SHERADIN BERISHA: EPOPEJA E JASHARËVE, HEROIZËM I PASHEMBULLT NË HISTORINË E NJERËZIMIT

Pashtriku.org, 06. 03. 2014 – Prekazi i Poshtëm shtrihet rreth 2 km në lindje të Skënderajt. Është vendbanim i shtrirë në kodrina dhe lugina i ndarë në lagje. Para luftës fshati kishte 220 shtëpi, me 1630 banorë shqiptarë. Gjatë luftës janë djegur e shkatërruar 178 shtëpi dhe objekte të shumta ekonomike, ndihmëse dhe të tjera. Për të vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Poshtëm, nuk është shumë vështirë, pasi në kthesën e parë sapo e kalon Skënderajin, në krah të djathtë të rrrugës së asfaltuar, është i vendosur mbishkrimi “BAC, U KRY!”. Në hyrje të fshatit, para Kompleksit Memorial “Adem Jashari” ndodhet Kulla Memoriale e Familjes së Hamit Jashari, e cila në Betejën e Lavdishme të 5, 6 e 7 marsit 1998, ishte fortesa e parë që u përballë me forcat ushatrake-policore serbe, ku gjatë kësaj rezistence ranë dëshmorë 12 anëtarë të kësaj familje dhe 3 mysafirë që ishin strehuar ato ditë. Rreth 200 metra mëtutje, në të dy krahët e rrugës shtrihet Kompleksi Memorial “Adem Jashari”. Në të djathtë, (në një tatëpjetë të rregulluar mirë), janë varrezat e 61 dëshmorëve, në krye me Shaban, Hamëz dhe Adem Jasharin, ndërsa në të mjatë të rrugës janë shtëpitë Muze të Jasharëve. Pranë varrezave të tre heronjëve të parë (të Shabanit, Ademit dhe Hamzës) pandërprerë qëndrojnë dy ushtarë të gardës së FSK’së, të cilët vëzhdimisht – bashkë me mijëra vizitorë që vijnë për homazhe, nderojnë sakrificën sublime të familjes Jashari, e cila ndryshoj një epokë.

* * *
FAMILJA JASHARI – NJË FAMILJE QË E NDRYSHOJ NJË EPOKË!

* * *
Dalja publikisht e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës më 28 Nëntor 1997 në Llaushë të Drenicës (me rastin e varrimit të mësuesit Halit Geci) ka bërë kthesë historike në vetëdijsimin e popullit shqiptar, në kuptimin, se UÇK’ja ekziston dhe si e tillë nuk ishte krijesë e “shërbimeve sekrete serbe”, ashtu siç e kishte cilësuar shpeshherë presidenti “historik” dhe kryetari i LDK’së Ibrahim Rugova. Pas daljes publike të UÇK’së, kryekrimineli serb Sllobodan Millosheviq intensifikojë operacionet policore – ushtarake kundër UÇK’së dhe popullatës shqiptare. Janari i vitit 1998, solli me vete kumtin e fundit të paqes së rrejshme në Kosovë. Më 22 janar 1998 forcat kriminale serbe sulmuan familjen e Shaban Jasharit në Prekaz të Poshtëm. “Shërbimi Sekret Serb, me kohë kishte identifikuar pikat e rezistencës në Drenicë, duke shënuar si pikën më të rrezikshme Kullën e Jasharëve në Prekaz. Sulmin mbi kullat e Jasharëve, njësitë policore serbe e ndërmarrin gjatë natës, më 22 janar 1998, nga një distancë e vogël, ndërsa Shaban Jashari me të birin, Hamzën dhe nipat e tij, Fitimin e Besimin, iu kundërpërgjigjën. Pasi merr vesh për sulmin, nga Llausha, ku kishte qëlluar atë natë, arrin me shpejtësi në Prekaz komandanti, Adem Jashari, së bashku me dajën, Osman Gecin dhe me bashkëluftëtarë të tjerë. Gjatë luftimeve, kanë marrë plagë Ilirianë dhe Selvete Jashari. Të nesërmen në mëngjes, policët serbë, të stacionuar në Fabrikën e Municionit, në shenjë hakmarrje për disfatën e pësuar në Prekaz, kishin vrarë punëtorin Hysen Manxholli, nga Mikushnica.” (Adem Shaban Jashari dhe bërthama e parë e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – vëllimi i dytë të monografisë, “Feniksët e lirisë” – Maj 2002.) Pas kësaj rezistence, Kullën e Shaban Jasharit e vizitojnë shumë gazetarë, politikanë, e njerëz të shumtë nga e gjithë Kosova. Shaban Jashari në të gjitha takimet kë thënë: “Nuk kemi ku të shkojmë më tej. Kur sulmohet shtëpia, meshkujt, po besa edhe gratë, kanë për detyrë ta mbrojnë nderin e shtëpisë, sepse nderi i shtëpisë është edhe nderi i atdheut”.(Po aty)

Prekaz, 12 gusht 2013: Me ciceronin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, Rifat Bejta.

* * *
Në këtë kohë kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës po bëhej gjithnjë e më shumë mbizotruese e situatës në Kosovë, u vu në lëvizje diplomacia ndërkombëtare. Qasja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj zgjidhjes së çështjes së Kosovës, ndërtohej mbi qëndrimin e njohur “mospranimi i gjendjes status quo” dhe “kundërshtimi i aspiratave të shqiptarëve për pavarësi”. Mbi këtë bazë, Grupi i Kontaktit dhe qendrat tjera ndërkombëtare të vendosjes përmes diplomacisë së ashtuquajtur lëvizëse (Shuttle diplomacy), do të ngarendin sa në Beograd e sa në Prishtinë për të gjetur një zgjidhje politike për Kosovën, përmes negociatave. Ngjarjet më kulmore që i dhanë kahje zhvillimeve politike në Kosovë, konsiderohen vizitat e shpeshta të ambasadorit amerikan Robert Geldbard, i deleguari special i SHBA’ve për ish’Jugosllavinë, në janar – mars të vitit 1998 në Prishtinë dhe në Beograd. Ambasadori Robert Geldbard në një nga takimet e tij (më 22. 02. 1998) me kryetarin e LDK’së Ibrhim Rugova në Prishtinë publikisht e akuzoi UÇK’në si “organizatë terroriste”.
Me këtë deklarim ndjellakeqës, ambasadori amerikan, qartazi përpiqej ta forconte lidershipin e moderuar politik në krye me Ibrahim Rugovën, për proceset e reja politike që ishin planifikuar të bëheshin gjatë verës së vitit 1998. Më 23 shkurt, z.Geldbard gjatë një takimi me Millosheviqin, i premtoj Beogradit lehtësira, duke deklaruar se disa nga sanksionet ekonomike që ia kishin vënë Serbisë më herët do të hiqen! Ky diplomat amerikan, skajshëmrisht akuzues për luftën e UÇK’së, në të vërtet i dha forcë shtytëse në aspektin politik kreut të LDK’së Ibrahim Rugova, ndërsa në aspektin ushtarak e trimëroi Sllobodan Millosheviq, për të marrë një ofensivë gjithëpërfshirëse për zhbërjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për vrasjen e shqiptarëve dhe shkatërrimin e vendbanimeve të tyre. Dhe, në të vërtet kjo dramë e tmerrshme ndodhi!
* * *
Në vazhdën e këtyre ngjarjeve, më 28 shkurt forcat ushtarake-policore të Millosheviqit në “emër të spastrimit të terenit nga bandat terroriste të UÇK’së” sulmuan fshatrat Likoshan të Drenasit dhe Ҫirez të Skënderajt. Në këtë sulm janë përdorur armatime të rënda dhe helikopterë. Gjatë këtyre operacioneve në fshatrat e Drenicës, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë vendosi lidhjen mes Beogradit dhe bazave të veta në Kosovë dhe me helikopterë u sillte ndihmë forcave serbe, që qëllonin pa ndërprerë në fshatrat me popullsi shqiptare. Në këtë operacion, në Likoshan dhe Ҫirez u vranë e u masakruan pamëshirshëm 24 shqiptarë: gra, fëmijë e pleq të pafajshëm.

ADEM JASHARI: “NUK DO TË DORËZOHEMI PËR SË GJALLI!”

Kjo ekspeditë shfarosëse, vazhdojë nga 5, 6 e 7 mars 1998 edhe në Prekazin e Poshtëm. Prekazi i Poshtëm shtrihet rreth 2 km në lindje të Skënderajt. Është vendbanim i shtrirë në kodrina dhe lugina i ndarë në lagje. Para luftës fshati kishte 220 shtëpi, me 1630 banorë shqiptarë. Më 5, 6 dhe 7 mars 1998 në Prekaz të Poshtëm janë vrarë 56 shqiptarë, prej tyre 21 anëtarë ishin të familjes së ngushtë të Shaban Jasharit. Në mesin e të vrarëve shumica ishin gra, fëmijë dhe pleq. Gjatë luftës janë djegur e shkatërruar 178 shtëpi dhe objekte të shumta ekonomike, ndihmëse dhe të tjera.
Më 3 dhe 4 mars 1998, rreth e përqark Fabrikës së Municionit në Skenderaj, ishin dislokuar forca të shumta serbe të artilerisë së rëndë. Po ashtu, policia serbe kishte bërë përforcime të shumta nëpër të gjitha postblloqet e saj në Drenicë.
Më 5 mars 1998, rreth orës 5.00 të mëngjesit, forcat ushtarke – policore serbe ndërmorën një sulm të kombinuar mbi fshatrat: Prekaz i Poshtëm, Llaushë, Polac, Marinë, Vojnik dhe Rakinicë të komunës së Skënderajt dhe ky sulm zgjati deri me 7 mars. Shënjestra kryesore e tyre ishte Familja e Shaban Jasharit në Prekaz të Poshtëm.
Komandanti Adem Jashari, në këtë situatë të rëndë ka marrë vendimin historik, vendimin më të vështirë dhe më të dhembshëm që ka marrë ndonjëherë njeriu, gjatë tërë historisë së qytetërimit. “Nuk do të dorëzohemi për së gjalli!Vrastarët nuk do të kalojnë, veçse mbi trupin tim të vdekur”! ka thënë Adem Jashari. Dhe kështu ndodhi!

RRËFIMI I BESARTA JASHARIT
Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve në Prekaz, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerie. Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Forcat policore dhe ushtarake serbe në fillim sulmonin nga këto pozicione: nga Fabrika e Municionit, nga kodrat e Skenderajt, Lisat e Xanit e pozicione të tjera. I menjëhershëm dhe shumë i fuqishëm ishte edhe kundërpërgjigja e Komandantit të UÇK’së Adem Jashari dhe familjes së tij.
Në ditën e parë të sulmit mbi familjen Jashari, filloi një betejë e fuqishme kundër forcave ushtarake dhe policore serbe. E gjithë familja e Adem Jasharit filloi luftimet pas asnjë kompromis e përgatitur për të bërë rezistencë deri në vdekje.
Dëshmitarja Besarta Jashari (e bija e Hamzë Jasharit), e cila ka mbijetuar nga kjo ngjarje, rrëfen: “Ditën e parë u zhvillua luftë e madhe, gjatë tërë ditës shtëpitë u granatuan. Atë ditë, u vra vetëm Adilja, gruaja e Ademit. Ajo u vra në shkallët e njërës shtëpi, pasi ajo kishte shkuar për të marrë municion në katin e tretë të shtëpisë ku i kishin dhomat e mbushura me armatim. Tërë dita shkoi me gjuajtje të fuqishme të forcave serbe, ndërsa në mbrëmje të shtënat u qetësuan. Në mbrëmje, Adem Jashari së bashku me djemtë, Blerimin, Kushtrimin dhe Igaballin i mbushnin karikatorët dhe bëheshin gati për luftën e ditës tjetër. Ata e vëzhgonin dhe e përcillnin me shumë kujdes situatën”. (Bardh Hamzaj, Faik Hoti, “Jasharët, histori e rrëfyer nga Rifat, Besarta, Bashkim, Murat dhe Lulzim Jashari”, Prishtinë, 2003, f. 91-92.)
Në ditën e dytë, më 6 mars, sipas rrëfimit të Besartës, ngjarjet janë zhvilluar kështu: “Që në mëngjes, nisën përsëri granatimet e forcave serbe. Granatat binin në çdo pjesë të shtëpive dhe të oborrit. Copat e një granate dhe gojëzat e saj e zunë përfundi Igballin, djalin e bacit Rifat. Granatimet vazhduan të jenë edhe më të fuqishme ndërsa nga copat e granatave filluan të vriten edhe anëtarët e tjerë të familjes. Ademi e Hamza së bashku me djemtë e familjes rezistonin në pozicionet e tyre. Më tragjikja ka qenë një granatë e cila i ra podrumit dhe e çau atë në dy pjesë, duke e shkatërruar atë. Ajo granatë i vrau edhe disa prej anëtarëve tjerë të familjes tonë. Nga kjo granatë dhe disa të tjera që u hodhën rresht, nga plagët e marra vdiqën edhe Hidajetja, vajza e Rifatit dhe motra ime Fatimja, që ishte dy vjet më e vogël se unë. Të gjallë ende ishin Besimi, Kushtrimi dhe Ademi, që luftonin nga një pozicion në tjetrin”. (B.Hamzaj, F.Hoti, Jasharët…, f. 92-93.)
Në ditën e tretë të sulmit, me 7 mars 1998, që konsiderohet edhe si dita e rënies heroike të Komandantit të UÇK’së Adem Jashari dhe familjes së tij, Besarta i përshkruan edhe momentet e fundit të rezistencës në shtëpinë e Jasharajve. Besarta këtë ditë e kujton si vijon: “Ademi lëvizte prej pozitës që kishte te një mur në oborr dhe vinte kah vendi ku ishim ne të strehuar. Pas vrasjes së shumicës së anëtarëve të familjes, vritet edhe Besimi. Afër derës së podrumit ku ishim strehuar bie edhe Ademi, në përpjekje për të na mbrojtur. Të gjallë ishim vetëm unë dhe Kushtrimi. E kam pa Ademin kur e ka marrë plumbi, ka rënë te shtylla afër shkallëve të shtëpisë, aty u vra. Pas rënies së tij, djali i tij Kushtrimi (atëherë 13 vjeçar), e mori automatikun dhe u nis në drejtim të një pozicioni tjetër në oborr, sepse policët serbë veç ishin futur nëpër disa depo që i kishim. Në ballafaqim me ta, Kushtrimi ka rënë midis dy shtëpive me automatikë në dorë. Kur nuk mbeti më asnjë i gjallë, vet fillova të shkojë te trupat e secilit duke i prekur dhe duke thirrur me zë mos kishte mbetur dikush i gjallë. I thirrja në emër, por s’përgjigjej askush. Krejt kjo po zhvillohej kah fundi i luftës, në ditën e tretë të sulmit, paradite”. (B.Hamzaj, F.Hoti, Jasharët…, f. 93-94.)
Kjo luftë heroike e pashembullt në historinë e njerëzimit, njihet me emrin – Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

PËR MASAKRAT NË LIKOSHAN, ҪIREZ DHE NË PREKAZ TË POSHTËM – BËHET PËRGJEGJËS EDHE GRUPI I KONTAKTIT!
Pas Masakrës në Prekaz të Poshtëm (më 5, 6 e 7 mars 1998), “këndellet” diplomacia ndërkombëtare, e cila “urgjentisht” kërkon ndërprerjen e dhunës së armatosur për t´i lënë rrugë zgjidhjes së problemeve përmes dialogut në mes palëve. Më 9 mars 1998 në Londër mblidhet Grupi i Kontaktit, për ta diskutuar eskalimin e gjendjes në Kosovë. Për çudi, në deklaratën e lëshuar nga Grupi i Kontaktit, kritikohet “përdorimi i tepruar i forcës” dhe “tejkalimi i autorizimeve” të njësive speciale të policisë serbe, “që ka sjellë për pasojë së paku 80 humbje jete…”, ndërsa denohen në tërësi siç theksohet në deklaratë “aksionet terroriste të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo të çfarëdo grupi apo personi.” Pra, Grupi i Kontaktit, operacionet shfarosëse të njësive speciale serbe kundër shqiptarëve i cilëson si përdorim i tepruar i forcës, ndërsa veprimet e UÇK’së që ishin në mbrojte të popullatës shqiptare nga forcat serbe, i cilësonte si “aksione terroriste”!
Si rrjedhim, duke pasur parasysh këto veprime të njëanshme diplomatike, dhe deklaratën anti UҪK të ambasadorit amerikan Robert Geldbard, pa hezitim mund të thuhet se, për vrasjen dhe masakrimin e familjeve shqiptare në Likoshan, Ҫirez dhe në Prekaz të Poshtëm, bëhen përgjegjës edhe shtetet e Grupit të Kontaktit!
KUSH U VRA E U MASAKRUA MË 5, 6 e 7 MARS 1998 NË PREKAZ?!
Gjatë tri ditëve të rezistencës, në Prekazin e qëndresës historike – ranë dëshmorë: 56 burra, gra, pleqë e fëmijë, prej tyre 20 anëtarë ishin të familjes së ngushtë të Shaban Jasharit. Pas shumë pengesave që bënin njësitë kriminale serbe, të cilat e mbanin akoma të rrethuar fshatin, varrimi i kufomave u bë më 12 mars 1998.
Pesëdhjetëegjashtë (56) dëshmorët janë:
1.Adem Shaban Jashari
2. Shaban Murat Jashari
3. Zahide Shaban Jashari
4. Zarife Bahtir Jashari
5. Hidajete Rifat Jashari
6. Valdete Rifat Jashari
7. Igballe Rifat Jashari
8. Igball Rifat Jashari
9. Hamza Shaban Jashari
10. Feride Ramadan Jashari
11. Selvete Hamzë Jashari
12. Afete Hamzë Jashari
13. Besim Hamzë Jashari
14. Lirie Hamzë Jashari
15. Blerim Hamzë Jashari
16. Fatime Hamzë Jashari
17. Blerina Hamzë Jashari
18. Adile Bahtir Jashari
19. Fitim Adem Jashari
20. Kushtrim Adem Jashari
21. Artim Sejdi Jashari
22. Bahtie Muharrem Jashari
23. Abdullah Zen Jashari
24. Blerim Zen Jashari
25. Bujar Zen Jashari
26. Qazim Osman Jashari
27. Nazim Zuk Jashari
28. Beqir Bajram Jashari
29. Halil Bajram Jashari
30. Sherif Brahim Jashari
31. Faik Tahir Jashari
32. Sinan Ramadan Jashari
33. Ali Ramadan Jashari
34. Elheme Uka Jashari
35. Halit Imer Jashari
36. Mihrije Feriz Jashari
37. Hajzer Zymer Jashari
38. Myrtez Zymer Jashari
39. Sabrie Zymer Jashari
40. Hanife Zymer Jashari
41. Hamit Hus Jashari
42. Sala Sheremet Jashari
43. Qerim Hus Jashari
44. Shahin Qerim Jashari
45. Ukshin Qerim Jashari
46. Hajrije Zymer Jashari
47. Hamide Ajet Jashari
48. Kajtaz Maliq Jashari
49. Ajvaz Kajtaz Jashari
50. Smajl Asllan Jashari
51. Sadik Hysen Jashari
52. Afije Hysen Jashari
53. Hamdi Sadik Jashari
54. Elfije Sadik Jashari
55. Fatime Sadik Jashari
56. Ramiz Sadik Jashari.
Gjatë luftimeve në Prekaz kanë rënë dëshmorë: Osman Geci nga Llausha, daja i Komandantit Legjendar të UҪK’së Adem Jashari dhe tre miq të Hamit Jasharit (Isak Halili 1934 – 1998, Fatime Bazaj 1978 – 1998 dhe Smail Bazaj 1980 – 1998) të cilët ato ditë ishin strehuar te familja e tij.

KUSH U VRA NGA FAMILJA E SHABAN JASHARIT?
Nga familja e Shaban Jasharit (nga 5 – 7 mars 1998) bien dëshmorë:
1. Shaban Murat Jashari (74-vjeçar), babai i Ademit
2. Zahide Geci – Jashari (74-vjeçare), nëna e Ademit
3. Zarife Jashari (49) gruaja e Rifatit
4. Hidajete Rifat Jashari (18), vajza e Rifatit
5. Valdete Rifat Jashari (15), vajza e Rifatit
6. Igball Rifat Jashari (13), djali i Rifatit
7. Igballe Rifat Jashari (11), vajza e Rifatit
8. Hamëz Shabani Jashari (47), vëllai i dytë i Adem Jasharit
9. Feride Mecini -Jashari (43), gruaja e Hamëz Jasharit
10. Selvete Hamëz Jashari (20), vajza e Hamëz Jasharit
11. Afete Hamëz Jashari (17), vajza e Hamëz Jasharit
12. Besim Hamëz Jashari (16), djali i Hamëz Jasharit
13. Lirie Hamëz Jashari (15), vajza e Hamëz Jasharit
14. Blerim Hamëz Jashari (12), djali i Hamëz Jasharit
15. Fatime Hamëz Jashari (9), vajza e Hamëz Jasharit
16. Blerinë Hamëz Jashari (7), vajza e Hamëz Jasharit
17. Adem Shaban Jashari (42) vëllai i Hamëz Jasharit
18. Adile Rama – Jashari (40), gruaja e Adem Jasharit
19. Fitim Adem Jashari (17), djali i Adem Jasharit
20. Kushtrim Adem Jashari (13), djali i Adem Jasharit
* * *
E KUSH MBIJETOJ…?
Më 12 gusht 2013, gjatë një vizite që i bëra Kompleksit Memorial “Adem Jasahri”, ciceroni i këtij kompleksi Rifat Bejta, para vizitorëve të shumtë thotë se: Pas sulmit të 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, nga familja e Jararajve mbijetuan gjithsejt 10 anëtarë, gjashtë meshkuj (bashkë me Rifatin) e katër femra.
– Nga familja e ngushtë e Rifatit mbijetuan: tre djem e një vajzë;
– Nga familja e ngushtë e Hamzës mbijetuan: një djalë e një vajzë;
– Nga familja e komandantit Adem Jashari mbijetuan: një djalë e dy vajza.
Ndërsa prej anëtarëve të familjes Jashari që ishin në Prekaz, të gjallë kanë mbetur 6 anëtarë:
– Bashkimi, Iliriana dhe Fazliu (tre fëmijët Rifatit),
– Shqipja e Marigona (vajzat e Ademit) dhe
– Besarta (vajza e Hamzës).
Gjatë tri ditëve të rrethimit dhe qëndresësë në Prekaz, Ilirjana, Fazliu, Shqipja dhe Marigona ndodheshin të dajët, kurse Bashkimi dhe Besarta i mbijetuan rrethimit.
Ndërkaq në perëndim (Gjermani) në atë kohë ishin 4 të tjerë:
– Rifati,
– Murati, djali i Rifatit,
– Bekimi, djali i Hamzës dhe
– Lulzimi, djali i Ademit.
* * *
PËRTIRJA E FAMILJES JASHARI
Pas luftës, tre djemtë e Jasharëve, Murati i Rifatit, Lulzimi i Ademit dhe Bekimi i Hamzës u martuan dhe nga këto martesa kanë lindur 12 fëmijë, 7 djem e 5 vajza, të gjithë me emra të ripërtërirë, të prindërve, gjyshit dhe gjyshes së tyre.
Në një foto me 8 fëmijë të veshur me veshje kombëtare, simbolizon ripërtëritjen e familjes Jashari pas luftës.

Pasardhësit e Familjes Jashari


********

– PREKAZ, 12 GUSHT 2013 –

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura