SALI ONUZI: ME VETERANËT E LUFTËS E TË USHTRISË, 15 VJET MË PARË NË DIVIZIONIN E KUKËSIT

Tiranë, 06. 03. 2014 – 15 vjet më pare, me 3 mars 1999 media e shkruar dhe elektronike njoftonte se një grup veteranësh të luftës e të ushtrisë, ish gjeneralë dhe oficerë madhorë të Ushtrisë shqiptare qenë nisur për një vizitë në zonën verilindore të Shqipërisë. Shqipëria po përkujtonte 55 vjetorin e i Ҫlirimit të saj nga pushtuesit nazifashistë në një atmosferë të pazakontë: në hapësirat mitike të Ballkanit, në Kosovë kish kohë që megjithë egërsinë e tyre kishin zbritur falangat e ushtrisë sërbe. Edhe barbarët historikë andej kishin ardhur.
Pas një viti lufte, spastrimi etnnik e genocidi në Kosovë, (si masakra e Reçakut me 15 janar 1999) Jugosllavia nuk pranoi ta nënshkruante dokumentin e Konferencës Ndërkombëtare të Rambujesë (6-21 shkurt 1999). Në terrenin e Kosovës, njëkohësisht fuste forca e mjete të blinduara. ”Ushtria sërbe po vazhdonte lëvizjen në drejtim të Kosovës. Korpusi i Prishtinës u përforcua me rezervistë me njësi elite të këmbësorisë e me helikopterë, me artileri të rëndë e me njësi të blinduara të klasit të parë nga veriu i Sërbisë.” (Wesley Clark“ Të bësh luftë moderne”. Prishtine, 2003.f.202) Ky grumbullim forcash dhe mjetesh kish për shenjestër shqiptarët, UҪK dhe civilët.

 Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë shqiptare që ndiqnin me vëmendje situatat në Kosovë kishin marrë e merrnin masa për të forcuar mbrojtjen e kufirit shtetëror. Veteranët e Shqipërisë kishin shprehur dëshirën të bënin një vizitë në Divizionin e Kukësit. Dhe ja, me interesimin personal të Ministrit të Mbrojtjes zotit Luan Hajdaraga dhe me kërkesën e vet komandantit të divizionit të Kukësit gjeneral – brigate Kudusi Lame, kjo vizitë po bëhej. Jo thjesht pse dikush në një inspektim politik nuk kish konstatuar gatishmëri në kufi, meqë nuk kish hasur në rrugët e asfaltit asnjë batalion e kompani! Këto fluska sapuni mund t’i çponte edhe artikulli i një gazetari të “Ushtrisë”. Le që populli ish vetë aty dhe nuk e hante sapunin për djathë.
Shkuarja e grupit të veteranëve të luftës e të ushtrisë duhej të kish, siç edhe pati në fakt motive shumë më të thella. Lufta po zhvillohej në Kosovë. NATO kish paralajmëruar jo njëherë Millosheviçin. Jo vetëm profesionistët e politikës e të sigurisë kombëtare, por edhe njerëzit e thjeshtë po e shihnin se lufta po na trokiste në derë.
Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë kishin zbritur ne Kukës, Has e Tropojë. Një pjesë e mirë e tyre qenë instaluar aty në terren dhe ndiqnin me kujdes të madh situatën dhe masat që merreshin. Por Shqipëria i kishte gjallë brezin e atyre që kishin bërë Luftën Antifashiste Nacionalclirimtare kundër pushtuesve nazifashistë Këta burra kishin organizuar një ushtri e një mbrojte për rast lufte. Terrenin, fortifikimin, brezat, mundësitë e mbrojtjes e të vendosjes i kishin në hartat e mendjes të ngulitura. Të gjithë emra të njohur: Rrahman Parllaku (Hero i Popullit), Sadik Bekteshi (Hero i Popullit), Halim Ramohito, Muharrem Kokomani, Zeqiri Mero, Sejdin Avdia, Thoma Xhixho, Dilaver Poci, Adnan Qatipi, Qamil Poda, Enver Begeja, Veli Llakaj, Tefik Ruci, Nikollaq Sallabanda, Kapo Kapaj, Muharrem Mulgeci, Gjergj Titani, Nexhmi Menzelxhiu, Faiko Zaimi. Të gjithë bashkë, pa asnjë ndasi politike e partiake, ishin nga ata burra që bënin pjesë në ”partinë” e kombit.
Dhe ndodhi ashtu sic pritej. Vizita e tyre u prit me një interesim të madh në gjithë Shqipërinë e në veçanti në verilindje Media qëndrore dhe lokale bënë punen e tyre të mirë. Në Kukës, komandanti i Divizionit dhe Shtabi i tij, shoqëruar nga media lokale kishin dalë t’i prisnin që në Fushë Dukagjin dhe që atë mbrëmje TV Kukësi zhvilloi e transmetoi me veteranët një bisedë rreth synimeve të veteranëve në vizitën e tyre. Plot qytetarë para hotel “Gjallicës” që pyesin e takonin njërin a tjetrin. Më të papërmbajturit futeshin edhe në hotel a restorant për një kafe me veteranët, me ish komandantët e tyre të dikurshëm etj.
U kuptua menjëherë se edhe në planin moral e shpirtëror vizita e veteranëve kishte qenë një gjetje e mrekullueshme. Provokacionet sërbe në kufirin tonë shtetëror, gjithnjë më të shpeshta e më të rrëzikëshme, s’kish si të mos ngjallnin tension, irritim, edhe një lloj padurimi. Kur sërbët kishin hapur zjarr ndaj postës sonë të Morinit dhjetra fshatarë shqiptarë ishin gjetur të armatosur në postë përkrah policëve tanë dhe ish dashur autoriteti i komandantit të Divizionit, gjeneral Kudusiut t’i qetësonte e përmbante të mos kalonin kufirin. Vetpërmbajtja kish qenë dhe do të ishte qëndrimi ynë për të mos rënë në kurthin e provokacioneve sërbe që përhapnin nëpër Botë shpifjet sikur nga Shqipëria eksportohej terrorizmi, UҪK-ja dhe destabilizimi i Jugosllavisë.
Programi dyditor i vizitës u realizua plotësisht. Me 4 mars grupi që në mëngjez do të ishte në sallën e Shtabit të Divizionit për tu njohur me gjendjen. Ndodhi që në fillim të veprimtarisë të njoftohej për një provokacion sërb në kufi në fshatin Letaj të Hasit. Që këtu veteranët u futën në një stuatë reale, ku ra në sy vetpërmbajtja, llogjika, dhe gatishmëria e tyre. U nis kolonel Selim Spahiu, shef i Shtabit me një grup dhe shpejt u njoftua se çdo gjë ishte zgjidhur. Atë ditë veteranët vizituan Brigadën te Metori (sot Fusha e aviacionit) U takuan me të gjithë ushtarë, nënoficerë e oficerë, aty në postet e tyre luftarake, pranë topave, tankeve, transportuesve të blinduar, raketave dhe armëve të tjera. Pastaj vizituan regjimentin e artileris tokësore në Bicaj dhe pikën kufitare të Morinit. Në Bicaj pranë topave ishin gati kompletet e predhave luftarake, gradimet të vendosura dhe ujrat e niveluar. Pritej vetëm “zjarr”, për të fluturuar predha deri 26 km.
Kështu do të shkruante Asllan Osmani, korespondent rajonal i shtypit ushtarak që nuk iu nda grupit të veteranëve ato ditë që nga Tirana e kudo. Të nesërmen me datë 5 mars nisemi për Krumë, shkojmë më tej, në Letaj, mu në kufi, ku njihemi drejtperdrejt me situatën e datës 4 mars. Takohemi me banorë, (burra, gra, të rinjë e të reja) të armatosur e të vendosur për të mbrojtur kufirin. Janë çaste emocionante. Edhe ato ndjehen të vleresuar e të frymezuar nga vizita e grupit te veteranëve.
Në Lumë e Has veteranët u gjallëruan, vështronin me kujdes, bisedonin me përzemërsi dhe testonin. Diku pyesnin e shpjegonin. Oficerët dhe trupa dëgjonin me vemendje. Sa hipnin në makina, veteranët fillonin debatet, përzgjidhnin pikat ku do të thellonin njohjen. Po dhe burra modest, të kulturuar e të sjellshëm. Pa mendjemadhësi e fodullëk.
Largohen nga Kukësi të përcjellë me respekt e dashuri, po largohen vetëm fizikisht. Me shpirt janë aty. Ata kanë dhënë një ndihmesë me vizitën dhe me mendimet e tyre. Veç tjerash ata i kërkuan komandantit të divizionit të skalionoheshin më shpejt disa mjete e forca. Situata nuk na duket se pret, thanë. Dhe ashtu doli. Sapo u largua misioni i OSBE nga Kososva, me 20 mars, sërbet filluan në masë spastrimin etnik. Me 24 mars filluan sulmet ajorore 78 ditore të NATO-s mbi Jugosllavi.
Në Tiranë grupi i veteranëve u prit nga Ministri i Mbrojtjes zoti Hajdaraga, i cili i dëgjoi me vëmendje mendimet e tyre dhe i falënderoi. Ju jeni pjesa më e depolitizuar e Forcave të Armatosura do t’u thoshte Ministri ish gjeneralëve, veteranëve të shquar të Luftës dhe të Ushtrisë. Edhe ata nga ana e tyre e falënderuan Ministrin dhe përgëzuan në veçanti Divizionin e Kukësit dhe komandantin e tij për punën që kishin bërë për ringritjen e divizionit pas ngjarjeve të vitit 1997, për gatishmëinë dhe për pritjen e tyre. Dhe në fakt Divizioni i kreu me nder detyrat në situatën e Luftës në Kosovë.
– Autori është kolonel R. dhe ish drejtor i Departamentit të Veteranëve të Luftës, shoqërues i grupit të veteranëve në këtë aktivitet.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura