REXHEP KASUMAJ: PARAGJYKIMI I ÇELEKULLAVE (REFUZIM I NJË AMZE TË VJETËR RACIZMI)

Berlin, 02. 04. 2014 – 1. Në një shkrim të posaçëm dedikues për aneksimin e Krimesë (lexuar tek “Tema”), intelektuali i shquar frëng Bernard-Henry Levy, përjashton simetrizmin justifikues rus me intervenimin ushtarak e moral të aleatëve euroatllantikë në Kosovë. Ndërsa në Siujdhesën e Detit të zi, shpjegon ai, nuk kishte segregim e represalje të ligjëruar sistematike, në Kosovë, ndërkaq, përtej tyre akoma, pati program gjenocidi mbi shqiptarë, faji i vetëm i të cilëve ishte pse kishin lindur myslimanë.
Athua të ketë qenë, njëmend, ky qëllimi e pasioni i ekspanzivitetit serb, doktrinë e kahershme të cilën, në motin e ri, do ta konfirmojnë “Memorandumi” i Akademisë dhe “Franca 7” e selisë së Shkrimtarëve të urrejtjes? Teza thuase rehabiliton diskretisht Millosheviqin, gjakësin që udhëhoqi plojën e ideuar, si Kryqzatarin e flijuar në ledhet e Europës! Veçanësia religjioze, sigurisht, do të duhej të mjaftonte për distancë etike, stigmë dhe ndëshkim mbarëbotërorë. Mirëpo, pandehma nuk është e vërtetë. Ajo është hedhur n’anën tjetër, në anën e mohit të së vërtetës, madje, edhe për boshnjakët që kultivojnë këtë veti si përcaktues qenësie identitare.

Intelektuali i shquar frëng Bernard-Henry Levy.

Përse ende ky kundrim i vëngër, i anasjelltë dhe i përmbysur i humanistit të njohur? Si është e mundur të kurthohet si peng i amzës së vjetër të paragjykimeve raciste që ndanë popuj në renditje vlerash të subordinuara tabelare? Dhe e gjitha frymëzuar njëj sindromi të trashëguar, për të parë Ballkanin me optikën imperiale serbe? “Kurrë nuk e mora vesh”, shkruan bashkëkombësi i Levy-t, Kouchner, “se kush dha urdhër për të ndaluar Ushtritë çlirimtare tek ura e lumit Ibër ”! Ai mbase nuk e shpallte, por aluzioni ose supozimi ishte i qartë si drita e diellit. Vendi i tij u shtrëngua më pas nga real-politika e joqejfërisht, të njohë vetejetesën e Kosovës, por për kompensim ngushëllues e shplarje detyrimi ndaj miqëve, do të krijonte artificialisht në katrahurën e “interregnum”-it, enklavën veriore për të shantazhuar funksionalitetin e saj, në pritje të një kohe të dytë.
2.
E ripohojmë me konsederatë përfundimin e tij mbi teknologjinë e planizuar popullvrasëse, por, njëkohësisht, refuzojmë me përbuzje arsyen (athua kishte fare arsye?) e kryerjes së krimit kolektiv serbian. Në fakt, shqiptarët janë kryesisht myslimanë laikë, veçse nuk ishte ky tipar religjioz kryemotivi që lëvizte lokomotivën e parambrehur shfarosëse ndaj tyre. Rezistenca e shqiptarëve ishte fundamentisht nacionale: as civile, për ndërrim regjimi, e as fetare, për “Republikën e Zotit”. Kishte aq shumë shqiptarë të krishterë, më shumë se pjesa e tyre përpjestimore në banorësinë kosovare, që i dhanë asaj viktima, dëshmorë e tribunë të denjë për përmendore të ngritura tejendanë.
Luftëra për jetë vdekje pati kudo midis fiseve sllave në zonën perëndimore të Gadishullin ilirik. U gjakosën serbët dhe me sllovenë e kroatë, të dy të konfesionit katolikë, sikundër që, po ti voliste interesit kombëtar do të hartohej zellshëm, poashtu, një strategji gllabërimi kundër “vëllezërve” ortodoksë, malazezë e maqedonës. Porse, prania militare amerikane në Shkup dhe trëmbja nga betonimi i dasisë së përjetshme në Mal të Zi, bënin një rrethanë specifike frenuese që i shtynte serbët të reflektonin për rreziqet e të mblidhnin veten. Maqedonia gjysmëshqiptare, kjo “Serbi e vjetër” si e quajnë prore nostalgjikët, largohej disi vazhdimisht, ndërkohë që “serbëve të vërtetë” të Cetinjes, besojnë t’ua shformojnë ndjesinë dhe projektin e renesancës së tyre: nga brënda, heshtur e me durim të gjatë!
I kujtojmë, pra, filozofit të respektuar, se njandej nuk është ngjizur bërthama e luftës. Gjithçka kishte levë shkakësore yshtjen tradicionale belgradase për dominancë e territor, për “lebensraum” të shtrirë në dëm të hapsirës, poashtu, jetike të kombeve të tjerë. Serbia, fillimisht, desh të rikthente statusin e bjerrë hegjemon në sajesën shtetërore pastitoiste, të lëkundur ngasjeje për të tkurrë e shtypur autonomitetin e subjektëve të barabartë federalë dhe forcat centrifugale legjitime që i druanin prishjes së baraspeshës së brishtë. Pastaj, kur kjo do të rezultonte e pamundur në udhë politike, ata do ti rrekeshin armëve. Prijësi i tyre idhullor, i cili vite më vonë, do të vdiste në Hagë si kriminel lufte, brohoriste triumfalisht (në Fushë-Kosovë, 1989) se “sendërtimi i aspiratës sonë, po të kje nëvoja, do të kalojë nëpër zjarrin e konflikteve dhe se serbët, nëse nuk dijnë të punojnë, dijnë gjithësesi mirë të përleshen”! Taktikat ishin stërholluar qëmoti dhe prisnin orën e tyre. Ngjashëm me Kremlinin e tashëm që shpallte se nuk pati dorë në rebelimin autentik të rusëve të Krimesë, Belgradi do të shplahej me sintagmën tinzare” Serbia nuk është në luftë”. Ushtri e paramilitarë mbillnin mort e shpërngulje, kallje e rrënime përtej imagjinatës së futuristëve për mbarimin e botës, por kjo gjëmë nuk ishte veçse vetëmbrojtje jetimërore e serbëve të pakrahë lokalë. Pikërisht ky është çelësi i artë zbërthyes, i ditur tashmë dhe nga zogjtë në degë: ose federata sllavo-jugore do të shndërrohej sërish në pronësi serbe me resurse e njerëz që i shërbejnë përulshëm shkëlqimit të zotnisë në Dedinje, ose ajo do të çartet themelësisht dhe, në pluhurin e saj, si një feniks i paqenë kurrë, do të lindte ngreha e re – shteti i madh serbian.
Çarkullonin atëbotë dy postulate të llojit arianist që shenjëzonin karakterin dhe përmasat e rrëzomës së tillë. “Të gjithë serbët në një shtet”, ishte njëra anë e ideologjisë së përfaqësuar nga politika oficiale, kurse tjetra vinte nga komuniteti i fashistizuar akademik që duhej ta përligjte shpirtësisht atë. Autor i zbulesës së fundme, V. Drashkoviqi (i dizajnuar më pas), të cilin shtypi gjerman e cilësonte si folklorik në politikë dhe mediokër në letërsi, përvijonte kështu kufijtë e Rajhut të përtrirë: “ Serbi do të jetë nga varret në perëndim dhe deri tek tempujt në jug”, e kjo dmth nga riviera veriore kroate e deri aty ku ajo do prekte trupin e shtetit të cunguar shqiptar. Etnitë që i banonin territoret e shenjuara kompakte, duhej ti bindeshin sundtarit të ri. Por meqë eksperiencat e hershme nuk premtonin shumë, aherë ata duhej zhbërë fare: të vriteshim e shporreshin përgjithmonë. Operacioni ishte i vështirë. Ishte kohë tjetër, kur syri zhbirues i botës së lirë survejonte gjithçka. Ndërmarrja tragjike kërkonte përpunim të hollë e fshehtësi të plotë. Nëse turqit ndërtonin kulla kafkash njerëzore, për të demonstruar fuqi e tmerr, fantazia makabre serbiane, për ta përfeksionuar aktin e krimit, do të shpikte mjeshtërinë autentike të këmbëfshehjes. “Çelekullat” e llojit otoman, tani nuk ngriheshin drejt qiellit, por poshtë dheut. Piketohej efekti mashtrues e preventiv, sepse, ndryshe nga të nëndheshmet, ku trupi i pafat ngujohej në terr bashkë me gjurmët e dëshmisë që do të akuzonte, “Çelekullat” a varrezat publike janë përherë një promemorje dhe farë idhnake e rebelimit të ardhmë!.. Makineria e mnerit synonte, poashtu, dhimbjen dyfishtë: për atë që ishte jetëprerë vetëm pse kishte lindur në kohë e truall të gabuar dhe për të gjallët, të cilëve iu këputej e drejta e ngushëllimit për të dashurin humbak: me lot, lule e kujtesë pieteti në muranën e amshuar. Dhe ata, njësoj si të mbijetuarit, meqë kjenë nga të gjitha besimet, do ti jenë përfalur të gjitha faltoreve dhe mesazherëve hyjnorë. Ky nuk ishte mëkati tyre. Motivi i nëmur i zhbimjes s’kje feja a keqorientimi qytetnues. Ishte nacioni dhe vendzënja e tyre në tokën e lakmuar – verdikti i vdekjes së parathënë qyshkur në skenarët e zinj.
3.
Po si mund t’jetësohej ëndërrkeqja? Pushtimet, spastrimet dhe dyndjet e përdhunshme biblike, për vetë esencën e panatyrshme të krijesës së fiksuar, ngeleshin mjeti i vetëm i saj. Mirëpo siç e dijmë tashmë, nga dishrimi i padrejtë, ëndrra u dogj. Ishte joreale dhe e jashtëkohshme. Kurse demiurgët e saj, për mungesë korpusi biologjik e fuqie ekonomike, kjenë krejt të pafuqishëm për ti dhënë jetë dhe së mbrami, serbët nuk kishin, e s’patën si të kenë, magjinë tërheqëse të qytetnisë që të joshnin të tjerët me sipërinë e rrezës së tij. Më e kohës e legjitime dhe, prandaj, më e fortë e bardhësore do të ishte kundërëndrra. Ëndrra e armiqëve të ëndrrës serbe: vullneti i tyre titanik për liri!
Kjo panoramë e shkurtër, ndoshta, arrin të dëshmojë se Luftërat në hemisferën ish-jugosllave, aq më pak drama e Kosovës, nuk patën në gjenealogjinë e tyre, si vlerëson ngushtësisht me syrin e keq, humanisti Levy – as nacionalizmin gjuhësor të romantikëve minoritarë dhe as flamurtarizmin e misionuar fetar. Në gjirin e shpirtit kryengritës të popujve joserbë qëndronte, thjeshtë, e drejta e lartë e jetës!
E jetës së lirë, në atdheun e lirë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura