HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (28)

HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (28)

Nga Sabit Alidema – Pashtriku 28 Korrik 2021

JAM KRENAR QË E NJOHA HALILIN

Mr. Halil Alidemën e kam njohur pas daljes nga burgu d.m.th., në vitin 1990. Ntyrisht se për veprimtatinë e tij patriotike kam dëgjuar më heret si student, së bashku me shokët dhe veprimtarët tjerë. Por ja që ndodhi Pranvera ’81 dhe çdo gjë doli në sipërfaqe. Mr. Halil ALIDEMA u dënua së bashku me grupin e intelektualëve, si me Mr. Ukshin HOTI, Ekrem KRYEZIU, i ndjeri Dalip DALIPI e disa veprimtarë dhe intelktualë të shquar, të cilët bashkëvepronin në Universitetin e Prishtinës. Ata, përveç dënimit të rëndë nga regjimi morën edhe dënime të tjera, si largimi nga institucionet, ku punonin dhe dëmkosjet e familjeve të tyre, duke i izoluar etj. Dënimi i këtij grupi intelktualësh në krye me veprimtarin dhe patriotin e devotshëm të çështjes kombëtare, Mr.Halil ALIDEMA, bëri një jehonë të papërshkrueshme tek intelegjenca dhe rinia studentore. Kjo jehonë pati edhe sfidat e saj. Shumë të rinj dhe të reja u dënuan nga regjimi qoftë edhe nëse iu është përmendur emri i tyre publikisht, apo në ndonjë ndejë gjysmë legale. Pajtohem se edhe tek unë dhe grupi me të cilin kishim vepruar dhe shokë të tjerë që më vonë patën fatin të jenë dëshmorë të popullit, idetë çlirimtare të Mr. Halil ALIDEMËS u bënë udhërrëfyese tonat dhe njëkohësisht një ideal, që lidhej me sfidat e kohës.

Dalja ime nga burgu dhe e shumë shokëve në vitin 1990, si Xhevat Ademi, Ramadan Bunjaku, Sherif Konjufca etj., dhe të etshëm për një inkuadrim të sërishëm në rrjedhat politike të krijuara në at kohë, na bashkoi programi i Mr. Halil Alidemës, projekt, të cilin e kishte përgatitur me një grup veprimtarësh. Ky projekt ishte; Projekti për bashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare, ku përbërja etnike ishte mbi 50% shqiptare. Dhe po me këtë platformë pas themelimit të UNIKOMB-it ne vepruam dhe i konkretizuam disa pjesë të kësaj platforme. Kështu u themeluan degë të partisë në trevat e shkëputura nga Kosova, si në Shkup, Preshevë dhe Ulqin. Megjithatë kushtet nën të cilat vepronin, veprimtarët e kësaj partie nuk ishin të lehta, sepse pushteti okupues serb nuk e shihte me sy të mirë një parti me një program nacional. Menjëherë UDB-a si çdo herë filloi të veprojë. Fillimisht vetëm disa muaj pas themelimit filloi gjahu kundër veprimtarëve të UNIKOMB-it. I pari ndër ta ishte kryetari i saj: Mr. Halil ALIDEMA. Ftesa për t’u lajmëruar në policinë serbe nuk e trembi “bacën” siç e thërrisnim ne atëherë. Ky me një aktivitet të dendur krijoi nëndegë në gjithë diasporën shqiptare dhe më gjërë. Gjithë atje, ku kishte shqiptarë. Partia të cilën e drejtonte ky ishte ndër partitë, ku veprimtarët e saj merreshin dhe torturoheshin gati çdo javë. Duke e parë një gjendje të tillë shumë veprimtarë bënin një jetë ilegali dhe nuk kishin mundësi që legalisht të zhvillonin aktivitet politik. Mund të themi lirisht se Mr. Halil Alidema ishte njëri ndër të parët që pat deklaruar se Kosova kurrë nuk do të çlirohet pa luftë të armatosur. Ai këtë moto filloi që ta zbatojë në praktikë, duke krijuar grupe të rinjsh që t’i dërgojë në Shqipëri për t’i ushtruar me armë për luftë guerile. Të gjitha degët në at kohë e kishim për detyrë që t’i zgjidhnim nga 10 të rinj për t’i stërvitur. Kjo iniciativë ishte qysh në vitin 1990. Pikërisht në kohën e thyerjeve të mëdha politike, jo vetëm në ish Jugosllavi, por në mbarë Europën komuniste.

