DONIKA GËRVALLA: DUHET THYER HESHTJA

Pashtriku.org, 16. 01. 2014 – Më 19 janar 2012, në 30 vjetorin e vrasjes së vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, e bija e Jusufit, Donika Gërvalla, në disa media shqiptare (edhe portali pashtriku.org) ka botuar artikullin “Duhet thyer heshtja”. “Deri sot kam heshtur rreth faktit që e njoh çdo faqe të dosjes hetimore të organeve gjermane (lidhur me vrasjen e 17 janarit 1982, në Untergruppenbach, të Gjemanisë). Kam heshtur edhe rreth asaj që kam mësuar nga këto dosje rreth miqve të vërtetë, por edhe armiqve të babait tim. Kam mësuar shumë edhe për armiq të tij, të cilët si atëherë ashtu edhe sot, shtiren sikur kanë qenë shokë të tij.” – kështu ka thënë znj.Gërvalla në këtë artikull. Në 32 vjetorin e vrasjes së Jusufit, Bardhoshit dhe të Kadriut, pashtriku.org, këtë artikull e riboton të plotë për lexuesit e saj.
* * *
Unë kam qenë 10-vjeçare kur u vra Babi në Gjermani. Vrasja u krye nga profesionistë të Sigurimit jugosllav. Jusuf Gërvalla vdiq më 18 janar 1982, në orën tre të mëngjesit në spital, si pasojë e atentatit të ushtruar më 17 janar ndaj tij, vëllait të tij Bardhoshit, si dhe mysafirit të tyre, Kadri Zeka. Rreth rrethanave të vrasjes kam heshtur 30 vjet.
Për mua dhe vëllezërit e mi, ai më shumë se gjithçka tjetër mbetet Babi ynë. Për nënën tonë ai mbetet bashkëshorti dhe shoku i dashur i jetës. Për Nënën Ajshe, së bashku me mixhën Bardhosh, ata mbesin djemtë e saj të dashur, vdekja e të cilëve ia rëndoi zemrën shumë. Për shumë njerëz në Kosovë, njeriu Jusuf Gërvalla, shkrimtar, gazetar dhe kantautor, ka qenë dhe mbetet një figurë e nderuar, por edhe një njeri i dashur për ta. Këtë burrë trupvogël e bëri të madh jeta dhe vepra e tij.

Untergruppenbach,17. 01.1982:

Vendi ku u vranë Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka

Deri sot kam heshtur rreth faktit, që e njoh çdo faqe të dosjes hetimore të organeve gjermane. Kam heshtur edhe rreth asaj që kam mësuar nga këto dosje rreth miqve të vërtetë, por edhe armiqve të babait tim. Kam mësuar shumë edhe për armiq të tij, të cilët si atëherë ashtu edhe sot shtiren sikur kanë qenë shokë të tij.
Qëllimi i Babit në Gjermani ishte të bashkonte diasporën shqiptare. Këtë qëllim e ndiqte me shumë ngulm, pasion dhe mençuri. Ai me shqiptarët e emigruar bisedonte rreth familjeve të tyre, lirisë dhe asaj që duhej bërë për të përmirësuar situatën në vendlindje. Në fillim të viteve ‘80, për herë parë nën organizimin e tij, shqiptarët mbushën rrugët e Gjermanisë për të demonstruar për të drejtat e tyre dhe kundër tankeve dhe dhunës së ushtruar në Kosovë.
Babi im vendosi shumë shpejt të dëgjojë zërin e popullit në Kosovë dhe e përkrahu menjëherë kërkesën për Republikë, gjë që nuk i solli vetëm miq në radhët e diasporës shqiptare. E mbaj mend mirë skenën kur dëgjoi për herë të parë për demonstratat e studentëve në mars 1981. Rrallë e kisha parë kaq të entuziazmuar.
Nuk duhet të heshtin më dëshmitarët e kohës që i njohin të gjitha këto fakte. Nuk duhet të heshtet as për atë burrë që e dërguan me armë tek Babi në shtëpi që ta vriste. Babi, pa i nuhatur aspak qëllimet e tij, gjatë bisedës së gjatë që zhvilluan e bëri që të nxjerrë armën, ta vërë para vetes në tavolinë dhe t’i thotë: „Jusuf, bëj çfarë të duash me mua. Unë kam ardhur të të vras, sepse më patën bindur se je tradhtar. E shoh që qenkam mashtruar“. Përgjigjja e Babit ishte miqësia që i ofroi. Po i njëjti person, një atdhetar i flaktë dhe i pakompromis, nga të njëjtët njerëz dërgohet në Kosovë, bie në kurth dhe dënohet me 14 vjet burg. Një viktimë e regjimit jugosllav dhe njëkohësisht një viktimë e tradhtisë shqiptare.
E vërtetë është që në mesin e shqiptarëve atë kohë kishte mjaft spiunë, të cilët punonin për UDB-ën ose të tillë, që për një privilegj të vogël në konsullatën aq të urryer jugosllave në Stuttgart raportonin për Jusuf Gërvallën dhe ata që kishin kontakt me të. Sa të ulët paskan qenë këta njerëz që në këtë formë e shfrytëzonin derën dhe zemrën e hapur të familjes Gërvalla.
* * *
Babi dhe Kadri Zeka kanë bashkëpunuar për arritjen e qëllimit të tyre të përbashkët, lirinë e Kosovës. Kadriu ishte shpesh i pranishëm në demonstratat që organizoheshin në Gjermani. Babi, si gazetar me shumë përvojë, angazhohej me ftesë të Kadriut për një përmbajtje sa më cilësore të gazetës „Liria“, që botohej në atë kohë nga Kadri Zeka. Njëjtë vepronte edhe me gazeta të tjera që botoheshin në diasporë. Ai donte që të flitej fuqishëm dhe me një gjuhë të përbashkët.
Por e gjithë e vërteta është që unë nuk jam e vetmja që e di se sa të tensionuara ishin një kohë relatat mes Babit tim dhe Kadri Zekës. Ata asnjëherë nuk arritën të bëheshin shokë. Shkak për këtë mund të ishte edhe fakti që kishin përfytyrime të ndryshme, se cila do të ishte rruga më e mirë për arritjen e synimeve të përbashkëta. Babi asnjëherë nuk ka punuar me kërcënime, nuk ka mbajtur armë, madje as atëherë kur nuk kishte më asnjë dyshim, se sa në rrezik ishte jeta e tij. Por Babi dhe Kadri Zeka në luftën e përbashkët për liri përpiqeshin të arrinin megjithatë një bashkim.
Pikërisht më 17 janar, pra ditën e atentatit, ata u liruan mjaft me njëri – tjetrin. Nga shtëpia dolën duke qeshur me të madhe dhe duke bërë shaka. Mjaft tragjike që ata vriten pikërisht në këtë ditë të afrimit të tyre. Nuk është ndonjë turp, nëse luftën e përbashkët për liri nuk e kufizon brenda rrethit të shokëve dhe miqve të ngushtë. Përkundrazi, edhe më madhështore na duken në retrospektivë këto figura, kur e dimë që bashkonin forcat në luftë për çlirimin e Kosovës, edhe pse personalisht mund të kishin rezerva ndaj njëri-tjetrit.
Në një kohë kur Kosova kërcënohej nga regjimi jugosllav dhe më vonë edhe më rëndë nga ai serb, rreth këtyre rrethanave nuk është folur asnjëherë për të mos zbehur dhe rrezikuar edhe atë unitet të brishtë, i cili u krijua mes shqiptarëve në diasporë pas kësaj vrasjeje mizore. Kosova sot është e lirë. Kosova sot është Republikë. Shtet i pavarur dhe sovran. Është koha të flitet për të gjitha etapat e luftës për çlirimin e Kosovës dhe është koha që të flitet e tërë e vërteta. Ua kemi borxh brezave të rinj që historinë t’ua përcjellim të pastër dhe pa legjenda. Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për historinë e Babit tim.
* * *
Pas largimit të detyruar nga Kosova, Babi në Gjermani shkroi qindra faqe. Kohën e kalonte kryesisht „lart“, në dhomën e tij të punës. Kur doja të kaloja pak kohë me të shkoja nganjëherë lart tek ai në dhomë. Ai zakonisht punonte në tavolinë, shkruante dhe korrigjonte. Kishte dorëshkrime pa fund, të cilat i shtypte në fund në një makinë shkrimi mjaft moderne për atë kohë (ai nuk e përjetoi kohën e kompjuterit, sepse vdiq shumë i ri). Shkruante në makinë vetëm me dy gishtat tregues, por me një shpejtësi të jashtëzakonshme që më mahniste si fëmijë. Kur kishte kohë më ftonte të ulesha pranë tij dhe t’ia diktoja tekstet që ishte duke i hedhur nga dorëshkrimi në makinë. Herë pas here ulej këmbëkryq në karrige, ngaqë kaq gjatë shkruante sa i lodheshin këmbët. Ndërpriste shkrimin, më tregonte diçka ose më shpjegonte ndonjë pjesë të tekstit që nuk e kuptoja, dhe vazhdonte të shkruante.
Babi im, shkrimtari dhe poeti, njeriu i artit dhe i letërsisë, në dy vjetët e kaluar në Gjermani nuk shkroi as edhe një poezi të vetme. E kishin privuar nga vendlindja, për lirinë e së cilës luftonte tani nga Gjermania me mjetet e tij, me forcën e fjalës dhe penës së tij. Gjatë këtyre 30 vjetëve kam gjetur nga ajo kohë vetëm një strofë të shkruar me stilograf në këndin e një faqeje të një gazete. Strofa titullohej: Vdekja.
Babi e donte shumë kitarën e tij. Në Gjermani të dy vëllezërit, Bardhi dhe Jusufi, merrnin shpesh kitarat e tyre në dorë dhe këndonin. Kur isha në klasën e tretë dhe duhej të zgjidhja në shkollë një instrument muzikor e pyeta Babin se a mendonte ai që unë të zgjidhja kitarën apo flautin (natyrisht që unë doja ta merrja kitarën si Babi im!). Ai më këshilloi të merrja flautin. „I biem bashkë“ më pati thënë, „ti flautit e unë kitarës“. Edhe pse unë ende nuk dija t’i bija flautit mirë, më ftonte herë pas here të luanim melodinë shumë të thjeshtë të këngës kaq kuptimplote „Për Mëmëdhenë“.
Më 17 janar, ditën e atentatit, pati biseduar me ne fëmijët për Skënderbeun dhe faktin që atë ditë ishte përvjetori i vdekjes së tij. Askush përveç vrasësve të tij dhe atyre që e kishin urdhëruar atë vrasje nuk e dinte në atë moment që Babi im do të vritej në ditën e vdekjes së Skënderbeut.
Por ai do të arrinte ta shtynte datën e vdekjes së tij për një ditë. Jusuf Gërvalla e ka parë vrasësin e tij. E dinte që Kadriu kishte vdekur në vendin e ngjarjes, sepse e shihte të shtrirë përtokë skaj makinës. Në spital është dërguar duke menduar që vëllai i tij më i ri ishte ende gjallë dhe mund t’i kishte shpëtuar atentatit. Më e rëndësishme sesa të operohej, atij do t’i jetë dukur të bënte një deklarim të qartë që nuk linte asnjë dilemë.
Atentati u krye rreth orës 22:15. Babi nguli këmbë të pritej derisa të vinte policia dhe në orën 00:30 të datës 18 janar, deklaron në prani të personelit mjekësor dhe të policisë gjermane që vrasja ishte kryer nga UDB-ja jugosllave.
Ndërkohë e kam shumë të qartë që UDB-ja nuk do të mund ta kishte vrarë Babin pa ndihmës – ose thënë më saktë pa tradhtarë – nga rrethi i njerëzve që ndodheshin rreth tij. Babi kishte shumë kohë që kur binte zilja e derës nuk dilte asnjëherë ta hapte. Të gjithë pjesëtarët e familjes e dinim që kishte kërcënime të vazhdueshme. Unë vetë pata parë një natë nga dritarja një person, që përpiqej të hapte derën e garazhit tonë dhe i pata njoftuar prindërit menjëherë.
Babi pak minuta pas atentatit, ndërkohë që pritej ndihma e shpejtë dhe policia, Mamit i thotë: „Në qoftë shqiptar, kurrë mos u gjettë“. Nuk është e vërtetë që ai nuk donte të zbulohej vrasësi. Jusuf Gërvalla nuk donte që shqiptarët e robëruar të bëheshin viktimë e propagandës serbe, që vazhdimisht thoshte se shqiptarët po vriten mes vete. Ai shumë kohë para vdekjes së tij e ka ditur që edhe në mesin e shqiptarëve kishte vegla në duart e vrasësve jugosllavë.
Si vajzë e tij, e kam përjetuar nga afër Babin tim, kam përjetuar mendimet dhe ndjenjat e tij. Dhe një gjë e di me siguri: Kosova për të cilën Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka dhe shumë të tjerë dhanë jetën, është Kosova e lirë si një shtet, i cili pas gjithë atyre viteve të robërisë na e kthen dinjitetin dhe krenarinë.

Le ta thyejmë heshtjen së bashku…

==================================

– NGA ARKIVI – 

Faksimil i shkëputur nga “Heilbronner Stimme” 19.01.1982: (X) Banesa e vëllezërve Gërvalla, shigjeta në krahun e djathtë – ) Shtëpia ku kanë qëndruar vrasësit dhe shigjetat në rrugë tregojnë lëvizjen e makinës nga momenti i daljes prej garazhës e deri te përplasja në garazhën tjetër pas aktit të ekzekutimit!

 ———————————————

/Ilustrimet janë të pashtriku.org/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura