(Pashtriku.org, 21. 05. 2012) – Pas 13 vjetësh të konsolidimit të papërfunduar të informacioneve për të burgosurit shqiptarë në Burgun e Dubravës – dëshmitë e të mbijetuarve të Masakrës së Dubravës tregojnë për shumë çfarë, që të tjerët, të cilët nuk kanë kaluar nëpër këtë kamp gjatë viteve të fundit të shekullit njëzet u kanë borxh të mbijetuarve të kësaj masakre dhe popullit të tyre jo vetëm t`i informojnë, por edhe të japin sqarime për këtë masakër karakteristike dhe ende të panjohur sa dhe si duhet nga të gjithë ne.
29. LIBURN ALIU
B.H: Z. Liburn në mënyre telegrafike kur jeni arrestuar dhe si erdhët deri në burgun e Dubravës?
Unë jam arrestuar më 27 janar 1997. Si anëtar i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. U dënova me 9 vite burgim. Vitin e parë të burgut e kam mbajtur në burgun e qarkut në Prishtinë dhe në Lipjan. Në Dubravë jam dërguar më 27 anar 1998. Fillimisht në pavijonin e pranimit dhe pastaj në pavijonin “C”. Aty jam takuar me Avdi Mehmetin dhe disa tjerë. Më 30 prill 1998, jemi dërguar në burgun e Mitrovicës se Sermit. Më 23 prill 1999, jemi transferuar në burgun e Nishit. Më 29 prill 1999, na transferuan nga Nishi në Dubravë. Pamjet e para në Kosovë ishin: shtëpi të djegura, lopë në fusha dhe gjithçka ishte shkretëtirë, unë isha në autobusin e parë. Burgu i Dubravës ishte i zbrazët vetëm disa të burgosur politikë. Nga 29 Prilli, shkonim në kuzhinë dy herë në ditë për ushqim. Istref Hasani nga Mitrovica na e dërgoi një letër, që e kishte futur në bukë dhe kishte përshkruar ngjarjet, në radio kemi dëgjuar nga pak informacion, e kemi dëgjuar Ibrahim Rugovën duke thënë që t’i ndalin bombardimet. Kjo ishte absurde, po atë ditë ishte rrahur një i burgosur. Morali i të burgosurve ishte shum i lartë. Më kujtohet që në mesin tonë ishte: Shkëlzen Zariqi, 18 vjeçar. Gardianët i kërkonin të këndoj këngë serbisht. Ai nuk këndoj, në të njëjtën kohë e dëgjuam Ibrahim Rugovën duke thënë: që “NATO t’i ndali bombardimet”, pra ishte një kontrast që ai djali i ri, në ato rrethana nuk pranonte të këndonte serbisht. Rrahje shumë dhe ndërkohë kryetari ynë kërkonte të ndaleshin bombardimet! Kjo ishte diçka e veçantë. Nëse ja vlenë që të përmendet diku.
B.H: Kur erdhe në Dubravë, a keni parë diçka tjetër rreth burgut?
Nuk mundem të them që kam parë, diçka të veçantë. Rreth burgut, por kur kemi dalë nga burgu kemi parë forca policore – serbe, istikame, ushtri. E veçantë e Dubravës pos që ka qenë zbrazet.
B.H: A kanë qenë gardianet e njëjte kur jeni kthyer herën e dytë në Dubravë?
Për këtë e dijnë më mirë të burgosurit që kanë qenë nga viti 1994. Unë isha disa muaj dhe nuk kam mundur t’i njoh.
_______________________________________
B.H: A ka pasur detonime afër burgut?
Po, detonime kemi dëgjuar rreth burgut, i kemi par, edhe aeroplanët duke fluturuar. Nuk kishim ide që do të sulmoheshim, isha në pavijonin “B”, kur ka ndodhur sulmi i parë në pavijonin “C”, më vonë është ndalur bombardimi. Ne filluam të mendonim që do të goditej pavijoni ynë. Filloi një lloj tollovie dhe të gjithë të burgosurit donin t’i thyenin grilat, tek korridori. NATO bombardonte mu në mes të pavijoneve, në zyret e gardianëve dhe fatmirësisht nuk e goditi pavijonin tonë. Po të goditej, do të kishte shumë të vdekur.Të burgosurit ishin afër korridorit, mu në pjesën ku NATO bombardonte. Në pavijonin tjetër të vrarë ishin në dhomë afër korridorit, që i bie në mes të objektit. Të burgosurit ordinerë ishin më të lirë, i kanë marrur kazmat dhe i kanë hapur dyert. Në pavijonin e pranimit ishin të burgosurit nga Gjakova. Më 19 maj, të burgosurit shqiptar për vepra tjera (ordinerë) i kanë thyer dyert dhe të gjithë të burgosurit janë përzier dhe nuk mund të dallohesh varësisht nga veprat e tyre. Para 19 majit kanë hyrë me maska, e kanë marrë Avdi Mehmetin e Avni Klinakun dhe i kanë rrahur mu në mes të natës. Ata i dinin në cilat dhoma ishin të burgosurit e caktuar. Atë natë ishte një natë e ngrohtë dhe pavarësisht çka kishte ndodhur në ndiheshim më mirë. Më 21 maj, kanë hyrë me armë brenda burgut dhe kanë thënë: që të burgosurit që ishin në katin e dyte të vinin në katin e parë sepse NATO do të bombardoj. Pra NATO vërtet filloi të bombardoi. Bombardohej ngrohtorja dhe disa objekte tjera, pastaj nga kureshtja i shihnim si po bombardoheshin objektet dhe në kishim përshtypjen se ata do të godasin jashtë. Se ndoshta NATO e dinë që ne jemi brenda burgut. Kur ka goditur jashtë mureve të burgut është ngritur një sasi e madhe e dheut dhe në formë të valëve të detit ra mbi neve. Ne habiteshim nga kjo. E pashë një të burgosur që kishte plagosur këmben. Afër meje ishin plagosur dy djem kusherinj mes veti. Njëri ishte goditur në pjesën e shpinës, tjetrit ia kishte këputur këmben krejt, e shifte këmben që iu kishte këputur, por nuk bërtiste aspak. Nuk dinim si ta ndihmonim, ai i thoshte Nait Hasanit, baca Nait më ndihmo, mirëpo nuk kishte si ta ndihmonte. Pra aty ishin 4 që kishin mbetur me një vend. Disa të tjerë i kemi tërhequr nga tereni i sportit, sepse ishte me pjerrët dhe të gjithë të burgosurit tjerë. Më e vështira ishte kur shkuam t’jua hapnim dyert grupit të Gjakovës. Këta hezitonin të dilnin fillimisht, pastaj kur kanë filluar të bombardojnë, ata dolën por kur dolën ishin grumbull, ra një bombë afër tyre, shumë prej tyre janë vrarë. Atë natë e kemi kaluar jashtë në terenin e sportit. Disa në puseta, puseta ishte vërtet një strehimore e mirë nga bombardimet e NATO-s. Mund t’i shihje kur gjuanin aeroplanët e NATO-s. Duke vëzhguar nga pusetat, kishe përshtypjen që në kokë do të bie. Atë ditë kanë ndihmuar shumë, grupi i Prizrenit, Bislim Zogaj, Nait Hasani edhe pse ishte i plagosur. Disa shkonin në kuzhinë të merrnim ushqim, pasi largoheshin aeroplanët e NATO-s. Në mëngjesi herët një gardian nga karakolli verior ka kërkuar nga në që do të transferohemi për në Nish. Se gjoja dëshirojmë të bëjmë një numërim të t’burgosurve dhe jemi rreshtuar në formë të shkronjës L. Unë isha tek vendi që ishte një vrimë në mure dhe nga ajo vrimë, një i burgosur nga Podujeva kishte ikur dhe e kishin zënë. Na tregoi një lloj tregimi. ka shkuar deri në Gurakoc dhe e kanë zënë. Nuk i kanë berë asgjë, ishte një kurajo bukur e mirë, për të ikur dhe disa kanë ikur dhe që të gjithë janë vrarë. Pas renditjes, për çudi e dija që nuk është në rregull, por nuk fola sepse ishim të gjithë aty dhe nuk fola asgjë. Avni Klinaku tha që do të ishte mirë që ne të bëhemi bashkë dhe një i burgosur ka bërtitur hajde në të Sermit të bëhemi bashkë, ishte fati jonë që shpëtuam. Unë kam dalë nga rrathët për t’u bërë bashkë me të burgosurit e Sremit. Ishte një thes me libra, thesi ishte i Raif Qeles. Në atë moment ka filluar hedhja e bombave, unë realisht i kam parë pak bombat duke rënë. Fillimisht pëlcitja e bombave të dorës nuk dukesh ndonjë gjë e madhe në krahasim të bombave të NATO-s. Por kur i kam parë të burgosurit duke renë në tokë, unë menjëherë jam shtrirë për tokë dhe më vonë kam dalur në një pozitë tjetër. Ideja e parë që na shkoi në mend ishte të gjenim ndonjë hekur jo që në do të mund të bënim ndonjë gje, por të paktën do ta detyronim armikun të na vras. Më vonë jemi pozicionuar në podrum me Besim Ramën, Xhelal Canziben dhe shum të tjerë. Më vonë filluam të përgatisnim ushqim. Kemi pritur deri në mbrëmje. Natën kemi shkuar lartë dhe kemi takuar Ylber Berishën dhe gjate tërë natës kemi patrulluar për të parë se çka po ndodhë. Më, 23 maj, në mëngjes gardianet, polic dhe të maskuar kanë hyrë brenda, ata thërrisnin të dalim jashtë por ne nuk dolëm. Ata filluan të gjuanin me granata. Unë me disa shokë vendosëm që mos të dalim dhe tërë kohën bërtisnim të mos dalim. Në fund mbetëm një grup i vogël, por kur dolën të gjithë jashtë edhe ne u detyrauam të dolim jashtë. Kur dolëm jashtë jemi përshëndetur me shokë. Ishim të mendimit që do të na ndodhë diçka e keqe. Ishte një moment i çuditshëm që prej 19 Majit, pavarësisht që ka pasur sulme, je ndjerë më i lirë dhe kur dolëm prej podrumit përsëri të binim në dorën e tyre. Ishte shume e rëndë. Pasi dolëm jashtë pritnim të na gjuanin, por nuk gjuajtën, na dhanë cigare dhe na thanë të shkojmë në sallën e sportit. Aty ka qenë një ndjenjë që do të na ndodhë diçka por një gardian tha: “nuk do të ju gjuajmë”, mos u afroni afër mureve. Na thanë: “mund të shkojmë në kuzhinë” dhe të ushqehemi me çka të mundemi. Ishte interesant me gjendjen e të plagosurve sepse kur e kuptuan që do të jemi mirë menjëherë ndryshoi gjendja e tyre dhe u kthjellën.
B.H: Në momentin kur keni qenë te salla e sportit , a ju kujtohet çka është folur aty kur kanë ardhur gardianët aty?
Aty ka pasur persona pa maskë dhe me maska. Unë kam disa fotografi që shihen të burgosurit serbë të armatosur që do të thotë se edhe ata kanë marrur pjesë në masakër. Ka pasur të burgosur serbë gjatë vitit 1998 që kanë bërë probleme në burgjet e Serbisë dhe i kanë transferuar në Dubravë të cilët janë uniformuar.
B.H: A ju kujtohet MIKI komandanti i burgut?
Nuk më kujtohet sepse nuk i njihja. Kur kemi dalë nga salla e sportit puna jonë ishte t’i nxirrnim të burgosurit e plagosur.
B.H: Çka dini për pushkatimet individuale?
Po, i kam parë kufomat madje një të plagosur, unë me Bilbil Durakun, kemi hyrë brenda dhe e kemi tërhequr aty, nuk mundeshim me e vendosë jashtë. Bilbili ka dalë jashtë me e marrë një batani për ta bartur, unë isha brenda dhe iu kam afruar të gjitha kufomave që mos ishte ndonjë gjallë dhe për një moment kur i shikoje dukej sikur i mbylli sytë dikush dhe menjëherë shkoja ta shihja. Por megjithatë të gjithë ishin të vdekur. Disa kanë shpëtuar që kanë qenë mbi gypat e ventilimit. Pasi i nxorëm jashtë, vendosëm që mos ta bijmë te salla e sportit, ne ia lidhem plagët me Sherif Ilazin dhe i kemi lenë aty në fushë. Ndërkohë ti shkoje, të ndihmoje ndonjë tjetër dhe kohë pas kohe shkoja ta shihja atë. Njëherë e kam thirrur Bislim Zogajn që ta shiqoj dhe Bislimi tha mirë e keni lidhur plagën. Më vonë e kemi dërguar në sallë se ka shpëtuar ai person.
B.H: Ndonjë të plagosur rende dhe që ka shpëtuar?
Po, rasti me i rëndë ishte Bedri Kukalaj që ishte i plagosur në nofull dhe ka shpëtuar. Ka pasur raste tjera por nuk i di me emra.
30. ENVER DUGOLLI
B.H: Z.Dugolli në cilat burgje keni qenë dhe veçanërisht për burgun e Dubravës?
Unë jam burgosur më, 27 janar 1997, si anëtarë i grupit të LKQK-s, së bashku me Avni Klinakun. Fillimisht kam qenë në burgun e Prishtinës, pastaj në burgun e Lipjanit dhe përsëri në burgun e Prishtinës. Ne janar të vitit 1998 jam transferuar në burgun e Dubravës. Pas fillimit të luftës në Kosovë, të burgosurit politik i kanë grumbulluar dhe nuk na kanë treguar ku po na dërgojnë dhe disa janë dërguar ne burgje të tjera ndërsa unë me disa shoke ne burgun e Mitrovices se Sremit.Më vonë na është treguar një dokument nga ministria e Serbisë për arsyen e transferimit tonë nga Dubrava në Serbi. Arsye ishte: SIGURIA. Kur kanë filluar bombardimet e NATO-s, neve na kanë kthyer në Dubravë.
B.H: Mund ta përshkruani momentin kur keni hyrë ne Dubravë, cfare keni parë?
Nuk kam parë diçka të jashtëzakonshme, ne jemi vendosur në pavijonin “B” se bashku me Avni Klinakun, Avdi Mehmetin, ka pasur tortura, kemi vazhduar një jetë me monotoni, nuk e dinim çka do të ndodhë dhe nuk e dinim arsyen që ishim aty.
B.H: A kanë qenë gardianet të njëjtët kur jeni kthyer herën e dytë në Dubravë?
Disa kanë qenë të njëjtë por shumicën nuk i kam njohur, ndërsa atë që e kam njohur ishte Komandanti me pseudonimin: MIKI, me emra nuk më kujtohen.
B.H: Si janë sjellë gardianet me juve?
Vinin kohë pas kohe me provokime të ndryshme, kërkonin të bërtisnim “Zhiveo Sërbia” e gjera të tilla, në dhomën time nuk ka ndodhur por ne dhomat tjera po, e dijë për këtë. Tri ditë para se të gjuaj NATO, e kanë nxjerrur jashtë Avdi Mehmetoviqin dhe Avni Klinakun, por jo se bashku dhe i kanë rrahur shumë, të gjithë kanë qenë me maska.
B.H: Para 19 Maj-it a ka pasur gjuajtje jashtë mureve të burgut?
Po ka pasur goditje të NATO-s jashtë mureve të burgut, kemi parë që ka dalë tym.
B.H: Tani ndodhë bombardimi i NATO-s në burgun e Dubravës?
Po, ne ishim të mbyllur të gjithë dhe të burgosurit ordinerë kanë ardhur dhe na i kanë hapur dyert, kemi dalë jashtë para kuzhinës në oborr. Pas 2 ore kanë hyrë gardianet të armatosur dhe kemi parë që disa prej tyre ishin civilë. Mbikëqyrësi Dragan, së bashku me një të burgosur të Shqipërisë duke thënë: “Nuk ekziston mundësia ti fusim brenda(të burgosurit) përsëri, sepse dyert ishin të thyera të gjitha.
B.H: Më 21 ka pasur bombardime përsëri apo jo?
Gjatë gjithë ditës ka pasur bombardime dhe gjate tërë natës kemi qëndruar jashtë dhe kemi dëgjuar shumë lëvizje të traktorëve jashtë mureve, ka pasur edhe gjuajtje kohë pas kohe. Para mëngjesit na kanë thënë që të bëhemi rresht sepse do të vijnë autobusët dhe do të ju dërgojmë ne Nish. Kemi qenë rresht të paorganizuar, kemi qenë shum të burgosur dhe kanë filluar të gjuajnë. Visar Ballovci më thoshte o bacë hajde të bëhemi ne të burgut të Sremit bashkë. Mendonim që ku të na çojnë, të jemi bashkë. Unë i thash hajde të dalim në fillim të rreshtit dhe kur filluam të ecim me disa shokë duke dalë ne fillim të rreshtit, filluan të gjuajnë dhe kur e kam kthye kokën të shikoj m’u duk sikur të ishte toka e minuar. Pastaj kemi filluar të ikim, ku kemi mundur. Në vendin ku ishim ne. Aty kanë vdekur të gjithë ata djem nga Drenica. Disa kemi qenë në podrum të kuzhinës ndërsa një pjesë ka qenë në pavijonin tjetër. Kanë hyrë disa të maskuar dhe kanë vëzhguar gjat tërë kohës ku po fshihemi. Ata të cilët kanë qenë të fshehur ne puseta iu kanë hedhur bomba.
B.H: Dini ndonjë që ka qenë shumë i plagosur dhe ka shpëtuar?
Ishte Bedri Kukalaj, që ne kemi menduar se është i vdekur. Kështu ka qendruar deri të nesërmen, kur dikush e ka parë duke lëvizur.
B.H: Më vonë jeni munduar t’i jepni ndihmë?
Po, kanë qenë studentet nga Prizreni. Më 22 maj, në mbrëmje unë doja që të organizohemi dhe ta thyejmë murin me mendimin që ndoshta do të shpëtojmë por gjatë ditës duke biseduar me shoke për këtë ide, më përkrahën disa prej tyre nuk u pajtuan. Ne atë moment dyshoja që mos po pëson dikush dhe mund të vritet. Në mëngjes kemi dëgjuar të shtëna, në korridor i kemi parë që janë drejtuar nga kuzhina, kemi filluar të hyjmë në podrum, nuk kishte vend për të gjithë dhe unë isha në mes të shkallëve,ata filluan të gjuanin me bomba por nuk afroheshin më afër. Bombat nuk arrinin deri tek ne. Pas 10 minutave kanë filluar të bërtasin që të dalim jashtë. Më 23 maj, në mëngjes, filluam të dalim jashtë dhe jemi bërë rresht. Pasi kemi dalur jashtë ata kanë hyrë brenda për të kontrolluar mos është dikush. Një i ri, i cili ishte i sëmurë psiqikisht që ishte brenda, e kanë vrarë.
B.H: Kur ju kanë futur te salla e sportit?
Në sallë të sportit ka pasur komunikime të ndryshme, ka pasur edhe provokime. Ne ishim të trishtuar madje duke dhënë hallallin njëri tjetrit. Mendonim që do të vdesim, ata që ishin rreth dritareve gjuanin me shishe, ne ishim të mësuar duke na gjuajtur me bomba, pra ishte një terror psiqik. Një civil na ka thënë hani çka të mundeni sot dhe mos u afrohuni afër mureve.
B.H: A e dini rolin e drejtorit?
Nuk di të them ndonjë gjë, nuk e kam parë.
31. AVDYL JETISHI
B.H: z. Avdyl ku dhe kur jeni arrestuar?
Unë jam arrestuar më, 1998 në fshatin Brokoc dhe na dërguan në burgun e Gjakovës, pastaj në burgun e Pejës ku qëndruam 2 muaj e gjysmë. Në shator kemi qenë në Lipjan. Më, 05 Dhjetor 1998, më kan dërguar në Dubravë.
B.H: Sa keni qëndruare në Dubravë?
Nga: 5 dhjetori 1998 deri më 24 aj 1999, kemi qëndruar në Dubravë.
B.H: Gjatë asaj periudhe si janë sjellë autoritet e burgut me të burgosurit?
Unë isha në pavijonin “C”, na kanë pritur me barbarizëm dhe tortura të shumta, nuk kemi pasur asgjë për tu mbuluar,koha ishte shumë e ftohtë.
B.H: A ka pasur ndonjë ndryshim para se të vijnë të burgosurit tjerë?
Në fillim ishim një numër simbolik të burgosurish dhe pastaj i patën mbledhur të burgosurit shqiptarë nga të gjitha burgjet dhe i kanë transferuar në Dubravë.
B.H: Tani ndodh bombardimi i NATO-s më 19 maj?
Po, ashtu ka ndodhur, unë me një djalin e axhës dhe disa të burgosur tjerë kemi shkuar dhe iu kemi hapur dyert e burgut në pavijonin “C”, dhe i kemi nxjerrë të burgosurit jashtë.
B.H: Më 22 maj, juve ju kanë thirrur për t’u rreshtuar, apo jo?
Po, na kanë thirrur të rreshtohemi të fusha e sportit, unë kam dëgjuar prapa murit duke thënë: “A ti vrasim tani apo nesër në mëngjes”, kjo ka ndodhur më 22 maj. Në mbrëmje e kam dëgjuar këtë. Në mëngjes na kanë thirrur të bëhemi rresht, me arsyetimin për transferë në burgje tjera, gjojase këtu nuk ka kushte, dy të burgosur kur kanë dëgjuar që do të na transferojnë në burgun e Nishit, ata e kanë varë vetën. Pasi jemi bërë rresht filluan të gjuajnë me të gjitha llojet e armeve. Kam parë të burgosur duke u hedhur në ere nga bomba e dorës. Pastaj jemi fshehur në pusetë, ishim 11 nga familja e Jetishve. Të nesërmen kanë filluar t’i hapin pusetat por ne e kemi lidhur me tel kapakun e pusetës dhe kur kanë tentuar të hapin kapakun nuk kanë mundur dhe thanë që këtu nuk është askush sepse qenka kapaku shume i rendë për të lëvizur.
__________________________________________
B.H: Mund ta përshkruani rastin kur ishit fshehur te bojleri?
Fillimisht ishim në pusetë, njëri tha që të dal dhe të marr ujë, por kur tentova të dal, kanë gjuajtur me snajper. Në mbrëmje kam shkuar te bojlerët e ngrohjes, në podrum. Aty ishin: Hil Kqira, Zef Kqira, Bedri Rexha, Sadria, Lush Prelazi, Shefqet Kabashi, Ali Syla dhe disa të tjerë gjithsej 17 të burgosur. Në ora 4 të mëngjesit kanë hedhur bomba dore por kemi pasur fat, nuk është lënduar askush, tani kanë hyrë nga dera, unë isha mbi bojler se bashku me një të burgosur tjetër, jam mbuluar me lesh të xhamit, brenda në bojler, Bashkim Kabashi ka kërkuar që të qëndroj mbi mua. Tani kanë hyrë 4 paramilitarët me maska brenda ku 10 të burgosur i kanë bërë rresht për një dhe i kanë vrarë që të gjithë. Unë i kam parë me sytë e mi kur i kanë vrarë, Ramiz Bajrami ishte i plagosur rëndë dhe për atë thanë: “leje sepse ky do të vdes për gazepi”. Unë kam qëndruar për një orë e gjysmë, kam zbritur poshtë dhe e kam parë Zefin të vrarë, tani e kam kthyer mbarë.
B.H: Çfarë kanë thënë ata kur kanë hyrë brenda?
Nuk kanë thënë asgjë, vetëm i kanë bërë rresht dhe vetëm dëgjohej kur bënin “OFFFF…” , dëgjohej kur binin në tokë, një i burgosur ka bërtitur o Avdyl Jetishi në dorën tuaj jemi. Por nuk kam reaguar sepse edhe ne do të vriteshim. Kur kanë gjuajtur me bombë në podrum Bashkim Kabashi nga Zahaqi i Pejës ishe mbi mua në bojler , është plagosur nga bomba në kokë. Unë i kisha duart në fytyrë për tu mbrojtur nga leshi i xhamit dhe në at moment mu mbushen duart me gjak, mendova që jam plagosur por nuk e ndieja.
B.H: Sa ishte bojleri i madh?
Afër 2500 litra, aty ishin katër bojlerë, unë isha në bojler dhe nuk kanë mundur të me shohin.
B.H: Tani keni dale nga bojleri?
Ka ardhur një shok dhe tha që të dalim sepse nuk do të vrasin më.
B.H: A të kujtohet ndonjë fjalë tjetër nga paramilitarët apo gardianët që ishin brenda në podrum?
Kur kanë hyrë në podrum kanë thënë: “Këtu e kemi ndermend t’i vrasim të gjithë” dhe “e kryem aksionin”.
B.H: Të ka mbetur ndonjë gjë në kujtesë që nuk e harron?
Në kujtesë më ka mbetur vëllai i Hil Kqirajt sepse gjat tëre natës ka qenë i shtrirë në beton, kokën në barkun tim dhe gjithë natën thoshte: “Avdyl a do shpëtoj apo çka do të ndodhë me neve” vetëm këtë fjalë thoshte, unë i thash: “Qysh e kemi fatin do të ndodhë”.
32. RAIF QELA
B.H: z. Raif kur jeni arrestuar herën e fundit?
Unë jam arrestuar më 26 korrik 1993, pas një viti na transferuan në Dubravë dhe deri më, 29 prill 1998, pastaj në burgun e Sremit deri 26 prill 1999 dhe më 29 prill 1999, jemi transferuar sërish në Dubravë. Unë isha në autobusin e parë dhe në kemi kaluar pa asnjë aksident deri në Dubravë. Dy autobusët tjerë që kanë ardhur një ditë më vonë, ishin shumë të maltretuar edhe në Dubravë i kanë pritur shumë keq.
B.H: Në cilin pavijon ishit ju?
Më duket që isha në pavijon “B”, ditët e para bombardimit na dërgonin në kuzhinë për ushqim dhe na sistemonin në dhoma.
B.H: A shihej ngrohtorja nga pavijoni “B”?
Po, pasi kemi dalë aty te ngrohtorja ka pasur shumë thëngjill dhe unë aty e kam parë një autoblindë por brenda burgut nuk ka pasur makineri serbe. NATO ka bombarduar vazhdimisht, por më 19 maj, ka bombarduar në burgun e Dubravës. Kemi dëgjuar që të burgosurit serbë janë mobilizuar dhe kanë marr pjesë në masakrat, në fshatrat përreth Dubravës. Pas bombardimit të NATO-s në Dubravë, gardianët kanë ikur të gjithë. Kur ka rënë bomba e dytë unë isha në banjo, të gjitha dritaret janë skuqur dhe janë thyer që të gjitha.
B.H: Kush i ka hapur dyert e burgut gjatë bombardimit të NATO-s?
Ishte Istref Hasani me disa të burgosur tjerë, me vështirësi janë thyer dyert e burgut dhe kemi dalë jashtë burgut. Të nesërmen i kanë marrë kufomat me një traktor. Gafurr Luma ishte i plagosur dhe ka qenë me një dhomë me Enver Topallin, tani i vrarë nga bombardimet e NATO-s. Pas 19 majit nuk ka pasur vrasje nga gardianet por provokime ka pasur. Pas 19 majit një i burgosur serb, njeri i Arkanit se bashku me një mbikëqyrës na kanë rreshtuar dhe kështu bënin herë pas herë për të na numëruar. Ditën e parë nga NATO janë vrarë 3 të burgosur. Më 21 maj, NATO ka bombarduar ndërtesat e burgut, përveç pavijonin pranues ku aty ishin rreth 200 të burgosur nga Gjakova të cilët nuk kanë pranuar të dalin jashtë. Por më vonë i kanë nxjerrë. Në momentin që kanë dalur nga pavijoni pranues ka rënë një raketë dhe janë vrarë disa të burgosur, disa të burgosur nuk donin të dilnin ku thoshin që iu kemi dhënë besen serbëve që të mos dalin. Gjatë kohës që ishim jashtë i kam parë disa sinjalizime nga aeroplanët e NATO-s, në forme shigjete të drejtuar nga fusha e sportit dhe unë thosha që po donë të thonë diçka me këto shenja, më vonë e kemi kuptuar që të fusha e sportit kishte hapësirë me të madhe dhe ka pasur me pak pasoja nga NATO. Pra aeroplanët e NATO-s sinjalizonin me një lloj ndriçimi në formë shigjete të drejtuar nga fusha e Sportit. Më 22 maj, në mëngjes njëri nga mbikëqyrësit, nga karakolli ka thënë mblidhuni të fusha e sportit që t’ju numëroj dhe kanë filluar të gjuajnë për 20 minuta nga të gjitha anët. Pati viktima nga të burgosur dhe mbi 100 të plagosur, përveç asaj ka pasur edhe më vonë vrasje. Gjatë bombardimeve të NATO-s disa të burgosur që ishin në atë kohë, në burgun e Nishit më kanë thënë: që kishin dëgjuar në TV se NATO bombardoi në Dubravë dhe i ka vrarë 120 të burgosur dhe të tjerët kanë marrë arratinë dhe të gjithë janë vrarë. Një i burgosur shqiptar i quajtur Arsim ishte bashkëpunëtorë me serbët përhapte informatë që nuk ka rruge tjetër këtu pos të ikim dhe vërtet filloi të merrej seriozisht ajo informatë nga ai. Ishte një vrime ku Arsimi me disa të burgosur kanë dalë nga ajo vrimë, disa i kanë zënë por Arsimi kishte thënë që unë kam shkuar deri në Gurakoc e më kanë zënë. Më dhënë bukë për të ngrëne dhe më kthyen në Dubravë. Kjo lente të kuptohej që edhe sikur të iknim nga burgu dhe të na zënë nuk do të ketë pasoja. Nga 19 maj nuk ka pasur ushqim të rregull, nga frika e bukës disa të burgosur filluan të bëhen jonjerëzorë. Tani ushqimi ndahej në pjesë të barabartë dhe u bë një lloj rregulli për bukë. Një i burgosur me ka thënë: që ka dëgjuar diçka të dyshimtë jashtë mureve të burgut madje kanë hedhur një bombë brenda burgut por nuk është lënduar askush dhe ai kishte dëgjuar traktorë jashtë mureve që do të thotë janë përgatitur për vrasjen tonë. Në vrimën ku ishte bërë në mur nga NATO. Ishte një mitraloz që kanë gjuajtur në të burgosur ditën e pushkatimit. Ishte Bedri Kukalaj që për dy ditë e kemi dijtë për të vdekur, e kemi kuptuar që është gjallë ndërkohë të plagosurit që ishin në fushë të sportit, të burgosurit tjerë i kanë tërhequr në podrum të kuzhinës dhe vende tjera. Ndihmë që ju kanë dhënë të plagosurve si Bislim Zogaj, Nait Hasani dhe grupi i Prizrenit jam i sigurt që mbi 50 të burgosur kanë shpëtuar. Një djal i ri nga Rahoveci i cili nuk ishte mirë psiqikisht është vrarë nga snajperët dhe disa të tjerë.
B.H: Mund ta përshkruani edhe njëherë ndriçimin nga NATO?
Nga aeroplanët e NATO-s lëshonin një lloj ndrite në forme shigjete të drejtuar nga fusha e sportit dhe unë iu thosha disave që kjo do të thotë diçka, më vonë e kemi kuptuar që kur kemi shkuar të fusha e sportit e kemi parë që ishte hapsirë më e madhe dhe pasoja nga bombardimi i NATO-s kishte më pak.
Disa të burgosur siç thashë më herët thoshin, të ikim nga burgu. Avni Klinaku doli para të burgosurve duke iu thënë: “Shokë disa po propozojnë që të ikim, por nëse e bëjmë këtë kjo është e barabartë me vetëvrasje”, “Po të ikim nga burgu ata do të na vrasin”, më mirë është të rrijmë këtu dhe le të na vrasin këtu po ballë hapur dhe jo duke ikur”. Mendoj që kjo i ka motivuar të burgosurit dhe kanë qëndruar brenda. Por disa që kanë ikur afër 15 të burgosur nga fjalët e Arsimit të gjithë ishin të vrarë jashtë burgut, të paluar si thasë i kemi parë te dera e hyrje-daljes së burgut. Me Arsimin kam qenë 3 vite në burg dhe e njof mirë, ishte në burg për vjedhje dhe thoshin që ka vjedhur me ndihmën e policisë serbe, të gjithë ata nga Podujeva thoshin për Arsimin që ishte spiun i serbëve. Më 23 maj, na ftuan që të rreshtohemi, ishim në disa kthina të kuzhinës, nuk ishim të sigurt që të dalim por më vonë vendosëm të dalim, disa ishin të fshehur në puseta, që disa kanë pësuar nga bomba dore që kanë hedhur serbet në puseta. Lush Prelazi të gjithë e dinim si burrë jo i mirë madje një herë iu kishte thënë gardianëve: “ma jepni automatin dhe ti vras këta terroristë”, çdo gjë që dinte iu tregonte gardianeve. Edhe Lush Perlazri është vrarë te kotllonica(ngrohtorja), edhe pse e kanë njohur atë, serbet nuk ishin të interesuar për bashkëpunim. Pikërisht që e kanë njohur atë, dhe e kanë vrarë. Më 23 maj, kur na ftuan të rreshtohemi, të na transferojnë, aty i shkepen cigare, mase gjysma e sallës ka rrahur shuplakë, ky ishte momenti me i vështire që kam pasur ndonjëherë edhe pas gjithë aty vrasjeve që bënë ata, kjo tregonte për karakterin tonë!
33. SKENDER IDRIZI
Unë quhem Skender Ferizi i lindur më 25 Gusht 1968. Kur kemi shkuar në Dubravë nuk kemi hyrë nga hyrja kryesore por nga një hyrje tjetër që kemi parë numër të madh lopësh. Duke dalur nga autobusi na kanë pritur 40 gardian dhe si zbritnim fillonin të na rrihnin. Sylman Bytyqi me të zbritur, menjëherë 7 gardian e kanë rrahur dhe ka rënë në tokë, Poashtu unë duke zbritur jam bërë sikur kam zënë në thua me qëllim që të bie mbi Sylen sepse mendova që e mbyten, pastaj mua dhe Frashrin na detyruan ta bartim një të burgosur sepse ky ishte paraqitur me emër të vëllait të vet, por ne nuk kishim forcë, ishim të fundit kur kemi shkuar te pavijoni “C” në katin e dytë. Pas bombardimit ka ardhur Frashri dhe më ka shikuar plagën, e kemi kap derën dhe provonim të thyenim xhamin e drës së blinduar, deri sa kanë ardhur të burgosurit tjerë për të hapur derën.
B.H: Para bombardimeve të NATO-s, ju thatë që nga ngrohtorja është gjuajtur me kundërajror?
Nga dhoma ne i kemi parë kundërajrorët që ishin mbi kulmin e ngrohtores, ishte një improvizim, por kishte edhe ushtar që rrinin aty. Kishte edhe thasë aty, krisma kemi dëgjuar edhe para bombardimeve të NATO-s. Kur kemi dalur jashtë na ndanë në dy grupe, kur u takuam me Bajrushin e pyeta a ka mundësi me ikë sepse ju dini vendim ma mirë, ai tha mos gabo me dalë sepse burgu është i rrethuar me ushtarë. Një pjesë e murit ishe e thyer dhe nga aty disa të burgosur dolën jashtë dhe njëri është kthyer por kur kanë dalë herën e dytë, i kanë vrarë. Kur kemi dalur për tu bërë rresht ditën e pushkatimin e kam parë një pushko mitrolez sepse kur kanë filluar të gjuajnë, kanë gjuajtur me pushko mitrolez dhe e kam llogaritur kohën kur mundet të shpenzoj një karikator dhe kam ikur nga aty me një pjerrtësi të fusha e sportit, kam vazhduar te kuzhina dhe pastaj të pavijoni “C”. Një detaj tjetër kur kemi dalur nga pavijoni unë isha në mesin e 3 të plagosurve, isha kur më dhanë ndihmën e parë nga një mjek serb, pas bombardimit të parë të NATO-s. Gafurrit i thanë shko te biblioteka, mua më thanë që të shkoj të dera dhe të pres jashtë. Bisedova më Gafurrin dhe po i them që po shkova atje do të na vrasin. Gafurri tha: “Mos shko hajde me mua”. Një detaj tjetër është kur erdhën dy me maska dhe bënin dialog në sallën e sportit, pra na numëruan, një tjetër erdh dhe tha: që mjafton nuk do ketë vrasje tjera. Frashri kishte një fotografi të fëmijëve të vet dhe po i shikon, po më thotë: “Skend shiko fëmijët dhe unë” nuk dija çfarë t’i thosha, i thashë “Po të kisha unë një djalë për të lënë gjallë” dhe Frashri e shtrëngoi këtë.
B.H: Çka dini për pushkatime individuale?
Po, ka pasur pushkatime individuale por edhe nga snajperët, me emra nuk e di, por një të burgosur të stacionari ishte dhe e kanë gjuajtur me snajper dhe ka rënë në tokë. Një detaj tjetër që unë e kam parë, kur jemi organizuar në pavijonin “C”, mua më thanë a mundesh me përcjell gjendjen në pavijon lart dhe të qëndroj aty, të shikoj si po shkojnë gjerat, e shihja pjesën ku ishte vrimë në mur por edhe kullën e vrojtimit, aty kam qëndruar gjithë natën por pas mesit të natës filloi të behet ftohtë. I kam parë te fusha një të burgosur të plagosur që është ngritur dhe është ulur, 3 metra me larg tij e kam parë një tjetër duke lëvizur dhe më vonë e kam kuptuar që ishte Agim Hulaj. Një tjetër është ngritur në këmbë por ka rënë përsëri në tokë dhe nuk ka lëvizur. Unë ju tregova disave dhe të nesërmen i kanë marrë ata.
34. FRASHER SHABANI
Unë quhem Frashër Shabani i lindur me 1971 në Ferizaj. Unë jam arrestuar me 28 shtator në Ferizaj në ditën që është bërë sulmi në fshatin Jezerc. Kur ka ndodhur sulmi i parë nga NATO, ishim 20 të burgosur në dhomë, është dëgjuar një krismë e madhe dhe për 20 minuta asgjë nuk kam mundur të dëgjoj asgjë. Në ato momente Gazmend Zeka ka bërtitur, mua më është paraqitur ndjenja t’i ndihmoj të burgosurve dhe me Xhevatin e kemi nxjerrë Avdullah Tahirin i cili ka vdekur pasi kishte gjakderdhje shumë të mëdha. Agim Gashi e kishte lëkurën e hequr krejt, Gjergj Karaqi nga Gjakova ishte i alivanosur, në at moment i kam hedhur ujë. Me frymëmarrje artificiale e kemi kthyer në jetë, Kamer Himaj ishte plagosur, gjithashtu dorën të thyer, vetëm lëkura ia mbante. Pra këto janë momentet që i mbaj mend mirë. Ndërkohë kanë ardhur të burgosurit tjerë dhe të burgosurit ordiner i kanë thyer dyert, kemi dalur jashtë. Në të njëjtën ditë vëllai e mbante vëllanë të këputur në mes, shkova t’i ndihmoj, nuk kisha si ta ndihmojë. Një nga Shqipëria ishte i plagosur në kokë dhe i lusja disa të burgosur t’i ndihmojmë, e kemi tërhequr ia kemi mjekuar plagën dhe ka vazhduar të jetojë, plagët i kemi lidhur me qarqaf. Ishte Memia të cilin e kishte kapluar paniku, ia kam lidhur dorën më vonë ia kanë këputur dorën. Ditën tjetër vërej një të burgosur, i kishte trutë jashtë, ia kam afruar ëfër kokës, lëvizte akoma por ka vdekur me vonë. Unë kisha idenë për të dhënë ushqim artificial, ujin duke e përzier me kripë për ta ushqyer. Ishte Bujar Syla që kishte plagën shumë të rendë dhe rrinte duke qeshur, ishte një rast burrëror. Ishte një nga Gjilani i cili kishte qenë në pusetë dhe pasi iu kanë hedhur bomba dore në pusetë, ia kishin këputur këmben, ia kam ndalur gjakderdhjen , nga paniku e pat krye nevojën, e tani është gjallë dhe e ka këmben e këputur lart. Ahmet Demiri nga Gjilani ishte i plagosur, në këmbën e djathë, në arterien kryesore, ia lidhem plagën. Ia dham një ingjeksion dhe i kemi dhënë një pashtetë. Sylë Bytyçi ishte i plagosur nga NATO në krah, bukur rëndë, që herë pas herë i ndërroja plagën. Prapa pavijonin “C” ishin disa puseta dhe njëri thërriste për ndihmë, ai ishte Fadil Dadiqi. Kemi shkuar për ta tërhequr nga puseta. Ishte i pa lëvizshem, kokën e kishte të çallamitur nga bomba e dorës që e kishin hedhur në pusetë serbet. Kur e tërhoqëm atë, ai thoshte: ‘merrni konservat’ iu kishte bërë fiksim. Ndërkohë u përhap lajmi që të gjithë të burgosurit të mblidhen në sallën e sportit, patëm organizuar vetëmbrojtje me Naitin, Bajrushin. Ata të cilët ishin të vdekur, iu kemi shkruar letra dhe iu kemi futur në xhep. Të burgosurit i kishte kapluar uria, të cilët janë ushqyer disi. Me Bislim Zogajn i kemi koordinuar punët, në një formë ka pasur një lloj organizimi dikush bartte të plagosurit, dikush iu lidhte plagët, pra kemi punuar në ekip.
B.H: Ndonjë të burgosur që ka qenë shumë i plagosur dhe ka shpëtuar?
Ishte Bedri Kukalaj, Agim Hulaj, Ramadan Gashi nga Peja i cili i kishte dy këmbët të thyera dhe i plagosur.
35. BESIM ZYBERI
Unë jam arrestuar më, 28 Qershor ië vitit 1998, me një akt gjykim të gjykatës se qarkut të Prishtinës të udhëhequr nga: Dragulub Zdravkovic, jam dënuar 14 vjet burg. Dënimin e kam mbajtur në Gjilan, Prishtinë dhe më 30 prill jemi transferuar në Dubravë. Më 24 maj nga Dubrava jemi transferuar në Lipjan. Më, 10 Qershor jemi transferuar në Mitrovicë të Sremit. Më, 30 Prill 1999, jam transferuar nga Gjilani në Dubravë, ishim 35 të burgosur. Gjatë rrugës për në Dubravë çdo gjë ishte e shkretë, shtëpitë duke u djegur. Në Dubravë hyrja ishte me torture dhe duhej të hynim përmes një kordoni të gardianeve, ndonjëherë duhej të bartim ndonjë të burgosur pasi alivanosej nga të rrahurat. Unë e shum të tjerë ishim të pavijoni “C”, dhoma nr 31, në katin e dytë të ndërtesës . Në dhomën time ishim 20 persona. Në dhoma pritja ishte shtazarake. Kushtet ishin tejet të këqija, madje nuk kishte asnjë shtrat. Në Dubravë kemi jetuar me 2 copa bukë në ditë. Gjendja shëndetësore ishte shumë e keqe, alivanosje, marramendje etj. Në pavijonin “C”, ishin mbi 250 të burgosur, çdo mëngjes ishte rutine rrahja të burgosurit. Më kujtohet nata e 13 maj-it që ishte festa e policisë së Serbisë, atë natë kishte shumë të uniformuar në korridore, polic, persona pa maska, ishim të bindur që na kanë dërguar për të na vrarë, por nuk e dinim mënyrën se si do të na vrasin, një nga një apo vrasje masive. Në Dubravë kur kam hyrë, komandanti i burgut të Gjilanit donte të ia jepte listën e të burgosurve një mbikëqyrësi të Dubravës, ai tha: “Këtë letër mundeni me dërguar vetëm në Beograd, këtu nuk na duhet”. Kjo do të thotë që nuk kemi pasur dosje, ishim dërguar për të na vrarë. Para bombardimeve kemi parë nga dritaret që i kanë detyruar të burgosurit ordinerë, që të ti presin degët e pemëve që më vonë të dukej se çdo gjë ishte shkatërruar nga ajri. Më 19 maj, NATO bombardoi në Dubravë, në pavijonin “C”. Nga 20 të burgosur që ishim në dhomë, gjejnë vdekjen 3 të burgosur ;Ghokë Ndrecaj, Avdulla Tahiri dhe Enver Topalli. Enverin dhe Ghokën nuk kemi mundur ti shohim sepse iu kishte rënë plafoni mbi ta, ndërsa disa që u plagosen i kanë dërguar në spital, sot janë të gjallë. Në momentin kur ka rënë bomba, isha i shtrirë te dera dhe gjatë eksplodimit dera më ka rënë mbi dhe më ka mbrojtur, por unë isha vetëm i shtrydhur, nga ajo tragjedi disa të burgosur bërtitnin, “hapni dritaret’, dritaret ishin të thyera. Bomba tjetër bie në objektin tjetër ndërkohë të burgosurit tjerë që ishin më të lirë në pavijonet tjera kanë ardhur dhe i kanë thyer dyert. Kemi arritur të dalim në oborr. Ekziston një përshtypje se ata dinin kur do të bombardohej burgu sepse nga objekti jonë i kemi parë që 5 minuta para bombardimit të gjithë gardianet kanë ikur jashtë burgut. Pasi dolëm në oborr, i kanë marrë tre të plagosurit shqiptarë dhe neve na dërguan në objektin që e kanë përdorur si shkollë. Na kanë vendosur në korridor dhe jo në dhoma, në mënyre që të jemi sa më grumbull që të kishte vrasje me të mëdha në numër në rast të bombardimit të shkollës nga NATO. Ka ardhur një gjykatës hetues dhe i ka thirrur disa të burgosur për ti pyetur, se si ka ndodhur bombardimi. Pasi e përfunduan procedurën e të marruarit në pyetje kanë ardhur dy rom dhe i kanë marrë 3 kufomat e para, nuk di ku i dërguan. Kufomat ishin të mbuluar me dy batanije me ngjyre kuq e zi. Ka pasur plane të ikim nga burgu por edhe informata pozitive që do të vie kryqi i kuq apo UCK-ja, do të merr Dubravën nën kontroll. Ditëve tjera NATO ka bombarduar në vazhdimësi, por vetëm në objektet e burgut. Nga bombardimet janë vrarë 19 të burgosur dhe 60-70 të plagosur që kryesisht kanë qenë në lëvizje dhe janë plagosur. Të burgosurit kanë qëndruar në vende të ndryshme, disa të fusha e sportit që aty kemi qëndruar një natë nën qiellin e hapur. Më 22 maj në orët e hershme të mëngjes një gardian nga kulla e vrojtimit ka thënë; ‘rreshtohuni sepse do të ju transferojmë në burgjet tjera”. Në një mënyrë e dinim që do të ndodhë pushkatimi sepse rreshtimin do të duhej të behej afër portës dhe jo të fusha e sportit afër murit. Pas rreshtimit kanë filluar të gjuajnë nga kullat e vrojtimit dhe prapa mureve të burgut, kanë gjuajtur me lloje të ndryshme të armeve, një numër i madh i të burgosurve janë vrarë pikërisht në fushë të sportit. Afër meje ishte një i burgosur i vrarë, ka rënë një bombë afër tij, unë nuk jam lënduar që domethënë ai më ka shpëtuar mua, pastaj kemi ikur në objekte tjera. Pasi u qetësua situata jemi munduar t’i ndihmojmë të plagosurit me mundësitë tona, ka pasur të plagosur rëndë, por që nuk kemi mundur t’iu japim ndihmë në kohën e duhur. Kanë vdekur. Ka pasur të burgosur që ishin rende të plagosur por që kanë shpëtuar. Një hoxhë nga Rahoveci, Mulla Kadriu(Kadri Durguti) ka pasur rast kur e ka parë një të vdekur, është ndalur dhe ia ka falur xhenazen. Edhe ne të vrarëve iu kemi shkruar letra dhe ua kemi futur në xhepa, i kemi mbuluar me ndonjë batanije. 145-170 kanë qenë të vrarë me sa kemi mundur të numrojmë ne. Për të dhënë sinjale NATO-s që në jemi shqiptarë që mos të na sulmojmë. Ide ishte që ti lidhim disa drita neoni dhe ta shkruajmë HELP edhe kët që të shef NATO. Momentin kur shkuam te fusha e sportit para pushkatimit ka ardhur një grup gazetarësh dhe një nga kamerat që e kam parë unë shkruante “Helius” televizion Grek, por ka pasur edhe nga BBC. Nga fusha e sportit ne kemi bërë me dorë që të na ndihmojnë sepse për neve ata ishin të huaj dhe ndoshta do të na ndihmojnë. Kur është transmetuar në Hagë shihen të burgosurit duke bërë me dorë. Ka pasur ekzekutime të drejtpërdrejta d.m.th. nga afër, në e kemi parë me sy apo duke hedhur bomba dore. Në pavijonin “C” kanë qenë të plagosurit një numër i madh, por ishte një elitë si Nait Hasani, Bajrush Xhemajli, teknik medicinal ku vendosëm që të bëjmë kurth për vetëmbrojte por erdh momenti kur u përshëndetëm me njëri tjetrin të mendimit që do të vdesim, disa filluan të dolin dhe vendosëm që edhe ne të dalim. Arma jonë ishte koha dhe mendonim sa më gjatë që jemi gjallë do të fitojmë sepse do të humb Serbia. Në sallë të sportit kemi hyrë të gjithë të burgosurit, në dritare të sallës kishte forca serbe. Mendonim që na futen këtu dhe do të vdesim të gjithë. Një polic me maskë në mënyrë cinike tha që përfundoi e gjitha, janë nisur disa kamionë me bukë për juve por më vonë tha: “Ata kamionë i ka gjuajtur NATO. Janë vrarë disa ushtarë tanë, po na dhimbeni ju që nuk erdhën kamionët me bukë”. Por ne kemi bere një organizim, një kuzhinier tha që ka buke në kuzhinë për 3 muaj nëse hamë nga një copë buke, u organizuan që dikush në kuzhinë të gatuaj, shpërndarjen e bukës madje e kemi ngrëne një racion në atë formë. Më vonë kanë ardhur autobusët dhe kamionët të burgosurit e plagosur i kanë hipur në kamion ndërsa të tjerë në autobus dhe jemi nisur për Lipjan.
B.H: Kush ishte Branko Bellosheviçi?
Në kohën kur kemi shkuar në Dubravë ka qenë mbikëqyrës i pavijonit “T” (Nadzornik)
VIJON…
– Bedri Halimi – Intervistues i 40 të mbijetuarve nga Masakra serbe në burgun e Dubravës. Shkëputur nga libri: Prof.Ukë Thaçi – Masakra në Burgun e Dubravës (Skenarët e Masakrës), Prishtinë 2011, SHB – “BERATI” Prizren.