FETNETE RAMOSAJ: AVDI MUJAJ – TRIMI QË U BË PJESË E PANDARË E LIRISË

Deçan, 02. 10. 2012 – (Në nëntë-vjetorin e vrasjes së eprorit të UÇK-së, AVDI MUJAJ) – Njëri ndër atdhetarët më të kompletuar e më të devotshëm, i shquar për burrëri e trimëri, për nder, sakrifica e dinjitet njerëzor e kombëtar, padyshim ishte veprimtari shumëvjeçar i ilegales dhe eprori i UÇK-së, Avdi Mujaj. Që në ditët e rinisë së hershme për gati dy dekada, me tërë qenien veproi e luftoi për çlirimin e Kosovës, pa u ndalur për asnjë çast, derisa kriminelët ia shuan jetën padrejtësisht para shtëpisë së tij, më 1 tetor 2003.
Avdi Mujaj, ishte i bindur se liria është gjëja më e shtrenjtë që i mungon njeriut shqiptar dhe se për të duhet luftuar me çdo çmim. Ishte shembull tipik i veprimtarit të panjolla në veprimtarinë kombëtare. Nuk zmbrapsej para asnjë rreziku a pengese. Që të gjitha i tejkalonte me një siguri dhe qetësi të jashtëzakonshme shpirtërore.
Avdi Selim Mujaj, u lind më 10 gusht 1966, në Strellc të Epërm të Deçanit, në një familje të ndershme, bujare e atdhetare. Qysh herët i vdiq babai Selimi. Avdiu me të vëllanë Hakiun dhe tri motrat Timen, Taben e Tushën, edhe pse në kushte të vështira ekonomike, nën përkujdesjen e axhës Halil, u rritën dhe u edukuan në frymë të shëndoshë kombëtare.

Avdi Selim Mujaj (10 gusht 1966 – 1 tetor 2003)

……………………………………..

Shkollimin e mesëm e mbaroi në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, ku ishte nxënës i dalluar si në mësime ashtu edhe në sjellje. Qysh si gjimnazist u inkuadrua në grupet ilegale të kohës. Prej asaj kohe, me përkushtim të jashtëzakonshëm u vu në shërbim të lirisë së atdheut. 
Gjatë vitit 1985/86 Avdia u detyrua të largohet nga vendlindja, sa nga presionet politike po aq edhe për shkak të kushteve ekonomike. U vendos në Aarau të Zvicrës, ku menjëherë kyçet në radhët e ilegalëve të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), në radhët e të cilës veproi mbi 18 vjet.
Krahas punës së pandërprerë për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe mirëqenien e familjes së tij, Avdia për asnjë çast nuk i ndali përpjekjet dhe veprimtarinë për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbo-jugosllavë. Si anëtar i Këshillit të LPK-së në Aarau të Zvicrës, në kohërat më të vështira, Avdia ishte në detyrat më të vështira në përpjekje të ndryshme për lirinë e Kosovës, në organizimin e qindra demonstratave e tubimeve për sensibilizimin e opinionit botëror për çështjen e Kosovës, si në Aarau, Gjenevë, Cyrih, Bon, e qytete tjera në Perëndim. Punoi jashtëzakonisht shumë në mbarëvajtjen e punëve të “Zërit të Kosovës” (organ i LPK-së), që ishte bërë zëdhënës i luftës për liri; pastaj në Shoqërinë Kulturore “Luftëtarët e Lirisë”; në Fondin e luftës “Vendlindja Thërret”, në Sektorin për Çështje Praktike të Kryesisë së LPK-së, etj. Por, mbi të gjitha, lindjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kishte gëzimin më të madh. Lindja dhe rrita e saj ishte realizim i ëndrrës së Avdisë dhe i shumë brezave para tij.
Për rritjen dhe forcimin e UÇK-së bëri gjithçka mundi nga diaspora. Por përsëri iu duk pak. Prandaj, që në ditët e para të shpërthimit të luftës frontale, në pranverën e vitit 1998, Avdia e la rehatinë e Zvicrës, dhe u kthye në Kosovë për të luftuar me vetëmohim të pashoq deri në çlirimin e vendit. Prej majit të vitit 1998 deri në fund të gushtit 1998 luftoi e veproi si komandant njësiti në kuadër të Shtabit Lokal të UÇK-së në Strellc. Avdia u kthye në Kosovë kur shumëkush largohej prej saj. Në shkurt të vitit 1999, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit e caktoi Komandant të Batalionit të Dytë të Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”, detyrë kjo që e mbajti me sukses e përgjegjësi të lartë.
Avdi Mujaj, i njohur me emrin e luftës “TRIMI” – në luftë për liri hyri me njëmendësi dhe vendosmëri të palëkundshme dhe si i tillë qëndroi deri në fund, duke luftuar përkrah luftëtarëve më të denjë, siç ishin Ramush Haradinaj, komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, pastaj heronjtë Shkëlzen Haradinaj, komandant për Operacione Luftarake i Zonës Operative të Dukagjinit, Fadil Nimani – Komandant “Tigri” i tri ushtrive çlirimtare, Lulzim Morina, komandant i Brigadës 135 “Agim Zeneli”, e shumë të tjerë.

…………………………………

KËNGË KUSHTUAR TRIMIT TË PAVDEKSHËM AVDI MUJAJ

…………………………………….

Gjatë tërë luftës u shqua për vendosmëri e gjakftohtësi, guxim e trimëri dhe qëndresë të paepur. Në atë vijë të frontit ku ishte Avdi Mujaj me shokë, forcat serbe kurrë nuk kanë mundur të depërtojnë. U dallua për qëndresë të pashoqe për muaj të tërë në vijën e parë të frontit në Gërgoc, ku në afërsi me forcat pushtuese serbe luftohej për jetë a vdekje. Pastaj u dallua edhe në luftimet e zhvilluara në Buçan, Shqiponjë, Zhebel, Maznikë, Dashinoc, Kosuriq, Baran, Potërç e në vendluftime të tjera. 
Me besimin e patundur në fitoren e luftës, me qetësinë e vendosmërinë e jashtëzakonshme që e karakterizonte në situata të vështira, me qëndresën e pakompromis kundër armiqve, me besnikërinë, ngrohtësinë dhe afrinë e veçantë që tregonte ndaj shokëve, Avdia u bë idol për bashkëluftëtarët, bashkëluftëtar besnik për bashkëmoshatarët, vëlla më i madh e prind për më të rinjtë, që i ruajti, i edukoi dhe u qëndroi përkrah në çastet më të vështira.
Avdi Mujaj dha kontribut të veçantë edhe pas luftës, në përputhje me nevojat e pasluftës, në deminimin e terrenit të minuar nga forcat serbe, për të mundësuar kthimin e popullsisë së zhvendosur në shtëpitë e tyre, shpesh herë duke rrezikuar edhe jetën. Më 20 shtator 1999, u demobilizua dhe përkohësisht u kthye në Zvicër, por Avdia nuk e pranoi kurrë parashtesën ish, sepse ishte dhe mbeti veprimtar i madh. Ishte pjesëtar i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës. Ishte pjesë e pandarë edhe e dy ushtrive tjera çlirimtare UÇPMB dhe UÇK-om në luftërat çlirimtare në Kosovën Lindore dhe në Maqedoni.
Kanë kaluar nëntë vjet, që nga 1 tetori i kobshëm i vitit 2003, kur para shtëpisë së tij, u ekzekutua eprori i UÇK-së Avdi Mujaj (37 vjeç) dhe u plagosën rëndë e lehtë tre kushërinjtë e tij, vëllezërit Valdet, Fazli dhe Fidan Mujaj, por askush nuk është nxjerrë para drejtësisë për këtë krim të tmerrshëm. Nuk është bërë asgjë për zbardhjen e vrasjes së Avdisë. Avdi Mujaj ishte sulmuar edhe një herë tjetër në fund-korrikun e vitit 1999, kur persona të panjohur i kishin ngritur pusi nga mali në rrugën e Baranit. Dhjetëra plumba kishin depërtuar në veturën e tij, derisa po udhëtonte në drejtim të Pejës, por kishte mbijetuar.
Kurrë kujt në jetën e tij nuk ia tha një fjalë të keqe, kurrë kënd nuk e rëndoi, as nuk i pati kurrfarë borxhi. Tërë jetën qëndroi vertikalisht e asnjëherë nuk u lëshua në grindje e ngatërresa personale. Por gjithë jetën pati vetëm një armik – Serbinë.
Erdhi për pushime në Kosovë, për lirinë e të cilës dha shumë, por u vra pabesisht në oborrin e shtëpisë e tij. Vrasja kriminale e Avdisë dhe vrasjet tjera të çlirimtarëve para e pas saj, janë tregues i qartë se dora kriminale e Serbisë edhe pas luftës ka vepruar papengueshëm në Kosovë.
Sado që të thuhet për Avdinë, është tepër pak, në krahasim me veprimtarinë tejet të madhe e shembullore të tij. Avdi Mujaj, Kosovës i dha gjithçka pati e nuk i mori asgjë. Kurrë nuk u thirr në emër të luftës për përfitime personale, kurrë nuk u lavdërua as për veprimtarinë e gjatë atdhetare, as për luftën, edhe pse rrallëkush mund të krahasohej me të. Tërë veprimtarinë jetësore e konsideronte se ia kishte larë një borxh atdheut. E sot, atdheu së paku Avdisë ia ka borxh zbardhjen e vrasjes kriminale.
Avdia ka lënë pas vetes dy fëmijë, Lindën e Lirimin, të cilët duhet të mburren me babanë e tyre, sepse shumë ndershmërisht veproi e luftoi, u bë pjesë e pandarë e historisë së re dhe e lirisë që e gëzojmë sot.

_____________________________________

TRIMI I PAVDEKSHMI AVDI S. MUJAJ

Zemërluani Avdi Mujaj, mbi gërmadhat e shkatërruar të ushtrisë serbe.

Avdi Mujaj dhe Veli Bacaj, gjatë ditëve të lavdishme të UÇK-së.

………………………………………………………………………………….

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura