BEHXHET SHALA: BRUKSELI, BEOGRADI, VERIU DHE LAVER BARIU!

(Prishtinë, 02. 05. 2012) – Kryeministri Thaçi ka deklaruar se ka ardhur koha që në Kosovë të formohet Komisioni i së Vërtetës. Për pajtim me serbët. Për pajtim historik. Në fakt edhe duhet të pajtohemi. Së pari duhet t’u kërkojmë botërisht falje serbëve për të gjitha të zezat që ua kemi bërë atyre që 100 vjet dhe që po ua bëjmë ende. U kemi hyrë në hak. Serbët, si popull bujar dhe hyjnorë besoj se do të na falin. Vetëm u duhet kohë t’i mbarojnë edhe do punë në Kosovë. Me Prizrenin dhe Hoçën e kryen. Tash është në radhë veriu i Kosovës. Duket çartë se Hashimi nuk ka ide se ç’është ky Komision i së Vërtetës. Ndryshe do të ishte shumë më i kujdesshëm në deklarime.
Zgjedhje apo zgjidhje
     Nuk duhet ndonjë zgjuarsi e veçantë e të kuptohet se Beogradi kontrollon përmes okupimit “demokratik“ së paku 25% të territorit të Kosovës, shtet pa pavarësi të plotë dhe sovranitet të dhunuar. Nga Serbia dhe ndërkombëtarët. Qofshin ata “miq” të deklaruar apo armiq të dëshmuar. Fjala armik është më tepër një sforcim i ndjenjës së pafuqisë për të ndryshuar gjendjen dhe sigurimi i një arsyetimi qoftë edhe të rremë dhe sigurisht të rremë për injorancën tonë. Serbia e mbështetur shpesh nga ndërkombëtarët për shkak të “përcaktimit dhe rezultateve demokratike “ ka bërë ç’ka dashur në Kosovë. Ka organizuar zgjedhje lokale, parlamentare, njësi paramilitare, struktura kriminale, shkollim paralel, gjyqësorin, shëndetësinë, shvercin dhe tregtinë. Me një fjalë ka bërë që të dëmtojë skajshmërisht funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Në planin rajonal dhe ate ndërkombëtar. Mund të thuhet se nuk është se nuk ka arritur rezultate. Në dëm të Kosovës! Qendrat vendimmarrëse botërore e mbuluan të kaluarën kriminale të Serbisë por edhe të tashmën në Kosovë me një mbulesë dekorative “demokratike“ të quajtur Boris Tadiq. Boris Tadiqi u përzgjodh si kundërshtim i ofertës radikale serbe të projektuar në Tomislav Nikoliqin në Beograd, Dodikun në Republika Serpska të Bosnjes dhe Sheshelin e Hagës! Te ivanoviqët në veri dhe trajkoviqët në qendër të Kosovës. Demokracia e Boris Tadiqit ka drejtim njëkahësh, kah Brukseli dhe Vashingtoni. Karshi Kosovës është vetëm një mishërim më sharmant dhe më i sofistikuar i Sllobës.

Lehtesuesit e OSBE-se, ia lehtesojne Serbise mbajtjen e zgjedhjeve ne Kosove edhe me lejen e Hashim Fusnotes!

____________________________________________

     Për dallim të politikanit me përmbajtje të një trungu bungu të kalbur si Ivica Daqiq. Përballë perëndimit Tadiqi luajti mençur duke shënuar gjithmonë në golin e Kosovës. Nuk ka qenë shumë vështirë kur portën e Kosovës e kanë mbrojtur UNMIK, EULESH, KFOR ndërkaq që arbitër ka qenë OSBE i cili , sa i përket pozicionimit rreth statusit politik të Kosovës nuk ka dalluar aspak nga Serbia. Nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës sikur që nuk e kanë njohur as portierët UNMIK, EULESH, KFOR etj. Si të mbrohet atëherë porta e Kosovës?! Serbia ka luajtur me Kosovën si macja me miun. Po luan edhe sot. Ne po luajmë me veten tonë. Nuk kemi politikë kombëtare e as shtetërore por e kemi një paçavurrë” multietnike” dhe parashtetërore. Bashkimin kombëtar e kemi vetëm si faturë për të mbuluar urrejtjen patologjike. Nuk mund t’i gjesh dy shqiptarë vendimmarrës që flasin me një gjuhë ndonëse gjuhën amtare e kanë shqipen. Flasin me gjuhën e urrejtjes dhe bëjnë politikë korbash duke bërë përpjekje t’i nxjerrin sytë njëri – tjetrit. Shiheni doktorin e Tropojës dhe falltorin e Tiranës. Po t’i kundërviheshin Athinës dhe Beogradit me vendosmërinë si i kundërvihen njëri – tjetrit, ndryshe do t’i kishte punët Shqipëria. Apo Aliu me Mendurin në Maqedoni. As Kanuni i Lekës nuk po i bashkon! Madje as Kuvendi i Lezhës! Në luginën e Preshevës kanë mbetur një grusht shqiptarë dhe një dyzinë partishë! Fjalori që përdoret kryesisht flet për tradhëtarë, hajdutë, zhvatës, mercenarë, pseudopatriotë, këlyshër të Hashimit dhe fosile të Brahimit. Etj.etj. Në Mal të Zi është një jotolerancë e theksuar midis partive politike shqiptare. Në Kosovë duket se duhet të organizohet edhe një Kuvend për Pajtimin e Hasmërive Politike midis 30 e më shumë partive politike! Është non-sens i llojit të vet që hasmëritë më të theksuara janë pikërisht midis partive të krahut të luftës apo të atyre që kanë përkrahur luftën. Lufta midis llojit është lufta më e rrezikshme. Në këtë luftë përfituesit më të mëdhenj janë llaskucët që kanë mbijetuar të gjitha pushtetet, të Rankoviqit, Markoviqit, Titos, Millosheviqit, Xhinxhiqit, Koshtunicës dhe Tadiqit. Ata po përfitojnë politikisht ndërkaq që bazën materiale e kanë të trashur në të gjitha pushtetet. Tash po e përligjin atë bazë materiale duke e “fisnikëruar” me patriotizëm. Të rrejshëm apo të vërtetë nuk është çështje që diskutohet fare. Një gjë e di shumë mirë! Nuk mbaj mend që në Kosovë ka pasur më shumë horra se që ka sot. Me një fjalë; është koha për horra! Të të gjitha llojeve, politikë, medialë (me nene dhe pa nene) dhe atyre të shoqërisë civile. Është një bashkëjetesë interesante dhe një dashuri idilike midis nja disa dashnorëve të horrave qeveritarë dhe joqeveritarë! E tash mund të paramendoni se çfarë mund të pjell si rezultat i kësaj dashurie?! 

HASHIM FUSNOTA!

_________________________________

     Të gjithë kundërshtuam organizimin e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë. Kundërshtimi ishte i skajshëm dhe kërcënues sa që KFOR u detyrua të sjell trupa shtesë. Për të mbajtur situatën nën kontrollë. Ndonëse opozita përqeshte planet e prezantuara nga Bajram Mitrovica për intervenim në rast të përpjekjeve për zgjedhje lokale serbe në Kosovës, KFOR por edhe unë me seriozitetin më të madh i shqyrtuam këto kërcënime. Unë, personalisht me netë të tëra nuk kam vu gjumë në sy nga frika e eskalimit të situatës. Kam fjetur rehat vetëm me të dëgjuar lajmin se KFOR po sjell trupa shtesë në Kosovë. Frika ime ka qenë e arsyeshme duke ditur faktin se Bajrami nuk shkon në gjueti pa e mbushur pushkën plotë. Këtë e ka ditur edhe KFOR. Opozita edhe sot po bën hajgare me Bajramin. Janë totalisht joseriozë! Pastaj, edhe disa ministra kërcënuan se do të veprohet sipas ligjit. Këtyre ministrave u besoj fort. Janë shumë të vendosur. Kanë dëshmuar këtë. Pa përjashtim! Unë i besoj Bajramit dhe i jam shumë mirënjohës OSBE që na shpëtojë nga sherri! OSBE vullnetarisht po e bënë organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Sikur që e ka bërë me të gjitha zgjedhjet serbe në Kosovë në periudhën e pasluftës. Ato lokale, parlamentare dhe presidenciale. Sinqerisht edhe Serbia dhe struktarat e saj në Kosovë kanë frikë nga Bajrami prandaj e kanë zvogëluar numrin e qendrave të votimit. Do të votohet vetëm në 96 qendra të votimit në Kosovë të shpërndara në 29 komuna të Kosovës! Edhe këtu jemi rast sui generis sepse po lejojmë që një shtet që ka qëndrim armiqësor ( Serbia ) të organizojë zgjedhje në Kosovë. Prandaj nuk jemi as të pavarur e as sovran! Te ne ishin “lehtësues“ UNMIK, EULESH, ICO e tash u bë OSBE. Merreni me mend sa me fat jemi që i kemi këta lehtësues. Merreni me mend po të kishin qenë këta rëndues! Çka do të bëhej me ne?! Për Kosovën dhe qytetarët e saj është me rëndësi që organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë e kanë përshëndetur Brukseli, Beogradi dhe Vashingtoni. Ndërkaq neve na mbetet të ulemi e të qajmë nën muzikën e Laver Bariut. Me zemra të thyera dhe dinjitet të dhunuar. Së paku, për ato çaste sa zgjatë muzika ikim nga realiteti. Ndihemi shqiptarë!
“Demokracia“ e Tadiqit dhe demokracia e Nikoliqit
     Bashkësia ndërkombëtare ka bërë të pamundurën ta forcojë Tadiqin në Serbi. Për këtë arsye ka organizuar bisedimet “teknike” midis Beogradit dhe Prishtinës. Për këtë arsye i bëri aq shumë lëshime Serbisë duke e lutur të integrohet në BE. Për këtë arsye flirtoi me strukturat kriminale në Veri. Për këtë arsye ia trusi Kosovës në të gjitha pozitat. Vetëm për të fituar Tadiqi në zgjedhjet serbe. Për të mos fituar Nikoliqi. Mendoj se për Kosovën është shumë më mirë të fitojë Nikoliqi se Tadiqi. Nikoliqi është më demokrat se Tadiqi. Përballë Kosovës Tadiqi është çetnik i maskuar. Për dallim prej tij Nikoliqi është nacionalist i deklaruar! Keni parë koalicionin aktual në Serbi; “demokrati“ Tadiq dhe millosheviqi Daqiq. Ku gjeni këtu ambient demokratik?! Prandaj, jam për Nikoliqin. Dhe ai do t’i fitojë zgjedhjet në Serbi. Me një nacionalist të deklaruar botërisht e ke më lehtë se me një “demokrat“ të maskuar!
Pajtimi ndëretnik i politikanëve njëetnik
     Kryeministri Thaçi ka deklaruar se ka ardhur koha që në Kosovë të formohet Komisioni i së Vërtetës. Për pajtim me serbët. Për pajtim historik. Në fakt edhe duhet të pajtohemi. Së pari duhet t’u kërkojmë botërisht falje serbëve për të gjitha të zezat që ua kemi bërë atyre që 100 vjet dhe që po ua bëjmë ende. U kemi hyrë në hak. Serbët, si popull bujar dhe hyjnorë besoj se do të na falin. Vetëm u duhet kohë t’i mbarojnë edhe do punë në Kosovë. Me Prizrenin dhe Hoçën e kryen. Tash është në radhë veriu i Kosovës. Duket çartë se Hashimi nuk ka ide se ç’është ky Komision i së Vërtetës. Ndryshe do të ishte shumë më i kujdesshëm në deklarime. Para se të formohet ky Komision i së “Vërtetës“ Hashimi duhet të kalojë një test të vogël të pajtimit. Të pajtohet me Rexhën. Unë këtu mund të ndërmjetësoj. Në pajtimin njëetnik të dy ish jaranave dhe azganave! Është edhe një rast tjetër në të cilin nuk do të ndërmjetësoja për asnjë çmim. Rasti kur G.Sala, “patriot” i deklaruar e shuplakosi në Tiranë Kafunë, një këngëtar rom nga Kosova sepse paska kënduar në gjuhën serbe. Vërtet veprim ”patriotik”. Pikërisht se veten e llogaris patriot nuk mund dhe nuk dua të ndërmjetësoj në këtë rast. Do të isha jonjeri po të veproja të kundërtën. Mund të them se Kafu ka qenë me fat që në atë lokal nuk kanë qenë Rama dhe Berisha. Ata e kanë treguar patriotizmin shqiptar duke e shpërblyer Bregoviqin për kriminalitet moral dhe Fazlliqin për kriminalitet material. E pse atëherë të mos rrahet Kafu?!
Një falenderim publik
     Faleminderit përjetësisht e nderuara presidente Jahjaga që nuk po e nënshkruani Kodin Penal me ato nenet që po kundërshtohen nga gazetarët, të varur dhe shumë të varur. Aspak të pavarur! Me këtë veprim po e shmangni krizën qeveritare. Po e shpëtoni Kosovën. Faleminderit që po i dëgjoni gazetarët që kërkonin ndihmë nga perëndimi ndërkohë që shikimin e kishin drejtuar kah Hashimi! Duke kërkuar ndihmë nga perëndimi denonconin njëri – tjetrin te Hashimi! Ju lutem për të mirë të Kosovës nënshkruani sa më parë ligjin për Prizrenin dhe Hoçën, tregoni më shumë zell. Mos lejoni që për një vonesë eventuale të hidhërohen baballarët Fejt dhe Dell!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

TE DEUM (*)

TE DEUM (*) Nga Elife Podvorica Jashari, Prishtinë 12. 02. 2023 Oh, Zot !…Ishte kjo psherëtimë që sot…