Në 24 vjetorin e Epopesë së UÇK-së
A DO TË BËHEJ NAMI NËSE POLICIA I JEPNIN NJË SHUPLAKË SHABAN JASHARIT?!…
Nga Ramadan Veliu, Pashtriku 6 mars 2022
Bekim Jashari, në një prononcim të tij në media para disa vitesh, pati thënë që para se të ndodhte Epopeja e Jasharëve, kishin shkuar një grup aktivistësh nga LDK dhe u kishin sugjeruar që të mos bënin probleme, se s’bahet nami nëse (policët serbë) i japin ndonjë shuplakë Shaban Jasharit…
Kjo më intrigon si konkluzion nga koncepti determinist i historisë…
Sipas këtij koncepti, sikur Kleopatra ta kishte pasur hundën e shtrembër, e gjithë historia e njerëzimit pastaj do të kishte pasur një tjetër rrjedhë… ngase Cezari nuk do ta martonte Kleopatrën, e pastaj kjo do të kishte efekt zingjiror në gjithë historinë e njerëzimit deri sot…
Përsiatjet e kësaj natyre të shpiejnë në përfundim se, ndoshta liria e Kosovës i detyrohet pikërisht mosgatishmërisë së Shaban Jasharit të duroj shpullat dhe poshtrimin e policisë serbe!….
Po të përkulej Shabani Jashari para dhunës serbe, ndoshta do të përkulej gjithë Kosova dhe sot do të ishim nën okupimin e Serbisë.
Ky është ai dallimi kolosal e vendimtar i HEROIT me vdektarin e zakonshem:
Thuhet se HEROIZMI është mënyrë e vdekjes dhe jo mënyrë e jetës. Është mënyrë e vdekjes pa i dhënë kënaqësinë armikut të demonstroj “madhështinë” e tij duke të poshtruar ty; …HEROIZMI është mohimi i jetës në mbretërinë e shpullave të armikut!….
Pra nëse i duronte Shaban Jashari shpullat e policëve serb do të bëhej NAMI!!!… sepse Kosova ndoshta do të mbetej nën Serbi!
Akti i rezistencës dhe i sakrificës së Jasharajve paraqet kufirin ku mori fund robëria e nënshtrimi, kur populli u zgjua nga letargjia pacifiste dhe ku filloi kryengritja e refuzimi i nënshtrimit si prolog i LIRISË…
Krenaria e Shabanit, me një çmim tmerrësisht të lartë, e mbrojti jo vetem fytyrën dhe dinjitetin e tij nga goditjet e shpullave të policisë serbe, por ai mbrojti fytyrën dhe dinjitetin e gjithë Kosovës…
Liria e Kosovës i ka rrënjët në kurrizin e papërkulur dhe në dinjitetin e pacënueshëm të Jasharëve të Prekazit…