Pikërisht Mr. Halil Alidema ishte edhe nismëtari i krijimit të grupit të subjekteve politike që për bazë kishin programet nacionale në tërë hapësirat shqiptare të Ballkanit. Ai tuboi në Shkup këto takime dhe u nxorën disa platforma për veprim politik të koordinuar, por që regjimet pushtuese dhe dështimet e “partive me bajraktarë”, siç i quante ai, dështuan.

Veprimtaria e dendur e Mr. Halilit zgjoi edhe kundërgoditjen nga ana e UDB-së. Kur ky ishte në kulmin e veprimit aktiv politik në Maqedoni, Shqipëri e diasporë, u arrestuan shumë veprimtarë dhe u torturuan keqas. Atëherë kryetarit, Mr. Halil Alidema, iu pamundësua veprimtaria e tij politike në Kosovë.

Ne duhet ta pranojmë se shumë bashkëpunëtorë të tij nuk e kemi kuptuar mjaft strategjinë e tij politike për çlirim dhe ishim pre e partive disfatiste dhe të kujdesshme, të cilat ruanin pushtetin e Beogradit, por edhe ndikimi i fuqishëm dhe përçarës i UDB-së jugosllave, e cila me mjeshtri i hidhte agjentët e fshehtë në mesin e veprimtarëve dhe me shpifje e dezinfomata tjera përhapte lëkundshmërinë dhe mosbesimin e anëtarësisë në përgjithësi, duke e quajtur luftën e armatosur, të cilën e promovonte Mr. H. Alidema, si alterantivën e vetme për çlirim, avanturizëm. Dhe kjo vinte nga goja e atyre, të cilët simpatitë që kishin për liderë tjerë partikaë dhe që nuk kishin pasur mundësi t’i zënë pozitat atje, ishin futur tek UNIKOMB-i, por që nuk kishin as guxim për veprim, por as nuk kishin ndonjë peshë politike.

Gjithsesi unë gjithmonë do të ndjejë krenari të veçantë që isha bashkëpunëtorë i afërt i Mr. Halil ALIDEMËS, por që duhet ta pranojmë se idealet e tij nuk janë realizuar. Shpresojmë se gjeneratat e tashme dhe ato që vijnë do të luftojnë që këto ideale si të Mr. Halil ALIDEMËS të përjetësohen; në krijimin e një Shqipërie në kufijt e saj natyror.

Bajrush BEHRAMI

P.S. Meqë të gjitha materialet e veprimtarisë sonë në kuadër të UNIKOMB-it janë marrë vazhdimisht nga UDB-eja nuk kam mundësi që të referohem në to…

HALILI ISHTE SHOK I JASHTËZAKONSHËM

Në Shkollën Normale, që prej themelimit të saj e në veçanti pasi erdhi në Prishtinë në vitin shkollor 1953 lulëzuan shumë sporte të vogla, por padyshim se shumë shpejt u dallua loja e hendbollit si port më i suksesshëm me emrin “Normalisti”, emër të cilin e mbajti një kohë të gjatë edhe në garat në nivel krahinor dhe ishte kampion i shumfishtë i Kosovës, e si i tillë tri herë mori pjesë në gara kualifikuese për ligën federative në Leskovc, Nish dhe Beograd, por nuk arritëm të kualifikohemi pasi ekipet kundërshtare ishin më të përgatitura dhe më të organizuara, si me lojëtar ashtu edhe me kushte tjera të nevojshme për të marrë pjesë në ligën e Federatës Jugosllave.

Halilin e njoha në Shkollën Normale në Prishtinë gjatë vitit shkollor 1954/55 dhe që nga atëherë kemi luajtur hendboll së bashku për ekipin e Normales së Prishtinës, në gjirin e së cilës kishte mjaft hendbollistë, megjithatë barrën kryesore gjatë gjithë kësaj periudhe e bartën lojëtarët: Beqir Hasangjekaj, Xhemail Kasumi, Skender Lamaxhema, Sheqer Shllaku, Musa Abazi, Ismail Peshku, Kamber Kabashi, Nazmi Reçica, Sokol Dauti, e një vit më vonë na është bashkuar edhe Halil Alidemaj si dhe më vonë edhe lojtarët të tjerë si: Danioll Grezda, Xhafer Lila, Beqir Buçinca, Muhamet Alaj, etj.

Kjo gjeneratë e hendbollistëve pati fatin se në gjirin e saj kishte, përveç tjerëve edhe lojëtarin që duhet dalluar Halilin, i cili më së tepërmi u dallua si golashënues numër një në ekip. Ai e kishte gjuajtjen shumë të fortë, gjuante nga pozicionet që shpesh e befasonin portierin, sidomos dallohej me gjuajtjet karakteristike nga mbrapa (me shpinë i kthyer nga porta). Nga kjo pozitë e gjuajtjes, portierët rrallëherë mund të mbronin portën e tyre.

Në lojë, Halili ishte i pakombpormis, me angazhim të pashoq, duke mos kursyer edhe atomin e fundit të energjisë së tij për arritjen e suksesit të ekipit tonë.

Unë në hajgare i thosha Halilit: a je nxe për lojë (duke menduar a je nxe në kokë) pasi ai pa u nxe në kokë nuk mund të jepte maksimumin për ta arritur suksesin e duhur.

Në fund të përfundoj se Halili ishte edhe një shok i jashtëzakonshëm i përshtatshëm për shoqëri, kishte humorin e tij karakteristik dhe ishte i gatshëm gjithmonë që të mos kursejë asgjë për interesin e përbashkët, sidomos atë kombëtar.

Xhemail Kasumi – Prishtinë, 23.11.2004

NJË JETË NË SHËRBIM TË KOMBIT DHE TË ATDHEUT

Lirinë që po e gëzojmë ne sot, dhe Pavarësinë që do të gëzojmë nesër, nuk do t’i kishim kurrë sikur plejada të tëra bijash e bijsh të këtij populli e të këtij vendi, brez pas brezi, të mos punonin e vepronin me penë e me pushkë, pa kursyer mundin e djerësën, pa kursyer të mirat dhe pasurinë, pa kursyer dijet dhe mençurinë, pa e kursyer, madje, edhe jetën-gjënë më të shtrenjtë të çdo personi, – vetëm për Lirinë, për Bashkimin dhe për Pavarësinë e vendit tonë.

Halil Alidemaj është njëri prej tyre.

Ai ishte njeri i mendimit dhe i veprimit, i dijes dhe iguximit, i cili tërë jetën e tij ua kushtoi Kombit dhe Atdhetu tonë. Halili vuri një guri të çmueshëm në Ngrehinën madhështore të Lirisë dhe të Pavarësisë së Kosovës. Në personalitetin e tij, si tek rrallë kush, ishin gërshetuar dhe mishëruar aftësia dhe mençuria për t’i dalluar dhe njohur të gjithë shkaktarët e të gjitha vuajtjeve dhe të mjerimit të popullit tonë, të gjithë shkaktarët e tragjedive tona, si popull, por edhe guximi dhe gatishmëria për t’i luftuar pushtuesit e tokave shqiptare. Pushkën e Tahir Mehës, në fillim të viteve ’80, Halili e quante “pushkë të mençur”. Kjo do të thoshte se pushtuesit e tokave shqiptare e kuptojnë dhe e njohin vetëm gjuhën e forcës. Në përputhje me këtë bindje, Halili punoi pa u lodhur dhe pa u epur tërë jetën e tij, deri më 19 mars 1996, kur ndërroi jetë, në Tiranë.

Halil Alidema ishte i brumosur kombëtarisht, por edhe i ngritur e i formësuar politikisht. Brumin kombëtar ai e trashëgoi nga tradita e lashtë e patriotizmit që kultivohej në familjen e tij, në Pozheran të Vitisë. Disa burra të familjes Alidema dhe babai i Halilit, Bexheti, u vranë nga çetnikët serbë, disa u detyruan ta braktisin përgjithmonë Kosovën, dhe shumë të tjerë u persekutuan nga partizanët dhe nga regjimi komunist. Këto vrasje, persekutime e përndjekje kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në personalitetin e njomë të Halilit jetim. Edhe në moshë të pjekur ai e dëgjonte me mallëngjim të madh këngën “…jetim, më ka rritur nëna ime”. Në ngritjen dhe në formësimin e tij politik kanë ndikuar, pa dyshim, edhe dijet e të gjitha shkallëve të shkollimit, deri në prag të doktornaturës, që i kishte përfunduar Halili. Por, megjidhëqë ishte magjistër, ai nuk arriti të punonte si profesor universiteti dhe “meritat” për mosangazhimin e tij si mësimdhënës universiteti, përveç të tjerëve, i kishin edhe kolegët e tij shqiptarë. Halili punonte si referent në Fakultetin Filozofik dhe, megjithëkëtë, ai ndjehej krenar. Në fillim të viteve ’90, një grup shokësh po rrinim në Tiranë. Pas pak çastesh erdhi një gazetar. Ai e përshëndeti të parin Halilin me “Mirëdita profesor”. Një koleg yni, më i vjetër se Halili, gjithashtu profesor, me sa dukej i fyer sepse gazetari nuk e përshëndeti atë të parin, pa u përgjigjur askush, iu drejtua gazetarit: “Ky nuk është profesor. Unë jam profesor”! “Po”, ia ktheu shpejt dhe shkurt Halili: “ky është profesor i shkollës së Rrahman Morinës, ndërsa unë, sigurisht, jo”!

Pëkah brumosja e tij, përkah natyra, edukimi dhe formimi i tij shpiertëor dhe intelektual, dhe në përputhje të plotë me fizikun e tij, Halil Alidema ishte kryengritës. Qysh në fëmijëri Halili shquhej me ndjenjen e tij kryengritëse. Si nxënës i shkollës fillore të Pozheranit ai e përplasi në tokë fotografinë e Marshallit jugosllav Tito, që varej në murin e klasës së tij. “Ti që m’i ke vrarë të parët e mi, nuk mund të qëndrosh i qetë përballë meje”, kishte murmuritur djaloshi i ri, Halil Alidema. Kjo ndjenjë kryengritëse, pastaj, e kishte përcjellë Halilin gjatë tërë jetës së tij dhe nga kjo kohë ai i kishte rënë në sy UDB-së, e cila e ka përcjellë atë, po ashtu, tërë jetën, por nuk ka arritur kurrë t’ia ndalojë veprimtarinë në shërbim të Lirisë dhe të Pavarësisë së Kosovës.

Kurdo dhe kudo që është folur dhe që është punuar për interesin kombëtar të shqiptarëve, Halili ka qenë i pranishëm dhe në ballë: në demonstratat e vitit ’68 dhe ’81, në organizimin politik dhe në përgatitjet për luftë të armatosur për çlirimin e Kosovës. Është dënuar disa herë dhe secilën herë me burg më të rëndë e më të gjatë dhe , pas daljes nga burgu, ka jetuar në mjerim dhe në skamje, por asnjëherë nuk e ka ndalur veprimtarinë e tij.

Në demonstratat e viti ’81, për të cilat u dënua me burg të rëndë e të gjatë, bashkë me Ukshin Hotin, Ekrem Kryeziun, Mentor Kaçin, Shemsi Reçicën, etj. Halili ishte ndër më të zëshmit në grupin e vogël të profesorëve universitarë, që i mbrojtën kërkesat e studentëve dhe, pothuajse, të të gjithë shqiptarëve, për “Republikën e Kosovës”. “Kush nuk flet sot nuk ka të drejtë të flasë nesër”, thoshte Halili. Rasti i tij në burg ishte shumë i ngjashëm me atë të Fazli Graiçevcit. Edhe për Halilin, UDB-eja kishte sjellë para gjyqit një dëshmi të rrejshme të një mjeku nga Shkupi se, gjoja, “brinjët e trupit të Halilit nuk ishin thyer me tortura gjatë hetuesisë, por ato kishin qenë të thyera më parë” (!). Dallimi i vetëm ndërmjet Fazliut dhe Halilit ishte se ky i fundit kishte jetë më të gjatë dhe i kishte përballuar torturat dhe para tyre as jepej as përulej.

Halil Alidema kishte një sens të gjallë të veprimit të shpejtë dhe të drejtë politik dhe praktik. Ai parapëlqente më shumë të qëndronte në ballë të zhvillimeve dhe t’i orientonte ato në drejtimin e dëshirueshëm, sesa të shkonte pas tyre. Në fillim të viteve ’90-ta, Halili u anëtarësua në LDK, por kur i pa themeluesit dhe drejtuesit e saj, që i njihte nga viti ’81, dhe e kuptoi vijën politike të tyre, u largua shpejt prej LDK-ës. Ai konsideronte se Kosovës i duhej një parti politike që jo vetëm flet dhe pret, por që vepron. “Ka kaluar koha e fjalëve. Tash është koha e veprimeve”, thoshte Halili. Dhe e formoi UNIKOMB-in, që u degëzua në të gjitha trojet etnike shqiptare dhe në Disaporë.

Duhet të thuhet se në vitin 1981 në shoqërinë kosovare zë fill dhe zhvillohet një vijë politike, e cila në mënyrën më të qartë artikulon interesat kombëtare të shqiptarëve të Kosovës dhe bëhet bartëse e këtyre interesave. Bartësit e këtyre interesave flasin dhe veprojnë në atë kohë kur ndalohej edhe fjala edhe veprimi për interesin kombëtar të shqiptarëve të Kosovë. Ata, natyrisht, arrestohen shpejt, dënohen dhe qëndrojnë në burg pothuajse gjatë gjithë viteve ’80. Në fillim të viteve ’90, pastaj, në gjithë Europën Lindore, pra edhe në Jogosllavinë e atëhershme, lejohet pluralizmi politik dhe, si rezultat i kësaj, në Kosovë zë fill dhe zhvillohet lirshëm një vijë politike me bartësit e vet, të cilët në vitin ’81, gjatë dhe pas demonstratave të përgjakshme, kishin heshtur dhe i kishin ruajtur ose i kishin përforcuar pozitat e tyre në shoqërinë e atëhershme kosovare. Tani të burgosurit politikë të vitetve ’80 ishin liruar nga burgjet, por ishtin të hutuar, të përgjumur, ndjeheshin si fajtorë dhe nuk kishin asnjë nisiativë për ta vazhduar vijën e tyre politike, që e kishin filluar në vitin ’81, edhe pse tani mund të flisnin dhe të organizoheshin lirshëm. Për më tepër, pothuajse të gjithë ish-të burgosurit politikë, duke përfshirë këtu, edhe ata më të njohurit, njëri pas tjetrit u futën nën çadrën e LDK-së së dr. Ibrahim Rugovës dhe aty qëndruan afër dhjetë vjet, derisa ia përforcuan pozitat dr. Rugovës dhe LDK-së dhe derisa e shkrinë, e humbën identitetin e vijës së tyre politike të vitit ’81 dhe, pastaj, ashtu siç hynë edhe dolën, njëri pas tjetrit, nga LDK-ja, por të shfrytëzuar deri në palcë prej saj, dhe pa identitet politik, u shpërndanë dhe u bënë pikë e pesë.

Halil Alidema pothuajse i vetëm, me një grup shokësh, pati kurajon dhe, në vitin 1990, e vazhdoi me përpjekje, vështirësi e sakrifica të mëdha vijën politike të ’81-shit, por pa ish-të burgosurit kyresorë dhe më të njohur politikë dhe pa pjesën dërrmuese të bartësve të ’81-shit, në njërën anë, dhe në kushtet e përndjekjeve të vazhdueshme të UDB-së serbe, në anën tjetër, vija politike e ’81-shit nuk arriti të rimëkëmbej.

Halili, si shumë nacionalistë e atdhetarë të tjerë të flakët, duhet të ketë vdekur me sy të çelur për ta parë Kosovën të Lirë dhe të Pavarur.

Shemsi REÇICA

ASPEKTE TË PROFILIT POLITIK DHE KOMBËTAR TË ATDHETARIT, HALIL ALIDEMA

Njëri ndër personalitetet politike, intelektuale e kombëtare, që u dallua në gjysmën e dytë të shekullit XX për trimëri, guxim dhe largampësi politike, është edhe Halil Alidema, i cili la gjurmë të thellë në jetën tonë kombëtare, reflektoi mendim të avancuar politik dhe ndërmori veprime konkrete për realizimin, synimin kombëtar të shqiptarëve – çlirimin e atdheut dhe bashkimin e kombit. Me punën e tij të madhe dhe përkushtimin atdhetar, i kontribuoi forcimit të vetëdijes politike e kombëtare të popullit shqiptar dhe krijimit të forcës mbrojtëse të Kosovës.

Halil Alidema ishte shumë i bindur, që në kohën e rinisë së hershme, se shqiptarët po të shkundnin psikologjinë e kultivuar të nënshtrimit, që i shkonte aq për shtati regjimit shtypës të Beogradit dhe po të organizoheshin në planin politik dhe ushtarak, mund të çliroheshin dhe të bëheshin komb për të qenë dhe në këtë linjë veproi deri në ditën e fundit të jetës së tij.

I lindur në një familje atdhetare në Pozheran të Vitisë, Halil Alidema që në fëmijëri njohu terrorin serb në funksion të zhbërjes fizike të shqiptarëve. Babanë dhe një xhaxha ia pushkatuan ripushtuesit e Kosovës – partizanët serbë, një pjesë e familjes shtrëngohet të ikë nga Kosova. Vështirësi për t’u regjistruar në shkollë, mbikëqyrje, përndjekje, shantazhe nga eksponentë të regjimit e nga puthadorët e tij shqiptarë. Ai çdo herë i fortë, i qëndrueshëm dhe plot energji e guxim. Arrin të radhitet ndër sportistë e dalluar të Kosovës. Shkruan edhe poezi, tregime dhe magjistron në shkencat historike në temën “Paqja e Shën Stefanit”, pikërisht në traktatin ndërkombëtar, i cili më shumë se çdo tjetër e kishte gjymtuar tërësinë territoriale të shqiptarëve dhe hapësirën jetësore të tyre. Dhe pikërisht çështja e çlirimit të pjesëve të atdheut të pushtuar dhe bashkimi i kombit mbetën lajtmotiv i përjetshëm i Halilit dhe kryesisht në kët linjë duhet qasur gjithë aktivitetit politik dhe praktikisht gjithë aktivitetit jetësor të tij.

Me punën e tij të përkushtuar në arsim, me rrethin e gjerë të shokëve dhe të miqve dhe me kontaktet e shumta, që mbante me profesorë universiteti, me studentë, por edhe me nxënës dhe me arsimtarë të shkollave të mesme, më shumë në Prishtinë, Ferizj, Viti dhe Gjilan, Halili që në vitet 60-ta vlerësohej nga eksoponentët e regjimit si disident dhe antikomunist i rrezikshëm. Ai ishte shquar me guxim politik e qytetar në diskutimet publike për Republikën e Kosovës (pas rënies të klikës së famëkeqit Rankoviq), nga i cili pozicion shpejt u tërhoq udhëheqja e asokohshme e Kosovës.

Halili më shumë se të tjerët shqetësohej për pasojat e iluzionit ndër shqiptarët, që u krijonte ajo gjysmautonomi e vitit 1974. Ai e ndjente se ajo autonomi aq shumë e lavdëruar nga udhëheqja titiste e Kosovës, sa vinte dhe i binte tepër ngushtë zhvillimeve të synuara të Kosovë. Ai, ndërkaq ndiqte edhe zhvillimet në Serbi dhe hetonte shumë mirë tendencat serbe për shndërrimin e Kosovës në një koloni, së cilës i shfrytëzohen resurset natyrore të begata dhe fuqia tepër e lirë punëtore. Dhe në ndërkohë që aq shumë trumbetohej për ndihmën e regjioneve më të zhvilluara të Jugosllavisë, Kosova sa vinte e ngecte në raport me republikat e Jugosllavisë, shtohej papunësia, binte mirëqenia e popullsisë dhe tensioni rritej në Kosovë. Ky diskurs politik, sociologjik dhe ekonomik e gjeti Kosovën në vitin 1981.

Studentët e Universitetit të Kosovës, u ngritën në demonstrata, të cilat i mbështetën punëtorët dhe fshatarësia, por fare pak inteligjenca e Kosovës, pjesa më e madhe e së cilës ndjehej mirë në ato pak privilegje që i kishte krijuar regjimi, pikërisht për ta tjetërsuar nga populli që i përkiste.

Në mesin e asaj inteligjencie që mbështeti kërkesat e demonstruesve për Republikën e Kosovës, si i vetmi kusht për prosperimin e shqiptarëve, u shquan, mr. Ukshin Hoti, profesor në Fakultetin Filozofik dhe mr. Halil Alidema, referent për çështje studentore në të njëjtin fakultet.

Regjimi nuk mund ta toleronte pa e ndëshkuar këtë sfidë, që mund të trimëronte të tjerët. Duhej vepruar shpejt dhe me forcë, për të tmerruar studentë dhe profesorë të Universitetit të Prishtinës. Arrestohen Halil Alidema, Ukshin Hoti, Ekrem Kyreziu, regjisor, Shemsi Reçica, asistent, pastaj Muharrem Fetiu, Mentor Kaçi, Ilmi Retkoceri e të tjerë. Për të bërë presion mbi studentët dhe profesorët e tyre, ky grup i të burgosurve politikë u quajt “Grupi i intelektualëve” dhe u bë shumë zhurmë mediatike pas arrestimit dhe dënimit të tyre.

Halili, i cilësuar si ideator i grupit u dënua me 11 vjet burg. U dënuan me burgim të rëndë edhe të tjerët, ndërkaq do të mbahen në mend mbrojtja e Halilit dhe e Ukshinit, të cilët me guxim dhe akribi të thellë mbrojtën kërkesat e demonstratave dhe domosdoshmërinë e avancimit të statusit të Kosovës në nivel republike. Ata, secili në stilin e vet, argumentuan se ngritja e Kosovës në nivel të republikës federale, ishte jo vetëm në interes të popullit të Kosovës, por ishte kusht i stabilitetit, i ekzistencës së shtetit. Zhvillimet që ndodhën pastaj u dhanë vulë ideve të këtyre dy kolosëve të mendimit politik shqiptar.

Idetë e avancuara politike dhe shoqërore të Halil Alidemës dhe të Ukshin Hotit, u zhvilluan edhe pas vuajtjes së dënimit dhe sidomos u vunë në spikamë në Simpoziumin “Evropa dhe shqiptarët” (1991). Halil Alidema në mënyrë shumë të guximshme përvijoi çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve në proceset integruese evropiane, kurse Hoti elaboroi ndërtimin e demokracisë autentike të shqiptarëve në funksion të përparimit dhe të integrimeve evroperëndimore.

Halili, i cili ishte ndër nismëtarët pluripartizimit në Kosovë, si pandan i hegjemonisë serbe, e cila realizohej nëpërmjet të një partie të vetme (LKJ-së), e pa shumë shpejt se Lëvizja Gjithëpopullore e fundviteve 90-a, po degjeneronte në një filozofi pritjeje dhe mosveprimi, që nuk përkonte me interesat e popullit të zgjuar shqiptar dhe me karakterin e tij  militant. Ai kishte kundërshtuar tendencat për përgjumjen e popullit dhe pacifizimin kobzi të tij. Menjëherë pas Kuvendit të parë të LDK-së, me 6 qershor të vitit 1991, Halili me një grup bashkëmendimtarësh nga Kosova, nga Maqedonia dhe Mali i Zi, shpalli krijimin e Partisë së Unitetit Kombëtar Shqiptar (UNIKOMB), që në programin e saj e thoshte fare hapur se angazhohej për çlirim dhe bashkim kombëtar të shtiptarëve në territoret, të cilat i banojnë prej shekujsh.

Për një kohë shumë të shkurtër, partia të cilën e themeloi Halili, krijoi strukturë udhëheqëse të kualifikuar politike dhe u zgjerua në gjithë Kosovën, në viset shqiptare në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Punohej me energji shtesë, dhe për herë të parë një parti shqiptare vepronte fare hapur dhe shpaloste një program politik dhe kombëtar shumë të guximshëm dhe të avancuar që projektonte çlirimin dhe bashkimin kombëtar të shqipatrëve. Në program hetohej lehtë shpirti i guximshëm i Halil Alidemës dhe mendja e mprehtë e Ukshin Hotit.

Programi i tillë i tmerroi jo vetëm organet e regjimit serb, por edhe krerët e së ashtuquajturës “rezistencë paqësore”. Partia e re trumbetohej radikale dhe luftënxitëse. Liderët e politikës së pritjes, ndërkaq i garantonin popullit se kishin premtimin e sigurt ndërkombëtar se Kosova do të fitonte pavarësinë pa shkrepur ndonjë plumb.

Në fakt, rrallëkush si Halili kishte idenë se pa organizim ushtarak dhe pa luftë çlirimtare nuk lirohej Kosova dhe viset tjera shqiptare nën okupim. Halili, krahas zgjerimit të radhëve të Partisë së Unitetit Kombëtar Shqiptar, kishte bërë hapa të mirë edhe në drejtim të organizimit ushtarak. Që me 1991 në komunën e Gjilanit me sugjerimin e tij ishte krijuar një njësit i armatosur, në parti ishte krijuar një trup i veçantë për çështjen e organizimit ushtarak, kurse nëpërmjet kanaleve të ndryshme Halili bënte rekrutimin e të rinjve për përgatitje ushtarake nëpër kampe të ngritura në Shqipëri.

Për t’i shpëtuar arrestimit për shkak të aktiviteteve politike e kombëtare që synonte dhe për shkak të shëndetit të rrënuar gjatë vuajtjes shmëvjeçare nëpr burgjet serbe, Halili kalon në ilegalitet. Fillimisht kujdeset që mos të flinte në shtëpinë e tij, e cila mbahej nën vrojtim të rreptë policor dhe të qëndronte më rrallë në selinë e partisë, e cila e kishte një dalje të fshehtë. Pastaj për disa muaj bën jetë ilegali në Shkup, duke punuar shumë për forcimin e UNIKOMB-it ndër shqiptarët e Maqedonisë. Tre vjetët e fundit i kalon në Shqipëri, duke punuar për unifikimin e qëndrimeve kombëtare për çështjen e Kosovës dhe të viseve të tjera etnike shqitpare nën okupim. Me direktivë të tij në vitin 1992, nga një grup historianësh e intelektualësh të tjerë, të udhëhequr nga Dr. Hakif Bajrami, hartohet “Libri i Bardhë”, i cili botohet në shtatë gjuhë botërore. Libri shpjegonte të vërtetën historike për shqiptarët, copëtimin e tokave të tyre nga fqinjët sllavë dhe grekë dhe argumentonte të drejtën e patjetërsueshme të shqiptarëve për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Halili, praktikisht, nga fundi i ’92-tës dhe deri në fund të jetës së tij, qëndroi në Shqipëri. Atje pos kontakteve me organe shtetërore të Shqipërisë, me parti shqiptare e me diplomatë të huaj, në funksion të ngritjes së çështjes së Kosovës e të viseve të tjera shqitpare nën okupim, punon intesivisht në përgatitjen ushtarake të të rinjve në disa vendstërvitje. Të gjitha mjetet financiare, që kishte siguruar nga burime të ndryshme, i investon në stërvitore, në ushqime e veshmbathje për të rekrutuarit dhe për pagimin e specialistëve më të mirë shqiptarë për përgatitjen fizike, për përdorim arme dhe përgatitjen taktike –strategjike të luftëtarëve të ardhshëm të lirisë. Ushtrohej në malin Dajti, në “Shkollën e Bashkuar” dhe së paku në tri pika të tjera në Tiranë. Halili, ndërkaq, në kushte tepër  të rënda materiale arrin që në vitin 1993/94 të nxjerr edhe tre numra të revistës ushtarake “Mbrojtja e Kosovës”, që shpreh më së miri përkushtimin e madh për përgatitjen e njerëzve për luftën që do të vinte patjetër.

Për të siguruar mjete financiare për pajisjet ushtarake të nevojshme, Halili, arrin të vinte kontakte me bashkëkombës tanë të kamur në Evropë, dhe sidomos në Amerikë. Kishte kontaktuar edhe me tregtarë armësh.

Shumë prej atyre, që kishin ushtruar në Shqipëri, por që emrat e tyre ishin zbuluar nga UDB-ja jugosllave, dhe që për shkak të dekonspirimit ishin strehuar përkohësisht në Shqipëri a në shtetet e Evropës perëndimore, kanë marrë pjesë në Lufën Çlirimtare të UÇK-së, kanë treguar trimëri dhe guxim të pashoq dhe e kanë përfunduar luftën me gradë oficeri.

Jeta në kushte relativisht të vështira ekonomike në Tiranë, për faktin që shpenzoi çdo gjë për lirinë e Kosovës, përgjimet e përditshme edhe nga segmente të sigurimit të shtetit shqiptar, dhe sidomos vdekja e bashkëshortes së tij, Teutës, që e kishte shok të jetës, viteve të fundit të jetës e kishin rrëzbitur shumë Halilin.

Në takimet e shpeshta, që kam pasur me te në Tiranë, gjatë punës sime si redaktor lajmesh në RTSH, kam parë brengën e madhe të Halilit për fatin e Kombit, dhe sidomos për zhvillimet e pavolitshme në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni. Mbase duke e ndjerë se po i afrohej vdekja, i ngutej të bënte diçka për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare nën okupim. Shqetësimi i tij më ngjante me atë mallin brengë të Ali Pashë Tepelenës se, nuk po e bënte dot Shqipërinë, por se do ta bënte dikush tjetër, doemos.

Duke u ngutur dhe duke sakrifikuar edhe shëndetin e tij për çështjen e lirisë dhe të bashkimit kombëtar të shqiptarëve, Halil Alidema përshpejtoi procesin çlirimtar në Kosovë dhe me të drejtë e meriton epitetin Pararendës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të dashur miq, sot më 20 mars bëhen pesë vjet nga vdekja fizike e Halil Alidemës. Po në muajin mars 65 vjet më parë, kishte parë dritën e diellit. Shqiptarët e moçëm jo më kot e quanin marsin muajin e trimërisë. Gjithë jeta e Halil Alidemës ishte kurorë trimërie dhe guximi të mençur në shërbim të kombit e të atdheut.

Vepra e tij atdhetare do të kujtohet gjithmonë.

Prishtinë, më 20 mars 2001

Sherif Konjufca – Anëtar i Kryesisë së UNIKOMB-it

  • VIJON – 

________________________ 

HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (27)

Nga Sabit Alidema – Pashtriku 26 Korrik 2021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura