BERAT ARMAGEDONI: AKADEMI PËRKUJTIMORE NËN SHKUJDESJEN E SH.T.Z., HASHIM THAÇIT

Prishtinë, 9 tetor 2018: Megjithatë dhe, fatmirësisht, ra kjo akademi përkujtimore dhe pamë se si e sa shpejt harrojnë të nderojnë kryetarët dhe këshilltarët e kryetarëve, luftën, të bërat e huaja dhe të bëmat e saj.
Më 26 shtator, në orën 14.22 minuta, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, nën përkujdesjen e kryetarit të Kosovës, Sh. T. Z. Hashim Thaçi, u mbajt akademi përkujtimore për dëshmorët Valdet Xhemajli, Vesel Demaku dhe Afrim Hajdaraj. U mbajt një akademi e organizuar tepër keq. Vetëm vonesa e tyre njëzet e sa minuta sesa ishte paraparë tregon se sa, krerët e shtetit, kanë respekt për dëshmorët dhe viktimat e luftës. Theksoj, kjo akademi u organizua nën “patronatin” (do të duhej përkujdesjen) e kryetarit të Republikës së Kosovës dhe do të duhej të niste në kohën e paraparë, fiks në 14.00, pa qenë nevoja më të pritej askush asnjë minutë.
Megjithatë, nderimi për ta, në Amfiteatrin e Madh të Bibliotekës Kombëtare, nisi me 22 minuta vonesë. Nuk pritej kryetari i Republikës për të nisur akademia, po priteshin dy kryetarë të tjerë, i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, të cilët, kur erdhën vonë në Bibliotekë drejtpërdrejt nga Ferronikeli, nuk u kërkuan falje dyqind e sa vetave, as familjeve të dëshmorëve dhe të heronjve e të viktimave civile e ku di tjetër që ishin të pranishëm aty e që, për shkak të ajrit të zënë, zabullimës, mezi merrnin frymë. Pritja e tyre kaq e gjatë ngjasonte me pritjen që ua ka bërë elektorati në fushatën zgjedhore të fundit. Mungonte vetëm brohoritma “Veseli”, ose “Lladrovci” nga ndonjëri i pranishëm.
Ndonjëri edhe mund ta ketë thirrur emrin e ndonjërit prej tyre nëpër dhëmbë. Pastaj, ata vetëm u ulën në radhë, në rreshtin e parë, dikujt duke i dhënë dorën, dikujt tjetër duke i buzëqeshur dhe u çuan dhe folën me radhë, njëri pas tjetrit, me buzën në gaz, përballë nesh, përballë fytyrave të vuajtura, të rrudhëta dhe të përlotura. Matshëm, deri-diku, (derisa panevojshëm e përshëndeti edhe këshilltarin e kryetarit të Republikës), foli Veseli për dëshmorët, të bërë sot, me urdhër të kryetarit të Republikës – heronj, po kaq matshëm dhe popullorqe foli dhe Lladrovci. Veseli çmoi kontributin e luftës së tre dëshmorëve për të cilët u organizua akademia dhe të të gjithë ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe Lladrovci foli po në atë temena si shefi i partisë së vet për ta. Folën shkurt dhe trup.

Foli, jo sa duhej e si duhej, për Valdetin, për Veselin dhe për Afrimin, edhe Daut Demaku, i cili, nëpërmjet digresioneve të shumta dhe krahasimeve, e prishi edhe idenë bazë të manifestimit: fjalën dhe nderimin, në emër të gjithë Abrisë, për ta dhe për të pranishmit që kishin ardhur t’i kujtonin dhe t’i nderonin.
U ngre, ndërkohë, të flasë, në emër të kryetarit të Republikës, të sh.t.z.-së Hashim Thaçi, vjershëtori Ismail Syla, i cili nuk foli vetëm në emër të shefit të vet. Foli edhe në emër të vet dhe gaboi që në këtë akademi shprehi pikëpamje të vetat shumë kundërthënëse, krejtësisht politike. Tha: “Do të nderohet dhe të përkujtohet gjithmonë vetëm Adem Jashari, jo edhe ndonjë tjetër rënë aty afër tij”. Me një fjalë, ç’nderoi dëshmorët dhe heronjtë e tjerë, edhe anëtarët e familjes Jashari. Dhe njerëzit, ashtu si disa shtazë që reagojnë instinktivisht kur ngacmohen, rrihnin shuplakë që përmendej Ademi, po nuk e rrihnin kokën, as nuk i reagonin dhe pështynin Sylën për fjalët e pavenda e të pamenduara mirë. Të paktën, në shenjë revolte, do të duhej të dilnin jashtë pasi, nëse kjo ide e tij është e Thaçit dhe atë në emër të tij e thotë këshilltari i tij, Ismail Syla, pse duhej të organizohej kjo ceremoni nën përkujdesjen e kryetarit të Republikës, për këta dëshmorë dhe, deri-diku, për familjen Deliu?! Reagimin për ngjarjen e djeshme e shkrova dje dhe e publikova po dje në llogarinë time në “Facebook” (https://www.facebook.com/BeratArmagedoni/posts/10157962147798986).
Pse Syla duhej të vinte dhe t’u bënte lajka e servilizëm, në akademi përkujtimore për tre dëshmorët dhe për shumë anëtarë të masakruar të familjes Deliu, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Ramush Haradinajt që, sipas tij, u dashka të krenohemi të gjithë që sot në krye të Presidencës, të Kuvendit dhe të Qeverisë, paskemi tri figurat më të mëdha dhe të ndritshme të luftës?! Me leje të kujt vjen Ismaili dhe i thotë këto fjalë në akademi përkujtimore, pa qenë organizim politik i Partisë Demokratike ose Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Në kushte normale, do të duhej t’i vinte turp të dalë para familjes së nderuar Deliu, Xhemajli, Demaku dhe Hajdaraj dhe ta mbajë atë fjalim politik dhe panegjirik, thuajse akademia përkujtimore është organizuar për t’i nderuar kryetarin e Republikës, të Kuvendit dhe të Qeverisë. Por, sigurisht se nuk i vjen turp. Përndryshe, do të duhej të kërkonte falje për “marrinë” e djeshme aty, para shumë burrave dhe shumë grave, të paktën në llogarinë e vet në “Facebook” të shkruante ndonjë “ep” në mbrëmje dhe ta qortonte vetveten për fjalët e shprehura në mesditë, me libër të kujtimeve në dorë nga i cili na citonte fjalë të një amerikane si priftërinjtë që besimtarëve u citojnë psalme nga “Bibla”. Amerikanes dhe Biblës dhe Jezusit edhe mund t’u besoj, Ismailit jo, sepse, prej që është në pozitën e këshilltarit, herë të kryeministrit e herë të kryetarit, ka dhënë shembull të këshilltarit të keq.
Së këndejmi, mbase pajtoheni, se nuk nderohen, në një akademi të vetme, kinse nën përkujdesjen e shtzsë, tre dëshmorë dhe një familje e tërë që është masakruar nga kriminelët serbë. Me më rëndësi sesa tre dëshmorëve, të cilët kanë luftuar dhe janë vrarë me armë në duar, është dashur t’i jepet familjes Deliu, anëtarëve të saj të masakruar, foshnjave, të rinjve, të rejave, burrave, grave, pleqve dhe plakave të saj. Për të u fol shumë pak. Pothuajse e kishte harruar krejt, e gjithë Drenica. Megjithatë dhe, fatmirësisht, ra kjo akademi përkujtimore dhe pamë se si e sa shpejt harrojnë të nderojnë kryetarët dhe këshilltarët e kryetarëve, luftën, të bërat e huaja dhe të bëmat e saj.
Lavdi dëshmorëve dhe heronjve dhe viktimave!
Marri organizatorëve, kryetarëve dhe këshilltarëve!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura