PASHTRIKU: FLASIN 40 TË BURGOSURIT SHQIPTAR, MBIJETUES TË MASAKRËS – NË BURGUN E DUBRAVËS(VI)

(Pashtriku.org, 21. 05. 2012) – Pas 13 vjetësh të konsolidimit të papërfunduar të informacioneve për të burgosurit shqiptarë në Burgun e Dubravës – dëshmitë e të mbijetuarve të Masakrës së Dubravës tregojnë për shumë çfarë, që të tjerët, të cilët nuk kanë kaluar nëpër këtë kamp gjatë viteve të fundit të shekullit njëzet u kanë borxh të mbijetuarve të kësaj masakre dhe popullit të tyre jo vetëm t`i informojnë, por edhe të japin sqarime për këtë masakër karakteristike dhe ende të panjohur sa dhe si duhet nga të gjithë ne.
36. BILBIL DURAKU
Quhem Bilbil Duraku nga Krusha e Madhe, i dënuar me 5 vjet e gjysmë burgim nga regjimi serb i Millosheviçit. Më 29 prill 1999, kam qenë në burgun e Nish-it, grupi jonë ishte me tre autobusë se bashku me shumë të burgosur të politik, unë isha në autobusin e mesëm. Gjatë rrugës, në Orllat NATO bombardon disa makineri serbe, autobusi i parë vazhdon rrugën ndërsa ne kthehemi në Lipjan. Më 30 prill 1999, kemi arritur në Dubravë,në momentin kur kemi arritur në Dubravë kam vërejtur disa lopë, gjëja e parë që më ka shkuar në mend ishte kasapi, mendoja që do të na vrasin të gjithëve. Më vonë e kam kuptuar që në hyrje të Dubravës ishin gardian dhe jo ushtar sepse ashtu me janë dukur, hyrja ishte me rrahje deri te pavijoni “B2”. Neve Unionin e studentëve, na ra fati të ishim me një dhomë, gardianet nuk kanë ardhur në dhomë përveç një rasti kur një gardian ka ardhur në dhomë me një foto të një personi të UÇK-së. Më datë 15 Maj, kanë ardhur grupi i Gjakovës me afër 150 të arrestuar, duke i detyruar të bërtasin “Rroftë Serbia”. Më, 19 Maj janë dëgjuar zhurma të aeroplanëve dhe goditet pavijonin “C”. Nuk besoja, mendoja që pilotët e NATO-s nuk do të gjuanin në një vend ku ka civil, e kisha pasur gabim. Dyert ishin të mbyllura, njëri e ka hapur derën tonë, dëgjoheshin britma por më vonë të burgosurit ordinerë i kanë hapur dyert e pavijonit “B”. Dolëm të gjithë jashtë dhe të fundit ishim unë me Nait Hasanin, Njazi Kryeziun duke u siguruar që nuk mbeti askush brenda. Ishte Sinisha Petriç i burgosur ordiner serb dhe i komandonte të gjithë gardianet, na rreshtuan për dy dhe thanë që të hynim në objekte dhe ashtu kemi qëndruar një kohë, hupi rendi shtëpiak që ishte, fillonim të na merrte uria dhe disa shkuan në kuzhinë për të marrur bukë.

Aeroplanët e NATO-s, më 19/21.05.1999, bombarduan Burgun e Dubravës!!!

____________________________________________

Më, 21 Maj, NATO bombardoi brenda burgut duke goditur kuzhinën por e ka goditur edhe ngrohtoren jashtë mureve të burgut dhe është bërë terr nuk shihej asgjë, kur goditen kuzhinën ishte njëri afër meje dhe i këputet këmba dhe vetëm një copë e lëkurës ia mbante këmbën ngjitur dhe aty kam kuptuar friken sepse mendoja që kjo bomba nuk po të vret, por të len pa gjymtyrë e të gjallë. Aty kanë vdekur 19 të burgosur pra nga NATO janë vrarë 25 të burgosur, ndërkohë kah ora 16 kanë ardhur disa gazetar dhe personel mjekësor. Me kujtohet një rast kur ishim në një pusetë dhe mendonim të shkonim te objekti i bombarduar duke menduar që nuk do të bombardohet përsëri. Ishim 8 persona me një pusetë, me dimension 1x1meter, pastaj kam dalë dhe kam fjetur jashtë. Më, 22 Maj na thirrën për tu rreshtuar, i thash Sherif Ilazit eja po shkojmë atje, ai më thotë jo. Unë i thash eja të shkojmë se nëse dëshirojnë me na pushkatuar nuk ka nevojë me na bë rresht, pasi u bënë rresht unë i kisha rrobat në dorë dhe Sherifi më thotë hajde më mbrapa mos të rrimë përpara dhe e kam parë një person në karakollë me zollë, nuk me ra ndërmend me i thënë askujt ikni se po na gjuajnë dhe kam filluar të vrapoj dhe në moment filluan krisma, nga të gjitha llojet e armeve, tani me duket se po i shoh njerëzit duke rënë në tokë. Shkova të një pjesë pak e pjerrët dhe i thash një shoku, hajde ikim nga këtu sepse nuk ishte sigurt dhe më afër ishte pavijoni, pavijoni jonë “B” dhe kemi shkuar aty ku jam takuar me Njaziun, Xhevati me pyeti çka ndodhi unë i thash do të na vrasin serbet të gjithëve. Ka pasur edhe gjuajtje nga karakollët me snajper dhe nuk guxonim të dilnim, më vonë kemi kuptuar se nga pushkatimi janë vrarë mbi 100 të burgosur shqiptar. Vendosem ku kishte më shumë të burgosur dhe bënim plane për të ikë nga burgu sepse ishte një vrimë në mur, por nuk dolëm sepse filluam ti bartnim të plagosurit nga fusha e tmerrit. Muhamet Avdia na thirri neve që ta ndihmojmë. Kemi filluar të bartim të plagosur por ndërkohë nga karakollët gjuanin. Kur janë numëruar të plagosurit ishin 192 – 200 të plagosur rëndë dhe lehtë. Të burgosurit i kemi futur në sallën e sportit dhe e pashë Sherif Ilazin që e kishte kapur një shufër të hekurit, e pyes çfarë dëshiron të bëni me këtë, ai tha që do të mbrohem e jo të më vrasin siqë dëshirojnë ata, pastaj kemi kapur edhe ne nga një mjet të tillë dhe i kemi thirrur të burgosurit më të vjetër që ishin anëtar të grupeve të LPK-s dhe LKCK-s dhe jemi munduar të organizojmë një lloj rezistence. Kemi vendosur që të bëjmë roje 4 nga të burgosurit. Ka pasur të burgosur që janë kujdesur për ndihmë të plagosurve, me mundësitë e tyre, të plagosurit nuk bërtitnin shumë, ishin kurajoz dhe e mbanin veten. Serbët atë ditë kanë hyrë në kuzhinë që kanë gjuajtur me armë dhe bomba, njëri nga të burgosurit e ka kapur bombën me dorë dhe e ka kthyer mbrapa nga ka ardhur. Ishte një i burgosur shqiptar me duar në kokë dhe tha po thonë gardianët largoni ato shpika sepse asnjë gjallë nuk do të jetë. Filloi paniku a me u dorezua apo jo. Naiti ka mbajtur një fjalim shumë kurajoz, e dijë që në fund ka thënë rroftë pavarësia e Kosovës. Në sallë erdhën disa persona me maska, aty në sallë e detyruan një të burgosur ta rrahë një tjetër, filluan të kërkonin të burgosurit me syza (intelektual). Te salla e sportit na dhënë cigare e gjëra të tilla. Ka ardhur Bato Bollatoviç nga sigurimi i Pejës dhe thoshte që mos t’u afrohemi mureve dhe bëni çfarë të doni me arsyetime të kota, si naten të vret, ditën të vajton. Në shtëpi të kulturës ishin 7 të vrarë disa të plagosur i kemi bartur. Ka pasur nga këta të traumatizuar duke i parë pushkatimin e të burgosurve. Më kujtohet kur i kemi tërhequr nga puseta të plagosurit, të vdekurit ti largnim nga rruga apo ti varrosim, por nuk guxonim. Ka qenë një gardian MANCE të cilin e kanë parë duke gjuajtur me snajper nga karakollët.
37. HAQIF ILAZI
B.H: z. Haqif a ju kujtohet diçka nga Dubrava?
Unë jam Haqif Ilazi, kam qenë i dënuar me 6 vite e gjysmë burgim. Desha të ndërlidhem kur kemi hyrë në Dubravë përveç maltretimeve ishte radhë shumë e madhe dhe pritnim në rend që të hynim në kordonin e gardianeve që kishin një thënie: “Tamboranje” që d.m.th trupi e dinte këtë fjalë. Organizmi përgatitej për rrahje. NATO-ja në fillim bombardon drejtorinë e burgut dhe tani u krijua përshtypja që është pavijoni i jonë në radhë atëherë ka filluar paniku e madh në një moment ka dalur Njaziu, kishin mësy te grilat për t’i hapur, ishte një i burgosur i quajtur Kristë që kishte punuar si saldues i dyerve dhe dinte si të hapen dyert. Kemi dalur jashtë, një i burgosur ordiner serb i quajtur Zenica na beri rresht, më vonë na detyruan të hynim brenda, dyert ishin të gjitha të hapura. Më 20 maj kemi pasur mundësi me dalë, hyjmë brenda sepse nuk ishte rregulli shtëpiak i burgut. Më 21 ka bombarduar NATO, ne kemi qëndruar jashtë, njerëzit filluan të thërrasin për ndihmë. NATO bombardon objektin dhe copëzat që shkëputeshin nga objekti kudo që e kapte, e vriste në vend, erdh vëllai Sherifi dhe më tregoi që një copëz e ka goditur një të burgosur te arteria kryesore, kishte gjakderdhje. Vëllai ishte shokuar dhe më thirri ta ndihmoja, gjeja parë që bëra ishte me presion në qafë për të ndalur gjakun. Unë si teknik medicinal i thash Bilbilit dhe vëllait që të shkojnë në ambulancë dhe të marrin çka të munden. Atë ditë NATO ka bombarduar pothuaj tërë ditën. Kishte disa teknik medicinal që i ndihmonin Bislim Zogajt, me thirrën mua që të shkoj ta ndihmoj një të burgosur me gjakderdhje të madha, i thash vëllait tim që ky ka pak gjasa për jetë dhe më vonë vdiq, ishte Nexhat Kokollari sepse kishte gjakderdhje të madhe. NATO ka bombarduar ngrohtoren që ishte jashtë mureve të burgut. Shumë larg fushës së sportit ishte ngrohtorja, por kur bombardon ngrohtoren, pjesët e metalit shpërndaheshin kudo dhe një pjesë e metalit nga ngrohtorja e godet një të burgosur të fusha e sportit dhe ia këput këmben në vend, pas pak kohe vdiq. Disa të burgosur thirrën që të dalin nga puseta sepse do të na transferojnë në burgjet serbe, natën kemi dëgjuar duke gjuajtur në pusetë breshri armesh nga karakollët. Unë thosha që ti largoja fashat dhe gjërat që kisha në gjepa sepse flitej për transferim, mendoja që po të më gjenin diçka do të më vrasin për ndihmën që iu kam dhënë të burgosurve. Ishte e vështirë kur lëviznim nga një pavijon në tjetrin duhej të kishim kujdes sepse në të gjitha kullat e vrojtimit kishte snajperë dhe gjatë lëvizjeve tona ata gjuanin mbi ne. Rastësisht e kam takuar Bilbilin në qoshe të pavijonit dhe duhej pasur kujdes për të shkuar te spitali, Bilbili shtrihet në tokë dhe unë menjëherë mendova që e kanë goditur me ndonjë plumb dhe e kapa për këmbe. Bilbili e lëvizi këmbën dhe nuk kishte asgjë por më tha që po e shikoj patiken (Adidas), unë e pyeta pse ai me tha sikur të kishim një kamerë me incizuar dhe me plasu ato në treg Run For Life sepse i pëlqenin pumat ADIDAS, në kohen kur ishin të gjitha ato vrasje. Por gjithsesi nuk pajtoheshim me vdekjen. Te spitali ishte një grumbull i druve dhe një të burgosur e godet plumbi në qafë, si duket ishte plumb i kalibrit të madh sepse kur e godet rrotullohet në ajër dhe bie i vdekur në tokë. Ishte një rast i tmerrshëm. Kemi kërkuar ndihmë nga Sheremet Ahmeti por ai nuk ka dhënë përgjigje pozitive. Kishte thënë nuk mund të marr përgjegjësi për askënd në këtë kohë. Ne kërkuam nga ia pasi që ai ishte pjesëtar më i vjetër që kishte punuar në polici, por ishte e pamundur dhe jemi mbledhur 6 të burgosur, shkuam pas shkollës, te pavijoni “C”, ku ishte një vrimë në mur. Kishim bërë plan për të ikur por dëgjuam duke kërkuar ndihmë, pastaj kemi improvizuar si lloj spitali dhe bënin roje te dera ndërkohë vinin me maska, gjuanin në pavijone edhe bomba dore por kjo ndodhte kur nuk kishte fluturime të NATO-s. Të nesërmen kanë ardhur disa të burgosur për tu dorëzuar por nuk jemi dorëzuar, vendosem që edhe po të vinte ndonjë gardian ti merrnim armën por kur na thirren herën e tretë me kërcënime sepse të burgosurit thanë që nëse ju nuk dorëzoheni neve do të na vrasin të gjithëve kështu që ram në ujdi dhe jemi dorëzuar por vëllai im nuk donte të dorëzohej, e kam lutur Naitin që ti mbush mendjen që të vijë me neve sepse po të rrinte vetëm do ta masakronin. Ka pasur lojra me uj, cigare e gjera të tilla; si me uj p.sh. kur e prenim lopën i jepnim ujë, është në traditën tonë edhe ata na jepnin ujë, cigare e lojra të tilla. Ka pasur nga të burgosurit ordiner që mundoheshin të kalonin mirë me serbet gjë që serbet nuk ishin të interesuar të bashkëpunojnë me askënd. Ishte një i burgosur që nuk kishte vend pa u lënduar madje me shkonte ndërmend që mos ta copëtojmë çarçafin por ta lidhim komplet.
Një nga sigurimi i Pejës – Bato Bollatoviç na tha që do të ju transferojmë nga Dubrava dhe ashtu ndodhi dhe të nesërmen kanë ardhur autobusët dhe na larguan nga Dubrava.

Ekzekutimi dhe masakrimi i të burgosurve shqiptar me 22/23 Maj 1999!!!

__________________________________________________

38. XHEVAT HAZIRI
B.H: z. Xhevat kur jeni arrestuar dhe si ka shkuar proceduara e mëtejshme e përjetimeve tuaja në burg?
Jam arrestuar më 15 korrik 1998 në Vitijë, fillimisht me kanë sjellur në polici në Gjilan. Hetimet rreth meje dhe tortura të ndryshme deri me rryme elektrike. Aktakuza me ngritët për armëmbajtje pa leje dhe bashkim për veprimtari armiqësore. Më 14 dhjetor 1998 i dënuar me 7 vjet burgim. Më 30 prill 1999, 23 të burgosur të Gjilanit, Kaçanikut, Ferizajit, me tortura fizike dhe psikike kemi arritur në burgun e Dubravës. Pritja në Dubravë ishte me tortura mizore për të gjithë me radhë. Dikush ka pasur lëndime më të mëdha dikush me të vogla, mua më goditën me kontak të pushkës në hundë dhe kam pasur gjakderdhje të mëdha. Në pavijonin “C” pjesa lindore e burgut, kur hynim në korridor na ndanë në dy grupe dhe është bërë një lloj evidentimi sa për sy e faqe. Në dhomën ku vendosemi 12 të burgosur, shtohen edhe 8 të burgosur tjerë nga burgu i Pejës, aty kemi fjetur në dysheme, ushqimi ishte nga një rriskë e bukës, atë copë buke ua jepnim të burgosurve të dobtë me shëndet. Më 19 maj në orët e mesditës në dhomën ku isha unë me 20 të burgosur të tjerë ndodhe bombardimi nga NATO. Goditet këndi veriperëndimor, vriten tre të burgosur si: Avdullah Tahiri, Gjokë Ndrecaj, Enver Topalli dhe pas gjithë asaj rrëmuje, pas 5-6 minutave të burgosurit që nuk ishin të izoluar në dhoma na i kanë hapur dyert. Më kujtohet që isha i plagosur me plagë të lehta dhe kur arrita të i pastroj sytë i kam parë shokët por nuk e kam parë Enverin dhe Avdullahun duke dalur nga dera kam thirrur Frashër Shabanin që të hulumtojmë në gërmadha që ta nxjerrim nga betoni. Bislim Zogaj më tregon që më kishte kapur mua dhe më kishte thënë ikë nga këtu që të shpëtojmë këta që është e mundur. Pasi na grumbulluan gardianët nga këta ka pasur edhe pa maska, njëri nga ata thotë merri dhe dërgoi në korridor dhe askush nuk guxon të dalë. Aty kemi qëndruar gjithë natën. Në mëngjesin e 21 majit, NATO fillon të bombardoj burgun edhe jashtë mureve, aty ku unë isha i shtrirë vritet Mehdi Dalloshi dhe Ahmet Hoxha, ne të tjerët jemi lënduar nga copëzat e betonit, numri i përgjithshëm i të vrarëve nga NATO ishte16 si dhe shumë të plagosur. Gjatë asaj kohe ne që shpëtuam jemi ngritur në këmbë dhe nuk mund të fliste dikush dhe të thoshte të qëndrojmë këtu apo aty sepse në të gjitha pjesët ishte rrezik. Isha duke lëvizur me Skënder Ferizin, Nait Hasani ishte ndalur për kurimin e një të plagosuri afër kuzhinës, nga karakollët gjuajnë, ika në një kënd të një objekti, ndërkohë tërhiqemi në pozitën veriore të burgut, te fusha e sportit. Më 21 maj e kemi kaluar aty rreth 400-500 të burgosur. Në mëngjesin e 22 majit nga karakolli verior gardiani thotë: “Ngrihuni dhe rreshtoheni për të mirën e juaj, do të ju dërgojmë në burgun e Nishit”. Nga përvoja ime kurrë gardiani nuk e zbulon vendin ku do të na transferojnë. Filluam të rreshtohemi dhe në hapësirën lindje-perëndim ishim të rreshtuar 4 rreshta, unë u vonova për rresht sepse kisha harruar disa rroba, kur hyra në rresht isha në rreshtin e 4-të, gjatë atyre minutave duke u rreshtuar unë kam arritur të shohë nga pjesa perëndimore në anën jashtë murit, ngritje të platformës dhe janë paraqitur me uniforma ushtarake, filluan gjuajtjet nga 3 anët. Gjatë gjuajtjeve të burgosurit kanë rënë mbi mua dhe nuk kam mundur të lëviz, i tëri i mbuluar me gjak por më vonë fillova të tërhiqem te fusha e basketbollit, e kam takuar Ylber Topallin, më kërkoi ta ndihmoj dhe duke ecur zhag, kam dalur me një vij[ që ishte e ngritur pak. Pas disa minutave shkojmë te një pavijon, shokët që ishin në gjendje me të fortë fizike, kishin bërë tërheqjen e të gjithë të plagosurve nga vendi i pushkatimit, aty ishin rreth 100 të vrarë dhe shumë të plagosur. Në mbrëmjen e 22 majit, në pavijonin “C” jemi kujdesur për të plagosurit. Në mëngjes të 23 majit kanë hyrë ushtarak në pjesën jugore të pavijonit, meqë filloi të zbardh drita ku ka filluar vrasja e të burgosurve në objekte teknike. Pavijoni ku ishin të plagosurit kanë ardhur te dritarja e dytë me një gjellëbërës nga Ferizaj ishte i strehuar në pusetë ku kemi dëgjuar duke iu thënë serbeve largohu nga pozicioni që jeni, largohuni nga aty. Më vonë na futën në sallë të sportit, ishim rreth 400-500 të burgosur, filluan të na numërojnë, një gardian thotë” që gjysmën i paskemi likuidua “Sjebali smo polla”, Tash ushtari e pyet sa kanë qenë, ai thotë në bazë të evidencës se ushqimit duhet me qen 954 të burgosur që d.m.th. nuk e dinin as ata sa ishim në Dubravë. Ndërkohë thonë që do të ju dërgojmë në Mitrovicë por përsëri thonë se automjetet që janë nisur, nuk arritën të vinin. Mbrëmjen e 23 majit e kemi kaluar si kemi mundur pa ushqim, në mëngjesin e 24 majit na nxjerrin dhe na futin në automjete të ndryshme për transferim në burgjet e Serbisë.
B.H: Dini ndonjë rast që ka qenë i plagosur rëndë dhe ka shpëtuar?
Unë mund të flas për njerëzit që i kam njohur, ka pasur shumë të plagosur por unë e dijë që Ahmet Demiri ishte shumë i plagosur si shumë të tjerë që nuk me kujtohen emrat. Avni Memia ishte plagosur më 22 maj, por me e rëndësishme është që edhe ata të plagosu që ishin në objektin e ambulancës janë të ekzekutuar, rreth 7 të burgosur. Nga rreshti i ekzekutimit, në orët e vonshme grupi që ka ofruar ndihmë, iu kemi bashkangjitur me Ylber Topallin, plagët ishin varësisht nga lëndimi sepse Ahmet Demirit edhe pse iu ishe ofruar ndihmë ai kishte gjakderdhje të madhe dhe sot është në jetë. Pas pushkatimit, Danush Kurtaj ishte plagosur rëndë dhe pas një ore ka vdekur.
B.H: Momentin kur jeni rreshtuar nga mbrapa keni pare që është ngrit platforma?
Unë e kam parë ushtarë e policë dhe me siguri ka qenë hidraulike dhe nuk e di pastaj sepse kanë filluar të gjuajnë.
B.H: Ndonjë shprehje të ndonjë gardiani?
Deri sa ishim në pavijonin “C”, më kujtohet isha me Shpëtim Krasniqin dhe gardiani e ka hapur pjesën e prerë të derës dhe ka thënë: “ Shiko këta po pine ujë dhe po rruhen dhe mendojnë që do t’u hyjë në punë” por Shpëtimi nuk e kuptoj atë shprehje sepse ajo ishte shenjë që ata dinin çka do të ndodhë me ne. Rasti i dytë është më 19 maj, kur nxirremi nga pavijonin “C”, dialogu mes gardianit dhe një civili, civili i jep urdhër të prerë gardianit që të na vendosin në korridorin e objektit shkollë, por gardiani thotë: “që nuk vend për të gjithë”, sërish ai civili thotë: “unë të thash futi aty”. Më 21 maj ndodhi bombardimi i të njëjtit objekt me disa granata dhe në afërsi të saj është i vrarë Mehdi Dalloshi e disa të tjerë, po të ishim brenda atij objekti nuk e dijë sa do të vdisnim por e dijë që ai objekt ka qenë rrafsh me tokë. Më 23 maj, kur na tubojnë në sallën e sportit dialogu që zhvillohet në mes të gardianeve dhe ushtareve, kur hynim në sallë, ushtarët ishin të armatosur me predha të vendosur në anën lindore të sallës, me predha në krahë, një gardian thotë “Rrini urtë, uleni kokën”, Ushtaret ishin vetëm në njërin krah të sallës dhe po të ndodhte ndonjë bombardim nga NATO ata do të na godisnin me predha neve. Kështu do të dukej sikur NATO ka bombarduar mbi neve. Thënia tjetër është kur ata thonë që do të ju transferojmë në një burg tjetër, gjatë rrugës do të ndalemi për nevojat tuaja, por mos tentoni të ikni në mal, ishte një indikacion ikni ju dhe do të ju vrasim!
B.H: A keni pare diçka rreth burgut kur shkuat në Dubravë?
Ne ishim të detyruar të mbanim kokën ulur, kur na nxjerrin nga autobusi kishte shum polic. Para bombardimit kemi dëgjuar duke shtënë jashtë mureve, komunikim me zë të lartë, duke gjuajtur me kundërajror. Pas 23 majit një djalë nga Podujeva thonë që ka dalë nga burgu me disa shokë të tijë, kur na transferuan nga Dubrava kemi parë të vrarë dhe të masakruar tmerrësisht, te dera e burgut, pra ata që kanë dalë nga ajo vrime menjëherë janë ekzekutuar.
39. BAJRUSH XHEMAILI
Mendoj që ka shumë kënde që duhet diskutuar për Dubravën. Një prej këndeve që unë parapëlqej të bisedoj është çështja e tragjiko-komike sepse ka pasur momente shumë tragjike por ka pasur edhe momente komike në atë tragjike. Ne e kemi shkruar një liber të quajtur “Masakra e Dubraves” nuk e di nëse ju ka renë në dorë?
Sa i përket çështjes së Dubravës ka qenë indikacion grumbullimi sepse ne të gjithë kemi qenë në burgje të ndryshme por na kanë grumbulluar në Dubravë, p.sh mua nga burgu i Sremit, nga burgu i Nishit të gjithë të burgosurit politik i kanë dërguar në Dubravë, në burgun e Sremit kemi qenë 40 të burgosur, përafërsisht dhe na kanë dërguar në burgun e Nishit, që na kanë rrahur pa masë, me mjete të ndryshme si p.sh. me hekura, drunjë dhe gjithçka kanë pasur në dorë, ndërsa mua me kanë rrahur 4 herë atë natë që kemi shkuar në burgun e Nishit. Na rrahnin aq sa që ide nuk keni, saqë nuk e dija a është trupi im apo jo, sepse nuk e ndjeja fare, dua të dalë të çështja e grumbullimit, pra grumbullimi është bërë me urdhrin ma të lartë shtetëror të Serbisë madje mund ta pyesni Ismetin ai e din. Mendoj që është mirë me marrë Ismet Mahmutin dhe të tregon shumë mirë si ka qenë ngjarja, siçë kishte ndodhur gjatë rrugës për në Dubravë që gardianet në autobusë u kishin thënë serbeve mos i prekni këta se prej Millosheviçit kemi urdhër me i dërguar në Dubravë. Pra ajo ka qenë një strategji që me i dërguar në Dubravë. Me i provokuar nga vete fakti që kur kalonin aeroplanët e NATO-s, ata fillonin t’i gjuanin. Ne ndjenim kënaqësi kur i dëgjonim duke gjuajtur sepse ata i bombardonin pastaj, por nuk e dinim që Serbët do të merrnin hak tek ne. Mendoj që bazën kryesore Serbët e kanë pasur në Dukagjin sepse aty ka pasur edhe UCK. Te burgu e kanë pasur një makineri me një lloj antene dhe NATO tenton pandërprerë të bombardonte atë makineri, por nuk mund ta qëllonte.
B.H: Ku ka qenë e vendosur ajo makineri?
Ka qenë e vendosur në burg te oxhaku i ngrohtores. Një herë aq shumë kanë tentuar ta qëllojnë atë makineri saqë u bë terr. Nuk u shihte asgjë nga pluhuri, u bë një lloj muzgu, ndërkohë neve na jepnin nga pak bukë, na maltretonin na rrahin natën kënd dëshironin deri në ditën e 19 majit. Ka qenë shum interesant, nuk e di sa ia vlenë me potencuar ketë. Unë isha dalë duke shikuar disa të burgosur ordiner shqiptarë dhe me duket që kanë qenë nga ana e Prizrenit. Kemi qenë në burg bashkë, ata kishin dalë jashtë sepse ishin ordinerë dhe kositnin barin nëpër oborrin e burgut, unë po e ngrej dorën dhe po i përshëndes, policia më kishin vërejtur dhe vinë e na nxjerrin jashtë mua dhe dy të tjerë si unë dhe na pyetën me ke po folni ju. Me një fjalë na maltretonin dhe na renditen por në atë moment gjuan NATO jashtë burgut. Neve na thanë: “BEZHI BRE ……..” ngase ata e dinin çka ka ndodhur. NATO kishte bombarduar mu te drejtoria e burgut. Kështuqë ne shpëtuam, hymë brenda. E kemi pasur vetëm një libër në gjuhe Angleze ngase në Nish të gjitha na i kanë shqyer. Me të arrijtur në krevat fillova ta lexoj atë libër. Në atë moment NATO gjuajti në pavijonin “C”. Nga reflektimi i dritareve mendova që ka bombarduar pavijonin “B” dhe po ju them shokve me duket se NATO bombardoi pavijonin “B”, ata më thanë: “jo more”, ndërkohë serbët ishin fshehur në bunkerët e tyre. Në pavijon “B” ishin kapur të burgosurit në grila për t’i shkoqur nga vendi, po mendoja çka kanë këta që nuk po e dijnë çka i ka ndodhur kur një i burgosur po bërtet o baci “bal”(fjaln e kishin per Bajrushin) çka po pret hajde ndihmona, unë e thirra dhe po i them: “shiko bacit kujdesu për mendtë, ngase me ba me shpëtuar, e mos m’i pas mendtë ma mirë është mos me shpëtuar hiq” dhe shkuam në pavijonin “C”. I shkonte flakë, aty ishte vrarë I.Topalli dhe dy të tjerë, janë vrarë dhe 14 të burgosur, e ata të burgosurit ordinerë, që gati u rraha për ata, që i kisha përshëndetur, me kazma i thyen grilat e burgut. NATO Bombardonte dhe në atë moment erdhën gazetarë me kamera nga televizione të ndryshme. Erdhën mjekë po ashtu mu duk sikur gjithçka është e përgatitur, duke na incizuar neve, të vrarët, të plagosurit, gjoja se shikoni çfarë ju beri NATO. Për fat të mirë të të plagosurve erdhën mjekët, ndërkohë gazetaret incizonin, pra me të vetmen arsye që ne po i ndihmojmë të plagosurit nga bombardimet e NATO-s. Pastaj na thanë mos provoni të ikni apo të afrohi të muri sepse të gjithëve do t’ju vrasim. Atë natë qëndruam brenda u qetësua situata, të nesërmen dolëm hëngrëm bukë, të pasnesërmen kur kemi shkuar për mëngjes NATO bombardoi serish, u bë aty pluhur, saqë nuk shihej asgjë, askush nuk vinte të ndihmonte sepse gazetaret e incizuan atë që dëshiruan dhe askujt nuk i interesonte për neve. Ne i thyem dyert e ambulancës ngase na nevojiteshin gjerat për t’i mjekuar të plagosurit. Atë ditë kanë hyrë 10 persona, ishin njësia speciale dhe filluan të gjuanin me zolla, me automatik, revole, e gjithçka tjetër. Disa të burgosur që ishin futur në puseta, atyre ua lëshonin nga dy bomba e gjera të tilla. Ka pasur mundësi që ndonjë të plagoset apo edhe të vritet. Të nesërmen në mëngjes ka filluar tragjedia e vërtetë, kur filluan pushkatimet, vrasjet. Gjuanin me çdo gjë që kishin dhe u vranë shumë, po ashtu edhe u plagosen shumë. Pas asaj ngjarje menduan që kishin vrarë mjaft. Filluan të na numërojnë, sa kishim mbetur dhe i dëgjuam duke thënë që mjaft janë vrarë.
B.H: Pra, ata thanë që mjaft kanë vrarë?
Po ashtu është, mendoj që kanë qenë150 të vrarë afër 300 të tjetër të plagosur, një e dijë kur hyri në derë dhe tha “Shqiptari vishe na Kosovu nema, samo vi ste ovde”. Ka pasur nga të burgosur që kanë bërë vetëvrasje pasi nuk kanë mundur të durojnë ato vrasje dhe tortura. Ishte muzg si në romane të Kadaresë të plagosurit i dërguam në sallë të sportit , thash ta kërkoj Naitin, duke shkuar po i shoh 4 persona dhe po e pyes çka jeni duke bërë këtu, njëri me tha: “Mos më prek se po e fali xhenazen” dhe u drejtuam edhe ne për ta falur, pra ishin disa momente të renda. Me tragjikja që unë kam përjetuar me se rëndi pas pushkatimit, kur vendosem për t’i dërguar te një pavijon të plagosurit dhe mungonte një i burgosur, Gafurr Luma, pyesnim ku është Gafurri, unë thash që e kam parë te kuzhina por përsëri më pyeten disa të burgosur tjerë, ku është? Unë u përgjigja njëjtë, përsëri më pyeti një tjetër, unë i thash: “te kuzhina” pak me nervozë, ai më tha: “sapo isha te kuzhina, Gafurri është i vdekur nga një plumb”. Unë e kam dashur shumë atë djalë dhe fillova të qaj aq shumë, sikur një fëmijë sepse isha mbushur duke parë të vrarë duke i bartur dhe kur me treguan për Gafurrin nuk munda më të duroj. Pas asaj situate vërtet u qetësova. Moment i rendë ishte kur më humbi shpresa që do të jetojmë. Ne nuk iu dorëzoheshim derisa dikur u dertuam. Na futën në sallën e sportit. U organizuam për vetëmbrojte, ata kuptuan që po organizojmë diçka, dhe ata kishin dërguar disa të burgosur ordinerë për të thënë që nëse nuk dorëzoheni, do të na vrasin neve, ne nuk donim të dorëzoheshim dhe pas dy tri thirrjeve që na bënë vendosem të mos dorzohemi. Advi Mehemti nuk donte të dorëzohej edhe unë vendosa që mos të dal. Erdhën përsëri disa të burgosur për të thënë: “të dorëzohemi ngase do të na vrasin”. Filluan të dalin të burgosurit ngase nuk i kishim nën kontroll. Naiti doli duke thënë: “Rroftë pavarësia” e gjera të tilla për të dhënë moral të burgosurve, pra ky ishte çasti kur me humben shpresat dhe u dorëzuam. Kur dola jashtë pashë disa të burgosur serbë të mobilizuar, njëri nga ata na shajti serbisht që ju donit të bënit rezistencë. Një gardian tha që do t’ju dërgojmë në Nish, por në rrugën që do të shkonim ne, NATO ka bombarduar urën dhe tha: “Mos iu afroni mureve” dhe se nesër do të ju dërgojmë dikun tjetër, ndërkohë merrni rroba apo gjerat tjera. Gani Baliu e kishte pëlkyer këmben dhe shkuam për t’i marrë disa gjera.
B.H: Kur ju dërguan herën e parë në Dubravë, a keni parë diçka rreth burgut?
Rreth burgut ka pasur shumë ushtarë, paramilitar. Faktikisht ata janë ushqyer aty sepse në kuzhinë ishin afër 100 lopë të preme, të freskëta në frigoriferë. Vetë fakti kur kalonte ndonjë aeroplan i NATO-s, ata gjuanin me kundër raketror, tregon që ka pasur forca të mëdha të serbeve.
B.H: Sa të burgosur kanë berë vetëvrasje në Dubravë?
Dy të burgosur njëri quhet Rrahim dhe tjetrit nuk ia di emrin.
B.H: A ka pasur përpjeke për të ikur nga burgu?
Po, ka pasur shumë, Asllan Selimit i kam bërtitur shumë sepse ishim mbledhur dhe kuvendonim, varianti më i keq ishte të ikim nga burgu. Kur vinte Asllani bërtiste: “Ejani të ikim të gjithë nga burgu”. Kur ka ardhur herën e tretë duke thënë: ashtu jam ngritur dhe i kam bërtitur shumë dhe me kërkoi falje. Duke i treguar Enver Dugollit, me tregoi që ai kishte bërë plan me disa të tjerë me ikë nga burgu dhe tha që nuk do të ndodhë. Të gjithë ata që kanë ikur nga burgu menjëherë janë vrarë.Për Bislim Zogajn, them që nëse është një hero në Dubravë, është Bislimi, Nait Hasani i cili ishte i plagosur dhe nuk është ndalur. Isha unë me Hajredin Hysenin dhe Vjen Haqif Ilazi dhe thotë: hajde se është plagosur Naiti. Ndoshta ke dëgjuar që thonë: “të nxë gjaku” dhe vërtet me dukej që po vrapoj, por në vend ishim ne realisht. Naitin ne e donim shumë. Kur shkuam Naiti ishte humbur i tëri, i plagosur në shpinë, Bislimi e kishte rrotulluar për t’ia lidhur plagën, madje deri në brinjë. Plaga kishte shkuar, ka qenë moment shumë i rëndë, e kam përjetuar shumë. Naiti kur na shikoi iu mbushen sytë me lot. U mërzitem shumë. E kemi marrë dhe e kemi futur në pusetë sepse mendonim që do të mbrohej nga bombardimet e NATO-s. Dua të dalë ku isha duke thënë: “bisedonim si të veprojmë”, thoshin që t’i dërgojmë të plagosurit në objektet që ka bombarduar NATO sepse mendonim që nuk do të bombardoi përsëri. Ne thamë që të shkojmë nga ambulanca deri të salla e sportit, tani tek pavijoni, por ishte rrezik nga snajperët në karakollë. Vendosem të shkojmë duke vrapuar, dikush shkoi me Dëfrim Rifajn deri te shkolla, një tjetër niset por merr thua dhe rrezohet dhe nuk mundet të ngrihet përsëri, gjithashtu edhe Shaban Çupi rrezohet. Kur shkuam të shikojmë pavijonin ishte një i plagosur aty që e kishte thyer këmben, ai quhej Rasim dhe e pyetem çfarë të bëjmë. Së bashku me Dëfrimin e dërguam në një shtrat. Aty kemi filluar t’i bartim të plagosurit, ndërkohë nga karakollet gjuanin me snajperë, ndërsa mua nuk më linin të barti ndonjë të plagosur. Madje Dëfrimi më pat thënë: “Po vdiqe ti, nuk ka kush me organizuar këtu”, realisht ashtu ishte sepse të gjithë ishin me të rinjë, pak përvoja në burgje, pra atë ditë kanë bartur gjithë ditën të plagosur.
B.H: Ju keni qenë në Dubravë me herët dhe kur jeni kthyer herën e dytë a ishin gardianët e njëjtë dhe drejtori?
Kryesisht ishin gardianët e njëjtë.
B.H: A dini për sjelljet e gardianëve dhe emrat e tyre.
Të them realisht unë isha 14 vjet në burg. Nuk më interesonte si quheshin, isha lodhur në burgje. Ishte Branko Komatina që e ka marrë Ukshin Hotin dhe e ka përcjellur deri te dera kryesore. Sillej mirë, por ishte edhe një tjetër që nuk kishte ndryshuar nga të gjithë të tjerët, të tjerët ishin çartur krejt. sepse kur kam shkuar herën e parë në Dubravë gardianët friksoheshin të më shikonin por pas luftës ishin çmendur që të gjithë.
B.H: Çfarë ishte roli i të burgosurve serbë aty?
Ata të gjithë janë mobilizuar dhe kanë vrarë të burgosur shqipëtarë.

NAIT HASANI

_______________________________________________________

40. NAIT HASANI
Më 28 janar 1997, jam arrestuar në lagjen “Daradia” ku ish isha me Xheladin Gashin dhe Fatmire Zogaj. Arrestimi ka qenë i dhunshëm që më vonë isha i shtrirë në shtrat dhe i lidhur me hekura dhe më vonë e kam kuptuar që isha në Graqanicë në kampin e njësisë speciale. Aty kam qëndruar një muaj dhe i trajtuar në forma të ndryshme. Vizita e parë ishte nga Ministri i Punëve të brendshme të Serbisë -Vukashin Jovanoviç i cili më drejtohet me armë duke thënë që do të vrasim dhe e kam kuptuar që është një skenar i përgatitur dhe me torturë të ndryshme që nga shkopinjtë elekro-shok e gjera të tilla. Deri më 16 qershor, kam qëndruar në burgun e Prishtinës, gjykimi ka filluar në Shtator të vitit1997, ka përfunduar në Dhjetor 1997. Unë jam dënuar me 20 vjet burg. Më 16 qershor 1998, më morën mua, Asllan Selimin, Isak Shabanin dhe shumë të tjerë dhe na transferuan në Mitrovicë të Sremit. Gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s. Pra më 26 prill 1999, nga Mitrovica e Sremit na transferuan në Nish. Më 29 prill nga Nishi na transferojnë në Dubravë me autobusë, realisht ne nuk e dinim ku por shkojmë por gjatë rrugës e kuptuam ku po shkojmë. Në Dubravë nga: 29 Prilli deri më 19 maj ka pasur tortura sistematike, që është përdorur në të burgosur. Ka pasur të burgosur që na kanë informuar çka po ndodhë jashtë ku nga burgu shihej një pjesë e madhe jashtë burgut. Ne i shihnim raketat duke bombarduar. Më 19 maj, fillojnë bombardimet brenda Dubravës dhe se pari goditet pavijoni “C” dhe ndërtesat tjera, gardianët ikën nga pavijonet, ishim të mbyllur brenda burgut, pa gardian ndërkohë kanë ardhur të burgosur tjerë që ishin në kuzhinë na kanë hapur dyert me kazma dhe gjera të tilla. Gjatë kësaj dite kemi mësuar që është vrarë Enver Topalli dhe dy të tjerë dhe 5 të plagosur. Ne dolëm në oborr dhe jemi bërë bashkë. Unë shkova për të kontrolluar pavijonin “C”. Tani vjen komandanti i burgut MIKI me gardian dhe me një gjykatës hetues dhe e kanë shikuar vendin ku është bombarduar. Ketë e kemi kaluar të traumatizuar dhe na kanë futur brenda, një grup të burgosurish, grupi i Prizrenit, Bajrushi, Seda jemi mbledhur me një dhome dhe kemi filluar të këndojmë. Më 21 maj, na zgjuan në mëngjes për të ngrënë bukë dhe kanë filluar bombardimet nga NATO. Ne kemi dalur në oborr dhe aty janë vrarë 19 të burgosur dhe me dhjetëra të plagosur, që njëri nga ata isha edhe unë, duke i ndihmuar të plagosurit tjerë. Më 22 maj, brenda burgut gardianët nuk vinin dhe ne përgatitnim çka mundeshim, natën mes 21 dhe 22 jemi fjetur në pusetë jo që jemi frikësuar por për t’u mbrojtur nga copat e raketave, me një pusetë rrinim 8 të burgosur, unë, Ismet Mahmuti, Hajredin Hyseni, Xhelal Canziba, Bajgush Xhemajli, Xhemili pra ishim 8 persona me një pusetë me dimension 1 metër me 1 metër. Më 22 maj, na kanë thirrur herët në mëngjes, me arsyetim që nuk ka kushte për qëndrim këtu dhe duhet të bëhemi rresht te fusha e sportit, mbi pavijone, ishim rreth 960 të burgosur, ne që ishim në Mitrovicë të Sremit, ishim si grup aty. Kemi parë nga karakolli pushkë mitrolezi dhe kanë filluar të gjuajnë mbi ne me bomba dore dhe gjitha llojet e armëve. Aty nuk kemi parë asgjë përveç tymit dhe kemi filluar të ikim dhe të fshihemi ku kemi mundur, por në kënd ku lidheshin 4 karakollët gjuanin me snajperë. Pastaj aq sa kemi mundur të mbledhim ishin 170 të vrarë dhe mbi 300 të plagosur. Kjo ishte një nga masakrat që kam mundur ta shohë dhe ta ndjej se bashku me të burgosurit tjerë. U organizuam të bëjmë roje, në mbrëmje kemi shkuar në pavijonin “C”, i kemi mbledhur të plagosurit dhe iu kemi dhënë ndihmë aq sa kemi mundur. Kemi organizuar mbrojtje, unë Bajrushi, Asllani, Avdi Mehmedoviçi dhe shumë të tjerë. U organizuam që natën të mos na sulmojnë, kemi marrur hekura, shufra dhe gjera tjera, ne nuk mund të bënim asgjë me ato mjete, por që mos t’i lejojmë të luajnë me neve dhe po të ishte mundësia do ta vrasim ndonjë. Secili e dinim që ishte fundi i jetës sonë dhe secili ka pranuar që të bëjë një lloj vetëmbrojtje. Disa kishin gurë dhe kur mendoje që ai me automat dhe ne me gurë ishte e pa mundur por në disa raste të sulmojmë. Të nesërmen herët kanë hyrë gardianet dhe kanë gjuajtur te kuzhina por kur kanë ardhur te ne janë ndalur. Ndërkohë e kanë dërguar një të burgosur që të dalim atëherë ishte një variant që të dorëzohemi sepse ditën nuk kishim mundësi të mbrohemi. Jemi takuar me Bajrushin dhe ata që kanë bërë roje. Jemi përshëndetur dhe e dinim që po shkojmë drejt vdekjes. Aty bërtasim “Rroftë pavarësia e Kosovës”. Pasi dolëm na dërguan në sallë të sportit, kemi qenë rreth 600 të burgosur, ne pritnim momentin kur do të na vrasin, në dritare ishin polic ushtarak, me zolla në shpinë. Fati ynë ishte koha sepse më 22 maj kishin bërë një masakër. Tani të detyrojnë NATO-n të bombardojnë në sallë të sportit dhe NATO të shef ushtar aty të bombardojnë dhe të mbulohet krimi i tyre të i lihej NATO-s. Atë ditë ishe kohë e vranët dhe aeroplanët nuk janë ngritur. Ata kanë qëndruar një kohë të gjatë, por nuk patën sukses, u tërhoqën dhe si dëshira të fundit na ofruan cigare, ujë dhe kjo ishte dëshira e fundit për të burgosurit sepse dhënia e cigareve ishte që ta shuajmë etjen me ujë sepse po shkojmë drejt vdekjes. Disa të burgosur kanë pasur fotografi të familjeve të tyre duke i shikuar për herë të fundin sepse mendonim që do të na vrasin. Tani, të burgosurit kanë dalur dhe i kanë marrë të plagosurit i kanë vendosur në sallë të sportit. Ishin 130 të plagosur në forma të ndryshme.
B.H: Si iu keni dhënë ndihmë të plagosurve?
Ndihmën e kemi bërë duke i shqyer çarçafët, nënkmishat dhe çka kemi pasur mundësi, kemi pasur jod që nga ambulanca kishin marrë. Është caktuar të kujdesej për të plagosur që këtë grup që e kam kryesuar unë, ishte Bislim Zogaj, grupi i Prizrenit dhe shumë të tjerë. Të plagosurve iu kemi hequr thermiat e raketave, dikush ka pasur në organet gjenitale, në kokë dhe vende të ndryshme. Ka pasur nga ata që kanë vdekur në mungesë të ilaçeve, kishte nga ata si Gazi nga Deçani që nuk e kishte kapakun e kokës dhe ishte gjallë, shihej kur lëvizte dorën apo këmben, Hasani ishte me këmbë të hequr. Ishte Hasan Shala dhe Shani Shala që të dy të plagosur dhe me gjakëderdhje ku njëri ia kapte këmben tjetrit për tu mbajtur, ndërkohe ai tjetri bërtiste lëshomë sepse kam dhimbje dhe të dytë kanë vdekur. Në mbrëmje vonë të burgosurit kanë kërkuar që t’iu marrim emrat dhe ishin 125 të plagosur. Të nesërme ka ardhur Bora, nga ministria e Punëve të Brendshme në sallë, atëherë na ngarkuan në kamion dhe autobus. Bora tha: që do të ju largojmë nga këtu me arsyetimin se ata e kanë bere këtë pa urdhrin tonë, si është ajo thënia natën me të vra ditën me të e çare. Me autobus na transferuan nga Dubrava, afër Istogut na kanë numëruar dhe regjistruar, te Llozica ura ishte e bombarduar, kaluam në disa rrugë dytësore, kemi shkuar në burgun e Lipjanit që gjithashtu na torturuan shumë, për atë kohë sa qëndruam 10 ditë. Më 10 qershor na transferuan në burgjet e Serbisë. Unë isha në burgun e Pozharevcit dhe në hyrje të burgut na kanë pritur në mënyrë çnjerëzore, pa dallim të plagosurish dhe një apo dy të burgosur kanë vdekur nga rrahjet.
B.H: Roli i gardianëve, drejtorit të burgut apo ndonjë emër tjetër, ju kujtohen?
Ka qenë ACA(Aleksander Rakoqeviq)drejtor i burgut, MIKI komandanti i burgut, Branko Komatina mbikqyrës i cili edhe kishte marrë Ukshin Hotin. MANCE ishte një gardian që e kanë parë aty. Të burgosurit tjerë që kanë qëndruar më gjatë në Dubravë ndoshta dijnë më tepër, Ndërsa sa i përket drejtorit nuk e kemi parë asnjëherë aty përveç pas bombardimit të NATO-s. Më 19 maj ka ardhur aty.
B.H: Kur keni hyre në Dubravë, çfarë keni parë aty?
Kur kemi hyrë në Dubravë, te hyrja kryesore kemi parë disa tanke dhe gardianët me automatik, polic të uniformuar.
B.H: Si janë trajtuar të burgosurit ordinerë?
Deri sa ka ndodhur bombardimi ata kanë qenë më të veçantë, por momentin kur ka ndodhur bombardimi nuk ka pasur dallime. Mirëpo pas bombardimit të burgosurit ordinerë na i kanë hapur dyert, kan bërë një punë të rëndësishëme.
FUND


– Bedri Halimi – Intervistues i 40 të mbijetuarve nga Masakra serbe në burgun e Dubravës. Shkëputur nga libri: Prof.Ukë Thaçi – Masakra në Burgun e Dubravës (Skenarët e Masakrës), Prishtinë 2011, SHB – “BERATI” Prizren.

________________________________
(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura