PROF.DR. LUFTULLA PEZA: LUFTA E PARË NË PEZË – MARS 1941 (NGA KUJTIMET E NJË PJESËMARRËSI)

Tiranë, 12. 03. 2014 – (73 vjet më parë ) – Çeta Atdhetare e Pezës u formua më 5 qershor 1940 si njësiti i parë antifashist luftarak në Europë dhe menjëherë filloi veprimet kundra pushtuesve fashistë italianë, shumë kohë përpara themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare. Kjo çetë me veprimtarinë e saj qe fillimi i Luftës Antifashiste i Popullit Shqiptar, duke e shndërruar atë në aleat të fuqishëm të kualicionit antifashist anglo-amerikan dhe sovjetik. Më 16 mars 2014 mbushen 73 vjet nga lufta e parë në Pezë, ku fashistët patën humbje të madhe, që tronditi pushtetin e tyre. Kjo luftë qe shkëndija dhe shpresa për liri e të gjithë shqiptarëve.
Pushtimi fashist më 7 prill 1939 e shndërroi Shqipërinë në një koloni italiane dhe aleate e bllokut fashit në Luftën e Dytë Botërore. Qeveria shqiptare u shndërrua në kukull dhe shërbëtore e fashizmit italian. Prandaj toka shqiptare shërbeu si truall për të sulmuar Greqinë (1940).
Në Shqipërinë e okupuar atdhetarë të ndryshëm nuk e pranonin gjendjen dhe filluan të organizohen në emër të Atdheut. Në mesin e tyre spikat Myslim Peza (1897-1984), i cili menjëherë pas kthimit nga arratija më 1939, filloi të mbledhë rreth vetes atdhetarë dhe kundërshtarë të fashizmit, me të cilët më 5 qershor 1940 themeloi të famshmen Çetën Antifashiste të Pezës, e para njësi e armatosur antifashiste në Europë.

– Myslim Peza –

 Fashistët dhe qeveritarët tradhtar të Tiranës u munduan shumë, që këtë luftëtar të madh dhe shokët e tij ti bënte bashkëpunëtor, por më kot. Më 13 mars 1941 forcat e Çetës së Pezës sulmuan një autokolonë italiane, duke i sjellë dëmtime të mëdha si dhe prenë lidhjen telefonike me Romën. Italianët u bindën se Myslim Peza dhe Çeta e Pezës përbënin për ta rrezik të madh, vendosën që ti asgjësonin me një goditje të fuqishme dhe sekrete. Prandaj ata e sulmuan Pezëm mëngjesin e 16 marsit 1941 me forca të shumta, për ta asgjësuar dhe për të mbytur qëndresën shqiptare që në embrion. Babë Myslimi e kishte marrë njoftimin nga miku i tij Adem Xhepa se fashistët do ti bien Pezës, prandaj i shpërndau forcat e çetës në disa grupe, që u vendosën në lagjet përreth qendrës së Pezës, Pajonë, Bec, Çelmetje dhe pjesa më e madhe mbeti në qendër të Pezës.
Më 16 mars 1941 mbi 700 trupa të zgjedhura fashiste të armatosura rëndë dhe të stërvitura mjaft mirë, e sulmuan Pezës që pa gdhirë nga Tirana. Armiku erdhi me shpresën, që ti rrethonte forcat e Pezës, dhe ti asgjësonte lehtë, por kjo nuk u doli.
Rojet, në breg të lumit, pranë shtëpive të pezajve, i vunë re lëvizjet e armikut që me natë dhe njoftuan Babë Myslimin. Të gjithë luftëtarët u ngritën dhe u mblodhën rreth tij. Ai i përshendeti të gjithë me fjalët:
– “Djema ! Italianët duan të na rrethojnë, prandaj duhet të zemë shpejt Kodrën e Postës. Prej
andej i kemi italianët në pëllëmbë të dorës. Hasan1) merr Lezin dhe Rrem Zgurën dhe sa më shpejt zini Kodrën e Postës. Hajde pra, na qoftë për hajër. Rroftë Shqipëria” !
Duke u ngjitur për në Kodrën e Postës, që ndodhet 200-300 m. mbi shtëpitë e pezajve, grupi i Hasanit u ndesh me fashistët e parë, që po shkonin ta zinin atë. Në errësirën e natës krismat e pushkëve të tyre shënuan fillimin e betejës. Fashistët, pasi lanë dy të vrarë, duke bërtitur u a mbathën këmbëve.
Babë Myslimit me shokët e tij më pas zunë pozicionet në Kodrën e Postës dhe i kishin fashistët poshtë në breg të lumit, prandaj kishin filluar ti qëronin me radhë. Në të gdhirë lufta u ndez e ashpër.

Myslim Peza me luftëtarët e tij, viti 1942.

Forcat armike shumë herë më të mëdha në numër, kishin zënë pozicion në pyllin e Rrëkonjës mbi
Pellgun e Bekës dhe mundoheshin ta rrethonin çetën (Fig. 2). Por tri njësi të çetës, të komanduara nga xha Kasemi dhe Kajo Karafili dhe çelmetasit, ishin jashtë rrethimit dhe e godisnin armikun mbas shpine. Ata ruanin shtegun e hapur për kalimin e çetës.

Skema e Luftës së 16 marsit 1941 në Pezë. 1-Shtëpia e Abdurrahim dhe Hasan Pezës, 2-Shtëpia e Shyqyri dhe Myslim Pezës, 3-Teqja e Baba Hasanit, 4-Shtëpia e Ahmet Hoxhollit, 5-Shtëpia e Behexhet Hoxhollit, 6-Posta milicore e Pezës, 7-Vendosja e forcave kryesore të Çetës së Pezës, 8-Vendosja e forcave kryesore fashiste, 9-Njësiti i Kajan Karafilit, 10-Forcat vullnetare të Çelmetjeve, 11-Njësiti i xha Kasemit, vendi ku ra xha Kasemi, 12-shtëpia e Metë Kodrës, 13-Vendi ku luftoi dhe ra dëshmori Hasan Peza, 14-Vendi ku u plagos Skënder Peza, 15-Rruga e ndjekur nga gratë dhe fëmijët për të çarë rrethimin, 16-Pozicioni i luftimit të H. Pezës, 17-Vendi i vrasje së Sadi Sinanit, 18-Vendi ku ra Vath Korriku, 19-Vendi ku ra Xhafer Durishti.(viz. L.H.Peza)

Problem i madh ishte kalimi i grave dhe i fëmijëve, që ende ishin në shtëpitë. Për ato rrugë tjetër nuk kishte, përveç se të kalonin nëpër sharrën e Pellgut të Bekës, ndërmjet dy grupimeve ndërluftuese (fig. 2).
Të gjitha anët e tjera ishin të zënë nga fashistët ose kontrolloheshin prej tyre. Shtëpitë po digjeshin. Gratë morën fëmijët dhe ç’mundën nga shtëpitë dhe u nisën. Kishte rënë shi dhe ishte lagështirë dhe baltë e madhe. Nga kalldrëmi pranë shtëpive zbritëm në lumë dhe prej aty morën drejt jugut. Edhe lumi i Pezës kishte më shumë ujë atë ditë, që e vështirësonte mjaft kalimin tonë. Megjithatë vau duhej kaluar. Ishin mjaft fëmijë, tre prej tyre disa muajsh dhe më i madhi afërsisht nëntë vjeç. Unë isha 6 vjeç dhe nëna nuk më lëshonte nga dora. Me vështirësi kaluam lumin, të kapur dorë më dorë, por u bëmë qullë dhe na hyri ftohti në palcë. Tek sharra e Pellgut të Bekës ishin shtrirë tre italianë të vrarë. Kur grupi i grave dhe fëmijëve ndodhej në sharrën e pellgut të Bekës, italianët filluan të shtinin mbi to. Në të gjitha anët kishte tym baroti, shi i madh dhe dëgjoheshin krisma armësh dhe kjo na ndihmoi të shpejtonin hapin dhe të fshiheshim prapa një guri të madh, që ishte në të dalë të sharrës. Plumbat fishkëllenin mbi kokat e tona si pikat e shiut dhe fëmijët e vegjël nuk pranin së qari. Tre më të vegjlit do të vdisnin pas disa ditësh në pyjet e Pezës nga ftohti dhe uria. Hasani kishte zënë vend mbas një shkëmbi nën majën e Kodrës së Postës dhe shtinte pa ndërprerje. Ishte rreth pesëdhjetë metra mbi gurin e madh, u ngrit në këmbë dhe thirri: “Lufta nuk bëhet ndaj fëmijëve dhe grave, por ndaj burrave”! Aty mbi shkëmb e pashë për herë të fundit babanë tim të ngritur në këmbë me pushkën lart mbi krye dhe dëgjova zërin e tij kumbues, që ende më tingëllon në vesh.
Lufta ishte e ashpër dhe secila nga palët ndërluftuese mundohej të merrte parësinë. Tanët, rreth 70 burra dhe gra, trima të rrallë dhe të vendosur gjer në vdekje, kishin armatim të lehtë, por trimëri të rallë dhe vullnet të hekurt për fitore. Përballë tyre, armiku, prej më se 700 burrash të veshur dhe stërvitur mirë, përdorte mitraloza të rëndë dhe murtaja, por të gjithë të frikësuar ruanin kokat. Në ndihmë kishin edhe tre avionë, që i binin kryq e tërthor Luginës së Pezës dhe shpesh gjuanin mbi pozicionet e luftëtarëve tanë.
Kur fashistët ndërprenë zjarrin, grupi i grave dhe i fëmijëve mori drejtimin për tek shtëpia e Ahmet Kodrës, në anë të fshatit. Duke pirë kafen e qerasur nga i zoti i shtëpisë, mamaja ndjeu një dhimbje therëse në gjoks, menjëherë çoi dorën aty dhe thirri:
“Ah ! Mu vra Hasani “! Të gjithë u habitën dhe u munduan ta qetësojnë, por më kot. Ajo
me lot në sy thirri edhe një herë:
“Po, e ndjeva këtu në shpirt”. Më tërhoqi fort pas vetes dhe ndjeva lotët e saj të ngrohtë të më
rrëshqasin në faqe. Sytë mu mbushën me lot. Ajo në të vërtetë nuk e dinte ç’kishte ndodhur dhe se burrin e saj e kishte parë për herë të fundit aty mbi shkëmb me pushkë në dorë. Ndodhitë e njërit shpesh lidhen me ndjenjat e tjetrit në largësi !.
Pas dite vonë filloi tërheqja e çetarëve dhe të gjithë luftëtarët u drejtuan për në Pojan, për tu larguar sa më larg fashistëve, që po përhapeshin si korbat e zi nëpër fshatrat e Pezës, duke vrarë njerëz të pafajshëm, plaçkitur dhe djegur shtëpitë.
Babë Myslimi mblodhi shokët e tij në një breg dhe ju foli shkurtimisht:
“Vëllezër, ju përgëzoj, luftuat si trimat e rrallë dhe fashistëve u thyem hundët. Nisëm luftën tonë çlirimtare, që do ta çojmë deri në fund, me çlirimin e plotë të vendit. Në këtë betejë të madhe, duke luftuar si luanë, ranë edhe pesë shokët tanë të parë: Hasan Peza, Muharrem Haka, Sadi Sinani, Vath Korriku dhe Xhafer Durishti. Lavdi dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i tyre ! Por dhe mjaft fashistë lanë kokën këtu në Pezë dhe do të lenë të tjera”.
Disa ditë kemi ndenjtë nën një dullenjë të madhe, pranë shtëpisë së Mustafa Shabhasës, në Pojan. Ishim të rraskapitur dhe të uritur. Fashistët të tërbuar Mustën e arrestojnë bashkë me të birin Shabanin dhe pre tyre donin të dinin ku është fshehur Myslim Peza dhe luftëtarët e tij. Kur të birin e vunë para pushkatimit, Musta i thirri:
“Mbaje kokën lart bir ! Mos u përkul përpara këtyre qenve, sepse neve po derdhim gjakun për lirinë e Atdheut”. Nuk e trembën as torturat çnjerëzore dhe as pushkatimi, por neve nuk na dorëzoi tek armiku. Më pas e pushkatuan bashkë me të birin, por nuk i gjunjëzuan dot.
Më pas gratë dhe fëmijët u shpërndanë nëpër bazat dhe mua me nënën time më çuan në Harizje tek gjyshi im.
Atë ditë të luftës në Pezë mbetën të vrarë 84 fashistë. Njeri nga oficerët fashistë, nënkolonel Karlo Gorie, shkruante ndër të tjera në raportin e tij për komandën e vet: “Një grup të arratisurish zbriti nga kreshta e Çelmetajve dhe duke ju përgjigjur thirrjes së të shtënave të pushkëve si dhe të britmave të kryetarëve të tyre, që ndodheshin në Pezë, u futën si pykë pa u parë mes njerëzve të togerit Konduro…U gjendëm të rrethuar, sepse luftëtarët e Myslim Pezës, ca rebelë të vërtetë, që nuk mund tu hamë hakun si luftëtarë, na kishin zënë të gjitha pusitë, kodrat dhe shtigjet. Prapa ç’do guri ishte një pushkë me grykë të drejtuar nga ne. Ky vend na ka mallkuar dhe po na han të gjallë” (AQSh, fondi 258, viti 1941,dosja 143)

Luftëtarët e parë të Çetës Antifashiste të Pezës (1939) dhe disa nga heronjtë e Pezës (*Dëshmorë të Kombit).

Pëllëmbë dhe gjak dhe kudo heroizma, kjo është historia e Pezës. Prandaj Peza u kthye në legjendë dhe e tillë mbetet edhe sot në zemrat e shqiptarëve. Ajo u bë frymëzim për poetë, shkrimtarë, historianë, shkencëtar, artistë, rapsodë dhe miliona njerëz të thjeshtë në jetën e përditshme. Po jap vetëm ca copëza prej këtij thesari të madh popullor.
Rapsodi Qerim Capi në librin e tij të bukur rapsodik “Heronjtë e Pezës” (1998) shkruan:
Pas betejës pyet Myslimi,
Komandant e kryetrimi:
Gjatë luftimeve kush na mbeti ?,
Hasan Peza vetë i pesti,
Që dhanë jetën për liri,
Për Atdhe, demokraci.
Ra Hasani në ballë të parë,
Që luftoi si legjendarë,
Ra Rrem Haka nga Maskuria
Duke thirrur “Rroftë liria”.
Ra dhe Sadi Sinani
Zemër trimi si luani.
Vath Korriku, Xhaferr Durishti
Ranë si trima te rrapishti.

* * *
Ndërsa poeti pezak Shefqet Karaja në romanin e tij të famshëm poetik-historik “Një ditë lufte në Pezë” (2003) e përshkruan me mjeshtëri të rallë dhe dashuri të thellë heroizmin pezak:
Çdo i vrarë i paqarë,
Që në luftë ndodh gjithmonë,
Bab’ Myslimin e theron.
Si për nipin trim Hasanin,
Si vëlla e kish viganin
Dhe në luftë bashkë ngjanin
Si pantera me luanin.
Kur po jepte shpirt martiri,
Amanet e la fakiri
Me besim dhe një pikë loti:
Pres një djalë. Po ma dha zoti !
Luftó emrin ia dua,
Ta vazhdoj’ atë për mua
Pesëdhjetë a njëqind vjet
Sa të vijë në pushtet
Vegjëlia fshat-qytet.

Poetin Aleks Çaçi në poemën e tij mbi Pezën, mjaft lart e ngrenë fuqinë e saj të pathyeshme:
Fryn murrlani mbi malësi, por s’i tund,
Çfryn armiku me furi, por s’i mund,
Shkrin si kripa çdo fuqi që ai ka,
Sepse Peza është bërë një kala !

Poeti tjetër pezak Muhamed Kalaja i kushton Pezës mjaft poezi të bukura dhe të ngrohta:
Peza, fjalë pellazgjike.
Simbol i burrërisë, simbol i qëndresës.
Kujtesa historike e popullit tim,
S’të ndërroj me asgjë.

Libër të bukur për Pezën ka botuar shkrimtari pezak Xheladin Çelmeta “Në zemër të Pezës” dhe veteranët I. Shehi, S. Verdha, N. Ymeri etj. japin kujtime rrëqethëse nga heroizmi pezak
Lufta e 16 marsi 1941 në Pezë është ngjarje mjaft e madhe në historinë e popullit shqiptar. Pikërisht me këtë luftë shënohet kthesa e madhe në historinë e popullit shqiptar, ku shqiptarët kthehen në faktor real antifashist: së pari shënohet fillimi i organizuar i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANÇ) e popullit shqiptar kundra pushtuesve italianë dhe e dyta me këtë luftë kryhet shkëputja e vendit nga aleanca me fashizmin dhe radhitja e tij, si njëri nga shtetet e para në Europë, në koalicionin antifashist gjatë Luftës së II botërore. Kështu Peza e udhëhequr me luftëtarë nga e gjithë Shqipëria, filloi e para luftën e organizuar kundra fashizmit, e radhiti vendin në Bllokun Antifashist dhe u bë shpresa e vetme e lirisë për të gjithë shqiptarët.
Këto ndryshime të mëdha historike, nuk erdhën vetiu, as nga jashtë, por me vullnetin e hekurt të një grushti trimash dhe atdhetarësh të shquar, që me Atdheun dhe popullin e vet në zemër, trimëri të rrallë, sakrifica të panumërta dhe masa të shumta organizuese, themeluan të parën njësi luftarake antifashiste në Europë- Çetën Antifashiste të Pezës dhe të parët filluan goditjet luftarake mbi fashizmin gjakatar. Kjo është meritë e madhe e krahinës së Pezës, që ngriti dhe e mbajttë gjallë Çetën e Pezës me sakrifica dhe gjak të madh dhe e Çetës së saj Atifashiste dhe e komandantit të saj Myslim Peza.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura