndetin e një fshati të Shqipërisë, ku vriten, në 4 minuta, 4 njerëz, sikur të ishin 4 pula?!
Në bisedat me qytetarët, ka budallallëqe me thasë. Bashkimi e ndien veten ngushtë në bisedat me qytetarët. S’dinë as të marrin në telefon. Një lemeri. A mund të konsiderohet se i ka dalë gjumi një populli, i cili nuk ka mësuar dot të marrë në telefon për 12 vjet?! Por, fatmirësisht, ka edhe pronocime të mençur. Pikërisht ky është edhe barometri për të kuptuar sa të çuar prej gjumit dhe sa syënjtur, dmth ende të përgjumur, jemi ne shqiptarët e shekullit XXI.
Bashkimi i dëgjon me durim të gjithë prononcimet, duke kundërshtuar vetëm të shfaqurit jodemokratik të njërit apo tjetrit qytetar. Dëgjuesi, por edhe studiuesi, ka mundësinë që të nxjerrë konkluzionin:
A u zgjua Kombi ynë?!
A po zgjohet?!
A po bëhet përherë e më i ktjellët?!
Ç’mund të bëjë tjetër një gazetar?
I vetmi shqetësim i imi është ky: Koha për t’u zgjuar nuk është një kërkesë e përkohshme. Koha për t’u zgjuar është një tërheqje e përjetshme e vëmendjes, në rastin tonë, gjithshqiptare. Në të gjithë mëngjeset, të gjithë individëvet të “botës tanë” u shkon te veshi një thirrje, një kambanë alarmi: Zgjohu! Çohu, o shqiptar prej gjumit, se filloi dita e re! Në të gjitha kohët, në të gjithë ndërrimet e vitevet, cilitdo popull apo komunitet, duhet t’i rrijë te veshi kjo kambanë ndërgjegjethirrëse: Zgjohu! Mos iu dorëzo gjumit, se çdo përgjumje është fatale në radhë të parë për jetën tënde personale!
Duke mos qenë kërkesë e përkohshme, a do të vazhdojë ky emision mirëfilli kushtrimtar, edhe kur Bashkimi të mos ketë më fuqi për të na e përsëritur mëngjes për mëngjes këtë thirrje?!
Dhe: A vetëm një Bashkim Hoxhë duhet t’ua bëjë këtë thirrje shqiptarëvet?!
9 janar 2014 – Gjokë Dabaj
* * *
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
KUSH ËSHTË BASHKIM HOXHA
Bashkim Hoxha (i lindur në Durrës), është në kulmin e krijimtarisë së tij dhe një emër, që nuk i mungon asnjëherë publikut. Ai është i njohur për emisonin e tij të mëngjesit “Koha për t’u zgjuar”, në të cilin komunikon me një pjesë teleshikuesish për probleme në përgjithësi që nga viti 1997. Aktualisht është drejtor i teatrit “Aleksandër Moisiu”. Më 30 qershor 2010 Presidenti i Republikës z. Bamir Topi i akordoi titullin Mjeshtër i Madh në një ceremoni, ku u dha edhe premiera e komedisë së tij “Udhëtimi pa vizë i një alieni”…
Shkrimtari i mirënjohur durrsak, Mjeshtri i Madh, Bashkim Hoxha ka publikuar në tetor 2013 romanin e tij të fundit “MISSING”, si një botim i shtëpisë botuese TOENA. Me një pritshmëri të lartë nga lexuesit dhe kritika, për shkak të trajtimit të problemeve bashkëkohore, romani konsiderohet një nga librat më të arrirë të dekadës së fundit. Romani trajton krizën e thellë të një brezi që po formohet në një botë virtuale, pa lëndën e nevojshme që i jep asaj domethënie. Shkrimtari i mirënjohur ka realizuar një galeri të vërtetë përsonazesh të spikatura si Grozi, ariu, Lora (qeni), Mona (E deklaruara Missing) Gridi, Danieli (Dauti), Gent prokurori, Maria e Bjeshkëve etj.
* * * Bashkim Hoxha ka një numr të madh veprash në prozë, dramaturgji, kinematografi si: “Heronjte e Viagrës”, “Romancë në ditën e krimit”, “Lakuriq”, “Ground Zero” (“Dëshmitari i Shkretëtirës”), “Hotel Ballkan”, “Mbreti i Vesës”, “Mot i keq për dashuri”, “Fjalë të ndyra dashurie”, “Njeriu tjetër”, “Një lolo dhe një mbret”, “Unë dhe Mefistofeli” (dramë), “Ftesë për gjyq”, “Këngë dashurie dhe korba”, “Qyteti pa dashuri”.
==============================
GJOKË DABAJ: TANI EUROPA LE TA KOMENTOJË Z0TIN A.VULIN
Z.A.Vulin tha që Rep.e Kosovës është aparteidi i fundit i Evropës. Atje, sipas tij, po u praktikokan ndaj popullsisë sërbe, politkat e aparteidit! Kjo do të thotë që popullsia shqiptare, “koloniste”, “e ardhur”, po ushtroka dhunë ndaj popullsisë “vendese”! (Duke u dhënë sërbëvet 8 a 9 komuna në qeverisje.) Pyetjet që duhet të shtrojnë komentuesit evropianë, duhet të jenë këto: Kur ka filluar “dhuna raciste” ndaj “vendësvet” sërbë, krahasimisht “zezakë” të Kosovës? A ka filluar në shekullin VII? A ka filluar në shekullin XII? A ka filluar në shekullin XV apo në shekujt XIX e XX?
– A.Vulin –
Cili ishte metropoli i të bardhëvet (shqiptarëvet) dhe cili “zezak” i Kosovës, alias sërb i Kosovës, do të mund të krahasohej me N.Mandelën e Afrikës Jugore? (Stefan Nemanja, Car Dushani, Vuk Brankoviqi, Kral Aleksandar Karagjorgjeviqi, Aleksandar Rankoviqi, Sllobodan Millosheviqi.)
Komentuesit, doemos, duhet të tregojnë se si në shekullin VII zbritën nga Veriu kolonizuesit e bardhë, “paraardhësit e shqiptarëvet të sotëm”, dhe si i dogjën kasollet e “zezakëvet” “sërbë” anembanë Dardanisë së atëhershme.
Pastaj, po ata komentues evropianë, duhet të tregojnë se si në shekullin XII, prapë të bardhët, paraardhësit e shqiptarëvet, e pushtuan Tokën e atëhershme të Konstantinit, me qëllim që të përvetësonin minierat e arit e të argjendit, si dhe fushat pjellore të këtij vendi, duke i shndërruar në bujkrobër “zezakët” “sërbë”.
Më në fund, prapë, në shekujt XIX e XX, të bardhët shqiptarë kanë zbritur nga Beogradi dhe kanë ushtruar genocide ndaj popullsisë “zezake” “sërbe”, për ta mbyllur këtë punë në vitin 1999 me dëbimin e 1 milion “zezakëve” “sërbë” nga Kosova, me qëllim që aty të vendosej njëherë e përgjithminë “apartehidi i shqiptarëvet të bardhë”.
Ky duhet të jetë komenti i evropianëvet ndaj deklaratavet plot nervozizëm të z.A.Vulin. Por, a e njeh sa duhet Evropa historinë e Kosovës dhe a ka vullnet Evropa t’i komentojë si duhet deklaratat e këtij “zezaku” “të persekutuar”?!
E di unë ç’donte ky “zezak i persekutuar”, të mos ish Evropa, ajo e përhershmja, e pamençura, e cila po i përgatit kështu terrenin një tjetër Atentati të Sarajevës!
7 janar 2014 – Gjokë Dabaj.