BEHXHET SHALA BAJGORA: ERA E MYKUT, “PARKU I PAQES” DHE STABILIZIMI PËR DESTABILIZM

Prishtinë, 01. 09. 2015: (Fjalët e ‘mira’ dëgjohen larg) – Për 10 ditë isha pjesë e atij 1milioni të qytetarëve të Kosovës që për arsye patriotike isha në pushime në Shqipëri. Për dallim nga viti i kaluar kur, shkaku se isha në bela me një politikan me muskujt të fortë , pa e vrarë askend dhe pa e shkrepur edhe një plumb të vetëm dhe se isha i detyruar ta tregojë vazhdimisht vendndodhjen e që nënkupton se e kisha të kufizuar lirinë e lëvizjes kësaj radhe kam lëvizur si një zog i lirë , pa qenë i detyruar të tregojë askujt vendin e pushimit. Ksamili ofron mundësi të mira për pushime dhe ku çmimet nuk janë aspak më të larta se në Prishtinë (artikuj ushqimorë dhe të tjera) ndërsa edhe shërbimet nuk dallojnë shumë nga ato në Kosovë. Problem edhe aty ishin mbeturinat që nuk largoheshin me kohë e që për një vend që synon ta zhvillojë një turizëm elitar paraqet një rekomandim të keq. Ujë dhe drita kishte 24 orë e që këtë nuk e kemi në Kosovë madje as në Prishtinë që nga dikush që ka prirje për humor të zi politik u quajt Prishtina metropolitane! Pushimi ishte i komletuar shkaku se për 10 ditë nuk e lexova asnjë gazetë të Shqipërisë, asnjë gazetë të Kosovës dhe nuk e kyça kurrë TV. Gjatë asaj kohe vetëm e kam lexuar romanin e mrekullueshëm të Amos Oz: “Për dashurinë dhe errësirën“ dhe një monografi mbi kryqëzatat e (frëngjve) në vendet arabe që nuk e përfundova. Për ngjarjet në Kosovë dhe ato që më interesonin informohesha duke ndarë 25-30 minuta në ditë. Ngjarjet që ndodhën e që përfunduan me nënshkrimin e katër marrëveshjeve e që u cilësuan si historike (çdo pordhë që del nga negociatorët tanë pavarësisht nivelit të përfaqësimit cilësohen si historiko – atomike) realisht nuk ishin ngjarje sepse vendimi për to ishte marrë shumë më herët dhe tash vetëm i servireshin opinionit të paketuara sipas nevojave të tyre politike; sebët interpretonin si fitore të tyre ( që realisht edhe ishte fitore e tyre ) ndërsa kosovarët nuk e përmendnin fitoren sepse realisht nuk kishin fituar asgjë por arsyetoheshin se nuk kanë humbur gjë që nuk është e vërtetë! Nuk ka ndodhur kurrë që brenda 10 ditëve të më thërrasin aq shumë gazetarët por se kam kërkuar mirëkuptim shkaku se isha në pushime. Realisht, qëndrimi im për Asociacionin – Bashkësinë e Komunave Serbe në Kosovë e kam pasur të qartë që moti dhe nuk kam lëvizur fare nga ky qëndrim se me këtë Asociacion – Bashkësi në Kosovë po përligjet një entitet politik, territorial dhe etnik serb i cili, edhe nëse nuk e ka emërtimin Republika Srpska, përmbajtjen e ka të tillë me synim të qartë që të përfundojë edhe si Republika Srpska në të ardhmën. Kjo do të varet nga dinamika e zhvillimit të proceseve politike dhe intereset që shtetet vendimmarrëse do t’i kenë e që mund të ndikojnë si katalizatorë të këtyre proceseve. Këtë qëndrim i pata thënë gazetares së Zërit, Besiana Xharra. Prandaj nuk jam shqetësuar aspak me këtë OJQ të Hashimit e cila, në aspektin strategjik do t’i nxjerrë shumë probleme Kosovës sepse ka mundësi të pakufishme të bllokojë çdo gjë që nuk i pëlqen Serbisë apo që Serbia mund ta përdorë për qëllime politike! Urimet që erdhën pastaj nga ndërkombëtarët ishin reagim refleksiv që e bëjnë çdoherë kur votohen propozimet apo projektet e tyre të imponuara! Nuk ishte e rastit se Serbia këmbëngulte se nuk do t’i vazhdojë bisedimet me Prishtinën pa formimin e këtij mekanizmi paralizues për Kosovën. Sikur që nuk ishte i rastit kushtëzimi i Malit të Zi për hapjen e ambasadave me përfundimin e procesit te demarkacionit të kufirit. Dikush në këtë mes po gënjenë ; ose ne që nuk kemi informata dhe jemi të padijshëm ose ata që janë të dijshëm dhe kanë informata (Ekipi Negociator, pozita dhe opozita)! Fjalori që pastaj u përdorë gjatë komunikimit ishte në përputhje me rrethanat fizike dhe intelektuale. Në një mjedis të një orgjie të përgjithshme nuk flitet asnjëherë për vlera morale dhe njerëzore por për një prostituim dhe pushkatim verbal! Prandaj arsyeja është stacioni i fundit në të cilën vështirë se do të arrijnë këta që përdorin këtë gjuhë të komunikimit!

Cilësime të forta dhe fitore të lodhta
Zkryeministri i “Kosovës“ nga Lista Srpska, g. Stojanoviq ka deklaruar se pikëpamjet e Lëvizjes Vetëvendosje! janë fashiste. Kështu e thotë një zyrtar i lartë apo 2-shi i “Qeverisë së Kosovës“ në ndërkohë që është shndërruar në kukull të Serbisë dhe haptasi e përfaqëson Serbinë duke u paguar nga Buxheti i Kosovës dhe duke i gëzuar të gjitha privilegjet që me asgjë nuk i takojnë! Ky haptasi deklaron se nuk do ta votojnë formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës ndërsa me pasion e votuan themelimin e Gjykatës Speciale së bashku me PDK, LDK, Grupi 6+. Keni dëgjuar ndonjëherë që ky farë mistreci ta përmend Kosovën si shtet së bashku me atë ministrin e Republika Srpska të Bosnjës që është bërë ministër në Qeverinë e Kosovës, g. Mariq! Asnjëherë ! Madje në shumë intervista Kosovës i referohen me “juzhna srpska pokrajina – krahina jugore serbe “. Ndërkombëtarët heshtin sepse një numër jo i vogël i tyre mendon sikur këta dy ministra të “ Kosovës “ që janë zëri i Serbisë!
Isa Mustafa përsëri u nda humbës përballë kryetarit të Republikës Srpska të Ranillugut g. Mikiq; ndonëse i ndau 300.000 euro shtesë nga Buxhedti i Kosovës nuk mjaftuan të blihet flamuri i Kosovës. Munguan ato 5 euro sa e vlerësoi flamurin e Kosovës ky kryetar analgabet i kësaj Republike me 350 banorë !
Barjam Gecaj njihej si dhunues i deputetëve të Kosovës (të disa legjislaturave ) , sa ishte në shërbim të një superfuqie duke ndarë këshilla, që nga përpilimi i rendit të ditës për mbledhjet e Kuvendit deri te votimi apo mosvotimi i ligjeve të caktuara. Me angazhimin në politikë pata menduar se do të socializohej , se do të bëhej bashkëpunues , fjalbutë dhe ndërtues i demokracisë. Tash po na tregon përralla se Ujmani nuk do të udhëhiqet nga Bashkësia serbe por nga Qeveria në kohën kur Qeveria nuk ka pasur guxim t’i largojë 3-4 pisha të pëshurrta mbi lumin Ibër që pastaj kriminelët serbë, vendorë dhe ndërkombëtarë e emërtuan si Parku i Paqes apo e pranuan këtë emërtim. Mos të flasë për deklaratën se daja i Barjamit do ta rrihte për të mbajtur në mend secilin që i prekë kamionin e tij. Këtu e tutje , çdo kamion që e takoj e që ndoshta duhet t’i afrohem në distancë prej një metre duhet të pyes nëse është ky kamioni i dajës së Barjamit . Ndryshe, mund të rrihem si “ qeni i sadikoviqe “!
Pati kërcënime me varje në vende publike, me ekzekutime , me zbatimin e së drejtës kanunore etj., të cilat nuk i mora e as që i marr seriozisht. Jam në vëzhgim të deklaratave dhe sjelljeve të vetëm të një njeriu i cili flet pak por kur flet qetë flakë si pushka e Adem Jasharit ! Me të cilin nuk bëhet hajgare sepse është i vendosur deri në vetflijim . Ai është Ismeti. Në fakt , është edhe një person tjetër që ka pranuar të flijohet për udhëheqësin e partisë, anëtar i së cilës është edhe vet duke pranuar të bëhet nizam – bedel sikur dikur shqiptarët në luftën e Sirisë nga e cila pastaj lindi ajo vajtojca:”Vijnë vaporat moj nëno, përtej detit… “! U afrua të zëvendësojë “mbretin“ e partisë në një debat televiziv me kundërshtarin në luftë: “deri në vdekje klinike..“! Shqiptarëve u mungon kultura e dialogut me të cilin mund të zgjidhen problemet apo mosmarrëveshjet prandaj e pëlqejnë debatin i cili nuk ka për qëllim tejkalimin e problemeve por mundjen e kundërshatrit politik që zakonisht e portretizojnë si armik!
Njëra ndër kërkesat kryesore të “ miqëve “ ndërkombëtarë , i opozitës e sidomos i shoqërisë civile në Kosovë është dekriminalizimi i shqërisë dhe institucioneve kosovare ! Jemi në rrugë të mbarë ta jetësojmë këtë qëllim falë Serbisë , Rojave të Urës , “ miqëve “ ndërkombëtarë dhe “ mbrojtësve “ të demokracisë vendore e sidomos Ekipit negociator për bisedime teknike që udhëhiqet nga Zezdita Tahriri për integrimin e strukturave kriminale ( paralele ) të veriut në institucionet e sigurisë dhe të tjera të Kosovës! Paramendojeni se sa shpejt do të dekriminalizohet Shërbimi Korrektues i Kosovës me angazhimin e gardianëve ( anëtarë të strukturave kriminale paralele të veriut ) që në vitin 2000 , së bashku me UNMIK-un liruan kriminelët serbë të dyshuar për krime lufte nga Burgu në Mitrovicën e Veriut. Super de KRIMINALIZIM , pa dyshim!
Parmendojini se sa do të forcohen apo dekriminalizohen Doganat e Kosovës kur në radhët e saj ka të tillë që kontrabandën e patën shndërruar në mënyrë të jetesës. Në ujë, ushqim dhe ajër pa të cilën nuk do të mbijetonin. Tash, këta kontrabandistë ( të cilët edhe ia futën zjarrin pikave doganore në veri dhe e vranë Enver Zymberin ) , të uniformuar dhe të integruar në këto dogana , me moton zero tolerancë kundër kontrabandës, do të jenë bartës kryesorë të procesit të dekriminalizimit të doganave të Kosovës. Mund edhe të mos pajtoheni me mua .
Pastaj, mund ta merrni me mend se sa do të kontribuojnë në procesin e dekriminalizimit , duke e integruar në Shërbimin Zjarrëfikës pikërisht ata që u vunë flakën shtëpive të shqiptarëve të mbetur atje në mëshirën e fatit apo barrikadave të ngritura nga shokët e tyre që janë integruar në institucionet e sigurisë apo ministritë përkatëse! Dhe shumë suksese të tjera për të cilat fëmijët tanë do ta paguajnë duke u detyruar ta vazhdojnë punën tonë të papërfunduar !
Çka kanë të përbashkët dhe ku dallojnë ekipet tona negociatore me djathin gorgonzola
Djathi gorgonzola është një djath shumë i kushtueshëm . Por më i kushtueshëm është ekipi ynë negociues pavarësisht nivelit të përfaqësimit . Saktësisht, zviceranët nuk mund të fitojnë para për një muaj të prodhimit të djathit gorgonzola sa mund të fitojnë Zezdita Tahriri dhe Blerim Shala ( fatmirësisht jo edhe Bajgora ) gjatë një muaji të negociatave në Bruksel! Djathit gorgonzola, sa më shumë t’i vjen era dhe sa më shumë të zë myk, çmimin e ka më të lartë ndërsa ekipeve negociatore tona, sa më shumë t’u vjenë era (të kundërmojnë) apo sa më shumë t’i zë myku , u bjen çmimi me tendencë të humbin çdo vlerë duke u shmdërruar në:” çdo gjë 99 centë..” !E përbashkëta e këtyre dy subjekteve ekonomike ( djathit ) dhe politike (ekipeve negociatore ) është se kanë zënë myk dhe u vjen era! Prandaj është në vullnetin tuaj lexues të nderuar : t’i provoni (djathin) apo t’i duroni (ekipet negociatore)?! Nga e para mund ta pësoni në formë të një jashtëqitjeje njëditore , nga e dyta do të keni kokëdhembje dhe pasiguri afatgjate! Zgjidhni !
A ka farë shprese në këtë vapë tropikale ku na janë ngrirë pleshtat
Opozita ka bërë një bllok të betonuar opozitar e përbetuar ta heq këtë qeveri të kriminalizuar dhe ta shpëtojë Kosovën. E fortë është kjo për t’u besuar sfilatistëve të Fidanit në Rrokum TV! Po nejse, garantimi i lirisë së fjalës dhe të shprehjes është standard demokratik dhe e drejtë e njeriut! Tash po presin të mbështillen nga analistë dhe shoqëria civile, sikur në kohët e arta të VLAN-it kur lejoheshin të gjitha ëndrrat , prej të qenit drejtor i RTK. Të emëruarit ambasador në Mishlesh , ministër apo zëvendësministër në kohën kur posti i kryeministrit nuk diskutohej fare. Ato kohëra mund të krahasohen me kohërat kur aventurierët e ndryshëm në Amerikë, të kapëluara nga ethet e arit , bënin kërdi kudo që shkonin! E shkuara , e harruara qoftë! Po tash. Nisma e ka të vetmën mundësi të hyjë në Kuvend përmes këtij blloku opozitar sikur që edhe AAK do të kacavirrej përmes këtij blloku shkallëve të Kuvendit. Më së shumti këtu humbë Lëvizja Vetëvendosje sikur që ka humbur kur pranoi çdo gjë vetëm t’i arrijë majat e pushtetit. Po të mos hynte Lëvizja Vetëvendosje! në koalicion me VLAN-in, në zgjedhjet e radhës, nëse nuk do të ishte partia e parë atëherë, me siguri do të ishte e dyta me pozicion shumë më të fortë politik! Mund ta kem edhe gabim.
Sinqerisht po më brengos shatëzënësia e gjatë politike e Dukagjin Goranit në formimin e një partie politike. Sa më shumë të zgjasë shtatëzënësia e nuk ndërmerren masa, rritet mundësia që foshnja të lindë me të meta serioze, shpeshherë të pariparueshme. A do të ndodhë kështu me Dugin. Mendoj se po, do të ndodhë!
Nëse nuk e kam lexuar gabimisht, Halil Matoshi po i rikthehet politikës. Lajm i mirë dhe shpresëshënës për politikën kosovare dhe globale. Vetëm një gjë nuk e kam të qart; a do ta formojë një parti të re apo do të shkojë në partinë e Dugit. Nëse e bënë këtë të dytën atëherë do të përsëritet tregimi me Azem Galicën kur i lajmërohet një person për t’iu bashkangjitur radhëve të Çetës së Azemit. Pas vlerësimit që i bëri Azemi , kandidatit për Çetën e tij iu drejtua me fjalët :” eja , eja se më m.t nuk bëhet “! Kështu e kemi skenën aktuale politike në Kosovë dhe vetëm zgjedhjet e parakohshme mund të rivendosin një rregull dhe mund t’i ndalin disa procese që po e dhunojnë ardhmërinë e Kosovës !

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura