Tiranë, 13. 02. 2014 – Sot do të lutem me vargjet e poetit Ndoc Gjetja, i cili vdiq në mbretërinë e tij të poezisë, duke ecur rrugëve…. Jo me mërdhimën e ngricës, por me akullin e shpirtit të pseudopoetëve, pseudo- shkrimtarucëve, lapanjosëve të pushtetit, si dje dhe sot. Arti është ndjenjë dhe emocion, është ajo që vetëm artisti i vërtetë mund ta përshkruaj, sentimenti dhe vuajtja njerëzore, e cila ja ngre ndjenjat në urragan denoncimi, të fallsitetit, manipulatorëve, servilëve, t’paburrëve … Nuk ka rëndësi ku jeton, në Pallat Mbretërorë, a në Chance Elysse, në Manhattan a në Londër, në rrugë a në Gulag!! Arti është një tharm, së pari… i njeriut me ndjenjë dhe me shpirt proteste….
Në të vërtetë arti në vetvete është protestë. Siç na ka mësuar Niçja, “Kur sheh që kauza jote po triumfon largohu…..!”
Ky është intelektuali, ky është artisti.
Sot mënyra si po përdoren vdekjet e artistëve, pasi nuk është kujtuar kush për këta titanë të shpirtit e të mendimit përsëgjalli siç po ndodh dhe në këtë fillim Shkurti, duke përdorur vdekjen e tyre, duke mos i lënë të qetë dhe në momentin e amshimit. Mbasi e ndjej veten të pafuqishme, po lutem me vargjet e të madhit Ndoc Gjetjes.
L U T J E
O Zot që fatet tona në dorë i mban!
Na ruaj nga shëndeti trashaman
na ruaj nga orekset e Sanço Pançës,
na ruaj nga hija e rëndë e famës,
na ruaj nga faqeputhjet helmuese të Judës,
na ruaj nga orteku rrëmintar i turmës,
na ruaj nga prejardhja prej shimpanzesë
na ruaj nga thyerja e timonit të kresë
na ruaj nga putra pushtetore e Njëshit,
na ruaj nga engjëjt, na ruaj nga dreqërit,
na ruaj përditë nga ftohjet e miqësive,
na ruaj, o Zot, secilin prej të gjithëve!