Pashtriku.org, 12. 03. 2014 – Për ngjarjet e pranverës së madhe të vitit 1981 është shkruar shumë gjatë këtyre 20 viteve, për dhe kundër, varësisht nga pikpamjet dhe qëndrimet politike të autorëve apo nga përkatësia kombëtare. Është me rëndësi trajtimi i këtyre ngjarjeve nga pikpamja politike dhe kombëtare. Me rëndësi është gjetja e përgjigjjeve në shumë pyetje ekzistuese:
– Si u organizuan këto demonstrata?
– Kush i organizoi ato?
– Cili ishte shkaku i tyre?
– Ishin të rastësishme apo të domosdoshme?
– Ishin të befasishme, si rrufeja në mot të kthjellët, apo pasojë e punës së vazhdueshme të grupeve të organizuara?
Trajtimi i një mori pyetjeve të tilla komplekse kërkon një trajtim të thellë, serioz dhe të gjithanshëm. Rëndësia e një studimi të till shtohet edhe më shumë kur dihet që bartësit e këtyre demonstratave kanë luajtur një rol të madh në ngjarjet dhe zhvillimet e mëvonshme politike dhe ushtarake në Kosovë.
I. Pak histori
Historia e Levizjes tonë Kombëtare për liri dhe pavarësi mund të ndahet në dy faza të përgjithshme:
a) Periudha e parë gjerë më 1912 kur bëhet shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, ku në shtetin e ri shqiptarë të pranuar (njohur) ndërkombtarishtë, u përfshin gjysma e trojeve shqiptare, kurse gjysma tjetër ngeli jashtë kufijve shtetëror.
b) Periudha e dytë fillon pas 1912 në trojet etnike shqiptare të pushtuara dhe të aneksuara nga Serbia.
Kjo levizje kombëtare me aspirata për çlirimin e tokave shqiptare vazhdoi pa nderprerje (në forma të ndryshme) nga dita e madhe e pavarësisë deri më sot. Në fillim rezistenca njihet si kundërvenje e armatosur kundër pushtimit të parë serb, pastaj në pushtimin e dytë rezistenca e organizuar përmes Levizjes Kaçake dhe çetave të armatosura në Drenicë. Në kohën e pushtimit fashist nga rrethanat që u krijuan, po këtë aspiratë (ideal) e vazhduan forcat nacionaliste dhe patriotike në Kosovë përmes organizimit të çetave vullnetare për mbrojtjen e trojeve shqiptare, kjo përpjekje kulmin e vetë e arriti me orgaizimin politik me Lidhjen e Dytë të Prizrenit. Me afrimin e fundit të Luftës së dytë botërore forcat e majta erdhën duke u forcuar përmes formacioneve të armatosura partizane, ishte e ditur se këto forca do të ishin ngadhnjimtare. Pamvarësisht nga përcaktimi ideologjik çështja e pa zgjidhur kombëtre nuk mund të tejkalohej as nga Levizja komuniste, rezultat i kësaj ishte mbajtja e Konferencës së njohur të Bujanit. Në rezolutë të konferencës u vendosë që pas çlirimit Kosova ti bashkangjitej Shqipërisë. Me fitoren përfundimtare të forcave partizane dhe formimin e shteteve të reja komuniste, nga pala jugosllave që ishte më e fortë politikisht dhe ushtarakisht – u shkel kjo rezolutë-marrveshje e Bujanit. Shteti shqiptarë dhe populli shqiptrë i Kosovës ngeli i trathtuar përkundër gjakut që kishte derdhur në të ashtuçuajturën LNÇ.
Trinomi titist: Ali Shkuriu, Sinan Hasani dhe Azem Vllasi
*******************
Flet Binomi: Rrahman Morina&Azem Vllasi!!!!
Që në fillim kur u panë kahjet negative të zhvillimit të ngjarjeve, populli i Kosovës i revoltuar ju kundërvu kësa zgjedhe të re që po i vihej në qafë. Këtë më së miri e dëshmon Lufta heroike e Drenicës me në krye Shaban Polluzhën që në janar të 1945, Lufta e Gjilanit, Lufta e Ferizajit dhe beteja të tjera më pak të njohura. Në të 45 kemi ripushtimin e tretë të Kosovës nga ana e forcave jugosllave, por tash në një formëm të re, në emër të një ideologjie të re – asaj komuniste, ku fshiheshin mirë qellimet hegjemoniste serbe nën parullat boshe të kohës si: barazia nacionale dhe ekonomike e popujve të Jugosllavisë nën moton e vëllazrim bashkimit të të gjithë popujve të saj. Këtij ripushtimi komunistët jugosllavë i dhanë formën institucional-deklarative, duke inskenuar kuvendin e Prizrenit në rrethana të jashtëzakonshme dhe nën kërcnimin e armëve, gjoja se shqiptarët u deklaruan vullnetarisht për qendrimin nën Jugosllavi, përkundër gjakut që kishin derdhur në mbrojtje të Kosovës.
Me të parë realitetin e ri, se Kosova dhe viset e tjera shqiptare në Jugoslavi ngelën njëherë për njëherë në anën jugosllave, patriotët e mirëfilltë nuk mund të pajtoheshin me ketë realitet të hidhur dhe të imponuar padrejtësisht. Si pasojë e këtij realiteti fillojnë format e ndryshme të organizimit politik ilegal për t’iu kundërvenë kësaj gjendje si dhe veprimet praktike për liri kombëtare. Kjo më së miri deshmohet me organizimin dhe veprimtarinë e PNDSH (Partia Nacional Demokratike Shqiptare). Rezistenca e organizuar në vazhdimësi edhe pse goditej, ajo perseri regjenerohej në forma të tjera të organizimit. Duhet të theksojmë se ka edhe interpretime tjera të përcipta si: ”Ne u mësuam se si popull që hoqëm keq në socializëm, që nga viti 1945 deri më 1966, se edhe atëherë kur na ka munguar nacionalizmi, shteti e ka trilluar atë. Këtë e ka bërë, një, për ta fshehur nacionalizmin e vet, të cilin edhe ashtu nuk është kujdesur aq shumë ta fshehë dhe, nën dy: ta maltretojë dhe ta shkatërrojë sa më shumë popullin shqipëtarë në Kosovë” /Gjergj Rrapi, f.29 “Kosova e viteve të ndrydhura”, Prishtinë, 1993/.
Me pjesën e parë të pohimit nuk mund të pajtohemi sepse nacionalizmin shqiptarë (që për ne ka qenë gjithmonë atdhetarizëm) nuk e ka trilluar shteti por ai ka ekzistuar gjithmonë, në vazhdimësi si pasojë e pushtimit. Ai ka ekzistuar me objektiva të caktuara, herë i organizuar më mirë e herë më pak.. Nuk mund të terhiqen paralele në mes të nacionalizmit shqiptarë dhe ati serb, sepse nacionalizmi serbë në esencë ka qenë hegjemonizëm i instaluar në administratën shtetërore. Kjo levizje kombëtare vijon gjer në vitin 1968, kur perjeton një ngritje kualitative dhe kuantitative. Në këtë vit për herë të parë kemi fenomenin e organizimit të demostratës si formë e protestës dhe artikulimit politik. Klima nderkombëtare që krijoi Lëvizja studentore evropiane gjeti troll të fuqishëm në Kosovë duke u transformuar në demostrata të përgjithshme për avancim të statusit kombëtare.
Në këtë demostratë u shtrua për herë të parë ndryshimi dhe njohja e statusit të popullit shqiptarë nga kombësi në komb. Kërkesa themelore kësaj demostrate ishte që t’i njihej Kosovës statusi i Republikës së barabartë në kuadër të RSFJ. Interpretimi dhe reflektimi i këtyre ngjarjeve në kujtesën kolektive të kosovarve ndikoi shumë fuqishëm në ngritjen e vetëdijes politike dhe kombëtare. Për analizën tonë është e rëndësishme të pranohet teza se: rezistenca kombëtare anti serbe dhe veprimtaria politike e organizuar për liri dhe pavarësi ka një kontinuitet historik të pakontestueshëm deri në pranverën e madhe të viti 1981.
II. Si u zgjidh çështja kombëtare në ish RSFJ
Parulla bazë e mobilizimit të popujve të Jugosllavisë në Luftën Antifashiste ishte parimi (premtimi); se pas çlirimit të gjithë popujt do të kishin të drejta të barabarta, se do të mund të zhvillohen lirshëm në kuadër të Federatës duke ndërtuar (kalitur) vëllazrim bashkimin. Për këtë çështje Dr. Gjergj Rrapi në mënyrë kushtore shprehet: ”Sikur të gjente shprehje ideja e Mosha Pijades, i cili pat thënë se “Zgjidhja e çështjes kombëtare edhe këtu mund të arrihet me formimin e republikës së lirë punëtore fshatare të Kosovës”. Çështjet do të ndryshonin në interes të të së vertetës së popullit shqiptar pa humbje të askujt”.. /f.85, po aty/.
Kjo ishte vetëm një ide e thënë me gjysmë zëri dhe nuk ka marrë vlerë historike konkrete, ajo nuk u bë realitet përshkak të hegjemonizmit serb dhe në këtë rirregullim më së keqi kaloi populli shqiptarë sepse: a) si komb ngeli i ndarë më dysh, b) gjysma ngeli në kuadër të RSFJ-së, c) jo si njisi e barabart federale edhe pse i plotësonte të gjitha kushtet, d) nga pushteti qendror u nda në katër pjesë; Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Serbinë Jugore. Pika e fundit deshmon edhe njëherë qendrimin antishqiptarë të shtetit jugosllavë. Pa prejudikuar zgjidhjen e statusit të popullit shqiptarë, në fund të fundit le të quhej edhe Komuna e Kosovës, pavarësisht se në kuadër të cilës republikë do të ngelte, mjaftë të ishte njisi unike administrative.
Por bashkimit dhe kohezionit shqiptarë si dhe substancës biologjike në rritje më së shumti i trembej Beogradi. Padrejtësisë teritoriale administrative i shtohej politika shtypëse dhe represive si dhe antishqiptarizmi shtetëror që ushtrohej përmes shpërnguljeve të dhunshme për në Turqi, apo aksionit famëkeq gjoja për mbledhjen e armëve.Pak vite më vonë, Beogradi dhe Akademik Hajredin Hoxha dhe profesorë të tjerë propagandonin se çështja kombëtare në Jugosllavi ishte zgjidhur më së miri në botë, me te dhe vetë çështja shqiptare kur paturpësisht konstatonte: “Me këtë rast duhet të theksojmë se sipas Kushtetutës së RSFJ dhe kushtetutave të republikave dhe krahinave sigurohet jo vetëm barabarësia e individëve, e qytetarëve pa asnjë dallim, po edhe barazia e plotë e kombeve dhe e kobësive në të gjitha fushat”. / Dr. Hajredin Hoxha – Dr. Syrja Popovci “Barazia e pakicave kombëtare”, f.73, Rilindja-1984, Prishtinë/.
Me të drejtë shtrohet pyetja: pse ato të drejta që iu dhanë shqiptarëve me kushtetutën e vitit 1974, nuk iu dhanë që në fillim me 1945/6? Përkundrazi shqiptarët çdo të drejt duhej ta fitonin me mund dhe sakrificë, si në vijën ilegale ashtu dhe në ate legale. Gjendja që u krijua pas 1974 d.m.th nuk ishte pasojë e zemërgjersisë apo parimësisë së Beogradit, por rezultat i vetë angazhimit të shqiptarëve në të gjitha format e mundshme. Kushtetuta e vitit 1974 nuk piku nga qielli por ishte pasojë e kësaj levizje kombëtare që përjetoi nivelin më të lartë organizativ me 1968 dhe ngritjes së nivelit politik (kjo ngritje duhet të merret si ngritje në kuadër të procesit e jo si rritje e aspiratës), sepse deri në këtë kohë shqiptarët në levizjet (kërkesat) e tyre politike ishin shprehur vetëm për bashkim kombëtarë e jo për ndonjë ngritje të statusit në kuadër të shtetit federal jugosllavë. Kërkesa e re “Kosova Republikë” u imponua nga dy faktorë:
1) Ndarja e botës në dy blloqe, zhvillimi i luftës së ftohtë dhe
2) Rregullimi federativ i shtetit jugosllav.
Përderisa të ekzistonin këto rrethana shqiptarët e shihnin prosperitetin kombëtarë në ngritjen e statusit poltik të tyre si hap drejt zgjidhjes finale. Kuptohet këto ishin kërkesa dhe aspirata të Levizjes Popullore por që u përkrahën nga inteligjenca dhe një segment i udhëheqjes politike të vet LKJ-së së Kosovës. Duhet theksuar se kjo përkrahje qe e shkurtër dhe inerte. Megjiatë rrethanat e krijuara aktivistët e LKJ (udhëheqja legale) ditën për ti shfrytëzuar drejt dhe në menyrë efikase, duke marrë shkas në paknaqësin e 1968. Ata ditën të përfitonin kombtarisht, duke e avansuar statusin politiko- juridik të Kosovës i cili u sanksionua në kushtetutën e vitit 1974. Me këtë kushtetutë Kosova fitoi disa ingerenca gati shtetërore, themi gati sepse u gjet një solucion konsenzusi midis shqiptarëve dhe serbëve; Kosova ishte njësi autonome dhe pjesë konstituive e Federatës në kuader të Serbisë. Me këtë “zgjidhje” origjinale nga aspekti politiko-juridik u krijua një entitet (krijesë) i ri hermafroditë, në të drejtën e kombeve për vetëqeverisje.
Procese gjyqësore kundër intelegjencës sonë atdhetare!
III. Kosova pas 1974-së
Kosova që nga 1970 e sidomos pas 1974 Kosova përjetoi një përparim të dukshëm duke e krahasuar me vetvetën, si në aspektin ekonomik, politik, kultror, arsimor dhe të emancipimit kombëtarë. Meritorë për këtë përparim pa dyshim se është klasa politike e atëhershme së bashku me inteligjencën e cila po formësohej ngadalë. Ky përparim u përcoll me propagandë të madhe shtetërore si në opinionin e jashtëm e sidomos në atë të mbrendshëm, për prospertetin e pandalshëm, për zgjidhjen më të mirë të çështjes kombëtare, për barazinë e Kosovës me republikat tjera edhe pse kishte status të dyfisht: si pjesë e Serbisë dhe element konstituiv i Federatës. ”Me ndryshimet kushtetuese sidomos të vitit 1974 dhe me vendimet e LKJ u arrit barazia e plotë dhe e gjithëanshme juridike – politike e kombeve dhe e kombësive të Jugosllavisë dhe tretmani i barabartë i kombësive me kombet e Jugosllavisë”. /Dr. Hajredin Hoxha – Dr. Syrja Popovci “Barazia e pakicave kombëtare”, f.7, Rilindja-1984, Prishtinë/ ”Në këtë kuadër edhe kombësia shqiptare në Jugosllavi e realizoi barazinë e vet juridike politike dhe kulturore në aso shkalle që përnjëmend nuk është e njohur askund në botën bashkëkohëse, kur është fjala për pakicat kombëtare” /Po aty, f.8/. ”Megjithëse krahinat nuk janë identike me republikat si shtete…” /Po aty, f.9/. ”Krahinat janë njëkohsisht edhe subjekte të barabarta të Federatës dhe në kuadrin e RS të Serbisë…” /Po aty, f.9/.
Kjo propagandë e fuqishme, kontradiktore dhe e panderprerë në një moment arriti efektin e tejngopjes tek ata që u ishte drejtuar. Realiteti po ndryshonte çdo ditë, dhe një propagandë e tillë ishte në kundërthanje të plot me shkallën e ngritjes politike, arsimore dhe kombëtare të popullatës shqiptare të Kosovës e në veqanti të rinisë studentore. Kushtetuta e 74 i kishte sanksionnuar gjërat vetëm si të momentit në mënyrë statike për kohën dhe hapsirën. Ajo nuk kishte llogaritur dinamikën e zhvillimit të një populli të ndrydhur. Përkundër meritave që pati klasa politike në një etapë të caktuar kohore në udhëheqjen e autonomisë së vitit 74 ajo pati edhe dobësi shumë të mëdha. Duke u mbështetur në vetëkënaqësi për ato që kishte arritur apo më drejt ishte vetëmjaftuar në punën e saj, duke u marrë me probleme të çastit e jo të perspektivës. Klasa politike shfrytëzoi minimumin e asaj që ofronte kushtetuta e vitit 74, fatkeqësisht ajo nuk mundi të shfrytëzoj as në mënyrë optimale ingerencat e sajë.
Në fakt kjo klasë ka pasë për obligim kombëtarë dhe politik ta shfrytëzoj në maksimum këtë kushtetutë pa lënë vakum. Shqiptarët ishin popullatë në zhvillim dhe me këtë duhej bind në mënyrë të natyrshme vet udhëheqja, populli, Serbia dhe Federata, se korniza e të drejtave që u ishte caktuar më 1974 për shkak të rritës ishte e ngusht dhe po pengonte çdo ditë e më tepër, si pasojë e kësaj gjendje shqiptarët si etnitet të ferkoheshim (ballafaqoheshim) me Federatën për hapsirë më të gjerë lirie dhe zhvillimi. Si pasojë e kësaj kalimi nga një autonomi e shterruar maksimalisht në Republikë do të ishte proces i natyrshëm dhe shumë më i lehtë dhe më pa dhimbje. Edhe pse kushtetuta e vitit 1974 siguroi një varg të drejtash më të mëdha se më parë, ajo përseri nuk ishte zgjidhje sepse nuk e barazonte Kosovën me republikat tjera. Prandaj populli shqiptarë mbeti i zhgenjyer dhe i pa knaqur me zgjidhjet e ofruara gjysmake. Si pasojë e kësaj pakënaqësie pati organizime të grupeve ilegale që më programet e tyre parashikonin avancimin e zgjidhjes të çështjes kombëtare. Një kësi grupi u arrestua me 1975 më në krye Adem Demaçin, i cili arrestohej dhe denohej për të tretën herë. Për të njëjtën veprimtari më 1979 dhe 1980 pati përseri arrestime të disa grupeve dhe të individëve të ndryshëm.
IV. Si u themeluan grupet ilegale
Propaganda zyrtare e Kosovës dhe ajo jugosllave e kishte marrë për sipër që të plasonte si të vërtet pohimin se gjoja çështja kombëtare në Jugosllavi ishte zgjidhur më së miri në botë. Në këtë kuadër edhe pozita kushtetuese e Kosovës ishte zgjidhur në mënyrë më të drejtë; sepse Kosova ishte e “barabartë” me republikat tjera. Një konstatim të tillë e hudhte poshtë vetë realiteti, kjo na bënte që shpesh të dyshojmë edhe tek profesorët dhe ligjëruesit e këtyre pohimeve se a janë kah e dëgjojnë vetën se çfarë konstatime po na servirin, si po munden që në mënyrë jo logjike i barazonin ato që nuk mund të barazoheshin në mes tyre. Këto arësyetime përveq që na iritonin, na frustronin dhe na shtynin për të arësyetuar ndryshe, me logjikën e gjërave dhe jo me alkimi. Për nga natyra rinia studentore ishte jo konformiste, ajo nuk mund të pranonte një “arsyetim” të tillë, sepse e pengonte vetë ngritja intelektuale dhe literature e trajtuar për çështjen nacionale. Ndikim të madhë për riaktualizimin e çështjes kombëtare dhe krijimin e një atmosfere patriotike, sidomos pas vitit 1978 pati edhe manifestimi i 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë dhe në Shqipëri.
Faktorët që ndikuan në formimin e kësaj klime janë të shumtë dhe kompleks që nuk mund ti numrojmë të gjithë këtu. Njerëz të paknaqur me gjendjen ekzistuese dhe me formim të lartë kombëtarë i hynë organizimit të grupeve të ngushta dhe të mbyllura. Në fillim trajtohej problemi i çështjes kombëtare, këmbimi i literaturës dhe mendimeve të cilat me kalimin e kohës merrnin formën e grupit të organizuar ilegal. Kjo nuk është ndonjë meritë e veqant e iniciatorve (themeluesve) të organizimit të grupeve ilegale, sepse po të mos e organizonte iks iniciatori në atë moment, sigurisht do ta organizonte një tjetër ndoshta me shumë pak vonesë. Në qendrat e mëdha të vendbanimeve ishin organizuar paralelisht nga 3-4 grupe pa e ditur për ekzistencën e njëri tjetrit. Ky fenomen na qon në konkluzionin se ishte krijuar një klimë e volitshme patriotike, logjika e veprimit dhe rrethanat objektive të qonin në të vetmen alternativë të athershme; në organizimin ilegal. Në fund mund të konstatojmë se grupet ishin produkt i rrethanave objektive të krijuara në momentin e caktuar si rezultat i ngritjes dhe zhvillimit të vetëdijes kombëtare. Këto grupe në tentim për të regrutuar bashkëmendimtarë binin në kontakt me njëri tjetrin dhe formonin grupe më të mëdha, kurse në rastet më të suksesshme edhe organizata me një shtrirje më të madhe.
Grupet ilegale i kushtonin rëndësi të madhe hartimit të programeve dhe statuteve të organizimit. Zakonisht gjykimet për një organizim politik mund të jipen më së miri nga analiza e programit, sepse aty janë të shprehura në mënyrë të sakt qëllimet, platforma, mënyra dhe mjetet për realizimin e objektivave programore. Programet kanë ndryshuar shumë në mes grupeve të ndryshme, mvarësisht nga rrethanat si është organizuar grupi, grupmosha e të organizuarve dhe niveli i përgaditjes intelektuale. Lirisht mund të konstatojmë se në vija të përgjithshme kanë qenë të përafërta si: realizimi i statusit të Kosovës nga Autonomi në Republikë dhe ate si fazë e parë e më pastaj bashkimi me shtetin amë Shqipërinë. Mënyra e realizimit ishte graduale nga format më të ulta të rezistencës (si në fushën legale dhe ilegale dhe çdo herë kërkohej kombinimi i të dyjave) deri të format më të larta siq është rezistenca e armatosur dhe kryengritja.
Platforma ideologjike ishte madhërimi nacional si ideologji kombëtare i kombinuar me ideologjin e marksizëm- leninizmit që imponohej (reflektohej) nga shteti amë. “Vlen për të theksuar se emërtimi i grupeve ilegale që i krijuan në atëkohë u ndikua nga sistemi politik që sundonte në RPSSH. Por në përgjithësi elementet që bënin pjesë në to nuk aspironin për fitoren e komuizmit e të stalinizmit por për të drejtat kombëtare të popullit shqiprar”. /Lefter Nasi – Aspekte të shtypjes kombëtare e politike të shqiptarëve në Kosovë 1981-1986, f.54.Tiranë 1995/.Shqipëria në Kosovë ishte fetishizuar sidomos nga brezi i ri. Nga ky interpretim në Kosovë Platforma politke kombëtare mori formë të nacional – romantizmit, kurse platforma ideologjike u formësua si romantizëm revolucionarë. Pavarsisht nga mundësit e ndryshme për interpretim spekulativ në kontekst të kohës, këto orientime si perfundim kontribonin në ngritjen e vetëdijes kombëtare, mundësuan një rilindje kombëtare në kushtet moderne, aq shumë e domosdoshme për të vënë në levizje një popull të pushtuar për çlirim kombëtarë.
Grupet ishin shumë militante dhe depertuese në veprintarinë e tyre e cila përseri ndahej në faza; faza e parë ishte propaganda e ideve kombëtare në popull në të gjitha mjediset dhe me të gjitha format e mundshme. Kjo veprimtari dhe pjesa e veprimtarisë legale që e theksuam më lartë krijuan atë disponim kombëtarë, niveli i të cilit rritej në mënyrë horizontale si mbushja e një bazeni me ujë. Që situata të fitojë rëndësin dhe dramacitetin e saj sherbyen edhe arresimet e disa grupeve ilegale në fund të 1979 dhe gjat vitit 1980. ”Gjat vitit 1979 dhe 1980 u zbuluan dhe u denuan tetë grupe nacionaliste – irridentiste. U identifikuan 680 persona qe vepronin nga pozitat armiqësore ….” /Sinan Hasani, Kosova të vertetat e mashtrimet, f.185, Rilindja – Prishtinë 1986/. Te grupet ilegale ishte krijuar bindja; se të gjithëve do të na zbulojnë dhe arrestojnë ende pa vepruar asgjë të rëndësishme, por vetëm për shkrim parollash, pamfletësh dhe nxjerrje të gazetave ilegale. Kjo logjikë duhet ti ketë shtyer grupet që të mobilizohen në veprimtarinë e tyre organizative për të bërë diçka të madhe dhe shperthyese. Kuptohet kjo do të ishte organizimi i demostrateve të fuqishme për tu treguar paknaqësia haptas dhe në mënyrë masive. Ky veprim kalkulohej nga grupet ilegale qe më 1979, bile kalkulohej edhe data, kuptohet në kuadër të vazhdimësisë së traditës muaji më i pëlqyer ishte Nëntori dhe data 28-të.
Ata që e njofin politikën qoftë nga përvoja e gjatë e marrjes me te ose nga literatura politike e dijnë se bartësve të levizjes politike kurrë nuk u dalin të gjitha parallogaritë që i kanë vënë në letër, por të gjithve u del pak nga e tëra. Për analizën tonë është i rëndësishëm konstatimi se: situata ishte e elektrizuar shumë politikisht (dhe jo aq e dukshme për të gjithë) si një dhomë në të cilën është bërë zbrazja e bombulës së gazit ku duhet vetëm një shkëndijë e vogël për të marrë zjarrë çdo gjë. Për ne më rendësi është si u krijua ky ky elektrizim që e spjeguam më lartë dhe jo nga kush, në cilin moment dhe si mori flakë? Kjo flakë u ndezë me 11mars 1981, e cila nuk do të shuhet deri në ditët e sotme dhe do të kujtohet si Pranvera e madhe e vitit 1981. Në analizën tonë nuk do të ndalemi në përshkrimin e zhvillimit të demostratave nëpër qytetet e Kosovës, as të flasim për heroizmin e paparë të rinisë kosovare, për të vrarët dhe të plagosurit, për represionin e makinerisë shtypëse shtetërore serbo-jugosllave, për arrestimet, denimet, diferencimet, sharjet dhe mallkimet ndaj bartësve të këtyre demostratave. Me shkrimet dhe deklaratat e tyre ngjarjeve të vitit 1981 do tu kthehen shumë vite më vonë poltikanë të regjimit si dhe pjesmarrësit e tyre me evokime të lavdishme, me një fjalë do të jenë në qendër të analizave politike si ngjarje dhe si vit i ndryshimeve (përthyerjeve) të mëdha të historisë shqiptare.
V. A ishin të parakohshme demonstratat e vitit 1981
Për të dhënë përgjigjje në një pyetje të tillë nga perspektiva kohore është më e lehtë, por edhe më e lehtë është mundësia e trajtimit spekulativë me argumenta hipotetik duke e ditur zhvillimin e më vonshëm të ngjarjeve. Thelbin e argumentimit kryesor e mbështesim në vijimsinë e veprimtarisë patriotike me dekada të tëra pa ndërprerje gjerë në momentin e shperthimit të demostratave. Është një mbarësim historik shkak-pasojë i cili gjeti kushte të volitshme nga vet zhvillimi objektiv i rrethanave dhe veprimtarisë subjektive (veprimtaria e organizuar) që e përcaktoi pranverën e 1981-shit si fillim të fillimit. Embrioni dhe nëna nuk mund të caktojnë ditën e lindjes ato vetëm mund ta ndiejnë ate. Nese mbështesim idenë p.sh. se demonstratat e 81 ishin të parakohshme dhe metodën e arsyetimit e kemi shkak- pasojë ( dhe kjo është më e drejta) atëherë na duhet pa tjetër të bëjmë zhvendosje kohore të ngjarjeve historike gjerë më 1912 apo ndoshta edhe deri më 1878. Kështuqë ngjarjet historike nuk mund të jenë as të hershme e as të vonshme, sepse ato kanë rrjedhën normale në kuadër të epokës, por pasojat e tyre mund të jenë të kënaqshme ose të padeshirueshme, apo edhe të dëmshme mvarësisht nga faktori njeri i organizuar.
Të merresh me trajtimin politik të ngjarjeve të Pranverës së madhe të 1981 dhe të mos i referohesh prof. Mr. Ukshin Hotit është e pamundur dhe joseriozitet shkencor. Ai ishte pjesmarrës në ato ngjarje, i përkrahu ato publikisht si përfaqsues i inteligjencës së lartë të Kosovës dhe u denua për këto qendrime. I specializuar në politikë dhe me të gjitha avantazhet që ka si politolog i shquar në punimin e tij “Viti 1981 dhe proceset demokratike” këtyre ngjarjeve dhe bartësve të tyre u bënë deri më sot analizën më të thellë shkencore. Duke dhënë përgjigjje në tezën e lartëpërmendur ai konstaton: “Kritikë të tjerë, subjekte të tjera të ndrydhura e të pandrydhura, natyrisht do të pyesin me të drejtë: përse pikrishtviti 1981? Përse jo ndonjë vit tjetër, p.sh. viti 1968, apo ndonjë vit i mëhershëm, të mos ishte nyja pa zberthimin e së cilës nuk do të ecej përpara? Dhe përgjegjja mund të duket arrogante, por në esencë e saktë: sepse vitet tjera nuk e ndryshuan historinë. Të gjitha vitet i ndihmuan zhvillimit të historisë. Do të thoshim se vitet tjera i ndihmuan akumulimit të proceseve, rritjes së kuantitetit, por kërcimin kualitativ, vetë shndërrimin e kuantitetit në kualitet e bëri vetëm viti 1981. Jo se ishte vit mrekullibërës ( kishte diç edhe nga kjo), por sepse atë vit ishin pjekur të gjitha kushtet, ishin akumuluar të gjitha proceset, ishin arritur të gjitha nivelet për shëndrrimin e kuantitetit në kualitet, dhe rastësisht ndrydhi subjektet që nuk deshën të pajtohen me ndrydhjen. Po të ishin pajtuar me ndrydhjen, viti 1981 do të kalonte njësoj si vitet tjera.” / Mr. Ukshin Hoti, Filozofia politike e çështjes shqiptare, f.75 Tiranë, 1995/. Më poshtë profesori duke folur për ngjarjet e viti 1981 konstatoi se “…legjitimitetin e tyre e përcakton qellimi final që synon tendenca historike e zhvillimit të proceseve” /Po aty f.76/.
Kurse në një intervistë në “Zërin e Rinisë” 6.04.1991 në pyetjen: se mos jemi ngutur në vitin 1981, ai përgjigjet: ”Ka mendime të tilla, por unë nuk kam atë mendim. Levizja e vitit 1981 në Kosovë ishte levizje spontane e popullsisë për realizimin e një kërkese imanente të saj, kurse a ia ka futur dikush fitilin ose jo, kjo është shumë pak e rëndësishme. Të gjitha kushtet dhe rrethanat tashmë ishin pjekur që Kosova të bëhej republikë, dhe një gjë të tillë e hetoi masa shqiptare në Jugosllavi. Nuk mund të themi se qe herët apo vonë përshkak se historia nuk lejon që dikush të komandojë me te”. /Po aty f.201/. Këtij konstatimi nuk kemi çfarë ti shtojmë dhe as që lejon ndonjë interpretim tjetër. Këtë mendim e përforcon edhe mendimi i njërit nga organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtyre demostratave Mehmet Hajrizi ku për të njëtën pyetje shton se:”Demostratat e vitit 1981 ishin të rastësishme aq sa janë të rastësishme idealet për liri”. /Rilindja, 12.03.1996, Tiranë/. Ky konstatim mund të përshtatet edhe për çështjen konkrete se; ngjarjet e 81 ishin të parakohshme aq sa janë të parakohshme idealet për liri.
( VIJON… )
**************************************
LEXONI PJESËN E DYTË:
IBRAHIM SHALA: HISTORIA E PRANVERËS SË MADHE TË VITIT 1981 (II)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=2528